Tuesday, 21 February 2012

Toka e Besës





Një fundjavë më parë u transmetua premiera e filmit dokumentar Besa-Premtimi i regjisorit Norman Gershman në Festivalin Hebraik të filmit në San Francisko. Filmi dokumentar do të transmetohet dhe në rrjetin prestigjoz CNN duke shënuar kështu një shikueshmëri më të madhe rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu ai pritet të jetë një nga filmat dokumentarë që do të shoqërojnë gjithmonë datën 27 janar, e cila shënon datën e përkujtimit të gjenocidit të ushtruar nga makineria ushtarake e politike e Rajhut të III ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është zgjedhur kjo ditë nga O.K.B jo si ditë përkujtimi të ndonjë masakre si ndodh rëndom në këto raste por si ditë çlirimi dhe njohje e së keqes. Në datën 27 janar 1945, trupat sovjetike hapën për herë të parë portat e kampit famëkeq të Aushvicit në të cilin ishin shfarosur në masë shumë hebrenj të grumbulluar nga Evropa Lindore. Për një kohë të gjatë bota perëndimore nuk i besonte raportet që vinin nga territoret e pushtuara nga gjermanët , ku flitej për keqtrajtime dhe mizori sistematike që ia kalonin dhunës së ushtruar ndonjëherë deri më tash në Evropë. Askujt nuk mund t’ia merrte mendja se kombi që konsiderohej si themeluesi i  filozofisë moderne të kish arritur deri në këtë shkallë urrejtje raciste dhe gjenocidi ndaj një kombi tjetër. Epoka e luftës së dytë botërore ishte epoka e ekstremeve dhe në fakt nuk  ishin vetëm nazistët gjermanë që mbartnin ideologjinë e anti-semitizmit por dhe një sërë popujsh të tjerë të Evropës Qendrore dhe Jugore kush më shumë e kush më pak bashkëpunoi hapur me ta për ti ndihmuar që të realizonin “zgjidhjen përfundimtare”-shfarosjen e plotë të tyre.
Sot pas shumë vjetësh ku antisemitizmi për  shkak dhe të gjenocidit të madh të ushtruar ndaj popullit hebre ka kaluar dhe si ligj nga senati amerikan që e konsideron veprimtari të jashtëligjshme nëse e mohon atë i bën shumë popuj që të dëshirojnë ti bashkëngjiten këtij vendimi edhe pse ndoshta në ndërgjegjen e tyre rëndon një peshë e madhe faji. Shqipëria dhe kombi shqiptar në të kundërt janë shteti dhe kombi i vetëm në Evropë që mund ti bashkëngjiten kësaj vlere njerëzore pa pasur asnjë brejtje të ndërgjegjes pasi gjatë luftës së Dytë Botërore , vendi ynë jo vetëm që nuk u pushtua nga ethet e antisemitizmit por ishte vendi i vetëm në të cilin hebrenjtë u katërfishuan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër edhe kryetarë qeverish kuislinge gjatë pushtimit nazi-fashist të vendit jo vetëm që nuk zbatuan asnjë urdhër të komandave të huaja për eliminimin e hebrenjve por i pajisën një pjesë të madhe të atyre që erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar me pasaporta të shtetit shqiptar duke bërë të mundur në këtë lloj mënyre shpëtimin e tyre të plotë me emra dhe identitete të tjera.
Mirëpo ky kontribut i dhënë në kohërat më të vështira të mbijetesës së popullit hebre për një kohë të gjatë nuk u njoh nga bota perëndimore për shkak se këto fakte mbetën të mbyllura në arkivat e padepërtueshme të shtetit komunist shqiptar i cili për më tepër nuk kishte as marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Tashmë që Shqipëria prej njëzet vjetësh është një shtet i hapur dhe demokratik dhe prej shumë kohësh i është bashkangjitur vlerave demokratike të botës së lirë , komuniteti hebre në për botë por dhe një pjesë e madhe e vendeve perëndimore po e njeh këtë aspekt të rëndësishëm të mirësjelljes dhe besnikërisë shqiptare. Për këtë arsye shpesh herë nëpër në literaturën hebreje  Shqipëria po cilësohet si “toka e besës” që diti të strehojë e t’i ruajë me besnikëri ata që erdhën në Shqipëri në një kohë të vështirë kur në gjithë botën përndiqeshin. Mirëpo ky konstatim dhe dashamirësi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që nuk u shkon për shtat fqinjëve tanë xhelozë që për një kohë të gjatë po mundohen për të gjetur dokumente të tjera që kinse dëshmojnë të kundërtën, ka filluar shpesh të vishet me referencat e “mitit” edhe nga disa studiues e publicistë që nëpërmjet silogjizmave abstraktë pa marrë mundimin që të konsultohen njëherë me dokumentacionin e plotë që ekziston në arkivat tona, por gjithmonë duke iu referuar bisedave gjithë tym rreth filxhanëve të kafesë fillojnë gjasme të dekonstruktojnë dhe këtë të ashtuquajtur “mit” të shoqërisë shqiptare. Sigurisht një përpjekje fisnike si ka qenë ajo e shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar njerëzit e thjeshtë të një kombi tjetër që përndiqej nuk përbën problem nëse hyn në fokusin e analizës por kur kjo analizë merr tendenca negativizmi që nuk i përgjigjen realitetit atëherë kjo gjë nuk mund të qëndrojë më si konstatim në rrafshin e analizës. Përgjigjen në fakt këtyre zërave që kujtojnë se mund të jenë origjinalë dhe të veçantë në hapësirat publicistike dhe televizive shqiptare ua kanë dhënë me kohë të mbijetuarit në të gjithë cepat e globit , të cilët nuk kanë reshtur kurrë që të tregojnë mirënjohjen e tyre ndaj një kombi mikpritës dhe bujar. Për më tepër emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve prej kohësh është gdhendur në librin e mirënjohjes në memorialin në Izrael dhe muzeun e Holokaustit në SH.B.A , një fakt që përpos mirënjohjes dëshmon dhe një cilësi të lartë të shpirtit tolerant shqiptar. Popujt dhe kombet nuk ndahen në të mëdhenj dhe në të vegjël sipas hapësirave gjeografike që zotërojnë por nga shpirti dhe zgjedhjet morale që demonstrojnë në kohëra të vështira. Shqipëria dhe shqiptarët duke respektuar kodin e tyre të mikpritjes ditën të zgjedhin mirë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke mbrojtur bijtë e një vendi që persekutoheshin ngado, ndaj për këtë arsye  sot ata njihen me mirënjohje si “Toka e Besës” dhe radhiten në radhën e kombeve me shpirt të madhe dhe fisnik.

Gazeta Shqip 8.08.2012



No comments: