Tuesday, 14 February 2012

Faraoni i fundit




 -Luajmë shah
-Mirë, po ku?
-Në Lindjen e Mesme

Anekdotë Diplomatike

Fjala zabit në arabisht do të thotë oficer dhe për një kohë të gjatë ka përbërë një nga ëndrrat e rinisë egjiptiane. Të zije një vend në ushtri do të thoshte të hyje në elitën e vendit dhe të kapërceje pragun e sikletshëm në shoqëritë e mbyllura patriarkale midis rinisë dhe burrërisë. Në fakt aventura e rinisë egjiptiane në ëndrrën e vet ushtarake ka filluar në kohën e mbretërimit të një bashkatdhetari tonë-Mehmet Ali Pashës(1769-1849) që pas dezertimeve në masë dhe revoltave të vazhdueshme për ngritje pagash nga bashkatdhetarët e vet, vendosi që të formonte më 1815 ushtrinë e vet me elementë vendas. Edhe pse në traditën egjiptiane mbizotëron një thënie sipas së cilës  “ushtarët egjiptianë janë më trimat” rezultatet e para të ushtrisë egjiptiane ishin zhgënjyese. Gjithsesi kjo gjë nuk e pengoi Mehmet Ali Pashën që të vazhdonte me ngulm në trajnimin e tyre me instruktorë kryesisht francezë .Dhe këmbëngulja dhe bindja e tij në fakt nuk e zhgënjyen. Dhjetë vjet më vonë ajo u bë baza e fitoreve të fushatave të Ibrahimit, djalit të tij në betejat e Peloponezit, Akrës dhe Sirisë. Mirëpo duke formuar një element të rëndësishëm të jetës së një kombi siç ishte ushtria, dashur pa dashur Mehmet Ali Pasha u bë  dhe krijuesi i kombit egjiptian , pasi në ushtrinë e tij filluan të takohen të gjithë djemtë e popullatës egjiptiane. Ushtria egjiptiane u bë kështu një element unifikues i popullatës egjiptiane që krahas kulturës ushtarake që përftonte njihej dhe me kulturën vendase dhe lindore dhe atë perëndimore  nëpërmjet gjuhës arabe,turke dhe frënge.
I gjithë ideali i ushtarëve egjiptianë ishte që të vinin në Kajro dhe të shërbenin pranë pallatit të Khedivit, zëvendesmbretit që qeveriste Egjiptin pothuajse i pavarur në emër të Sulltanit të largët në Stamboll. Për rreth një shekull e gjysëm , kjo mbeti ëndrra e të gjithë të rinjve të zonave rurale të Egjiptit për tu integruar në bel monde të Kajros, Ismalias dhe Aleksandrisë, tre qendrave të rëndësishme kozmopolitane të Egjiptit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës. Një nga ata të rinj që u mundua të bënte një ngritje të tillë në shoqëri  ishte dhe Hosni Mubarak, i lindur dhe i arsimuar në Kafr-El-Meselha provincës së largët të Munifias dhe që kur erdhi në Kajro për të studiuar në shkollën ushtarake më 1949 gjeti një atmosferë që ziente mes oficerëve. Humbja në luftën Arabo-Izraelite e vitit 1948 kish krijuar një gjendje shoku në besnikërinë e ushtrisë ndaj mbretit dhe monarkisë duke i bërë përgjegjës për këtë humbje të madhe. Si zakonisht kur oficerët fillojnë dhe mendojnë se mund ti kryejnë më mirë detyrat civile krahas atyre ushtarake, nuk është e largët dita kur ata fillojnë dhe kalojnë në aksione konkrete siç ishte revolucioni i 23 korrikut të 1952 apo më mirë grushti i shtetit të organizatës “Oficerët e Lirë” si rezultat i të cilit mbreti Faruk u detyrua të abdikonte nga froni dhe Egjipti shpallej republikë.
Është shkruar shumë për efektet pozitive dhe horizontet e reja që hapi kjo lëvizje në Egjipt dhe më gjerë, pasi Naseri që erdhi në fuqi përçoi mendimet dhe përvojën e tij në pothuajse të gjitha vendet arabe dhe më gjerë në vendet e botës së tretë. Egjipti pas një anonimati të sikletshëm si një nga ish domenet e Perandorisë Britanike u gjet papritur një vend udhëheqës i vendeve të paangazhuara sëbashku me Jugosllavinë dhe Indinë. Të kësaj periudhe janë dhe sofistikimi ideologjik që Naseri u mundua ti jepte politikave të tij të brendshme dhe të jashtme, përkatësisht panarabizmit dhe socializmit arab. Të gjitha këto lëvizje të fuqishme në politikën e vendit nuk mund të kalonin pa u vënë re nga i riu Mubarak që gjithsesi ishte aq i mençur sa për të kuptuar se përpos ndryshimeve të mëdha sociale që po ndodhnin, një gjë do të vazhdonte të ishte njëlloj, që sërish çelësi për të hapur “portat e Nilit” i përkisnin ushtrisë. Ndaj joshja e parë për të vazhduar karrierën ushtarake jo vetëm që nuk u shua por përkundrazi iu përforcua më tepër dhe duke përfituar nga lidhjet e reja që po vendoste regjimi pas sprovës së vështirë të vitit 1956 me shtetëzimin e kanalit të Suezit, ai sëbashku me një grup tjetër oficerësh besnikë shkoi në B.S për tu shkolluar në shkollën e aviacionit.-“Kështu është shkruar” thonë arabët duke shprehur fatalitetin e tyre në pranimin e së pashmangshmes por kjo shprehje mund të marr dhe ngjyrime pozitive si ishte rasti i Mubarakut, që me përzgjedhjen e shkollimit të tij po i buzëqeshte fati. Në dy luftërat e mëparshme arabo-izraelite, aviacioni kish qenë një nga dobësitë e ushtrisë egjiptiane çka kish bërë të mundur triumfin e lehtë të ushtrive izraelite. Në sfidën e madhe që po përgatitej të vitit 1974 riorganizimi dhe fuqizimi i forcës ajrore po kalonte nga duart e kolonelit të ri dhe të talentuar Mubarak, që kish bërë hapa të mëdhenj dhe në karrierën politike. Pas dorëheqjes së parevokueshme të Naserit pas humbjes fatale me Izraelin në vitin 1967, ushtaraku tjetër Anëar Sadat që ishte bërë president kishte zgjedhur për zëvendës të vet Hosni Mubarak-un. Të tre i bashkonte origjina e përbashkët nga krahina e Munifias dhe për rrjedhojë dhe dëshira për të ngritur një shtet tribal dhe nepotik të bazuar në besnikërinë e njerëzve të vet nga krahina e vet. Kjo ishte arsyeja që me një të rënë të lapsit fshinë çfarëdolloj trashëgimie politike që kishte Egjipti para tyre nëpërmjet reformave të forta sociale që nuk synuan vetëm modernizimin e vendit por dhe krijimin e një kaste të re besnike rreth tyre. Mirëpo sado që u përpoqën që vendit ti jepnin një karakter civil, sërish nuk mundën ti shpëtonin  rolit qendror të ushtrisë në jetën e vendit që me gatishmërinë e saj ishte baza për balancimin e pushtetit të Izraelit në rajon por dhe për stabilitetin e vendit.
Pikërisht tek kjo fjalë faraonët e rinj të Egjiptit kishin gjetur edhe pikën e dobët të Perëndimit që për hir të traktatit të paqes të nënshkruar në Camp David midis Egjiptit dhe Izraelit në 1979 ishin gati të duronin çfarëdolloj shkelje dhe kapriço të tyre në drejtimin e Egjiptit. Në këtë mënyrë po ndodhte paradoksi që vendi që kishte traditë më të hershme parlamentare se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe një zhvillim më të madh kulturor po rrëshqiste në kurthet e sistemit monist dhe autoritarizmit. Edhe pse drejtimin e vendit Mubaraku e mori në fillim te viteve 80’ , kur jo më vonë se 9 vjet filloi vala e katërt e demokratizimit në Evropën Lindore, ai s’mundi ti shpëtonte ngrehinës autoritariste që kish filluar që me triumfin e grushtit të shtetit në vitin e largët 1952. Pluralizmi partiak i vendosur në Egjipt ishte një pluralizëm maskaradë dhe i kontrolluar në mënyrë drakoniane nga ligji i gjendjes së jashtëzakonshme i vendosur që në 1981 pas atentatit të presidentit Anëar Sadad dhe i përtëritur çdo pesë vjet. Mubaraku duke qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet e kuptoi shumë mirë skakierën e Lindjes së Mesme. Kur ishte e nevojshme që të shfaqej si njeriu i Perëndimit mbante në fuqi traktatin e miqësisë me Izraelin dhe madje dërgonte dhe trupa në vitin 1991 kundër Irakut , kur i duhej mbështetja e vendeve arabe i organizonte ato në Ligën Arabe , zyrat qendrore të së cilës ishin në Kajro. Si një vend me një peshë shumë të veçantë në stabilitetin e rajonit, Egjipti ishte në gjendje të notonte në ujërat e divergjencave dhe Mubaraku të shtypte çdo lloj rezistence liberale në vend. Në të kundërt, pavarësisht përndjekjeve që i bëheshin lëvizjeve islamike si “Vëllezërit Myslimanë” ato lejoheshin të organizoheshin pasi i duhej për ta prezantuar si të vetmen opozitë të frikshme ndaj tij dhe që ndaj së cilës Perëndimi natyrisht që shfaqte rezervat e veta. Ky vakuum institucional që ai krijoi me dashje me qëllimin që të çimentonte pushtetin e vet dhe pastaj sipas shembullit sirian ta trashëgonte pushtetin tek i biri rezultoi të ishte fatal për të ardhmen e Egjiptit kur filloi lëvizja e protestave në sheshin Tahrir. Sot pas zhvillimeve të ethshme aty kur tërë bota mbante frymën dhe entuziastë të pandreqshëm në Perëndim që analizat e tyre i bëjnë gjithmonë duke harruar elementin më të rëndësishëm atë social, u nxituan ta pagëzojnë si valë  e demokratizimi ,në zgjedhje triumfuan partitë islamike në masën 60 %. Modeli që adhurohet është ai turk,  i ringjalljes së vlerave islamike dhe kontrollit të fortë nga ana e   ushtrisë të jetës publike në vend. Perëndimi me dëshirën e ethshme për stabilitet dhe duke toleruar sjelljet prej faraoni të Mubarakut e humbi shansin për të krijuar një unitet të botës mesdhetare përsa i përket zhvillimeve kulturore dhe ekonomike. Udhëheqësit e rinj që kanë ardhur në Kajro kanë një axhendë tjetër nga ajo që ndiqte prej kohësh Mubaraku në Lindjen e Mesme. Fuqizimi i Turqisë dhe Iranit në rajon ka hapur orekse të reja dhe në Kajro për t’iu bashkangjitur këtij koncerti dhe demonstrimi force. Mubaraku është tashmë i arrestuar sëbashku me të dy djemtë dhe ndaj tij prokuroria ka kërkuar dënim me vdekje. I është dhënë 25 ditë afat të përgatisë mbrojtjen e vet dhe pastaj do pres vendimin e Gjykatës së Lartë nëse do ti falet jeta, apo do ti bashkëngjitet fatit të Sadam Hyseinit dhe Kadafit. I sëmurë dhe i veshur me të bardha  , rroba të veçanta që u vishen fajtorëve në ligjin islamik sa herë që dilte para gjyqit ndoshta ka menduar se po të ndërtonte një mekanizëm më të mirë pushteti nuk do të ballafaqohej me këtë fat për tu dënuar dhe për të hyrë në historinë e shtetit të vet si një diktator gjakatar që vrau në qendër të Kajros 846 vetë për të ruajtur monopolin e pushtetit të vet. Në fakt kjo është dilema e çdo udhëheqësi që drejton vende autoritare dhe gjysëm demokraci por lakmia për pushtet dhe dëshira për të siguruar pasardhësit krijon sindromën makbethiane sipas të cilit duhet ti bindesh ambicies pa kufi duke shkelur çdo lloj norme dhe morali. I vetëm dhe i braktisur nga të gjithë, ndoshta tani ai e kupton më mirë këtë tragjedi shekspiriane dhe padashur ka hyrë në teatrin politik të rajonit si një rast katarsisi që duhet studiuar mirë. 




Gazeta Shqip. 15.02.2012



No comments: