Kur Shqipëria nisi rrugën e saj në mënyrë
konkrete drejt integrimit evropian ,
fill pas nënshkrimit të M.S.A në 2006,
pati shumë njerëz dyshues që thanë se kultura e dialogut që përbën
thelbin e kulturës evropiane do të ishte vështirë të adoptohej në Shqipëri. Ky
dyshim vinte sa për mungesë të kësaj kulture në
politike shqiptare, por dhe nga konfrontimet e zakonshme politike që
kishin karekterizuar deri atëherë klasën politike shqiptare.
Megjithatë, përpos
skeptikëve dhe dyshuesve, por edhe konfliktualitetit të lartë të politikës
shqiptare që vazhdoi të ishte present, dialogu politik në Shqipëri eci përpara
duke bërë të mundur që në vend të zhvillohen reforma të ndryshme që garantuan
afrimin e Shqipërisë me Evropën. Sigurisht, në vend nuk munguan dhe mbetjet në
vend numëro sidomos pas vitit 2009, ku arroganca dhe cinizmi politik u kthyen
në kryefjalë të ditës derisa arritëm në zgjedhjet e tanishme, kur kjo sjellje
mori një përgjigje të merituar në një revolucion të heshtur me vota.
Mirëpo
për fat të keq ajo gjë që ndihet në ajër, nuk është një reflektim për çfarë
ndodhi dhe për tu analizuar shkaqet e kësaj humbje të madhe me qëllim që të
fillojë një reformim i nevojshëm në gjirin e së djathtës, por gjenden arsye
minore për të ulur përmasën e humbjes apo akoma më keq besohet se tashmë duhet
të shtrëngohen radhët rreth udhëheqësve sepse kritika bën keq dhe aspak mirë. E
gjithë situata të kujton vitin e trishtë 1997 ku sërish PD iu shmang
përgjegjësive të veta dhe gjeti alibinë e rrëzimit me forcë të qeverisë për të
nisur një rrugë të gjatë që e solli në pushtet por nuk e largoi nga
autoritarizmi, sëmundja e pashërueshme e lidershipit të saj. Kështu që falë
kësaj sjellje të dëshirës për të dërrmuar kundërshtarin arritëm deri në këtë pikë ku dy partitë e mëdha e
konsideruan betejën elektorale të qershorit si betejë për jeta vdekje duke iu
larguar shumë konceptit evropian të organizmit të pushtetit dhe marrëdhënieve
pozitë-opozitë. Mirëpo pas këtyre zgjedhjeve,vendi ka nevojë jo vetëm për përgatitjen
e rotacionit të qetë dhe sa më të shëndoshë nga ana financiare, por edhe për
ndërtimin e një marrëdhënie të re pozitë-opozitë. Sigurisht kjo marrëdhënie nuk
mund të ndërtohet më as sipas modelit 1997-2001 ku qeveria socialiste dhe
ndërkombëtarët për ti dhënë legjitimitet përpjekjes së tyre evropiane i dhanë
opozitës së atëhershme amnisti për gjithë vitin e mbrapshtë 1997 dhe as sipas
modelit 2001-2005, ku sërish përpjekja për tu integruar , lëshoi pushtet të
pamerituar opozitës sipas formulës bipartizane
të vitit 2002 që i ka vënë kazmën kushtetutës së vitit 1998 dhe ka prodhuar një
pushtete lehtësisht të manipulueshme si u pa në rastin e Kolegjeve Zgjedhore
2009 dhe 2011. Të dy palët duhet të bien dakord për një fillim të ri duke nisur
që nga reforma parlamentare dhe ajo e
Kodit Elektoral. Ky bashkëpunim duhet të jetë i sinqertë duke pranuar qartazi
rolet përkatëse dhe duke mos krijuar alibi për të përforcuar pozitat e tyre në
kurriz të tjetrës çka mund ta detyrojë sërish Komisionin Evropian të fillojë të
merret sërish seriozisht me çështjen shqiptare. Pas përgëzimeve për ecurinë e
Shqipërisë dhe arritjen e standardeve të zgjedhjeve, jo rastësisht, edhe
Bashkimi Evropian nëpërmjet përfaqësuesve të vet deklaroi se duhet akoma punë
dhe plotësim legjislacioni për të përfituar statusin e vendit kandidat. Në këtë
rast Brukseli përdori sërish mekanizmin e njohur të “shkopit dhe karrotës”,
duke pritur sesi do të jetë vjeshta. Për të arritur hapa cilësorë drejt
integrimit të vendit në mënyrë që në dhjetor të fitohet statusi i vendit
kandidat , ka nevojë të kryhen dy veprime nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e
qershorit 2013.
Së
pari, braktisja e sistemit bipartizan të ndërtimit të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve, do të bëjë të mundur që rezultatet e zgjedhjeve të mos kundërshtohen nga asnjë palë duke
gjetur si alibi përbërjen e tij. Zgjedhja e Kryetarit të ri të këtij komisioni
në seanca dëgjimore dhe me konsensus të
plotë nga të gjitha palët është një hap që plotëson më tej demokratizimin e
institucioneve tona duke shkuar drejt profesionalizmit të tyre. Shqipëria në
vitet e mëtejshme do të kandidojë për vend anëtar me të drejta të plota në
Bashkimin Evropian, kështu që duhet të shpëtojë njëherë e mirë nga gangrena e
zgjedhjeve të kontestueshme dhe mos pranimit të rezultatit të tyre. Së dyti ,
koha e barabartë e debatit midis Kryeministrit dhe liderit të opozitës në
Parlament i jep këtij institucioni një aset më tepër në atë që quhet jetë
parlamentare. Debati i hapur dhe i drejtë për së drejtë, tashmë jo më për
inskenimet e vogla të tranzicionit shqiptar, por për çështjet madhore të
ekonomisë dhe politikës së jashtme kërkojnë pjesëmarrjen e barabartë të gjithë faktorëve politikë në
vend. Të dyja janë kërkesa të parashtruara nga Brukseli që para zgjedhjeve dhe
arroganca e PD bëri të mundur që të mos realizoheshin. Qeveria e re dhe PS dhe
LSI duhet të tregojnë se dinë të qeverisin duke garantuar ambient të nevojshëm
demokratik për gjithë vendin.
Zgjedhjet e
përgjithshme të vitit 2013 për shkak të ngarkesës së madhe të
konfrontimit dhe të shijes së keqe që lanë zgjedhjet e vitit 2009, u konsideruan me të drejtë nga ndërkombëtarët si testi i vërtetë i
demokracisë shqiptare. Në këtë kontekst ato morën një rëndësi shumë të madhe
ndaj çdo mekanizëm ndihmues apo dhe demokratizim i institucioneve i ndërmarrë
pas zhvillimit të tyre, është një hap që duhet përshendetur. Në të njëjtën kohë
këto hapa edhe pse mund të duken të vonuar apo jo në pritshmërinë që pret
opinioni publik janë gjithsesi tregues që Shqipëria po e përballon me sukses
sfidat e saj drejt integrimit dhe se në vend po gjen rrënjë gjithnjë e më tepër
kultura e debatit politik. Që një pemë të rritet e të lulëzojë e të lëshojë
fruta i duhen disa vjet pasi ajo s’mundet asnjëherë që në vitin e parë të kënaqë
me frutat e saj njerëzit që e mbollën. Demokracia shqiptare pati një fillim të
vështirë dhe tashmë pas 23 vjetësh pjekurie politike dhe asistence evropiane,
për kënaqësinë e të gjithëve po fillon e jep fruta të ëmbël integrimi e
bashkëpunimi, duke lënë mbrapa periudhën e vështirë të tranzicionit.
Gazeta
Shqip 8.07.2013
No comments:
Post a Comment