Tuesday, 19 January 2016

Dilema midis realitetit dhe artit




Arti dhe realiteti nuk janë gjithnjë dy anët e ngjashme të një medalje. Është mjaft e njohur hendeku i madh midis realitetit dhe artit si krijimtari e veçantë. Platoni, shumë shekuj më parë në veprën e tij “Republika” i përjashtoi poetët pasi sipas tij me artin e tyre korruptonin ndjenjat e publikut. Nuk e di se çfarë do të shkruante për piktorët , por ajo që mund të vihet re është se kur lexon libra të autorëve që përshkruajnë mesjetën e sidomos Stephan Cvajg te “Magelani”, me popullsinë që nuk njihte se ç’ishte sapuni e me kushte higjienike të vështira, por në të njëjtën kohë kundron artin figurativ të Rilindjes Evropiane, gjithë ngjyra pasionante, pastërti dhe jetë,  realizon se arti vërtetë ka shërbyer si “mburojë” për të paraqitur botën si duhet të ishte.

 Gjithsesi edhe nëse mund të spekulojmë nëse konstatimi i mësipërm mund të jetë i vërtetë apo jo, në ndihmë na vinë këto dy foto, e para origjinale e çetës së Shahin Matrakut, këtij komiti tipik ballkanik të kohës që e kishte aktivitetin në zonën e Korçës në vitet 1880-1909 dhe pikturës së realizuar nga Spiro Xega (1876-1953) në vitin 1930, një ish luftëtari të çetës së Çerçiz Topullit , më vonë  tregtar e pjesëmarrës në jetën publike të viteve 20’-30’ në Korçë.
Piktura titullohet “Çeta e Shahin Matrakut” dhe pasqyron një moment pushimi të luftëtarëve. Në foton origjinale duket fustanella e zbërdhulur, fytyrat e palara dhe mustaqe që edhe pse janë spic duken si të varura poshtë, ndërsa në pikturë mbizotërojnë ngjyrat e një atmosfere pikniku ballkanik me gjithë ngjyrat e ditës, ku shikon veçse njerëz të pastër , të ngeshëm e të mbajtur mirë.




No comments: