Sunday, 28 July 2013

Patriotizmi dhe kozmopolitizmi i Fatos Lubonjës



Deklaratat e disa ditëve më parë të analistit Lubonja rreth qëndrimit dhe sjelljes së UCK-së në kohë lufte me akuza të drejt për së drejta rreth procesit gjyqësor të Ramush Hajredinajt dhe stuhia e reagimeve që u ngrit ndaj tij,  më kujtuan një pasazh të njohur nga “Odiseja” e Homerit, përkatësisht momentin kur pas shumë vitesh udhëtimi Odiseja duke marrë si dhuratë nga Eoli, perëndia e erërave, thesin  ku ishin mbyllur të gjitha erërat që e pengonin të ktheheshin në atdhe, vendos ta hap kur është shumë afër Itakës.
Të hapesh thesin e Eolit nuk do të thotë se patjetër shkakton furtunë dhe cunam të madh pasi ashtu si Odiseu nga padurimi dhe kurioziteti i gabuar për të vërtetën mund ta hapësh thesin, erërat mund të shtyjnë larg Itakës, por shumë vite më vonë do ta gjesh rrugën dhe do rikthehesh prapë te vendi i dëshiruar. Itaka , është shembulli i parë i patriotizmit në kulturën evropiane ku një njeri i etur për luftë, aventura dhe dije pasi ka gjezdisur gjithë botën e njohur mesdhetare, së fundi rikthehet sërish në vendin e vet duke na kujtuar pak a shumë metaforën  se “anija u kthye sërish në portin nga kishte dalë në det të hapur”. Askush nuk mund të gjykojë rreth Odiseut nëse nuk është patriot ose është pak patriot pasi qëllimi i tij final edhe pse i vonuar është Itaka.
Duke marrë shkas nga ky shembull që është bërë dhe subjekt i shumë krijimeve letrare në letërsinë botërore dallimi apo etiketimi në kohën e sotme se kush është patriot apo nuk është patriot është po aq i vështirë sa ka qenë dhe përcaktimi i patriotizmit të Odiseut. Në këtë sens stuhitë e linçimeve që ngrihen këndej pari nga ne në tokën e shqipove duken se janë ndonjëherë stuhi në vozën e madhe të megalomanisë dhe  patriotizmit fals që gjallon prej kohësh mes nesh. E kam fjalën për patriotizmin e dalldisë së flamujve dhe simboleve kombëtare për përbetimet se e duam Shqipërinë dhe atdheun, por nga ana tjetër bëjmë çfarë është e mundur duke ia shkatërruar mjedisin dhe përdhosur memorialet e atyre që kanë dhënë jetën për atdheun a thua se këndej së pari ka kaluar një hordhi barbare dhe jo është vend që administrohet nga “patriotët’ shqiptarë. Lubonja apo kushdo tjetër që mendon si ai, janë patriotë dhe e duan Shqipërinë sipas mënyrës së tyre pasi do të ishte gabim nëse të gjithë këmbëngulim për të pasur një dogmë atdhedashurie dhe sipas këtij kuti të masnim qëndrimet e njëri-tjetrit. Sipas kësaj logjike , nuk do të vononte që disa duke përqafuar dogmën të vetë shpalleshin patriotë dhe të tjerët që shprehnin dyshime rreth mënyrës sesi manipulohet kjo dogmë të shpalleshin drejt për së drejt si armiq. Besoj se askujt në kohën e sotme nuk i pëlqen kjo ndarje e tillë që ka qenë sëmundja e përgjithshme e elitës shqiptare gjatë rrugëtimit të vet 100 vjeçar. Lubonja mendon se nuk na duhen heronj, por dhe ne mund të shtojmë  se nuk na duhen  mendimtarë kozmopolitë që e kanë më lehtë të gjejnë qimen në syrin tonë por harrojnë trarin në sytë e të tjerëve. Të dy palët kemi të drejtë të themi çka mendojmë dhe ky quhet diversitet mendimesh, një nga tiparet kryesore të shoqërive evropiane, model sipas të cilit po mundohemi ta themelojmë shoqërinë tonë.
Personalisht nuk bie dakord me çfarë Lubonja deklaron për UCK-në pasi ai thjesht nuk ka fakte, por futet në një terren të vështirë , atë të gjykimit dhe paragjykimit mbi të thënat e dëshmitarëve që me një lexim të thjeshtë të realitetit ballkanik mund të kuptosh lehtë se në shtete të tilla si Serbia të themeluar mbi dogmën e një nacionalizmi agresiv, çdo gjë i nënshtrohet qëllimit dhe fare lehtë mund të manipulohen mjetet. Eksperiencat e dy Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë kanë ndërtuar një Ballkan dhe shoqëritë ballkanike që duke shfrytëzuar gjeopolitikën dhe melodramacitetin e elitave pansllaviste dhe filohelenike mund të fabrikojnë pa ia bërë “syri tërr” çfarëdolloj realiteti. Për më tepër kur zbulohen dhe krime përbindshme si janë tmerret e Bosnjës dhe Kosovës , jo vetëm që nuk kërkojnë falje por gjejnë një mijë e një mënyra për ti zvogëluar, justifikuar dhe akoma më keq për ti barazuar me të veprimet e viktimave të tyre, me një llogari të qartë për një shpërndarje të fajit. Adoptimi në gjuhët evropiane i  kuptimit të fjalës “to balkanize”- i cila do të thotë të ndahet apo të fragmentohet është pikërisht një kontribut i Luftërave Ballkanike ku serbët luajtën si violinë e parë. Ndërtimi i një Ballkani evropian ku shoqëritë multietnike jetojnë në paqe me njëra –tjetrën fillon nga rithemelimi i këtyre shoqërive, së pari duke dënuar qartë të kaluarën dhe marrjes përsipër të përgjegjësive të atyre që më shumë se çdokush tjetër i kanë vënë flakën bashkëjetesës paqësore dhe pastaj adoptimi i vlerave dhe principeve evropiane të një Ballkani pa kufij. Derisa të mos e kemi dëgjuar këtë kërkim ndjese dhe marrje përgjegjësie para historisë së afërme të Ballkanit do të vazhdojmë të përkundemi në debate të tilla që do trazojnë dhe shpirtrat e viktimave por edhe të gjallëve që kanë përjetuar tmerrin.



Gazeta Shqip 28.07.2013


No comments: