Një nga përfaqësuesit
më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që
ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit
në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të
parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të
kohës.
Këngët
e Milosaos si tekst letrar kanë si motiv kryesor dashurinë e Milosaos me Rinën,
bijën e Kalogresë dhe gjithandej ndihet atmosfera e dashurisë së tyre si në
takimet në vende të ndryshme në fshat që mund të quhet një fejesë apo dhe më
vonë në martesën e tyre. Kangjelet duket sikur janë ilustrim i ndjenjës së
tyre. Motivi që vë De Rada në bazë të kësaj vepre , dashuria
fatkeqe e dy të rinjve që i pengon mjedisi. Përzgjedhja e një të dashure dhe
rrethanat që të jenë të lumtur, është shfrytëzuar dhe në letërsinë romantike
sentimentale, por poeti i ka dhënë një freski e origjinalitet të jashtëzakonshëm.
Poema nuk pati sukses vetëm mes
kolonisë arbëreshe në Itali, por duke qenë se vet De Rada dëshironte që të
njihej në qarqet letrare të kohës, shpesh herë ndërmerrte takime, u dërgonte librat
e vet apo mbante korrospodenca me njërëz
të shquar të letrave në Francë, Itali e Gjermani, ajo u njoh në disa qarqe
europiane letrare. Një takim i paharuar për të ka qenë takimi me shkrimtarin e
madh romantik francez Alfonse De Lamartine, në shtator të vitit 1844. De Rada në
kujtimet e veta shkruan se:
“Ai ishte në kulm të karrierës së vet të shkëlqyer e të brohoritur. I
shtyrë nga padurimi për të ditur (për të kuptuar) se nëse ndjenja krenare që
kisha për veten ngrihej mbi ndonjë bazë të shëndoshë, kur Ai (Lamartine-i)
kaloi nga Iskia, i dërgova, me anë të një marinari, një kopje të ‘Milosaos’ me
‘Këngët e Serafinës’.U fol, në rrethin e miqve të mi, për këtë guxim (thuhej se
kishte pritur letrarët e Napolit me mirësjelljen e një njeriu që nuk i njeh)
dhe shumë nga familjarët e mi pritnin që mendjemadhësia ime të merrte dënimin e
merituar. Unë kisha zënë shtratin nga dhimbjet e shpirtit, kur pas pesë ditësh,
marinari u kthye me këtë letër:
‘Zotni,
Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie politike mes jush dhe meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet. Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh, dhe ju lutem që të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.’
Lamartine-i,
Iskia, 8 shtator 1844.
Më andej De Rada vazhon dhe kujton se kur u kthye nga Iskia, i bëra një vizitë në Hotelin e të Huajve në bregdetin e Kiarias. Më tha fjalë që do të ngjallnin një farë krenarie në zemrën e cilitdo.Pastaj, disa ditë më vonë, ndërsa po largohesha nga vila bashkë me dy miq të mi, na kaloi pranë me familjen e Kontit Lë Fevrë, në karrocë. Hoqa kapelën dhe e përshëndeta. Ndërsa karroca ngjitej në të përpjetën e rrugës, vura re se zonjushat Lë Fevrë u ngritën në karrocë, kthyen kokat nga unë e më shikuan, duke m’i ngulur sytë. Gëzimi i madh ma dehte shpirtin.”
Korrospodenca, takimi dhe vlerësimi i poezisë
së De Radës nga Lamartine, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës nuk mund
të shënohen në analet e kohës si rastësi të bukura mes dy njerëzve të letrave,
por si një afinitet poetik i bekuar që bënte
të mundur prezantimin e vlerave të një vendi të panjohur në momentet më vendimtare
të tij, kur po përpiqej të ringjallej. De Rada , ashtu si pothuajse gjithë
shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj shqiptarë ka pasur fatin e mirë apo të keq që
të mos përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por edhe fatin e trishtë të vendit të
vet. Bota mesjetare arbëre kish trokitur kështu në memorjen e vjetër të
kontinentit, kur trekëndëshi Greqi-Itali-Shqipëri me qytetërimet e tyre të
vjetra kishin shërbyer si mëndesha të qytetërimit evropian.
Bibliografi:
Klara Kodra. Poezia e De Radës.Tiranë:1988. Akademia e Shkencave të RPSSH, Instituti
i Gjuhësisë dhe Letërsisë.
Moikom Zeqo. Alphonse Delamartine dhe De Rada
No comments:
Post a Comment