Një nga romanet më të famshëm të letërsisë
botërore të shekullit të XIX, është romani “Etër dhe bij”(1862) i shkrimtarit
rus Ivan Turgeniev (1818-1883). Romani
është bërë i famshëm jo vetëm si përfaqësues i denjë i një letërsie të re që po
lindte ndjenja të larta estetike dhe shpirtërore siç ishte letërsia e re ruse por
dhe sepse në të përshkruhen si ngjarje
kryesore kontradiktat midis brezave. Personazhi kryesor i romanit Bazarovi një
i ri fisnik rus i përket rrymës filozofike të nihilizmit dhe për rrjedhojë ai
përçmon dhe nënvlerëson idetë e vjetra të prindërve të tij. Ajo çka ndodh në
fakt në roman nuk ishte një fenomen i ri që i përkiste vetëm shoqërisë ruse të
kohës por ashtu si e theksojnë shumë antropologjistë dhe sociologë modern ishte
një pasqyrim i idesë se revolta e parë e
njeriut është ajo ndaj autoritarizmit të prindërve të vet.
Jehona të këtij konflikti mund të gjenden
gjithandej në letërsitë botërore dhe në fusha të tjera të jetës ku sigurisht
dhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Madje në Shqipëri për shkak të
vështirësisë së ndërrimit të elitave ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm dhe
i dukshëm në të gjithë ligjërimet publike jo vetëm të politikanëve por dhe
personaliteteve të ndryshëm publikë në fusha të tjera si arti dhe shkenca.
Veçse në Shqipëri ky debat i përjetshëm ka një veçori të ndryshme nga vendet e
tjera. Në kundërshtim me çka me të vërtetë e kërkon logjika e ngjarjeve ku
brezi i ri duhet të jetë kritikuesi dhe të ketë marrë revanshin ndaj brezit të
vjetër, në fakt ndodh e kundërta. Sot në Shqipëri pas 20 vjetëve të rrëzimit të
regjimit komunist vazhdon të jetë në
pozicione kryesorë të drejtimit të shtetit
elita e krijuar gjatë këtij regjimi. Po kështu vlerat shpirtërore dhe
artistike vazhdojnë të dominohen nga personalitete të cilët sërish u formuan në
atë regjim dhe që hierarkinë e vlerave e fillojnë sërish nga vetja.
Parë në këtë kontekst një nga intervistat e fundit
që ka dhënë ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano e ilustron më së miri këtë
dukuri. Pyetjes se nëse Partia Socialiste do i hapte dyert për tu kthyer si
“djali plëngprishës” Fatos Nano, iu përgjigj me arrogancë se “Unë jam babai i
tyre”. Përtej shijimit të batutës për të
cilat është shumë i njohur ish-kryetari i Partisë Socialiste, në deklaratën e
tij ka një reflektim të vetëkënaqësisë
dhe vetëvlerësimit, i cili është problematik në një shoqëri demokratike.
Sot kur lexojmë për historinë e themelimit të SH.B.A gjejmë referenca për George Washington,Benjamin
Fraklin, John Adams, Thomas Jefferson, John Jay, James Madison, dhe Alexander Hamilton që konsiderohen si Etërit e mëdhenj të themelimit të demokracisë amerikane, një vlerësim dhe
përcaktim që ata nuk e morën në gjallje por shumë më vonë nga studiuesit
pasardhës që vlerësuan veprimtarinë e tyre të denjë. Po kështu të njëjtin
vlerësim si Etërit themelues të Bashkimit Evropian kanë marrë dhe Jean Monne dhe Roberst Schuman për
kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për unitetin dhe çuarjen përpara të idesë
së Evropës së bashkuar. Por a mund të vlerësohen me këtë emërtim përsa i përket
themelimit të demokracisë shqiptare dhe përfaqësuesit e elitës së viteve 90’ që
realizuan transformimin e sistemit, shumica e të cilëve janë të formuar në
korrentet e revolucionit kulturor kinez të viteve 70’ dhe zbrazëtisë
ideologjike që afronte i ashtëquajtuara lufta e klasave.
Natyrisht që paralelizmi nuk mund të qëndrojë nëse
i hidhet në një shikim të shpejtë veprës së këtyre “etërve” të demokracisë
shqiptare dhe arrin të perceptosh se në të nuk mund të ketë shumë gjëra për tu
krenuar. Shqipëria përjetoi tranzicionin më të gjatë politik dhe më të dhimbshëm
se të gjitha vendet e tjera të ish-lindjes duke u integruar e fundit në NATO
dhe duke përfituar e fundit liberalizimin e vizave. Në vitin 1997 vendi, si asnjë
vend tjetër i ish-lindjes komuniste shkoi në prag të luftës civile dhe mbi 1/3
e popullsisë emigroi gjatë këtyre viteve, eksod pothuajse biblik që me
statistika ia kaloi dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare në shekullin e XV
si rezultat i pushtimit otoman të vendit. Sistemi i vlerave materiale dhe
shpirtërore që ndërtuan këta “etër” nuk është
një reflektim i shoqërisë së prapambetur shqiptare në krahasim me vendet e
tjera lindore si shpesh herë pretendojnë për ti shpëtuar përgjegjësisë para
historisë, por një vepër drejtë për së drejtë e sistemit të klientelës servile
ndaj pushtetit,nepotizmit rrënues dhe korrupsionit shkatërrues të tyre. Për më
tepër ata kanë vrarë dhe shpresën pasi të rinjtë që kanë promovuar në politikë
dhe në fusha të tjera të jetës janë një klonim i drejtë për së drejtë i tyre
duke mos shkaktuar asnjë ndërrim cilësor elitash që rrjedhimisht do të sillte
dhe një zhvillim më të hovshëm të vendit por duke parë se ç’kanë afruar këta të
rinj deri tani në politikë mund të vlerësohen kollaj sipas
shprehjes shqiptare “bëmë baba të të ngjaj”. Në prag të 100 vjetorit të
pavarësisë ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të përjetojnë rigjallërimin
e tyre si komb dhe krahas etërve të pavarësisë shqiptare të fillojnë të
krijojnë Etërit e vërtetë të zhvillimit,prosperitetit dhe mirëqenies ekonomike,
diçka që fatkeqësisht elitat dhe “etërit” e ndryshimeve të viteve 90’ nuk
arritën dot ti krijojnë.
Gazeta Shqip 15.03.2012
No comments:
Post a Comment