Thursday, 21 January 2016

Rizbulimi i Shqipërisë në fillimin e shekullit të XIX.



Nëse e postulojmë “zbulimin” e Ballkanit në një moment historik relativisht mjaft të vonë kjo nuk do të thotë se dëshmitë dhe përshkrimet e udhëtarëve kanë qenë dukuri që u shfaq vetëm mbas shekullit të XVIII. Shumë nga dëshmitë e mëparshme sidomos nga ato që janë hartuar nga vrojtues politikë , nga oficerë të shërbimeve sekrete e nga diplomatët kanë qenë shpesh herë fryt i vështrimeve më të mprehta dhe më të informuara se disa nga dëshmitë e udhëtarëve të mëvonshëm.
Por nëse cilësia e këtyre dëshmive të lëna është relative askush nuk mund ta vërë në dyshim se pas publikimit të këtyre shënimeve dhe mbresave nga udhëtimet në Ballkan fillon njohja e vërtetë dhe perceptimi i Ballkanit jo vetëm si një identitet i veçantë gjeografik por dhe si kulturor me mozaikun e pashoq të kulturave, popujve dhe besimeve fetare të tij.
Influenca dhe impakti i këtyre ditarëve të udhëtimit, veprave apo epistolarëve të ndryshëm kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të analizuar letërsinë shumë prodhimtare të udhëtimit që me të drejtë studiuesja Vesna Goldsworthy e quan “një mënyrë sipas së cilës një nga kombet më të fuqishëm në botë(Britanikët) shfrytëzuan burimet dhe kulturën e Ballkanit për të furnizuar me lëndë të parë industrinë e tyre të letërsisë dhe të zbavitjes” në shekullin e XIX, por dhe për të eksploruar perceptimin dhe shkallën e njohjes të Ballkanit në Evropë. Duke qenë se për më shumë se katër shekuj Ballkani ka qenë një pjesë përbërëse e perandorisë otomane, që nga botimi i veprës “Orientalism” (1978) nga studiuesi Edward Said, një pjesë e studiuesve e kanë përshtatur diskursin e Orientalizmit në studimet ballkanike. Kjo përpjekje është më shumë e dukshme në raportet dhe marrëdhëniet e Ballkanit me Evropën si dhe në studimin e veprave e të ditarëve të udhëtarëve evropianë për Ballkanin. Gjithsesi kjo përqasje fill pas botimit të “Imagining Balkans”( 1998) nga studiuesja Maria Todorova ka filluar të humbasë terren dhe më tepër sot studiuesit bien dakord që perceptimi dhe njohja e Ballkanit në Evropë të analizohet nën spektrin e “Ballkanizmit”, i cili ka huazuar nga diskursi i Orientalizmit eksplorimin e mënyrave sesi kolonializmi ishte më tepër një mendësi perceptimi kulturor sesa një dominim politik dhe ekonomik i Perëndimit ndaj Ballkanit.
Pra në rastin e Greqisë bëhet fjalë më tepër për një kolonializëm kulturor që hera herës shoqërohej nga një ndjenjë e fortë epërsie kulturore-epërsi si ndaj grekëve të cilët edhe pse rridhnin nga helenët e lashtë shikoheshin si hije mjerane të tyre( por edhe popullsive të tjera të Ballkanit) edhe ndaj otomanëve gardianëve të tyre oriental despotikë.Me fjalë të tjera udhëtimi mund të shihet si shprehje e një forme të ndryshme kolonializmi, në të cilin historia dhe ideologjia, dhe jo territori i një vendi pretendoheshin,që pushtoheshin dhe aneksoheshin.Kurse për sa i përket zgjerimit të njohjes së Ballkanit dhe me vendet e tjera të tij, udhëtimi ndryshon formën e vet “koloniale” duke pasqyruar mbështetjen e politikës së Britanisë ndaj Çështjes Lindore e cila në mesin e shekullit të XIX ishte mbrojtja e Ballkanit ndaj imperializmit rus. Për më tepër udhëtimi u bë burim i një literature të pasur ku Evropa Jug-Lindore në imagjinatën gjeografike britanike u pasqyrua si një zonë periferike barbarizmi dhe konflikti
Territoret shqiptare që përbënin një pjesë të konsiderueshme të Ballkanit, u bënë nga trojet e para të cilat u vizituan dhe u njohën gjerësisht jo vetëm nëpërmjet veprave letrare të Byron-it dhe shënimeve të udhëtimit të bashkudhëtarit të tij John Cam Hobhouse siç besohet shpesh pasi “Child Harold “, Kënga e II (1812) dhe “A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia to Constantinople during the years 1809-1810” (1813) ishin të parat që panë dritën e botimit por për politikën angleze ato u bënë të paktën të paktën 7 vjet më parë nëpërmjet raporteve diplomatike të udhëtarit dhe diplomatit të parë anglez në Shqipëri William Martin Leake(1777-1860).Për publikun e atëhershëm britanik ashtu siç shkruante studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”




No comments: