Tuesday, 28 February 2012

Itaka e humbur






Është e dhimbshme
Itaka e humbur
në detin e pafund të shpresës
kur dëshiron pakëz prehje e qetësi
nga tallazet e egra të jetës
Lundron pafund ëndrrës tënde
dhe asnjëherë se gjen
Mes Shillës e Karibdës
Itaka jote fle
Figuron në të gjitha hartat e shpirtit
por busulla gjithmonë gabon
Në ishuj të egër pa krye të çon
Ndërton një jetë të re
gjithë gaz e hare
por mendja të qëndron
në Itakën që larg fle
Në ëndrra arratisesh
drejt brigjeve të njohura arrin
zgjohesh i përdëlluar
e asnjëherë s’mbërrin
Nuk di se ç’të bësh,
i heshtur qyq
botës gjithandej i bie kryq
kërkon një mit të ri
për veten të besosh
kërkon një realitet
të përpiqesh ta jetosh
e kërkon nëpër natë
e në mes të ditës
por fati yt mjerisht
endet mes Shillës e Karibdës 


Monday, 27 February 2012

Sfida arsimore e Shqipërisë moderne




Gjithkujt që mund ti ketë rënë rasti që të ketë punuar në arsimin e lartë do të ketë vënë re që një nga aspektet më problematikë të edukimit të përgjithshëm të studentëve është mungesa e theksuar e një kulture të përgjithshme. Kjo mungesë kulture të përgjithshme demonstrohet më tepër në fushat e historisë dhe letërsisë, dy fusha që ndikojnë më së tepërmi në krijimin dhe formësimin e identitetit kulturor kombëtar. Personalitete, ngjarje dhe data të rëndësishme të historisë së shqiptarëve dhe botërore, momente të rëndësishme të mendimit kulturor e filozofik të kohës si Rilindja Evropiane, Iluminizmi e Revolucioni Industrial njihen përciptas ose nuk njihen fare duke krijuar një pengesë të madhe për ata që vazhdojnë studimet universitare pasi u duhet që të përballojnë një ngarkesë më të madhe sesa e zakonshmja për të ndjekur leksionet. Ky realitet i trishtë që në fakt nuk vështirëson vetëm punën e lektorëve por është dhe një pengesë serioze për vetë studentët zakonisht i faturohet nivelit të dobët të arsimimit në arsimin parauniversitar në Shqipëri . Arsyeja që përmendet ka një pjesë të vërtete brenda saj pasi në këto 20 vjet tranzicion ku janë ndërmarrë reforma nga më të ndryshmet ku zakonisht ato kanë kundërshtuar njëra-tjetrën dhe nuk kanë qenë në mënyrë lineare por sërish problemi është më i thellë sesa një mospërputhje reformash. Probleme të tilla ka pasur gjithmonë arsimi shqiptar dhe gjatë kohës së diktaturës ku sa herë ndryshoheshin miqësitë politike “reformohej” dhe arsimi për ti përngjarë miqësisë së radhës. Për më tepër dija cungohej përmes labirintit të së lejuarës dhe të mos lejuarës ku nxënësi shqiptar ishte ai që dilte më humburi pasi mund të njihte mirë filozofinë marksiste por jo filozofët kundërshtarë të saj apo mund të njihte mirë letërsinë klasike me problematikën e saj të nxjerrjes në pah të problemeve të shoqërisë së hershme kapitaliste por jo rrymat moderne në letërsi dhe art që pasqyronin dilemat dhe ankthet e njeriut në shoqëritë moderne. Mirëpo nëse kjo gjë është e kuptueshme të ndodhte në edukimin gjatë diktaturës që moton latine “bëhu i ditur të jesh i lirë” e kishte zëvendësuar me moton e nënkuptuar “mëso sa të duhet dhe mos pyet për ato që s’duhen” është një paradoks që në kohët e sotme të lirisë politike dhe lirisë ekonomike studentët shqiptarë të demonstrojnë një dobësi të theksuar në akumulimin e këtyre dijeve. Arsyet janë pak më të thjeshta në fakt sesa respektimi i njërës filozofi mendimi apo tjetre. Ashtu si dhe fushat e tjera arsimi nuk i ka shpëtuar zvetënimit të vlerave që duhet të përmbajë duke krijuar një moçal antivlerash ku kanë lulëzuar dhe po lulëzojnë vemjet e politikës së përditshme shqiptare. Shumë nga studentë pyetjeve tona rreth një shkrimtari të njohur apo një vepre të njohur i përgjigjen lehtë me një ngritje supesh dhe në vend të tyre na përmendin emra autorësh provincialë të panjohur dhe vepra letrare të dobëta të gjinive si përmbledhje poetike apo fjalësh të urta. Pas gjithë kësaj paditurie të frikshme nuk qëndron faji dhe dobësia e nxënësve tanë por një lojë e ndyrë dhe burracake që është luajtur në kurriz të tyre.
Së pari stafi arsimor i përzgjedhur shpesh herë nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar numrin e nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Emërimet e mësueseve varen nga drejtoritë arsimore të rretheve të cilat janë kthyer në pazare të zakonshme mes partive në skemat elektorale të koalicioneve që ndërtohen. Kreu i këtyre zyrave ka kompetencën e plotë për të bërë lëvizjet e ndryshme të arsimtarëve nga një shkollë në tjetrën dhe madje të influencojë dhe në caktimin e literaturës së detyruar shtesë, krahas asaj të Ministrisë së Arsimit për nxënësit. Kjo është arsyeja që nxënësit shpesh herë njohin më mirë shkrimtarë shqiptarë të nivelit mesatar apo debutues për herë të parë në letërsi sesa shkrimtarët e afirmuar dhe të talentuar. Së dyti, lënia në dorë e drejtorive të shkollave për të zgjedhur tekstin mes tre të tilla që fitojnë tenderin nuk krijon një uniformiteti në arsimin kombëtar por një fragmentizim të dëmshëm pasi nxënësit e njërës shkolle mund të njohin mirë ngjarje dhe data apo shkrimtarë dhe vepra që janë pasqyruar në tekstin e tyre por jo dhe ato që janë pasqyruar në tekstin që përdor shkolla fqinjë. Si rezultat dija që përftohet në auditorët e shkollave të mesme nuk është më e mira e mundshme por një mozaik dijesh që i mungojnë disa guralecë themelorë.
Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ë një kombi ndaj kërkohet që ai të pastrohet sa më parë nga infeksionet e politikës dhe të shëndoshet për ti dhënë më të mirën e mundshme në zhvillimin e vendit. Shoqëria civile si një pol i tretë e pa interesuar për politikën e ditës por shumë e interesuar për shëndoshjen e jetës publike në vend ku njerëzit e mirëarsimuar japin një kontribut të veçantë ka dalë tashmë së fundi nëpërmjet grupimit të Alternativës Civile me një propozim konkret përsa i përket zgjedhjes së drejtorit të drejtorisë arsimore në vend dhe drejtorëve të shkollave. Propozimi konsiston në faktin që autoritetet drejtuese të zgjidhen nga nxënësit dhe komuniteti i prindërve duke forcuar kështu së shumti mekanizmat demokratikë të shoqërisë. Politika zyrtare e të gjitha spektrave dhe rrymave duhet a dëgjojë këtë zë dhe ta marrë parasysh pasi në këtë mënyrë jo vetëm kontribuon në shëndoshjen e performancës arsimore në Shqipëri por dhe vetë shpëton nga një e keqe që po i merr frymën si është ajo e emërimeve nepotike dhe shpërblyese për militantët. Një nga mekanizmat më efektivë në luftën kundër korrupsionit si është provuar deri më tash, është shkurtimi i sa më shumë procedurave që e favorizojnë atë ndaj miratimi i këtij propozimi nga shoqëria civile do të kontribuonte në një nga qëllimet dhe sfidat që ka vendi ynë në kuadër të integrimit evropian.
Rreth 130 vjet më parë në vitet e stuhishme të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, këshilla që u jepnin delegacionit shqiptar të kryesuar nga Abdyl Frashëri që vizitonte kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të siguruar njohjen diplomatike të kombit shqiptar, ishte se duhej të krijonin një rrjet shkollash shqip që do të përbënin bazën e arsimit kombëtar dhe do ti ndihmonte shqiptarët të emancipoheshin si komb. Sot që ne prej kohësh e kemi zgjidhur këtë sfidë Evropa përmes mosnjohjes së diplomave të universiteteve tona po na këshillon tërthorazi se duhet të fillojmë të ndërmarrim reformat e duhura për tu barazuar dhe nga ana arsimore me qytetarët e tjerë evropianë. Sfida sërish mbetet e jona dhe ne duhet të fillojmë seriozisht të punojmë për të. Audo Sapere-“Guxo të jesh i ditur” thotë poeti latin Horaci në “Epistolarët” e tij, dhe shoqëria dhe politika shqiptare duhet të fillojë të guxojë. 

.Gazeta "Shqip".27.02.2012


Sunday, 26 February 2012

Minjtë e Titanikut





S’është e vërtetë që Titaniku
nga një ajsberg u fundos
ishin minjtë që brejtën hambarin
e ujët u fut përposh

S’është e vërtetë që SOS-in e tij
asnjë anije se dëgjoi
të tillë nuk pati kurrë
se aparati nuk funksionoi

Ish prishur nga minjtë ca ditë më parë
tek bridhnin në kuvertë lirisht
askush s’u tha atyre asnjë fjalë
tek ecnin kuvertës qetësisht

Barkat e shpëtimit qenë larguar
se minjtë litarët kishin këputur
nata e përmbytjes qe nata e minjve
dhe jo nata e fatit të humbur

Dhe kur anija u fundos
në hapësirat e pafund të oqeanit
minjtë shpëtuan të gjithë
duke lundruar nëpër copat e akullit

E nuk ngrinë, jo aspak
u sulën kontinenteve masivisht
Ti jepnin vetes shanse të reja
e botës fatkeqësi sërish 


Saturday, 25 February 2012

Fjalëkryq






                  Para meje qëndron
                  një fjalë e vështirë
              Më duhet të vrasë mendjen për ta gjetur
                   Enigma kënaqet pa masë
                    kur më shikon të ligur,
                    të munduar të tretur
              E gjej ! Konturoj në mendje ditë të bardha
                  Enigma nxihet, neveritet
                  e përnjëherësh nxjerr katrorin e zi
                  më jep një të panjohur të re
                   e si korb qesh me kënaqësi
              Troshitem, shtrohem në spital. Bëj llogari ditët e bardha
              gjysma e jetës më ka shkuar duke gjetur enigma të gjata
                  Enigma gajaset, krakërin
                  e më dërgon katrorë të zinj
                  ëndrra-arkivole të dëshirave të mia
               Nuk trembem. Marr frymë thellë dhe shënoj germat
               në katrorët e bardhë, duke pirë qetë-qetë një cigar.


Thursday, 23 February 2012

Muzg



Dita u përgjak
tutje në sfond
si mjekra e rallë
e fatkeqit Don Kishot

Parku ulëriti si bishë
që me mish u vel
i shndërruar nga vjeshta
në një luan krifeverdhë

Hëna ethshëm feksi
si vedër e mbushur buzë për buzë
Hijet e pemëve u stërgjatën
tutje në horizont në muzg

Dita ishte thyer si kristal
Oh, nga ajo skish mbetur gjë
një natë e bardhë kish mbuluar horizontin
me ankthin e asaj që ikën e s’kthehet më ...



Tuesday, 21 February 2012

Toka e Besës





Një fundjavë më parë u transmetua premiera e filmit dokumentar Besa-Premtimi i regjisorit Norman Gershman në Festivalin Hebraik të filmit në San Francisko. Filmi dokumentar do të transmetohet dhe në rrjetin prestigjoz CNN duke shënuar kështu një shikueshmëri më të madhe rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu ai pritet të jetë një nga filmat dokumentarë që do të shoqërojnë gjithmonë datën 27 janar, e cila shënon datën e përkujtimit të gjenocidit të ushtruar nga makineria ushtarake e politike e Rajhut të III ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është zgjedhur kjo ditë nga O.K.B jo si ditë përkujtimi të ndonjë masakre si ndodh rëndom në këto raste por si ditë çlirimi dhe njohje e së keqes. Në datën 27 janar 1945, trupat sovjetike hapën për herë të parë portat e kampit famëkeq të Aushvicit në të cilin ishin shfarosur në masë shumë hebrenj të grumbulluar nga Evropa Lindore. Për një kohë të gjatë bota perëndimore nuk i besonte raportet që vinin nga territoret e pushtuara nga gjermanët , ku flitej për keqtrajtime dhe mizori sistematike që ia kalonin dhunës së ushtruar ndonjëherë deri më tash në Evropë. Askujt nuk mund t’ia merrte mendja se kombi që konsiderohej si themeluesi i  filozofisë moderne të kish arritur deri në këtë shkallë urrejtje raciste dhe gjenocidi ndaj një kombi tjetër. Epoka e luftës së dytë botërore ishte epoka e ekstremeve dhe në fakt nuk  ishin vetëm nazistët gjermanë që mbartnin ideologjinë e anti-semitizmit por dhe një sërë popujsh të tjerë të Evropës Qendrore dhe Jugore kush më shumë e kush më pak bashkëpunoi hapur me ta për ti ndihmuar që të realizonin “zgjidhjen përfundimtare”-shfarosjen e plotë të tyre.
Sot pas shumë vjetësh ku antisemitizmi për  shkak dhe të gjenocidit të madh të ushtruar ndaj popullit hebre ka kaluar dhe si ligj nga senati amerikan që e konsideron veprimtari të jashtëligjshme nëse e mohon atë i bën shumë popuj që të dëshirojnë ti bashkëngjiten këtij vendimi edhe pse ndoshta në ndërgjegjen e tyre rëndon një peshë e madhe faji. Shqipëria dhe kombi shqiptar në të kundërt janë shteti dhe kombi i vetëm në Evropë që mund ti bashkëngjiten kësaj vlere njerëzore pa pasur asnjë brejtje të ndërgjegjes pasi gjatë luftës së Dytë Botërore , vendi ynë jo vetëm që nuk u pushtua nga ethet e antisemitizmit por ishte vendi i vetëm në të cilin hebrenjtë u katërfishuan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër edhe kryetarë qeverish kuislinge gjatë pushtimit nazi-fashist të vendit jo vetëm që nuk zbatuan asnjë urdhër të komandave të huaja për eliminimin e hebrenjve por i pajisën një pjesë të madhe të atyre që erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar me pasaporta të shtetit shqiptar duke bërë të mundur në këtë lloj mënyre shpëtimin e tyre të plotë me emra dhe identitete të tjera.
Mirëpo ky kontribut i dhënë në kohërat më të vështira të mbijetesës së popullit hebre për një kohë të gjatë nuk u njoh nga bota perëndimore për shkak se këto fakte mbetën të mbyllura në arkivat e padepërtueshme të shtetit komunist shqiptar i cili për më tepër nuk kishte as marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Tashmë që Shqipëria prej njëzet vjetësh është një shtet i hapur dhe demokratik dhe prej shumë kohësh i është bashkangjitur vlerave demokratike të botës së lirë , komuniteti hebre në për botë por dhe një pjesë e madhe e vendeve perëndimore po e njeh këtë aspekt të rëndësishëm të mirësjelljes dhe besnikërisë shqiptare. Për këtë arsye shpesh herë nëpër në literaturën hebreje  Shqipëria po cilësohet si “toka e besës” që diti të strehojë e t’i ruajë me besnikëri ata që erdhën në Shqipëri në një kohë të vështirë kur në gjithë botën përndiqeshin. Mirëpo ky konstatim dhe dashamirësi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që nuk u shkon për shtat fqinjëve tanë xhelozë që për një kohë të gjatë po mundohen për të gjetur dokumente të tjera që kinse dëshmojnë të kundërtën, ka filluar shpesh të vishet me referencat e “mitit” edhe nga disa studiues e publicistë që nëpërmjet silogjizmave abstraktë pa marrë mundimin që të konsultohen njëherë me dokumentacionin e plotë që ekziston në arkivat tona, por gjithmonë duke iu referuar bisedave gjithë tym rreth filxhanëve të kafesë fillojnë gjasme të dekonstruktojnë dhe këtë të ashtuquajtur “mit” të shoqërisë shqiptare. Sigurisht një përpjekje fisnike si ka qenë ajo e shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar njerëzit e thjeshtë të një kombi tjetër që përndiqej nuk përbën problem nëse hyn në fokusin e analizës por kur kjo analizë merr tendenca negativizmi që nuk i përgjigjen realitetit atëherë kjo gjë nuk mund të qëndrojë më si konstatim në rrafshin e analizës. Përgjigjen në fakt këtyre zërave që kujtojnë se mund të jenë origjinalë dhe të veçantë në hapësirat publicistike dhe televizive shqiptare ua kanë dhënë me kohë të mbijetuarit në të gjithë cepat e globit , të cilët nuk kanë reshtur kurrë që të tregojnë mirënjohjen e tyre ndaj një kombi mikpritës dhe bujar. Për më tepër emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve prej kohësh është gdhendur në librin e mirënjohjes në memorialin në Izrael dhe muzeun e Holokaustit në SH.B.A , një fakt që përpos mirënjohjes dëshmon dhe një cilësi të lartë të shpirtit tolerant shqiptar. Popujt dhe kombet nuk ndahen në të mëdhenj dhe në të vegjël sipas hapësirave gjeografike që zotërojnë por nga shpirti dhe zgjedhjet morale që demonstrojnë në kohëra të vështira. Shqipëria dhe shqiptarët duke respektuar kodin e tyre të mikpritjes ditën të zgjedhin mirë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke mbrojtur bijtë e një vendi që persekutoheshin ngado, ndaj për këtë arsye  sot ata njihen me mirënjohje si “Toka e Besës” dhe radhiten në radhën e kombeve me shpirt të madhe dhe fisnik.

Gazeta Shqip 8.08.2012



Monday, 20 February 2012

Trashëgimia kulturore në ankand




Para pak ditësh në fund të janarit, Instituti i Monumenteve të Kulturës shpalli  vendimin dhe dëshirën më të  te re në kuadër të strategjisë së vet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore që mbartin monumentet e kulturës gjithandej nëpër Shqipëri. Ky vendim dhe dëshirë konsiston në faktin e dhënies me qira të rreth 40 monumenteve të kulturës në Shqipëri për 99 vjet, subjekteve private të cilat mund të investojnë për të ndërtuar në to, hotele apo restorante nën shembullin e kalasë së Petrelës e Lëkurësit në Sarandë. Vendimi si pritej ka ndezur një debat të gjerë në medie por dhe mes specialistëve të cilët janë ndarë në dy kampe përsa i përket dobisë së dhënie apo jo me qira këtyre monumenteve. Shqipëria nga jugu në veri  duke qenë një nga truajt më të hershëm të zhvillimit të civilizimit botëror dhe me një numër te konsiderueshëm të monumenteve të kulturës rezulton të jetë e prekur dhe e interesuar e gjitha, për të pasur një platformë dhe strategji të drejtë përsa i përket kësaj dileme që në dukje tingëllon shkencore por që pas vendimit të qeverisë do të materializohet shumë shpejt dhe në praktikë.  
Instituti i Monumenteve të Kulturës këmbëngul se vendimin e ka marrë të bazuar në traditën dhe eksperiencën evropiane , kryesisht të Austrisë ku brenda kështjellave mesjetare mund të gjesh ndërtime të këtij lloji. Për më tepër përfaqësuesit e Institutit shpjegojnë se mënyra më e mirë për të shpëtuar një monument nga degradimi është rivitalizimi i tij me një funksion dhe rol të ri. Natyrisht në këtë përqasje të problemit besoj se nuk ka asnjë kundërshtim pasi është e vërtetë se monumentet përveçse  mirëmbajtjes së  vazhdueshme kërkojnë dhe funksionim dhe rol të ri në shërbim të komunitetit për të marrë jetë. Madje mirëmbajtja dhe shpenzimet e harxhuara për të mos u rrënuar mund të jetë dhe një arsye tjetër për tu dhënë me qira pasi dihet tashmë  që financat e shtetit s’mund ta përballojnë këtë kosto të lartë , kurse biznesmenë të suksesshëm mund të afrojnë shumë gjëra në këtë drejtim. Këto arsye të trajtuara në këtë lloj mënyre sigurisht që tingëllojnë bindëse dhe në përgjithësi pasi i ke dëgjuar mendon se nuk vend më për diskutim. Mirëpo pavarësisht kësaj përqasje neo-liberale të privatizimit të gjithçkaje dhe besimit në forcën dhe kreativitetin e privates në krahasim me shtetin, sërish me një sy shpejt mund të konstatosh se vendimit dhe projektit të Institutit të Monumenteve i mungojnë disa gjëra thelbësore për ta bërë të besueshëm.
Së pari shembujt e sjella si pozitivë nuk konsistojnë në histori suksesi pasi kalaja e Lëkurësit sot me ndërtimet që janë bërë aty është larg nga identiteti i saj i mëparshëm dhe sigurisht në këtë drejtim fajin nuk e ka privati që ka investuar por shteti që e ka pasur aftësinë kontrolluese shumë të ulët duke lejuar të devijojë nga projekti origjinal. Kjo aftësi e ulët e shtetit është vërejtur edhe në sektorët e tjerë të jetës sonë publike ku trotuare dhe hapësira publike janë zotëruar nga privatët dhe si janë rikthyer ende komunitetit. Ndaj në këtë kuptim të pretendosh se do të rritet perfomanca e shtetit për të kontrolluar çdo detaj të qiradhënies së këtyre objekteve  mund të jetë një iluzion që mund të na kushtojë  shtrenjtë pasi pas ndërhyrjeve të mundshme të privatëve do të jetë shumë vonë dhe me shumë kosto për ti rikthyer në origjinalitet. Për këtë arsye kërkohet që vendimi që Instituti ka marrë të jetë gjithëpërfshirës duke pasur një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë Institutet e tjera shkencorë në Shqipëri si ai i Historisë, i Arkeologjisë, i Antropologjisë dhe deri tek impaktet që do të kenë në ambient ndërtime të tilla. Kjo do të thotë se hartohet një strategji e plotë duke marrë parasysh faktorët historikë, kulturorë, etnografikë dhe të ambientit , gjë që e cila kërkon shumë më tepër kohë sesa një vendim i nxituar për të pasur më vonë pasoja në kulturën tonë kombëtare. Së dyti monumentet e kulturës që zgjidhen për të hyrë në këtë proces po të shikohet më thellë në botë nuk janë monumente që përbëjnë palcën e identitetit kombëtar por monumente të kulturës së dorës së dytë që kërkohen të rivitalizohen si p.sh godina institucionale të shekujve të kaluar. Nuk mund të mendohet që në Itali , Koloseu ti jepet me qira  investitorëve privatë për të ndërtuar hotele apo restorante në të ashtu si po veprohet tashmë me kalanë e Lezhës që ende nuk është gërmuar nga arkeologët dhe larg qoftë me amfiteatrin e Durrësit, Apoloninë apo dhe Butrintin nesër pasi të gjitha këto monumente në Shqipëri, ashtu si është përfaqësues Koloseu për Romën janë simbol të qyteteve përkatëse. Për më tepër hapësira kohore e përzgjedhur në vendim rreth 99 vjet është një praktikë që më tepër se nxit sipërmarrjen e lirë mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në trashëgiminë tonë kulturore.
Trashëgimia kulturore mund të konsiderohet shpesh herë si një luks për realitetin shqiptar ku mungojnë shumë gjëra të tjera thelbësore por besoj se asnjëri nuk mund ta mohojë vlerën e saj të paçmuar në sendërtimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të një kombi. Askush në vitet 30’ kur u bënë punimet në Apoloni dhe Butrint mund ti konsideronte si prioritete të Shqipërisë këto punime, por sot ato janë kthyer në ikona tërheqëse që sjellin shumë vizitorë në Shqipëri sidomos gjatë sezonit turistik. Për më tepër Shqipëria ka një thesar të vërtetë në këtë drejtim pasi vendi ka qenë një kryeqendër e pothuajse të gjitha zhvillimeve kulturore që kanë kaluar në Ballkan. Lista e monumenteve të kulturës që janë dhënë në shfrytëzim deri tani nga Veriu në Jug mund të jetë e konsiderueshme , por Instituti i Monumenteve të Kulturës duhet fillimisht të tregojë sesi kanë qenë dhe ç’përfitim ka pasur nga investimet përsa i përket restaurimeve dhe mirëmbajtjes së tyre dhe pastaj të dalë me një vendim që i jep të gjitha monumentet me qira. Pasi të jetë bërë ky bilanc dhe pastaj në bazë të këtyre të dhënave është hartuar një strategji e mirëfilltë duke marrë parasysh të gjitha grupet e interesit mund të filloj Instituti të vendosë për dhënien apo jo të tyre me qira. “Veprimet flasin më shumë se fjalët” thotë një fjalë e urtë latine që e përkthyer në realitetin tonë do të thotë që të rishikohen mirë shembujt ku monumentet e kulturës janë dhënë me qira investitorëve privatë dhe në bazë të tyre të hartohet dhe strategjia gjithëpërfshirëse e menaxhimit të tyre.



Sunday, 19 February 2012

Kënga e Sprasme e Ymer Agos




Ymer Ago apo Ago Ymeri
kaloresi dhe lundërtari
qe e perdorte shume mire kalin
per te zene pusi në shtigje mali
sa dhe barken per te plaçkitur
brigjet perballë
në motin e largët 1808
kur mësoi se Krali i madh në Stamboll
kish nisur luftë me mbretin e Spanjës
shaloi kalin dhe hipi në anije
tu shkonte në ndihmë sarakaçenjve
që kishin shekuj që përballeshin me spanjollët
atje larg në Gjilbartar
në kepin e fundit të Evropës
që gjithmonë merrte zjarr
nga pasionet dhe mëritë e popujve
që dëshironin të sundonin në detin e madh
që ngrinte dallgët përpjetë sa një mal
Iku dhe u nda me vashat në krojin e fshatit
aty ku  gjithë burrat shuanin etjen e fytit
dhe zjarrminë e shpirtit
 të fundit vashë që takoi
i mbeti peng në zemër
që nuk i tha se kur të kthehej
do ta merrte nuse
se po ikte në Spanjë
e se andej patjetër
do kthehej i gjallë.
Një muaj pa fund lundroi
derisa në Marok përfundoi
një muaj në kokë bloi
rapsodi të vendit të vet për luftën
Në një natë me hënë
kërceu në Spanjë
u printe një grup burrash në ballë
atje mes ullinjve dhe tokës së etur
papritur ranë në pusi të pabesë
shumë u vranë dhe vetë u zu rob
në natën pus, në natën kob
E dorëzuan të Inkuizicioni si të pabesë
për ta marrë në pyetje të pashpresë
rrotën e mundimit e provoi
dhe mendje zë e bluan
se priftërinjtë atje larg në Ulqin
s’ishin kaq të zinj e të këqij
por më e keqe se çdo torturë
ishte  uria dhe etja
që ia shponin trupin si heshta
derisa një mot më vonë
granatierët francezë shpërthyen burgjet
e Ymer Ago doli i lirë
duke endur rrugëve të Madridit
pa ca burra me fustanellë që hanin mish
e pinin verë dhe luanin karagjyzenë
U foli në cas me gëzim të paparë
se ata burra nga vendi i vet i kish
si Gjuajtës të Orientit në ushtri të perandorit
shërbenin
dhe ata e ftuan e i thanë hajde me ne në armatë
e Ymer Ago lundërtari e harroi anijen
dhe i hipi kalit dhe brodhi Evropën anembanë
nga toka e thatë e Spanjës deri në Borodino
nga Vaterlo deri në Alpe
derisa perandori humbi betejat dhe fronin
dhe ai vetëm mori udhën për në Ulqin
në vendin që në Spanjë i pat thënë
që Servantesin kishin mbajtur të burgosur
autorin e fisnikut të krisur që kërkonte drejtësi
tamam si Ymer Agua që mes ushtrive të perandorit
për të drejta qytetari kish mësuar
dhe që me gjithë dëshirë në Ulqin
të tjerëve do tua mësonte
9 vjet e 9 muaj e 9 ditë
qëkur kish ikur nga vendi i vet
tek Kroji i vashave sërish u gjet
dëgjoi muzikë dhe davet
dhe njerëzit rreth e rrotull pyet
Kush martohet o fisnikë?
e bukura e dheut me një pasha në Bosnjë
zemra i kërceu nga vendi vrik
dora i shkoi përnjëherë në thikë
në mes dasme u vërvit
Dale prisni o dasmorë
vasha ka gjetur të zonë
Dale prit o fisnik, çka po flet
a nuk ke frikë?
Zoti i saj është Pashai
le të pyesim zemrën e saj.
Unë kam qenë i fejuar
ika në luftë e tani ktheva
fatin tim e dua sërish
dhe në mendje i erdhi
një histori e vjetër
për një Konstadin që  pat dhënë një fjalë
dhe se kish mbajtur dot sa qe i gjallë
dhe hipur i vdekur mbi kalë
kish ardhur në jetë prapë
besën e dhënë për të mbajtur
shembull më të mirë skish
tu mbushte mendjen krushqve
se zakoni e ndera e kërkonin
fatin e Ymer Agos ta respektonin
Ymer Ago nis e tregoi
sesi në të zezën Spanjë
kish vuajtur gjithë këto vite
as i vdekur a i gjallë
sesi vajzë e mbretit kur ditët kishin afruar
e kish parë të ligështuar
e pat pyetur se ç’kish
kam dhënë fjalën o princesh
që ti gjendem vashës sime pranë
dhe ajo mbretin kish bindur ta lëshonin
i pat dhen dhe kuaj që egër vraponin
dhe tash sa kish arrirë
fatin e vet për ta gjetur
do rrinte e do hidhte rrënjë
do martohej e do bënte fëmijë
do linte kalin dhe anijen
do lëronte toka e mbillte vreshta
do martonte të tjerë në vjeshta
ndaj fisnikë mos më koritni
vajzën nëmni dhe në paqe ikni
sa të vete njëherë në Spanjë
se mbreti do të më shoh të gjallë
Miqtë dëgjuan dhe u përlotën
qanë për vetën dhe për Ymer Agon
prishur mos qoftë fat i parë
do gjemë nuse tjetër në mëhallë
Ymer Ago u gëzua
holli valle e piu verë
hëngri mish e luajti karagjyzenë
e në delir e kënaqësi mendoi
se legjenda e vjetër sa shumë e ndihmoi
për të fshehur aventurën e vet
në luftë, në ballë me sarakaçenjtë
i buzëqeshi fati i bardhë
jetoi si ftua e vasha e tij si dardhë
shtëpinë plot me miq e kish
i priste me verë e mish
e çdo natë si rapsod
u këndonte ndodhitë
sesi erdhi i gjallë
nga ajo e zeza Spanjë. 


Friday, 17 February 2012

Luzati në shekuj


Një kontribut modest për fshatin e të parëve të mi


Fshati Luzat është një qendër e vjetër  e banuar, e cila daton qysh nga fillimi i shekullit të XV. Toponimet e vjetra kristiane të vendit tregojnë për një jetë të lulëzuar të fshatit para dhe pas pushtimit otoman. Gojëdhënat tregojnë që fshati më përpara ka qenë vendosur në rrëzë të fushës në Batall. Më vonë është shpërngulur aty ku është sot. Se kur ka ndodhur ky proces nuk dihet me saktësi dhe çdo gjë i përket legjendës. Arsyeja e shpërnguljes është rreziku nga gjarpërinjtë por dhe ekzistenca në buzë të rrugës që paraqiste rreziqe në ato kohë të turbullta. Në fshat brenda ndodhen 3 toponime kristiane,Shën-Kolli,Shën-Todri dhe lagjja Lleshaj të cilat bëjnë të supozosh për ekzistencën e tre kishave në fshat. Interesant dhe kuptimplotë janë emërtimet shqip të shenjtorëve-Nikoll,Todër dhe Aleksandër-Llesh. Në Shën-Todër me sa duket ka qenë kisha kryesore e fshatit,përderisa aty ka qënë dhe varrezat e vjetra të tij. Gjithashtu ka një toponim Shën-Gjergj në afërsi të Ujit të Ftohtë. Profesor Eqerem Çabej në librin e tij “Etnogjeneza e Kombit Shqiptar”kur radhit fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut në Kalabri,nënvizon faktin se në fshatin Santa-Xhiorxhia de Albanezi banorët i deklaruan faktin se janë nga fshati ‘Luxat”. Shën Gjergji ka qenë shenjti mbrojtës i shqiptarëve në mesjetë dhe ndoshta banorët që u shpërngulën e morën me vete dhe u identifikuan në tokën e re me emrin e shenjtorit.
Në vitin 1430 Luzati përmendet në regjistrat osmane si fshat rebel,dokument i cili ndodhet në muzeun historik kombëtar. Ky dokument nënvizon faktin se “kalorësit turq të spahiut shkuan në Luzat dhe nuk u kthyen më”. Është viti 1431,kur osmanët pasi pushtuan pjesën më të madhe të territorit shqiptar filluan regjistrimin e tokave dhe popullatës në sistemin e timareve. Luzati duhet të ketë qenë një bashkësi fshatarësh të lirë të cilët, në regjimin feudal ushtarak turk kumbisnin të drejtat dhe pronat,prandaj kjo shtresë ishte shtresa më aktive e popullsisë kundër osmanëve. Noli në “Historinë e Skënderbeut” më 1921,nënvizon faktin se “shtresa e fshatarëve të lirë ishte pjesa më rezistente ndaj pushtuesve turq” këtë fakt e tregon dhe historia e mëvonshme,ku tokën në Luzat nuk e zotëronte një familje e vetme por ka qenë e ndarë në ngastra pothuajse të barabarta midis banorëve. Kullotat ka qenë gjithmonë e përbashkët dhe i përkiste gjithë fshatit. Interesant është fakti se ura mbi përroin e Gjirakarit,është  e ndërtuar me kontributin e përbashkët të gjithë fshatarëve,mbasi ata nuk pranuan ta ndërtonte një i kamur i fshatit,pasi i donte ti vinte emrin e tij urës. Po kështu gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës,kapedanin Myrto Çali fshatarët nuk e lejuan të ndërtonte kullën në vendin e quajtur Pirgjes,pasi ai donte të bllokonte rrugën për në mal dhe kullotjen e bagëtive në të ,duke i detyruar kështu fshatarët për të paguar taksa. Akoma dhe sot shihen themelet e hedhura të kullës së pambaruar si dëshmi e mëvetësisë së fshatit Luzat. Udhëtari turk Evlija Çelebi e përmend si vendbanim në veprën e vet në vitet 1660-1670,vite në të cilat ai udhëtoi në Shqipëri
Historiani grek Arivitanoi në librin e tij “Ali Pashë Tepelenliu” nuk e radhit në radhën e çifligjeve të Aliut,siç bën me disa fshatra të tjerë të Tepelenës si Veliqot,Hormovë Lekël etj. Ky fakt tregon se Luzati nuk ka kaluar nëpërmjet procesit të feudalizmit klasik me bujarë dhe bujkrobër,dhe në pushtimin otoman as në çifligarë dhe çifçinj në kohën e thyerjes së sistemit të timarit. Ka shumë mundësi që Luzati për një periudhë kohe të jetë radhitur në krahinën e Kurveleshit dhe të Himarës dhe të ketë gëzuar të drejtat e Venomeve. Fshati siç dihet ndodhet në kufi me fshatrat e Kurveleshit të sipërm dhe shumica e familjeve ishin të lidhura me krushqi me familjet e asaj krahine. Udhëtari, diplomati dhe studiuesi anglez William Martin Leake shkruan në librin e vet “Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri” se fshati Luzat ka 200 shtëpi, një numër i konsiderueshëm për kohën kur në të njëjtën kohë Tepelena ka pasur më pak se 100 shtëpi.
            Rënia e pashallëkut të Janinës solli centralizimin e pushtetit qendror turk,dhe kjo pruri revoltat e vazhdueshme nga Veriu në Jug. Edhe fshati Luzat mori pjesë aktive në dy kryengritjet e mëdha 1833 dhe 1847.Më 1833 në afërsi të fshatit Luzat në vendin e quajtur “Guri i taborrit” u zhvillua beteja e përgjakshme kundër forcave turke të Emin Pashës.Forcat kryengritëse shqiptare udhëhiqeshin nga Tafil Buzi.Në këtë betejë u shqua dhe trimi luzatar Satedin Luzati i përjetuar në këngë nga rapsodi popullor qe këndohen deri në ditët e sotme. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, Luzati ashtu si gjithë krahina u përfshi nga lëvizja e kaçake,e këtyre njerëzve “rebel” me shpirt të madh. Në kujtesën popullore ky moment është skalitur nëpërmjet këngës popullore kushtuar Ahmed Buqit dhe dy shokëve të tij Laze Skëndit dhe Sulejman Naçit.
Më 1914 Luzati u dogj nga forcat shoviniste greke,por popullsia shpëtoi nga një masakër si ajo e Hormovës,falë trimërisë dhe heroizmit të 5 luzatarëve,Aliko Koçi.Ali Beqiri,Selman Qibini,Jakup Skëndi dhe Haxhi Kasa,të cilët nuk u treguan forcave greke,vendin ku fshihej fshati. Luzati ka marre pjesë në luftë kundër shovionistëve grekë më 1914.Ky moment është përjetuar në vargjet popullore:

                                           Luzatë këmishbardhë
                                           Në Kodër u ngrinë e vanë
                                           Të luftojnë me Junanë

Edhe gjatë okupacionit grek,fshati e kundërshtoi me mënyra të ndryshme pushtuesin. Luzatarët nuk pranuan të paguanin taksa grekëve. Luzatari Mato Koçi qëlloi me pëllëmbë oficerin grek që kërkonte më detyrim ato. Kjo ishte përgjigja që i jepte fshati si dhe më parë në shekuj këtyre pushtuesve të rinj.
            Një pjesë e madhe e luzatarve për ti shpëtuar represionit grek apo për të forcuar ekonominë e tyre pas djegies së fshatit nga grekët,emigruan fillimisht në Turqi apo Misir dhe në fillimet e shekullit XX në Amerikë dhe Francë. Është e natyrshme që kontakti me vendet e tjera të sillte evolucion në marredhëniet midis komunitetit. Kështu traditat demokratike të SH.B.A u përcollën në fshat me krijimin e një shoqate demokratike me emrin “Përparimi” nga Selim Kopelli,Remzi Kalo,Malo Mustafai,Fuat Shehu,Myrto Progonati etj. Fshati Luzat ka qenë gjithmonë arsimdashës. Në fillim ka ekzistuar mejtepi turqisht dhe më pas shkolla shqip e hapur më 1909. Fshati Luzat është vendlindja e patriotit Sulejman Luzati nga familja Kaziaj.Ai ishte miku dhe bashkëpunëtori i afërt i Ismail Qemalit,i emëruar nënprefekt i parë i Tepelenës. Po kështu ai ishte deputeti i Tepelenës në parlamenti demokratik 1921,mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit,Avni Rustemit,Luigj Gurakuqit etj. Ai ka luftuar tërë jetën e tij për prosperitetin e demokracisë në vend.
 Luzatarët morën pjesë në luftën kundër italianëve më 1920,në Tepelenë dhe Vlorë nën komandën e Dervish Xhaferit dhe nën udheheqjen e Baba Ahmet Turanit-iniciatorit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”,i cili ishte nip në familjen Luzi në Luzat. Luzati duke qenë i vendosur në anë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër- Janinë(Derveni)ka njohur një zhvillim kultural të konsiderueshëm për kohën. Ata jetonin duke ushtruar bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë. Luzatarët ishin të pranishëm dhe në qytetin e Tepelenës ku ushtronin tregtinë dhe aktivitete të ndryshme si hotel-restorant,këpucari,berber etj. Këtë proces e pengoi pushtimi italian i vendit të cilin luzatarët nuk e pëlqyen dhe e kundërshtuan. Më vitin 1940 luzatarët kanë protestuar për dëmtimin e kanalit ujitës të fushës nga italianët që ndërtonin një rrugë strategjike për nevojat e luftës. Lufta Italo-Greke solli dëmtime të mëdha në fshat dhe shkatërrimin e ekonomive fshatare. Kjo është dhe një nga arsyet e rritjes së ndjenjës nacionaliste dhe urrejtje ndaj pushtuesve fashistë ndaj Luzati është një nga fshatrat që radhitet nga të parët në vend për rezistencë kundër Italisë fashiste. Mbi 50 djem morrën pjesë me armë në dorë në formacionet partizane,shumica dërmuese të rinj ndër ta dhe 4 vajza.Luzati i dha atdheut 12 dëshmorë dhe një heroinë-Nimete Progonati.
Gjatë regjimit komunist fshati Luzat kaloi nëpër të gjitha fazat e zhvillimit të detyrueshëm të planifikimit të ekonomisë dhe të socializimit të jetës shoqërore. Megjithatë vlen të theksohet se në këtë periudhë nga fshati Luzat shkollohen disa breza në arsimin e lartë duke krijuar dhe elitat drejtuese të qytetit të Tepelenës por dhe më gjerë në Shqipëri sidomos në Tiranë ku u vendosën shumë familje nga Luzati. Sot fshati Luzat ka pothuajse të njëjtin numër shtëpish dhe banorësh që ka pasur në shekuj, të cilët kujdesen të  mbarështojnë dhe kujdesen  për ekonominë e tyre dhe zhvillimin social të fshatit. Mosbraktisja në numër të madh të shtëpive dhe fshatit tregon se Luzati do të vazhdojë të jetë në shekuj një qendër e rëndësishme e banuar e krahinës së Dervenit dhe të gëzojë frytet e zhvillimit të ekonomisë së lirë.




Burimet:

1.      Akademia e Shkencave : Dokumente osmane mbi Shqipërinë
2.      E.Çabej : Mbi etnogjenezën e shqiptarëve
3.      Aravitinoi : Ali Pasha Tepelenliu
4.      William Martin Leake : Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri
5.      Fan Noli: Historia e Skënderbeut
6.      Nevruz Kalo: Historiku i fshatit Luzat (dorëshkrim)
7.      Fjalori Enciklopedik Shqiptar 1986
8.      Fatos mero Rrapaj : Këngë popullore të Labërisë         


Thursday, 16 February 2012

Gri




Më pat humbur shahu
s’di se në ç’skutë të shpirtit
Ditët zymtoheshin
si gri e shpëlarë
më dërgoi lajm mbreti i zi
se po fitonte...



Tuesday, 14 February 2012

Faraoni i fundit




 -Luajmë shah
-Mirë, po ku?
-Në Lindjen e Mesme

Anekdotë Diplomatike

Fjala zabit në arabisht do të thotë oficer dhe për një kohë të gjatë ka përbërë një nga ëndrrat e rinisë egjiptiane. Të zije një vend në ushtri do të thoshte të hyje në elitën e vendit dhe të kapërceje pragun e sikletshëm në shoqëritë e mbyllura patriarkale midis rinisë dhe burrërisë. Në fakt aventura e rinisë egjiptiane në ëndrrën e vet ushtarake ka filluar në kohën e mbretërimit të një bashkatdhetari tonë-Mehmet Ali Pashës(1769-1849) që pas dezertimeve në masë dhe revoltave të vazhdueshme për ngritje pagash nga bashkatdhetarët e vet, vendosi që të formonte më 1815 ushtrinë e vet me elementë vendas. Edhe pse në traditën egjiptiane mbizotëron një thënie sipas së cilës  “ushtarët egjiptianë janë më trimat” rezultatet e para të ushtrisë egjiptiane ishin zhgënjyese. Gjithsesi kjo gjë nuk e pengoi Mehmet Ali Pashën që të vazhdonte me ngulm në trajnimin e tyre me instruktorë kryesisht francezë .Dhe këmbëngulja dhe bindja e tij në fakt nuk e zhgënjyen. Dhjetë vjet më vonë ajo u bë baza e fitoreve të fushatave të Ibrahimit, djalit të tij në betejat e Peloponezit, Akrës dhe Sirisë. Mirëpo duke formuar një element të rëndësishëm të jetës së një kombi siç ishte ushtria, dashur pa dashur Mehmet Ali Pasha u bë  dhe krijuesi i kombit egjiptian , pasi në ushtrinë e tij filluan të takohen të gjithë djemtë e popullatës egjiptiane. Ushtria egjiptiane u bë kështu një element unifikues i popullatës egjiptiane që krahas kulturës ushtarake që përftonte njihej dhe me kulturën vendase dhe lindore dhe atë perëndimore  nëpërmjet gjuhës arabe,turke dhe frënge.
I gjithë ideali i ushtarëve egjiptianë ishte që të vinin në Kajro dhe të shërbenin pranë pallatit të Khedivit, zëvendesmbretit që qeveriste Egjiptin pothuajse i pavarur në emër të Sulltanit të largët në Stamboll. Për rreth një shekull e gjysëm , kjo mbeti ëndrra e të gjithë të rinjve të zonave rurale të Egjiptit për tu integruar në bel monde të Kajros, Ismalias dhe Aleksandrisë, tre qendrave të rëndësishme kozmopolitane të Egjiptit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës. Një nga ata të rinj që u mundua të bënte një ngritje të tillë në shoqëri  ishte dhe Hosni Mubarak, i lindur dhe i arsimuar në Kafr-El-Meselha provincës së largët të Munifias dhe që kur erdhi në Kajro për të studiuar në shkollën ushtarake më 1949 gjeti një atmosferë që ziente mes oficerëve. Humbja në luftën Arabo-Izraelite e vitit 1948 kish krijuar një gjendje shoku në besnikërinë e ushtrisë ndaj mbretit dhe monarkisë duke i bërë përgjegjës për këtë humbje të madhe. Si zakonisht kur oficerët fillojnë dhe mendojnë se mund ti kryejnë më mirë detyrat civile krahas atyre ushtarake, nuk është e largët dita kur ata fillojnë dhe kalojnë në aksione konkrete siç ishte revolucioni i 23 korrikut të 1952 apo më mirë grushti i shtetit të organizatës “Oficerët e Lirë” si rezultat i të cilit mbreti Faruk u detyrua të abdikonte nga froni dhe Egjipti shpallej republikë.
Është shkruar shumë për efektet pozitive dhe horizontet e reja që hapi kjo lëvizje në Egjipt dhe më gjerë, pasi Naseri që erdhi në fuqi përçoi mendimet dhe përvojën e tij në pothuajse të gjitha vendet arabe dhe më gjerë në vendet e botës së tretë. Egjipti pas një anonimati të sikletshëm si një nga ish domenet e Perandorisë Britanike u gjet papritur një vend udhëheqës i vendeve të paangazhuara sëbashku me Jugosllavinë dhe Indinë. Të kësaj periudhe janë dhe sofistikimi ideologjik që Naseri u mundua ti jepte politikave të tij të brendshme dhe të jashtme, përkatësisht panarabizmit dhe socializmit arab. Të gjitha këto lëvizje të fuqishme në politikën e vendit nuk mund të kalonin pa u vënë re nga i riu Mubarak që gjithsesi ishte aq i mençur sa për të kuptuar se përpos ndryshimeve të mëdha sociale që po ndodhnin, një gjë do të vazhdonte të ishte njëlloj, që sërish çelësi për të hapur “portat e Nilit” i përkisnin ushtrisë. Ndaj joshja e parë për të vazhduar karrierën ushtarake jo vetëm që nuk u shua por përkundrazi iu përforcua më tepër dhe duke përfituar nga lidhjet e reja që po vendoste regjimi pas sprovës së vështirë të vitit 1956 me shtetëzimin e kanalit të Suezit, ai sëbashku me një grup tjetër oficerësh besnikë shkoi në B.S për tu shkolluar në shkollën e aviacionit.-“Kështu është shkruar” thonë arabët duke shprehur fatalitetin e tyre në pranimin e së pashmangshmes por kjo shprehje mund të marr dhe ngjyrime pozitive si ishte rasti i Mubarakut, që me përzgjedhjen e shkollimit të tij po i buzëqeshte fati. Në dy luftërat e mëparshme arabo-izraelite, aviacioni kish qenë një nga dobësitë e ushtrisë egjiptiane çka kish bërë të mundur triumfin e lehtë të ushtrive izraelite. Në sfidën e madhe që po përgatitej të vitit 1974 riorganizimi dhe fuqizimi i forcës ajrore po kalonte nga duart e kolonelit të ri dhe të talentuar Mubarak, që kish bërë hapa të mëdhenj dhe në karrierën politike. Pas dorëheqjes së parevokueshme të Naserit pas humbjes fatale me Izraelin në vitin 1967, ushtaraku tjetër Anëar Sadat që ishte bërë president kishte zgjedhur për zëvendës të vet Hosni Mubarak-un. Të tre i bashkonte origjina e përbashkët nga krahina e Munifias dhe për rrjedhojë dhe dëshira për të ngritur një shtet tribal dhe nepotik të bazuar në besnikërinë e njerëzve të vet nga krahina e vet. Kjo ishte arsyeja që me një të rënë të lapsit fshinë çfarëdolloj trashëgimie politike që kishte Egjipti para tyre nëpërmjet reformave të forta sociale që nuk synuan vetëm modernizimin e vendit por dhe krijimin e një kaste të re besnike rreth tyre. Mirëpo sado që u përpoqën që vendit ti jepnin një karakter civil, sërish nuk mundën ti shpëtonin  rolit qendror të ushtrisë në jetën e vendit që me gatishmërinë e saj ishte baza për balancimin e pushtetit të Izraelit në rajon por dhe për stabilitetin e vendit.
Pikërisht tek kjo fjalë faraonët e rinj të Egjiptit kishin gjetur edhe pikën e dobët të Perëndimit që për hir të traktatit të paqes të nënshkruar në Camp David midis Egjiptit dhe Izraelit në 1979 ishin gati të duronin çfarëdolloj shkelje dhe kapriço të tyre në drejtimin e Egjiptit. Në këtë mënyrë po ndodhte paradoksi që vendi që kishte traditë më të hershme parlamentare se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe një zhvillim më të madh kulturor po rrëshqiste në kurthet e sistemit monist dhe autoritarizmit. Edhe pse drejtimin e vendit Mubaraku e mori në fillim te viteve 80’ , kur jo më vonë se 9 vjet filloi vala e katërt e demokratizimit në Evropën Lindore, ai s’mundi ti shpëtonte ngrehinës autoritariste që kish filluar që me triumfin e grushtit të shtetit në vitin e largët 1952. Pluralizmi partiak i vendosur në Egjipt ishte një pluralizëm maskaradë dhe i kontrolluar në mënyrë drakoniane nga ligji i gjendjes së jashtëzakonshme i vendosur që në 1981 pas atentatit të presidentit Anëar Sadad dhe i përtëritur çdo pesë vjet. Mubaraku duke qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet e kuptoi shumë mirë skakierën e Lindjes së Mesme. Kur ishte e nevojshme që të shfaqej si njeriu i Perëndimit mbante në fuqi traktatin e miqësisë me Izraelin dhe madje dërgonte dhe trupa në vitin 1991 kundër Irakut , kur i duhej mbështetja e vendeve arabe i organizonte ato në Ligën Arabe , zyrat qendrore të së cilës ishin në Kajro. Si një vend me një peshë shumë të veçantë në stabilitetin e rajonit, Egjipti ishte në gjendje të notonte në ujërat e divergjencave dhe Mubaraku të shtypte çdo lloj rezistence liberale në vend. Në të kundërt, pavarësisht përndjekjeve që i bëheshin lëvizjeve islamike si “Vëllezërit Myslimanë” ato lejoheshin të organizoheshin pasi i duhej për ta prezantuar si të vetmen opozitë të frikshme ndaj tij dhe që ndaj së cilës Perëndimi natyrisht që shfaqte rezervat e veta. Ky vakuum institucional që ai krijoi me dashje me qëllimin që të çimentonte pushtetin e vet dhe pastaj sipas shembullit sirian ta trashëgonte pushtetin tek i biri rezultoi të ishte fatal për të ardhmen e Egjiptit kur filloi lëvizja e protestave në sheshin Tahrir. Sot pas zhvillimeve të ethshme aty kur tërë bota mbante frymën dhe entuziastë të pandreqshëm në Perëndim që analizat e tyre i bëjnë gjithmonë duke harruar elementin më të rëndësishëm atë social, u nxituan ta pagëzojnë si valë  e demokratizimi ,në zgjedhje triumfuan partitë islamike në masën 60 %. Modeli që adhurohet është ai turk,  i ringjalljes së vlerave islamike dhe kontrollit të fortë nga ana e   ushtrisë të jetës publike në vend. Perëndimi me dëshirën e ethshme për stabilitet dhe duke toleruar sjelljet prej faraoni të Mubarakut e humbi shansin për të krijuar një unitet të botës mesdhetare përsa i përket zhvillimeve kulturore dhe ekonomike. Udhëheqësit e rinj që kanë ardhur në Kajro kanë një axhendë tjetër nga ajo që ndiqte prej kohësh Mubaraku në Lindjen e Mesme. Fuqizimi i Turqisë dhe Iranit në rajon ka hapur orekse të reja dhe në Kajro për t’iu bashkangjitur këtij koncerti dhe demonstrimi force. Mubaraku është tashmë i arrestuar sëbashku me të dy djemtë dhe ndaj tij prokuroria ka kërkuar dënim me vdekje. I është dhënë 25 ditë afat të përgatisë mbrojtjen e vet dhe pastaj do pres vendimin e Gjykatës së Lartë nëse do ti falet jeta, apo do ti bashkëngjitet fatit të Sadam Hyseinit dhe Kadafit. I sëmurë dhe i veshur me të bardha  , rroba të veçanta që u vishen fajtorëve në ligjin islamik sa herë që dilte para gjyqit ndoshta ka menduar se po të ndërtonte një mekanizëm më të mirë pushteti nuk do të ballafaqohej me këtë fat për tu dënuar dhe për të hyrë në historinë e shtetit të vet si një diktator gjakatar që vrau në qendër të Kajros 846 vetë për të ruajtur monopolin e pushtetit të vet. Në fakt kjo është dilema e çdo udhëheqësi që drejton vende autoritare dhe gjysëm demokraci por lakmia për pushtet dhe dëshira për të siguruar pasardhësit krijon sindromën makbethiane sipas të cilit duhet ti bindesh ambicies pa kufi duke shkelur çdo lloj norme dhe morali. I vetëm dhe i braktisur nga të gjithë, ndoshta tani ai e kupton më mirë këtë tragjedi shekspiriane dhe padashur ka hyrë në teatrin politik të rajonit si një rast katarsisi që duhet studiuar mirë. 




Gazeta Shqip. 15.02.2012



Rri sonte...




Rri sonte mos ik,
shih si çelën jargavanët nën dritare
shiu s’mbjell më pellgje por butësisht bie
Vështro si afrohet nata ëndërruese
me tinguj të lehtë si hije

Rri sonte mos ik
Ti vjedhim botës një buzëqeshje gëzimi
Ti erdhe-capite lehtë
nën parzme të brishta ledhatimi

Rri sonte mos ik
Prit agimin e bardhë,
ylberin e brishtë ngjyra-ngjyra
derisa çapet që bëre për të ardhur tek unë
të kthehen nga gonxhe në trëndafila.

Rri sonte mos ik....


Monday, 13 February 2012

Ngatërresë e ëmbël





Zogjtë të ngatërrojnë shpesh me pemë
Dhe vinë e bëjnë fole tek ty
Dielli të kujton se je ujëvarrë
Dhe të ylberon herët me rreze
Pranvera të ngatërron me lule
Dhe të çel çdo mëngjes
Unë të thërras thjesht
E dashur........



Pritja




Përkotet ekrani përgjumësh
i apokalipsuar në vetmi,
shurdhohet telefoni në heshtje
si sfinks në pritje,
zbehtojnë abazhurët në dhomë
si sy të verbër,
dimri në xhama
belbëzon si memec
Ti duhet të vish,
patjetër të vish
tu japësh këtyre sendeve jetë
Unë të pres...



Sunday, 12 February 2012

Akili dhe Pentesileja





...Dhe Akilët i vrasin Pentesiletë
gjakosin një dashuri në pelena
shkatërrojnë idile lumturie,
masakrojnë shpirtin tyre
e pastaj qajnë mbi kurmin e dëshiruar
që mes puthjesh e ledhatimesh
do deshën ta kishin prekur
ndërsa gjaku shkon çurg
të vadisë tokën e tharë , të thekur
S’është e vërtetë që Akilët
vdesin nga një shigjetë në thembër
ata vdesin nga hiri i Pentesileve
që u digjet në zemër...


Tuesday, 7 February 2012

Vegimet e Goya-s

                                                                Ti që për asnjë gjë i zoti s’je,
                                                                Mbamë në kurriz se mirë e ke”


Fransisco Goya 1746-1828  konsiderohet si mjeshtri i fundit i madh  pikturës klasike dhe një nga pararendësit e artit modern. Ai është shumë i njohur për pikturat që realizoi për të familjen mbretërore në Spanjë , piktura që tregojnë shkëlqimin e oborrit spanjoll por në pararendjen e tij drejt artit modern ai zbuloi pikturat bardhë e zi në formën e karikaturave që sipas fjalëve të tij pasqyronin “dobësitë dhe idiotësitë që mund të gjendeshin në çdo shoqëri civile dhe që paragjykimet e përbashkëta dhe praktikat mashtruese që prodhojnë injoranca ose interesat vetjake i kanë bërë ato mëse të zakonshme”. Los Caprichos u publikuan ne vitin 1799 ne një kohe represioni shoqëror dhe krize ekonomike ne Spanje. Seria e karikaturave bardhe e zi "Kapriçot" ishte një dëshmi e liberalizmit politik te Fransisco Goya-s dhe revoltës se brendshme kundrejt injorancës dhe shtypjes ndaj intelektualeve qe bënte ne atë kohe monarkia spanjolle dhe Inkuizicioni. Në shqip ato u përmendën për herë të parë në vitet 70’ sëbashku me romanin e mrekullueshëm të Lion Feuchtëanger “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, një roman historik për Goya-n, përkthyer nga i paharruari Robert Shvarc. Botimit të parë të këtij romani censura i hoqi rreth 100 faqe që pasqyronin jetën erotike të Goya-s, faqe që mesa duket u quajtën të pavlefshme për formimin dhe edukimin e Njeriut të Ri që po përpiqej në çdo formë dhe mënyrë ti ngjante Lej Fenit kinez. Ishte koha kur në Shqipëri qarkullonin korrentet e Revolucionit Kulturor kinez, korrente që do të zbeheshin në fund të viteve 80’ kur romani do të ribotohej sërish por tashmë i plotë. Ky botim do të shoqërohej dhe me ilustrime ku karikatura e famshme me diçiturën “Tu que no puedes “ do të përkthehej nga Shvarci “Ti që për asnjë gjë i zoti s’je/Mbamë në kurriz se mirë e ke”. Përkthimi i letërsisë klasike kur mundte jepte shkëndija të kuptimit të realitet gri shqiptar pasi lexuesi përveçse analogjisë së thirrjeve të Inkuizicionit në mesnatë me thirrjet dhe survejimet e Sigurimit të Shtetit mund të kishte një panoramë më të gjerë nga kjo karikaturë për realitetin shqiptar ku shumica e kuadrove zgjidheshin nga “kllasa punëtore”. Vegimet e Goya-s mund të ishin vegime të kujtdo intelektuali shqiptar që arrinte dhe e kuptonte realitetin ndaj një meritë e madhe shkon për të gjithë atë brez përkthyesish që nëpërmjet përkthimeve të tilla hidhnin dritë mbi errësirën e fanatizmit dogmatik shqiptar. Ndaj për brezin tim Goya mbetet një piktor i madh por dhe një njeri i madh që nën një përkthim mjeshtëror të romanit të një shkrimtari antikomformist si Lion Feuchtëanger kontribuonte në kultivimin e shijeve tona estetike. Mirëpo gjërat nuk duken të kenë ndryshuar shumë në vendin e shqipove pasi kjo karikaturë me emërimet nepotike dhe shpërblyese për batakçiun e radhës që të siguron vota duket se i përshtatet dhe realitetit të sotëm shqiptar. Shumë të shkolluar por pak ekspertë të vërtetë, shumë buxhet i harxhuar për trajnimet e “ekspertëve” tanë dhe shumë pak impakt i tyre në shoqëri. Diçitura e Shvarcit duket se rezonon dhe sot duke na lënë të gjithë të shtangur dhe në pikëpyetje se ç’shtet të së drejtës kemi ndërtuar në këto njëzet vjet tranzicion. Sigurisht të mposhtur nga kjo dilemë jemi ne aty poshtë pasi ata që mbajmë lart as që e lodhin kokën por mundohen të rrinë sa më mirë dhe të përfitojnë sa më mirë. Me pak fjalë sa të mendohemi ne , ata nëpërmjet gjithfarë dredhish kanë mbaruar punë. Rrofshin dhe i paçim për jetë se mesa duket e meritojmë një fat të tillë.




Sunday, 5 February 2012

Kadare dhe Çajld Harold. Magjia e një poezie







Çajld Harold

Kalanë e Tepelenës unë e pashë;
E shkretë ish, bedenat pa njeri,
As roje, as shtiza, as Ali Pashë,
Më nuk kumbon. Por heshtje . Qetësi.

Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,
As kuaj, as llambadha mbi xhami,
Por pashë tek libraria anës udhës
Si blinte “Çajld Haroldin” një fëmi



Ismail Kadare “Ëndërrime” 1957 



Çlidhje mund të ketë midis përjetimeve dhe poezisë? A është eksperienca , të prekurit dhe e të përjetuarit e realitetit një kusht themelor për shkrimin e një poezie? Këto janë pyetje universale që rëndojnë ndërgjegjen e të gjithë atyre që pëlqejnë poezinë, të paktën që nga momenti që njeriu i hershëm aty në shpellën e lagësht vizatimin që kish bërë kërkoi që ta shprehte dhe me fjalë. Po ç’fjalë se? Fjalë të zakonshme? Sigurisht që jo. Në poezi përdoren fjalë që të prekin thellë në shpirt dhe të bëjnë të “arratisesh” me mendje në realitete të tjera. Si fjalët p.sh të Iliadës së Homerit që na dëftejnë vetëm 51 ditët e fundit të Luftës së Trojës dhe që na shtyn të mendojmë se ndoshta dhe ai ishte një nga luftëtarët akeas që ndihte dhe perceptonte gjithçka në atë luftë heroike. Nëse mundohemi ta marrim për të vërtetë dilemën e parë , atë që eksperienca , të prekurit e të përjetuarit e realitetit është një kusht themelor për shkrimin e një poezie, për fat të keq këtë detaj ne nuk e dimë për Homerin pasi të dhënat që kemi për të nuk na e lejojnë këtë gjë, kurse për poetë që janë më afër viteve tona mund të flasim me siguri.
Lord Bajroni ishte vetëm 21 vjec kur do vizitonte Pashallëkun e Janinës dhe të takonte në Tepelenë , Pashain karizmatik të quajtur Ali. Eksperiencat dhe përshtypjet e tij nga udhëtimi në Lindjen e Afërt , ai do ti përshkruante në dy Kantot e para të poemës “Child Harold” që e bëri atë të famshëm menjëherë në gjithë Evropën. Kjo poemë do të citohej dhe vlerësohej vazhdimisht nga çdo shqiptar që do të binte në kontakt me kulturën e përbotshme dhe veçanërisht atë anglo-saksone, derisa do ta sillte në shqip të tërën në mënyrë mjeshtërore, mjeshtri i fjalës Skënder Luarasi më 1955. Se çfarë impakti ka pasur ky botim në botën shqiptare, kjo gjë dallohet qartë nga vargjet e mëposhtme të Ismail Kadaresë që përshtypjet e udhëtimit të tij drejt Tiranës nga Gjirokastra , me ndalesën e pashmangshme të autobusit në Tepelenë për të dorëzuar postën dhe për të marrë pasagjerë të tjerë, rikrijon sërish një skemë kozmopolite të historisë së qytetit të vogël. Janë të gjithë personazhet e mundshëm aty, Ali Pasha dhe Bajroni i fshehur në mantelin e poezisë të botuar në libër me emrin “Child Harold” dhe një fëmi që pafajësisht hyn në botën e poezisë së madhe duke blerë një libër që sapo ka dalë në qarkullim. Kjo paraqitje e Bajronit nën mantelin e një emri tjetër, duket se i përngjan një rizbulimi të vjetër ballkanas me legjendën e vëllait të vdekur që vjen e troket në portë për të sjellë motrën dhe pastaj ikën sërish në zbrazëtirën që ka lënë në varrin e vet pas stërmundimit të madh për tu rikthyer njëherë në jetë. Po Bajroni ç’mund të ketë dashur  kur ka marrë  rrugën e vet sërish për në Tepelenë përmes fjalëve dhe gjuhës së një njeriu që është mjeshtër i përkthimit? Kë ka sjellë nga humbëtira e varrit të vet  diku larg në Britani?
Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindje Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial. Në përpjekjen e tyre për tu përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur ti bashkëngjiteshin, kishte çoroditje se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re( bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës( botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte. Ndoshta Bajroni i veshur me mantelin e Child Haroldit rikthehej në Tepelenë pikërisht për këtë arsye, ndaj dhe Ismail Kadaresë as 20 vjecar në atë kohë nuk i bënte përshtypje për të gjetur me imagjinatë  “shtiza e llambadha” as “kuaj as zjarre sipër kullash” por libraria e hapur rishtazi në qytet dhe fëmija që pafajësisht i ndërpriste ndoshta rrugën autobusit që po e çonte poetin e ri drejt Tiranës. “Child Haroldi” kish filluar shtegtimin e tij sërish në viset shqiptare ndoshta me vetëdije që kësaj radhe të mos i gjente më të rreptë por dhe më shumë të kënduar. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Child Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip!
 Shumë vite më vonë , tashmë rreth 57 vjet më vonë shikojmë se udhëtimi nuk ka qenë i kot. Poeti riosh Ismail Kadare është bërë shkrimtar i madh dhe i lexuar në tërë botën në veprën e tij të shkruar në shqip e të përkthyer në gjuhë të huaja. Për më tepër ai ka udhëtuar në vendin e “Child Haroldit” për të marrë një çmim prestigjioz për letërsinë çka i bën krenar gjithë bashkëkombësit e tij. Në Tepelenë është vënë një pllakat për Bajronin dhe njerëzit e përshëndesin gjithë ditën sa herë kalojnë nga qendra e qytetit, fëmija i pafajshëm mund të jetë bërë një nga bardët që qyteti ka nxjerr kohë pas kohe dhe qyteti nuk i përngjan më një fushëbeteje si e përshkruan Bajroni tek “Child Haroldi”. “Koha ndryshon realitetet, njerëzit dhe ngjarjet” thotë një postulat i vjetër i perceptimit të saj. Sigurisht që është kështu. Nuk ka dyshim për këtë gjë, por në këto ndryshime në qytetin e vogël dhe simpatik jugor ka luajtur rol dhe Bajroni i ardhur me mantelin e “Child Haroldit” i përkthyer në shqip nga një njeri me kulturë të madhe i quajtur Skënder Luarasi. Një kontribut i trefishtë si në përralla, i Bajronit, Child Haroldit dhe Skënder Luarasit dhe njësoj si dhe në përralla ai që ka përfituar ka qenë fëmija që duke lexuar vargjet e famshme “Shqipëri o nënë e burrave të rreptë” ka hyrë në botën magjike të poezisë botërore. 

Suplementi "Rilindësi" 5.02.2012