Sunday, 11 March 2012

Letër e Don Kishotit drejtuar njerëzimit





Unë kalorësi fisnik,
Don Kishoti i Mancës,
i tallur  e i quajtur pa të drejtë
nga shoku im i ngushtë Miguel Servantes
si Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur
dëshmoj përkundrejt gjithë botës
se nuk kam pasur asnjë fije marrëzie
në kokën time të dreqosur,
se të gjitha ç’janë shkruar për mua
janë pjesërisht të vërteta
ashtu si është në fakt dhe vetë jeta.
Se pasioni im për Dulqinjën
nuk është i vërtetë
Servantesi e dashuronte atë vajzë
por skish guxim ti fliste vetë
e patëm parë të dy nën dritën e hënës
ku vajzat në lumë si në rite pagane
laheshin lakuriq
Servantesi sa e pa bukuroshen e Tobozës
u mahnit dhe u mblodh në vetvete si iriq
na detyroi që të tërë ditët
për të në Tobozë ti kalojmë
e vajzat e tjera ti harrojmë
iu ngjitëm nga pas si hije
se ku shkonte , kë takonte
çfarë bënte, çfarë librash lexonte
Për atë Zot, Servantesit i kish marrë koka erë
dhe jo mua si lexoni nëpër libra të tërë
Sanco Panca që në libër ma vuri si shqytar
i Dylqinjës, ishte kushuri i parë
qe vërtetë pak tarollak e kokë bosh
por dinte si të nxirrte lekë se ishte ca kodosh
e nxirrte Dulqinjën shëtitje që ne ta takonim
i fliste mirë për  Servantesin
e shante të tjerët që i afroheshin
S’është e vërtetë aspak se unë doja
 kalorësitë e kohës së parë,
në biseda me Servantesin vetëm thoshja
se bota do ish më e mirë pa zbuluar paranë
Por më në fund prapë dhe Servantesi u dorëzua
i shkruajti të gjitha historitë tona
 sipas mendjes së vet 
dhe për to u pagua
Gëzoi , emër nder dhe famë
 mua më rezervoi fatin e
Kalorësit të Marrë
Ndaj unë u shkruaj me zemër të hapur
besomëni vetëm në idealet e mia pa u tallur
Besoni kur flas për barazinë,
drejtësinë e lirinë
e mos më gjykoni nga pasioni i çmendur
për të ëmblën Dylqinjë.
Servantesin e kam falur si shok e mik
asnjëri nga ju pas kësaj letre mos ta shoh si armik
Miqësia është si vera që sa më vjetër
është më e mirë
me njëri-tjetrin ne kemi qenë
gjithmonë të çlirë
Ne jemi Një edhe pse mua s’më pëlqen
por e vërteta gjithmonë rrëzëllen
Unë jam Servantesi që
ëndrrat e njerëzimit në libër përkot
Servantesi është i “marri”
me nofkën Don Kishot...


Tiranë 20.02.2012