Saturday, 20 July 2013

Rikthimi i duhur i Kolonel Tomsonit...



Shqiptarët si komb kanë një problem të njohjes së historisë së krijimit të shtetit të tyre. Për shkak se për 50 vjet  ideologjia komuniste kërkoi dhe zhvilloi një paradigmë mendimi që nënkuptonte krijimin e shtetit shqiptar nga vetë shqiptarët duke mohuar çfarëdolloj kontributi të të huajve në këtë proces, mesa duket për t’ia përshtatur ideologjisë së vet të ndërtimit të socializmit me forcat e veta, shumë personalitete të huaja u përmendën kalimthi apo si zakonisht nëpërmjet kriterit të fillit të kuq që duhet të përshkruante aktivitetin e tyre politik.
Mirëpo Shqipëria Politike që gëzojmë sot nuk është vetëm kontribut i patriotëve shqiptarë por dhe i një sërë dashamirësish e miqsh të Shqipërisë që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të ndërtimit të shtetit të ri shqiptar. Mes tyre shquan Koloneli holandez Tomson i ardhur në Shqipëri sëbashku me administrastën e Princ Vidit për të themeluar xhandarmërinë shqiptare. Në krye të misionit të vet që përbehej nga 80 oficerë holandezë , Tomsoni u mundua që të organizonte mbi baza moderne rendin publik në Shqipëri , përpjekje e cila nuk do të rezultonte e lehtë dhe atij për fat të keq do ti kushtonte dhe jetën. I gjendur në mes të rebelimit haxhiqamilist të Shqipërisë së Mesme që me kërkesat e veta absurde kërkonte të zhbënte pavarësinë e Shqipërisë , misioni holandez me në krye Kolonel Tomsonin nuk e braktisi Shqipërinë por i doli zot administratës së Princ Vidit dhe bashkë me të dhe Shqipërisë së porsalindur.
 Kjo ishte një nga arsyet që shqiptarët e njohën që herët kontributin e Kolonel Tomsonit jo vetëm duke i dhënë vendin që meritonte në historinë e ringjalljes së  Shqipërisë por duke e nderuar veprën e tij dhe në monumente të fjalës së shkruar dhe të artit plastik. Fan Noli dhe Skënder Luarasi kanë krijuar poezi dhe monografi për të, por nderimi kryesor iu dha nga qyteti i Durrësit që me taksat e veta më 1923 i ngriti bustin duke shënuar kështu jo vetëm mirënjohjen e shqiptarëve ndaj Kolonel Tomsonit  por duke shënuar në të njëjtën kohë dhe monmentin e parë publik të realizuar në Shqipëri. Busti përkujtimor i Kolonel Tomsonit ka qenë vendosur në vendin ku sot është busti i Mujo Ulqinakut, madje topat me zinxhirë dhe kolona mbi të cilën rri busti, i përkasin monumentit të vjetër. Busti i Kolonel Tomsonit ishte i pranishëm në Durrës deri nga filimi i viteve 50’ , kur rregjimi komunist në kuadër të sterilizimit të kujtesës historike dhe vlerësimit të simboleve të veta, e hoqi dhe më vonë e zëvendësoi me bustin e Mujo Ulqinakut. Ky veprim, për të cilin dhe vetë heroi i popullit Mujo Ulqinaku po të ishte gjallë nuk do ta pranonte, përveçse shprehte mentalitetin mohues të vlerave historike që nuk ishin të lidhura me komunizmin synonte të fshihte çfarëdolloj kontributi evropian në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Tashmë që kohët kanë ndryshuar dhe shqiptarët prej kohësh janë njohur me burime të ndryshme historike për kontributin e miqve të Shqipërisë për të krijuar shtetin shqiptar, dhe për më tepër viti që vjen do të jetë 100 vjetori i rënies së Kolonel Tomsonit , do të ishte në nderin e bashkisë së Durrësit që në emër të vlerësimit të drejtë të historisë por dhe të kontributit të këtij miku të shqiptarëve, ta anullojë vendimin e mbrapshtë të heqjes të bustit të Kolonel Tomsonit dhe të marrë vendim për ta rivendosur sërish në pidestal. Një komb që harron martirët e vet apo akoma më keq nuk shpreh mirënjohjen për miqtë që e kanë ndihmuar në kohë të vështira e ka shumë të vështirë të mbijetojë në dallgët që historia dhe fati njerzor ndërthur, ndaj për tu përsosur dhe për tu zhvilluar është mirë që para se të ndërtojë monumente mirënjohje për luftën e afërme të Kosovës, të nderojë dhe ata që kontribuan në krijimin  hershëm të tij.



Revista Fenix 20.07.2013


No comments: