Monday, 25 January 2016

Fryma Kombëtare e Kongresit të Parë Bektashian.



Situata fetare në Shqipëri në prag të zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore . Pushtimi otoman kishte sjellë  një faktor tjetër në skenë përsa i përket situatës fetare në Shqipëri. Në fillimin e shekullit të XVI filloi procesi i Islamizimit të një pjese të popullsisë. Megjithëse ky konvertim nuk ishte masiv në fillim( sipas një raporti që dokumenton vizitën e Marino Bizzi, arkipeshkopit të Tivarit në 1610 ,përmendet se “vetëm 30% e popullsisë ishte konvertuar në besimin Islam”[1], ky numër do të rritet në mënyrë të ndjeshme në shekujt e XVII dhe XVIII.
Në raportet e mëvonshme përmendet se “ më shumë se 2/3 e popullsisë ka pranuar Islamin si besim fetar[1]. Bektashizmi është një nga sektet mistikë islamë më të vjetër në Shqipëri.

  Bektashinjtë mendohet se kanë qenë prezentë në Shqipëri përpara Otomanëve qysh në shekullin e XIII, pretendim ky i mbështetur në legjendat e shekullit të XIII të  Sari-Salltikut me qendër qytetin e rrethinat e Krujës[3], por në fakt ishte vetëm fundi i shekullit të XVIII që shënon dhe fuqizimin e tij. Rritja dhe fuqizimi i tarikatit mistik të Bektashinjve ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të ndryshëm të cilët kanë dhënë arsye të ndryshme për ta shpjeguar këtë fenomen. Hulumtimet e tyre janë përqendruar më shumë në të ashtuquajturin natyrë liberale të tarikatit si dhe manipulimin e situatës religjioze në Shqipërinë e pushtimit otoman[4].
Shpesh herë këto përfundime janë kundërshtuar nga mendimtarët bektashinj ku ndër ta spikasin Baba Rexhepi në veprën e tij “Misticizma Islame” dhe Baba Selim Kaliçani, kur ky i fundit nënvizon në veprën e vet “Testamenti Bektashian”se bektashinjtë jo vetëm që kryejnë namazet e përditshme në mejdanet e tyre dhe besojnë tërësisht në Shari’at por kryejnë dhe dy falje të tjera të rekomanduara në mëngjes dhe në mbas dite[5].Mbështetja e fuqishme që kish sekti nga feudalët shqiptarë si Ali Pasha Tepelena në fakt zbulon një faktor tjetër përcaktues për fuqizimin e tij në këtë periudhë.[6] Ajo lidhet ngushtë me mbështetjen që kishte tarikati  në radhët e ushtrisë në Perandorinë Otomane. Tarikati  i Bektashinjve kish përfaqësuar tradicionalisht trupat jeniçerë pasi besohej gjerësisht se në sajë të influencës së Haxhi Bektash Veliut këto të fundit kishin pranuar Islamin dhe kishin shënuar në këtë mënyrë një numër të madh fitoresh për sulltanët otomanë. Shekujt e XVI-XVII përkojnë dhe me zgjerimin e vazhdueshëm të Perandorisë Otomane ku trupat jeniçere luanin një rol të madh në fushatat pothuajse të përvitshme të otomanëve në të tre kontinentet Evropë , Azi dhe Afrikë. Është e rëndësishme të theksohet se përreth 100 oficerë të lartë të jeniçerëve ishin shqiptarë , çka përbën një fakt më tepër për të kuptuar vlerësimin dhe reputacionin që gëzonte tarikati  në qarqet religjioze, politike dhe natyrisht mes popullit të thjeshtë.[7]
Duke marrë parasysh këtë realitet,ideatorët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe.[8] Por nuk munguan dhe prirjet dhe rrugët e tjera të tërthorta, të cilat duke e ditur rëndësinë e identitetit fetar kërkojnë të ndërmarrin hapa të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve duke nxitur përqafimin e një feje të vetme apo konvertimin në një tjetër perëndimore siç ishte protestantizmi. Është i ditur fakti se në këtë rast Naim Frashëri preferonte dhe propozonte bektashizmin si sekti islam që ishte dhe më afër kristianizmit. ”Për bektashizmin ai shprehte shpresën se ai do të bëhej një ditë feja e gjithë Shqipërisë, derisa bektashizmi merrte frymëzimin e vet si nga Ungjilli dhe nga Kurani[9]. Përmes të tjerave Naim Frashëri u atribuonte bektashinjve dhe rolin e tyre shpëtimtar, meseanik kur shkruante se “Baballarët duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën e lirisë shqiptare, varfët t’u bëhen shokë në gëzim e në hidhrim kombëtarëve. Të dashurit(myhypët) të mos kursehen nga vdekja për atdhe.[10]
Përfshirja e tarikatit  bektashi në lëvizjen Kombëtare shqiptare është tashmë një histori shumë e njohur por që është me shumë rëndësi të përmendet është se edhe gjatë kohës së stabilizimit dhe forcimit të shtetit kombëtar shqiptar, udhëheqësit e komunitetit bektashi të mbështetur edhe nga ithtarët e tyre ishin pionerë të reformimit dhe fitimit të autonomisë të institucioneve  nga varësia e huaj shpirtërore. Kështu vetëm një vit më vonë pasi ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës, në data 14-17 janar 1921,  u mbajt kongresi i Parë Bekteshian në Teqenë e Prishtës. Më parë se të mbahej ky Kongres kishte pasur përgatitje te ethshme nga ana e baballarëve më të shquar bektashinj. E veçanta e këtyre përgatitjeve është kërkesa drejtuar qeverisë së Sulejman Delvinës. “ N’emin klerkal bektashian,- thuhej ndër të tjera,- baballarët bektashi do të bajnë një mbledhje të përgjithshme në teqe të Prishtës së Skraparit në janar 1921 për një reformë bektashiane morale në Shqypni, e sipas rregullave duam edhe një përfaqësues që të jetë në atë tarikat.”  Kërkesa zyrtare është firmosur nga baba Ahmet Turani i Tepelenës dhe Baba Hyseni i Teqesë së Prishtës. Aqif Pashë Elbasani i drejtohet Kryeministrit  me shkresë: “Kabineti i parë u pat dhënë leje baballarëve që ta bajnë atë mbledhje dhe janë lajmëruar Prefektura e Beratit dhe e Gjirokastrës mbi këtë gja”…[11]Kongresi u mbajt më 14 – 17  janar të vitit 1921. Morën pjesë  delegatw nga e gjithë Shqipëria. Kishte baballarë nga i gjithë vendi, intelektualë dhe besimtarë bektashinj. Përfaqësuesi i qeverisë ishte Feim Zavalani, një patriot i njohur i kohës. Sëbashku me të sipas Baba Ali Tomorrit morën pjesë shumë të dashurit bektashinj si Sami Mezhgorani,Javer Bej Gjirokastra,Zihni efendi Leskoviqi, Mustafa efendi Elbasani, Ahmet Aliko Kullësi(Vlora) e të tjerë zotërinj të ndershëm.[12]
Si shikohet dhe nga teksti i kërkesës , baballarët bektashinj nuk bënin thirrje vetëm për një reformë të tarikatit pas pavërësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kur Teqeja mëmë gjendej në Turqi, por edhe për një reformë morale. Ky veprim vinte në kohë kur në  Shqipëri ishin pjekur kushtet për një pavarësim të plotë jo vetëm administrativ por edhe shpirtëror. Falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës në janar të vitit 1920 që mori në mbrojtje besimet fetare, Bektashizmi shqiptar filloi organizimin e tij me statut dhe këshill duke e forcuar atë vit pas viti. Kongresi miratoi Statutin me 28 nene, i cili u quajt “Lidhja Bektashiane”. Në të shprehej organizimi dhe veprimtaria e bektashizmit në Shqipëri. Statuti saksionoi organin më të lartë të tarikatit bektashian,këshillën atnor. Ky Kongres miratoi projekt-statutin, në të cilin sanksionohej themelimi i Komunitetit Bektashian të Shqipërisë. Në nenin 8 të statutit jepen raportet e Këshillit Atnor me Prindin e Bektashinjve në teqenë e madhe të H.B. Veliut, ku shprehej pavarësia e Bektashizmit Shqiptar. Ky veprim do të jetë lehtësuar shumë edhe nga fakti që kryegjyshi botëror i bektashinjve në atë kohë ishte me origjinë shqiptare.Ai do të   largohet nga Turqia (për arsye politike?),për t’u vendosur në Tiranë,qytet i cili dy vjet më vonë,më 1925(në kohën kur në Turqi u suprimuan të gjithë urdhrat mistikë)do të bëhej zyrtarisht qëndra botërore e Bektashinjve[13].Ky projekt-statut në janar të vitit 1923 u dërgua në Këshillin e Lartë për t’u miratuar. “Lidhja Bektashiane” me anën e statutit shprehte ushtrimin e këtij tarikati në Shqipëri. Në nenin e parë të statutit sanksionohej organi më i lartë i Bektashizmit, i cili përbëhej prej shtatë vetësh. Gjysh Baba Ahmet Turani, Gjysh Sulejman Baba Gjirokastra, Ahmet Baba Elbasani, Xhemal Baba Përmeti, Hajdar Baba Turani, Mustafa Baba Frashëri, Kamber Baba Prishta. Këshilli Atnor zgjidhte kryetarin, i cili kishte kompetenca të plota për të udhëhequr Komunitetin Bektashian.
Rëndësia Historike e Kongresit të parë Bektashian qëndron edhe në vendimin e tij për përkthimin në gjuhën shqipe të gojëdhënës bektashiane dhe çeljen e shkollës për përgatitjen e klerikëve “Mësimorja bektashiane”. Fryma kombëtare e përfaqësuar nga ideologu i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri në veprën e vet “Fletore e Bektashinjve” shprehej më së miri që në programin për organizmin e këtij kongresi që iu paraqit qeverisë, sidomos në pikat 2, 5 dhe 7. Në veprën e dijetarit bektashi Baba Ali Tomorri “Bektashinjtë e Shqipërisë”(1921) që është vepra më e plotë dokumentare e shkruar dhe botuar fill pas Kongresit të Prishtës,  në parashtrimin “Bektashizmi , çfarë përparimi ka bërë?” sendërtohet një paradigmë të qartë të ndarjes nga fanatizmi fetar dhe mesazhit universalist të tyre. Kështu ai shprehet se këtu mbretërit turq sa kombe të huaj robëronin, i shtypnin , i varfëronin mbase dhe i çkombësonin, po nën anën tjetër bektashinjtë me liridashjen e tyre thyenin fanatizmin e mbjellë prej turqve, u jepnin shpirt e ndjenjë lirie e kombësie kombeve fatkeq të shkelur dhe të robëruar[14].
Kjo lloj ndarje dhe paradigme ligjërimi në fakt pasqyron edhe rolin që luajti tarikati  bektashi gjatë kundërvënies me autoritetet osmane sa herë që diskutohej e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përfshirja e tyre në të gjitha ngjajet e afirmimit të kombësisë shqiptare dhe përpjekjeve për mëvetësi, që nga Kuvendi i Frashërit me organizator Baba Alushin në 1880 e deri në shpërndarjen e mësimin e gjuhës shqipe apo dhe mbështetjes së hapur të pavarësisë shqiptare të kujton rolin që u atribuon studiuesi Miroslav Hroach grupeve të ndryshme fetare në lindjen e idesë kombëtare të një popullsie. Hroach njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Evropë.[15] Rasti i triumfit të idesë kombëtare dhe përfshirjes së bektashinjve në ringjalljen e Shqipërisë është pikërisht i tillë.  
Pika 7 e programit për të mbajtur Kongresin e parë Bektashian ishte “Këshilla të shenjta popullit për atdhetarinë dhe lehtësira të posaçme qeverisë shqiptare.” Ky formulim është ndoshta,  formulimi më i drejtë për së drejtë në historinë moderne të shqiptarëve  i angazhimit  patriotik dhe krijimit të konceptit të qytetarisë sipas parimeve iluministe të revolucionit francez. Mendimtarët dhe udhëhëqësit e tarikatit bektashi duket se e kanë parjetuar si një realizim ëndrre stabilitetin e Shqipërisë, njohjen e saj prej Lidhjes së Kombeve në 1921, duke i përbashkuar mesazhet e  lirisë kombëtare me lirinë fetare. Madje këtë të fundit ata e shikojnë të realizuar përmes forcmit të diturisë. Në veprën e vet “Bektashinjtë e Shqipërisë” (1921), Baba Ali Tomorri shkruan se: Lavdi Zotit, bektashinjtë nuk mbetën pas nga pjesa e punimit që u ra për lirinë e Shqipërisë; më duket se lanë pas edhe të tjerët që duhej të punonin si këta dhe prapë lavdi. Sot po gëzojmë Shqipërinë e lirë si e ëndërronim. Kështu realizohet ideali i të pavdekurit vjershëtorit të madh Naimit. Kongresi i Prishtës hodhi themelin e jetës së re për bektashinjtë. Ky themel forcohet me dituritë, jo me tjetër gjë, ligjet e tjera janë për të mbajtur situatën e pëlqyeshme të sotmen në grupin liberal të natyrshëm të bektashinjve. [16]
Në fakt në gjithë veprën promovuse të Baba Ali Tomorrit “Bektashinjtë e Shqipërisë”(1921) që është një pasqyrim i drejtë për së drejtë i vendimeve dhe frymës së Kongresit të Prishtës,  mbisundon mesazhi iluminist e përparimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Në të hasim dhe konceptin modern ku feja i nështrohet kombësisë dhe kompaktësisë së popullatës kur ai shprehet ‘Mos u çudisni këndonjës. Realizohen ëndrrat e të pavdekurve Prindër të kombësisë: Naimit, Vretos, Kristoforidhit etj. Zot qoftë me ne! Në këtë pasazh gjemë për herë të parë përcaktimin e etërve të kombit ku nuk numërohen vetëm veprimtarët e Rilindjes Kombëtare që i përkisnin besimit bektashi por edhe të besimeve të tjera. Një rol shumë të rëndësishëm Baba Ali Tomorri i atribuon arsimit kur pyet se qysh duhet të punojmë paskëtaj për të mirën e popullit dhe të atdheut në pjesën që na përket neve bektashinjve? Këshillat e tij janë :
Të arrihen nga Universitete, Varfa, filozofë, vjershëtorë, profesorë e oratorë, për të stërvitur shqiptarët me jetën e re sociale qytetare.
Të goditen Akademira, Biblioteka e të tjera kundër fanatizmës dhe çfarëdolloj prapësie.[17]
Ai shkon dhe më tej kur parashikon edhe mësimin e gjuhëve të tjera dhe shndrrimin e dervishëve në lëvrues të letërsisë shqipe. Do të jemi të lumtur ne djemtë tuaj po të shohim se në Kongresin që do të mbahet prej bektashive në 1922, shkolla të ketë fuqi arsimore dhe financiare që të bëhet Universiteti i Varfave, në të cilin të studiohen veç filozofisë edhe të tjera diturira, dmth ata varfë(dervishë) që do të marrin diplomë nga kjo mësimore të jenë të mbaruar në dijen e gjuhërave Frëngjisht, Latinisht, Arabisht, persisht etj, të jenë shkrimtarë të fortë në literaturën e gjuhë shqipe.[18]
Si mund të shikohen mesazhet e Kongresit të Parë Bektashian përmes veprës Bektashinjtë shqiptarë (1921), Baba Ali Tomorrit janë shumë aktuale edhe sot për shqiptarët përmes një rrugëtimit të gjatë të formimit të shtetit të tyre modern.
Statuti bektashian luajti një rol të veçantë jo vetëm për zhvillimin e tarikatit bektashian në Shqipëri,por gjithashtu u bë një model i shkëlqyer për hartimin e statuteve të tjera të komuniteteve fetare me përmbajtje kombëtare dhe që i shërbente unifikimit kombëtar. Ky statut e shpalli të pavarur tarikatin bektashian duke u bërë frymëzues dhe shembull për proçesin e vrullshëm të sendërtimit të institucioneve të tjera të Shqipërisë së re. Qeveria shqiptare e kohës u tregua shumë e interesuar dhe e mbështeti kongresin e 17 janarit në Teqenë e Prishtës,i cili saksionoi krijimin e Komunitetit Bektashian Shqiptar”.   Këtë vepër e shikojmë të mishëruar edhe sot , jo vetëm në rregullimet ligjore brenda komunitetit bektashi por edhe në tolerancën fetare të demonstruar sot në Shqipëri, ku komuniteti bektashi ka dhënë një kontribut të çmuar.



Bibliografi:
Libra:
1- Aleksandër Popoviç,Islamizmi Ballkanik,Tiranë:Dituria,2006.
2- Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921.
3- Baba Selim Kalicani, Testamenti Bektashian
4- Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000.
5- Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988.
6- Nexhat Ibrahimi, Islami në  trojet  Iliro-shqiptare gjatë  shekujve, Logos-A – Shkup , 1998.
7- Novruz XH.Shehu. Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera.Urtësia Bektashiane”, 2005.
8- Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë : Dituria,2006.
9- Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1878-1912, Princeton: Princeton University Press, 1967.

Internet:
1- Bashkim Koçi: Për Prishtën dhe teqenë e saj historike…në : http://www.gazetadita.al/tregoj-per-prishten-dhe-teqene-e-saj-historike/
2- Ali Akbar Ziaee “Sufism in Albania during Ottoman Empire”, http://sarajevo.icro.ir


Gazeta Shekulli. 25.01.2016, fq 20-21




[1] Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë : Dituria,2006, 18
[2] Po aty, fq 19
[3] Nexhat Ibrahimi, Islami në  trojet  Iliro-shqiptare gjatë  shekujve, Logos-A – Shkup 1998
[4] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000
[5] Baba Selim Kalicani, Testamenti Bektashian, faqe 48
[6] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000
[7] Ali Akbar Ziaee “Sufism in Albania during Ottoman Empire”, http://sarajevo.icro.ir
[8] Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1878-1912, Princeton: Princeton University Press, 1967,469
[9] Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë : Dituria,2006, fq 166
[10] Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921, fq 10 cituar sipas “Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera”, përgatitur nga Novruz XH.Shehu. Urtësia Bektashiane, 2005
[11] Bashkim Koçi: Për Prishtën dhe teqenë e saj historike…në : http://www.gazetadita.al/tregoj-per-prishten-dhe-teqene-e-saj-historike/
[12] Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921, fq 12, cituar sipas “Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera”, përgatitur nga Novruz XH.Shehu. Urtësia Bektashiane, 2005
[13] Aleksandër Popoviç,Islamizmi Ballkanik,Tiranë:Dituria,2006,faqe 36
[14] Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921, fq 6-7, cituar sipas “Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera”, përgatitur nga Novruz XH.Shehu. Urtësia Bektashiane, 2005
[15] Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
[16] Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921, fq 15, cituar sipas “Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera”, përgatitur nga Novruz XH.Shehu. Urtësia Bektashiane, 2005
[17] Baba Ali Tomorri. Bektashinjtë e Shqipërisë. 1921, fq16, cituar sipas “Bektashinjtë e Shqipërisë dhe vepra të tjera”, përgatitur nga Novruz XH.Shehu. Urtësia Bektashiane, 2005
[18] Po aty, fq 17


No comments: