Moda më e re në Shqipëri në diskutimet publike
janë teoritë e konspiracionit. Gjithandej nëpër biseda njerëzish në vende
publike dhe ambiente familjare mund të dëgjosh variantet nga më të ndryshmet
konspirative të fillimit të demokracisë
shqiptare, funksionimit të saj , të marrëdhënieve të ambasadorëve të huaj me
politikanët shqiptarë, të gjeostragjisë dhe rëndësisë së shqiptarëve në rajon
etj. Kjo frymë konspiracioni që mbizotëron në eter ka bërë të mundur dhe
fillimin dhe lulëzimin e një industrie të madhe të librave për teoritë e
konspiracionit , të cilët shënuan një rekord shitjesh dhe në panairin e fundit
të librit. Tituj bombastikë si “Komiteti i të Treqindëve”, “Klubi i
Bilderbergut”, “Iluminati” etj rreken me një gjuhë të thjeshtë dhe fakte të
mbledhura andej këndej nëpër koincidenca të jetës publike të shteteve të
fuqishëm të krijojnë një mozaik ngjarjesh të vazhdueshme që drejtohen nga e
njëjta “dorë e padukshme” që nga fillimet e historisë njerëzore e deri më tash.
Adhurues të shumtë të këtyre librave dhe fakteve të servirura në to fillojnë ta
shikojnë partitë politike në vend, figurat publike, marrëdhëniet ndërkombëtare
të Shqipërisë por dhe funksionimin e shoqërisë civile nën syrin kritik të kësaj
literature duke krijuar një klimë të dyfishtë që sa shfaqet nëpërmjet ilaritetit të fakteve por dhe në ngjyrimet e një situatë të
pashpresë a thua se vullneti ynë politik është i paracaktuar nga qendra të
tjera vendimmarrëse. Natyrisht sikur kjo klimë të mbetej vetëm në nivel lexuesish
dhe shkëmbimit të informacioneve mes tyre nuk do të përbënte problem pasi
gjithsecili që do të dëshironte të dinte më shumë do të kishte mundësi nëpërmjet
burimeve të tjera më të besueshme të përftonte dijen e duhur por kur kjo klimë
konspiracioni dhe e të kuptuarit të kumteve politikë përçohet tek analistët ,
media dhe politikanët shqiptarë atëherë me të vërtetë gjërat fillojnë të bëhen
pak më serioze.
Shqipërisë në këto 21 vjet ndërtimi të demokracisë
dhe përpjekjeve për të arritur një funksionim të drejtë të saj si modeli
qeverisës që ka përftuar në fillim të viteve 90’ nuk i është imponuar ndonjë
axhendë e veçantë dhe e ndryshme zhvillimi nga ajo e vendeve të tjera ish
socialiste që nisën rrugën e reformave. Kriteret bazë për të qenë anëtare e
NATO-s dhe e Bashkimit Evropian janë shpallur në mënyrë të hapur dhe jo të
fshehtë ndaj çdo lloj spekulimi se vonesat tona janë për shkak të ngjarjeve që
kanë ndodhur në Shqipëri janë të pasakta. Vendet fqinje me Shqipërinë,
republikat e ish Jugosllavisë kaluan përmes makthit të konfliktit etnik çka
teorikisht por dhe praktikisht i vononte shumë ato drejt integrimit në
strukturat Euro-Atlantike e megjithatë
dy prej tyre janë tashmë vende anëtarë dhe dy të tjera kanë nënshkruar para
nesh statusin e vendit kandidat e Serbisë tani së fundmi ju hap drita jeshile
për ta këtë status. Këtë integrim ato e arritën përmes zbatimit të reformave,
normalizimit të jetës politike në vend, zbatimit të gjithë detyrimeve të
evidentuara në progres raportet dhe jo ndonjë miqësie të veçantë me ndonjë
shtet të fuqishëm. Sigurisht që çdo shtet krijon dhe ka marrëdhënie
preferenciale me një shtet të veçantë por asgjëkund nuk është vërejtur në jetën
politike të tyre që referencat miqësore me ndonjë shtet të madh si është ajo
mes Shqipërisë dhe SH.B.A të keqpërdoren në mënyrën më diletante si ndodh këtu.
Për çdo ngjarje të mundshme apo problem që has shteti shqiptar analistë dhe
politikanë mundohen ta paraqesin si në harmoni me politikën zyrtare të SH.B.A
aq sa shpesh qytetari i thjeshtë nuk arrijë të kuptojë dallimet mes tyre. Çdo
referencë apo takim i ambasadorëve të huaj në Shqipëri komentohet si mbështetje
e hapur apo qortim ndaj atyre që morën pjesë në takim aq sa besoj se kanë
filluar qytetarët shqiptarë të “dinë” më mirë se diplomatët e thuaj se
ç’kërkojnë ata për Shqipërinë. Ky vrapim i stërmunduar për të deklaruar se
“Amerika” apo “Evropa” është me ne, e ka rrudhur shumë forcën përfaqësuese të
politikanëve shqiptarë pasi shpesh herë ata kanë filluar të perceptohen nga
opinioni publik në vend si kukulla që drejtohen nga mjeshtërit e mëdhenj që
janë jashtë skene. Edhe pse nuk mund të mohohet diplomacia e SH.B.A dhe e B.E në
rajon është shumë aktive prapë së prapë vendimet dhe hartimin e strategjive për
zhvillimin e vendit janë ekskluzivitet i
klasës sonë politike. Për ta ilustruar, mund të sjellim ndërmend periudhën e
parë kur u bëmë shtet e ku prezenca e ndërkombëtarëve ishte shumë më e madhe
sesa sot nëpërmjet Komitetit
Ndërkombëtar të Kontrollit, e ku shumë vendime dhe aksione politike klasa jonë politike
e asaj kohe e përfaqësuar nga Esat Pashë Toptani , Preng Bib Doda dhe Ismail
Qemali i ndërmori kundër vullnetit të
tyre në kundërshtim me faktin që trumbetohet sot se dhe atëherë dhe tani klasa
jonë politike nuk është e pavarur. Kur klasa politike vendase është në gjendje
të afrojë një vullnet politik konstant për një çështje, ky vullnet nuk mund të
anashkalohet lehtë nga ndërkombëtarët, por përkundrazi fillon e merret
parasysh. Kemi më shumë se dy ditë që ankohemi për Marrëveshjen Serbi-Kosovë,
nënshkrimi i së cilës i hapi rrugën statusit kandidat të Serbisë, por nuk e
kemi pyetur ndonjëherë veten se ç’variante ofruam ne për këto bisedime dhe ku
ishte vija e kuqe që ne nuk do të tërhiqeshim. Ndërsa pala serbe që nga momenti i shpalljes së
pavarësisë së Kosovës ka afruar shumë modele duke filluar që nga ai i Tirolit
të jugut e deri tek ai i Tajvanit, pala shqiptare është mjaftuar të fle në
gjumin e dafinave me shprehjen që është bërë bajat i politikave tona të jashtme
se për ne po “mendojnë miqtë tanë amerikanë”
Demokracia liberale si një sistem që vazhdimisht
mundohet të përmirësojë vetveten ka në themel të saj vullnetin e lirë të atyre
që marrin pjesë në funksionimin e saj ndaj klasa politike shqiptare nuk mund të
bëjë përjashtim nga ky rregull. Interesat gjeostrategjike të miqve tanë
dëshirojnë që të kenë një Shqipëri të fortë dhe të stabilizuar në Ballkan por
dhe të bazuar në ushtrimin dhe funksionimin e mirë të demokracisë. Për këtë
arsye kriteret e Kopenhagenit që janë kriteret bazë për tu përmbushur për çdo
vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, krahas kritereve
ekonomikë kanë mes tyre dhe kriteret politikë nga të cilët Shqipëria si ka
përmbushur ende një pjesë. Dëshira e ethshme për tu ndihmuar nga ndonjë “mik” i
fortë për ti plotësuar këto kritere sa pasqyron funksionimin e brendshëm të
demokracisë shqiptare po aq lë për të dëshiruar për nivelin e klasës sonë
politike. Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian as nuk do të jepet as
nuk do të falet nga Komisioni Evropian ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve i mbetet
që të normalizojë jetën politike në vend në bazë të planit prej 12 pikash që ka
kërkuar Bashkimi Evropian për të zbatuar. Kjo rrugë besoj, është rruga e vetme që
do të na çojë drejt Brukselit pa e vrarë shumë mendjen nëse vajtja jonë atje
ishte sepse e merituam apo pjesë e një plani më të madh konspirativ.
No comments:
Post a Comment