Saturday, 27 July 2013

Ringjallja e vlerave kulturore



Vlerat që ka krijuar populli dhe kombi shqiptar janë më të shumta sesa antivlerat dhe nëmat që mund të kemi shkaktuar në histori.
Edhe pse shpesh herë në ditët e sotme gjithmonë e më tepër dëgjohen këmbana ku shqiptarëve në mënyrë të padrejtë u kërkohet të mbajnë përgjegjësi për ngjarje dhe veprime që nuk i kanë kryer asnjëherë si komb e shtet i organizuar si mund të jenë ngjarjet në Revolucionin Grek apo shtypjet e kryengritjeve të popujve të tjerë ballkanas, për hulumtues seriozë të historisë prania e etnisë ilire-arbëre-shqiptare në pellgun e Mesdheut ka qenë një faktor që ka ushtruar influencë të admirueshme në të gjitha komponentet e qytërimeve të ndryshme duke filluar nga ai antik, mesjetar evropian e padyshim dhe në atë oriental islamik. Ka qenë pikërisht ky diversitet kulturor  dhe zhvillim  social,psikik e kulturor që ka  përbërë me të vërtetë një rast studimi të veçantë, ndaj të cilët shumë të huaj jo vetëm dashamirës por dhe studiues seriozë kanë reaguar pozitivisht.
 Evidentimi i këtyre vlerave kulturore që kanë lënë gjurmë në qytetërimet më të rëndësishme të botës mbetet një obligim moral i intelektualëve dhe diasporës shqiptare. Ato janë nëpër rafte biblotekash, nëpër monumente dhe arkiva të vjetra ku kërkohet të hulumtohen dhe intepretohen dhe të mos humbin nën tisin e pluhurin e kohës. Mirëpo zbulimi dhe evidentimi i këtyre vlerave kulturore kërkon jo vetëm një impenjim vullnetar e dashamirës të studiueve që për hir të së vërtetës prej shumë kohësh shumë intelektualë dhe admirues të kulturës shqiptare po e bëjnë prej kohësh në diasporë , por dhe një angazhim shtetëror dhe investim të botës së biznesit shqiptar pasi e rëndësishme është jo vetëm zbulimi i tyre por dhe intepretimi që duhet të kalojë nëpërmjet filtrave shkencorë. Për momentin këtë ekspertizë shkencore mund ta afrojnë institutet shkencore shqiptare që shpesh herë duke mos pasur fondet por dhe as dëshirën për të bërë punë të papaguar, kanë mbetur në intepretimin e fakteve të njohura që nuk afrojnë gjë për publikun. Intelektualët shqiptarë dhe në veçanti njerëzit e letrave vazhdojnë të mbeten njerëz “modestë” pasi në kushte të vështira dhe shpesh herë me punë intelektuale të papaguar vazhdojnë të shkruajnë dhe të përpiqen për të shpërndarë mjegullnajën mosbesuese që “ky vend( Shqipëria) nuk bëhet”. Ç mund të thuash për elitën e biznesit shqiptar që e gjen shumë më të lehtë të shpenzojë shuma marramendëse në sponsorizimin e spektakleve të bukurisë dhe modës dhe nuk jep asnjë “kacidhe” për veprën akoma të pabotuar të Çabejit, Rizës , Buharasë etj korifenjve të kulturës shpirtërore të botës shqiptare. Para disa kohësh u botua vepra e plotë e Dr Vasfi Saminit, jo pak por plot 28 vëllime-e gjitha me kontributin financiar të familjes së vet pasi kjo klasë elitare që mund të perifrazohet shumë mirë nëpërmjet vargjeve të poetit Ali Asllani “të pa ngrënë u gjeti dreka, milionerë u gjeti darka” as që i shkon në mendje që ekzistojnë figura të tilla që lartësojnë kombin dhe popullin shqiptar. Praktika shumë e njohur e bamirësve të kombit që egziston në vendin fqinj, Greqinë ku emra si Zhapa, Zosimea, Arsaki etj(disa prej tyre me origjinë shqiptare) as që ka hedhur rrënjë fare në realitetin e sotëm shqiptar ku sponsorizimet e botës së biznesit më së shumta janë rastësore dhe mbi baza njohjesh ppersonale sesa i shërbjenë promovimeve të vlerave kulturore mbarëkombëtare. Shqipëria nuk është vend pa traditë në këtë drejtim pasi në vitet kur filloi zgjimi kombëtar e deri në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë familje të mëdha që kanë kontribuar në bamirësi. Mjafton të përmendim këtu Anastas Lakcen nga Korça që finacoi Mësonjtoren e parë shqipe në Korçë dhe botimin e vargjeve të Naimit apo patrioti beratas Bab Dud Karbunara i cili kish vënë një pasuri të paluajtshme me vlerë 13.000 franga ari, që kishte në Vlorë , në shërbim të shkollës në lagjen Kala të Beratit. Kjo lloj tradite duhet ringjallur dhe inkurajuar pasi  “asnjë gjë nuk mund të na ligështojë dhe të na rrënojë” shkruante në “Mallkimin e Shkronjave Shqipe”- Petro Nini Luarasi për të vazhduar më tej me fjalët lapidar “edhe 99 herë të rrëzohemi prapë duhet të ngrihemi”-fjalë të cilat besoj duhet të karakterizojnë çdo epokë shqiptare edhe pse shpesh herë “helmi” që pse kjo Shqipëri e cila rrëzohej në kohën e Petro Ninit, akoma nuk është ngritur në këmbë për të evidentuar vlerat e veta , na ligështon.

Bibliografi:
1-      Skënder Luarasi. Petro Nini Luarasi. Shtëpia e Librit Shkollor: Tiranë, 1958
2-      Patnerët Shqipëri. Një vështrim historik mbi zhvillimin e Filantropisë në Shqipëri. Rockefeller Brothers Fund: Tiranë, 2011
3-      Vasfi Semini. Vepra e Zgjedhur, Vëllimi I, Tiranë: 2010

Revista Fenix 27.07.2013




No comments: