Një nga arritjet më të mëdha të politologëve në
vitet 60’ të shekullit të shkuar ishte futja e konceptit të tregut në
marketimin dhe pranimin e ideve politike. Tregu me forcën e vet gjallëruese
kishte filluar të jepte efektet e para në përpjekjet për fillesat e një
Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tij të ofertës dhe kërkesës po zinin çdo
ditë e më tepër vend në fjalorin politik evropian përsa i përket partive
politike dhe zgjidhjeve që ato mundoheshin të afronin në kuadër të sistemit
pluralist. Ky mendim i pjekur politik i parapriu dhe zhvillimit dhe lindjes së
Globalizmit, ndaj në botën e pas Luftës së Ftohtë dhe të mungesës së
ideologjive partitë perëndimore të të dyja skeptrave qoftë të majtë apo dhe të
djathtë, e patën më të thjeshtë adaptimin në rendin e ri të ngjarjeve sesa në
se do të kishin mbetur parti të mbyllura dhe që nuk reflektonin zhvillimet
ekonomike e politike të kohës. Shqipëria për shkak të zhvillimeve krejt të
kundërta nga ato të Evropës perëndimore ishte jashtë këtij perceptimi që po
hidhte shtat në Evropë , ndaj dhe kur partitë e reja politike u ballafaquan me
këtë koncept për herë të parë pas viteve
90’ nuk arritën dot të reagonin si duhej por mbetën klasike e zhvillimit të
forcave politike njëlloj si në regjimin e mëparshëm .
Të gjitha partitë politike që u krijuan trashëguan
po të njëjtën filozofi drejtimi ku
spikaste autoritarizmi dhe mungesa e demokracisë së brendshme derisa nën
presionin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare por dhe të presionit dhe
influencës perëndimore nëpërmjet pjesëmarrjes në grupimet e mëdha politike
evropiane, të djathta e të majta u arrit një normalizim i jetës së tyre të
brendshme politike ku mendimi ndryshe nuk anatemohej më si herezi. Edhe pse kjo
filozofi drejtimi vazhdon ende të mos e gjej veten të shprehur fuqimisht në
jetën politike të partive shqiptare dhe shpesh herë dhe të cenohet në emër të
një uniteti fals përballë kundërshtarit “që kërkon të na shkërmoq”,
prapëseprapë dinamikat e vetë zhvillimit të jetës sociale në Shqipëri po tregon
se mënyrave të vjetra dhe klasike të drejtimit po u vjen fundi. Për më tepër
kësaj radhe partitë politike shqiptare për herë të parë në këto njëzet vjet
tranzicion po sofistikohen dhe nga ana ideologjike më debatin tashmë të hapur
midis së majtës dhe së djathtës për taksimin progresiv apo atë të sheshtë. Pa
hyrë fare në detaje, ky debat ja vlen për tu përshëndetur pasi tregon se
partitë politike po mundohen të gjejnë identitetin e tyre politik si dhe të
përfaqësojnë më mirë interesat e votuesve të tyre tradicionalë. Këtij debati, (shpresojmë të shëndoshë) që po zhvillohet iu shtua së
fundi dhe përcaktimi për herë të parë i klasës së mesme një koncept tashmë shumë
i rrënjosur në mendimin politik evropian.
E perifrazoi Blushi në artikullin e tij të gjatë për
të majtën në Shqipëri, e perifrazoi dhe kryeministri kur deklaroi se një nga
shenjat e ndryshimit të Shqipërisë është dhe ekzistenca e klasës së mesme në
jetën sociale të vendit, perifrazime këto që tregojnë se më së fundi u hoq dorë
nga mentaliteti për të zotëruar intelektualët, një përpjekje që ka
karakterizuar partitë politike shqiptare sa herë kanë dashur të sjellin prurje
të reja në parti. Ky emërtim që u bëhej të gjithë atyre që kanë kryer arsimin e
lartë në Shqipëri dhe që për hir të së vërtetës tingëllonte shumë demode pasi
vazhdonte ti mbetej besnik ndarjes së shoqërisë në kohën e regjimit komunist ku
shtresa e inteligjencës zinte një vend të veçantë kishte asfiksuar mendimin
politik shqiptar në formën e KOP-it dhe Mjaft-it. Tashmë kohët kanë ndryshuar,
në skenë prej kohësh ka dalë një shtresë që prodhon dhe mban me energjitë e saj
gjithë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e që patjetër kërkon më tepër
përfaqësim politik për të vendosur dhe për fatet e saj që janë të lidhura shumë
ngushtë dhe me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Pyetja shtrohet a është e
mundur dhe si mund të përfaqësohet kjo shtresë? Vetëm majtas? Pse jo djathtas?
Ku mund ta gjejë veten më mirë dhe përse? Si shikohet nga numri i gjatë i
pyetjeve dhe dilemave duket që debati vetëm sa ka nisur sepse për tu zbatuar në
praktikë ka një rrugë të gjatë përpara. Vetëm se disa të dhëna na vinë në
ndihmë për të shkoqitur më mirë terrenin se ku zhvillohet ky debat. Një
deklarim i para disa muajsh nga INSTAT dhe i transmetuar në mediet vizive
shqiptare tregonte se depozitat e shqiptarëve në sistemin tonë bankar
zotëroheshin në masën 50 % prej 4 % të depozituesve shqiptarë kurse 96 % e tyre
zotëronte pjesën e mbetur. Ky lloj hendeku i madh i krijuar në shoqëri në fakt
nuk lë shumë vend për entuziazëm pasi në një verifikim të shpejtë rezulton që
ky 4 % është dhe një grup vendimtar që jep mbështetjen e tij financiare në
zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri dhe që shpesh herë ka zgjedhur përfaqësues
të vet në parlament. Dashur pa dashur ky fakt, nisur dhe nga denoncimet e
vazhdueshme që ka bërë komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri për blerjen e votës
na kujton sistemin e mëparshëm të votimit në Shqipëri në vitet 20’, ku votonin
ata që quheshin përfaqësues të popullit dhe të një numri të caktuar popullsie dhe që zakonisht ishin njerëz të pasur dhe fisnikë që zotëronin
toka. Klasa e mesme së pari duhet të zgjidhë këtë deformim të dhimbshëm të
vullnetit popullor para se të fillojë së zgjedhuri majtas apo djathtas. Dhe së
fundi duke perifrazuar fabulën e njohur tashmë të Blushit për futjen e
elefantit në shishe, mendoj se dilema më e rëndësishme është se ç’fjalë do ti
thuhet elefantit për ta bindur të futet në shishe sesa ndryshimin e shishes apo
dhe të vetë elefantit. Kjo e para besoj se mbetet sfida më e madhe që ky debat
pritet të përballojë në rrugën e vet për caktimin e rolit të drejtë të klasës
së mesme në jetën publike dhe shoqërore shqiptare.
No comments:
Post a Comment