Thursday, 12 January 2012

Intervistë

 Çfarë duhet të mësojmë nga viti 2011 dhe prioritet e shqiptarëve për 2012-ën


http://www.albnow.com/intervista/4429-cfare-te-mesojme-nga-viti-2011-dhe-prioritet-e-shqiptareve-per-2012-en.html

1.    Viti 2011 nisi me klimë të ashpër politike, por në fund të tij partitë arritën të gjejnë konsensusin. Megjithatë, si do ta komentonit këtë vit për zhvillimet në vend?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje më duhet t’i rikthehem dhjetorit të vit të kaluar kur në vend gjallonte një entuziasëm i justifikueshëm për shkak se Shqipërisë i ishin liberalizuar regjimi i vizave Shengen  me  Bashkimin Evropian dhe perspektiva evropiane e vendit ishte më afër se kurrë. Për fat të keq tonin dhe të Shqipërisë ndodhi një paradoks i madh politik dhe kulturor. Politika që duhet të ishte lokomotiva tërheqëse e këtij procesi kaq të rëndësishëm për Shqipërinë , ngeci në vend dhe akoma më keq doli fare nga shinat në ngjarjet e dhimbshme të 21 Janarit. Drejtësia akoma nuk e ka thënë fjalën e vet për këto ngjarje duke e rënduar më tepër psiqikën e shoqërisë shqiptare pasi një vend që ska drejtësi e ka të vështirë të gjejë ekulibrin në fushat e tjera si ekonomia dhe politika. Paradoks kulturor, sepse të gjithë besonim se pas 20 vjetësh demokraci dhe tranzicion e kishim fituar kulturën e duhur politike për të mos pasur konfrontime të tilla. U desh sërish që të mobilizohej politika ndërkombëtare, të zbarkonin në Shqipëri gjithfarë mediatorësh që palët të pranonin të hynin në bisedime,të hynin në zgjedhje, të shkëmbenin dekalarata të ashpra mes tyre dhe më në fund të gjenin fjalën e përbashkët për të filluar një dialog dhe bashkëpunim serioz mes tyre. Si shikohet nga kurba e e gjatë politike e këtij viti, shumë gjëra ishin shumë të realizueshme dhe më parë vetëm sepse në shumë raste mungoi vullneti politik. Për partitë politike ndoshta , ky qendrim stoik në pozicionet e tyre partiake është dhe demonstrim force por për qytetarët shqiptarë që humbën dhe për një vit trenin e integrimit ishte një kosto e lartë. Të shpresojmë se ky bashkëpunim i nisur, i demonstruar dhe nga zgjedhja e Avokatit të Popullit të ketë themele të forta në mënyrë që mbi to të ngrihet solide integrimi evropian i Shqipërisë.

2.    Integrimi në BE është një prej prioriteteve të vendit. Çfarë u arrit në këtë drejtim gjatë këtij viti dhe çfarë mund të bëhej më mirë?
Integrimi në B.E ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverive shqiptare dhe në këtë sens e gjithë axhenda qeveritare është e hartuar në këtë drejtim. Mirëpo, si thashë dhe më lart situata politike në Shqipëri nuk ishte e favorshme për të fituar marrjen e statusit të vendit kandidat, gjë që e ka dëmtuar paksa perspektivën evropiane të Shqipërisë. Nga ana tjetër, personalisht jam ndjerë mirë kur Komisioneri për Zgjerimin Fuhle ka përsëritur shpesh herë ofertën për të plotësuar 12 pikat që përbëjnë kushte politike për normalizimin e situatës politike në vend dhe menjëherë Shqipëria do ta përfitojë statusin e vendit kandidat.Kjo gjë do të thotë se Brukseli i vlerëson për mirë shumë nga reformat e ndërmarra në Shqipëri, se Shqipëria është gati teknikisht dhe nuk ka asnjë gjë më pak apo më shumë se vendet e tjera të rajonit. Mirëpo në këtë përpjekje të vazhdueshme për të aritur teknikisht tëgjitha kushtet e marrëveshjeve me B.E nuk duhet arritur një nga shtyllat bazë të politikave të B.E që ka të bëj me përmirisimin e cilësisë së jetës. Qeveria duhet të investojë dhe tregojë më tepër kujdes që institucionet si spitalet, shkollat, universitetet etj ti përngjajnë atyre evropiane si për nga cilësia e shërbimit por dhe nga kushtet dhe konditat.
3. Ky vit u karakterizua nga një marrëdhënie problematike e mazhorancës me Presidentin apo edhe me ndonjë institucion tjetër të pavarur. Këtë gjë duhet ta konsiderojmë si një fenomen normal të  demokracisë apo ka vend për diskutim dhe për të dyja palët?
Unë besoj se është e natyrshme që një demokraci në zhvillim që po përpiqet të bëhet funksionale të ketë dhe përplasje midis institucioneve. Problemi qendron sesa etike dhe morale janë këto përplasje? A ndodhin për shkak të mbrotjes së principive dhe ligjshmërisë në vend apo janë pjesë e lojës politike? Më rezulton se disa nga këto përplasje më së shumti kanë ndodhur për shkak të kësaj të fundit , ndaj kur të fillojmë të mos i personalizojmë institucionet dhe ti konsiderojmë si ngrehina të përhershme shtetërore që do të mbeten aty dhe kur të përfundon mandati atëherë besoj se do të kemi një harmoni mes tyre si në demokracitë e tjera të zhvilluara. Për sa kohë ambiciet personale të faktorizimit në jetën politike të vendit nëpërmejt institucionit do të jenë aktive kjo situatë do të vazhdojë të mbretërojë në Shqipëri qoftë dhe me te tjerë protagonistë. Dialogu dhe konsesusi do të shtoja për situatën e sotme mes tyre janë dy fjalë “magjike” që sjellin harmoni jo vetëm vendit por dhe funksionimit të drejtë të demokracisë.
4. Pavarësisht emrave me të cilat ajo është pagëzuar, herë krizë e herë ngërç, marrëdhëniet e acaruara pozitë – opozitë patën koston e vet për vendin. Çfarë na mësoi ky vit, si politikës, ashtu edhe njerëzve të këtij vendi?
Unë besoj se ky vit , ishte një vit i leksioneve të mëdha për një politikë arriviste dhe të paprinciptë që në fillim të vitit 2011 e coi vendin në zgripin e një konflikti të madh nga i cili asnjë palë nuk do të kish dalë e përfituar. Ndërsa neve qytetarëve të thjeshtë ma mësoi se duhet të jemi të kujdesshëm kur hedhim votën. Perspektiva dhe pritshmëria jonë ishte që vendi të merrte statusin e vendit kandidat , kurse politika që ne kishim zgjedhur në 2009 na zhgënjeu me krizat e ngërcet e saj. Besoj se për zgjedhjet e ardhme të përgjithshme qytetari shqiptar duhet të bëjë një harmonizim më të mirë të votës së vet me nuhatjen politike për të zgjedhur ata që do e ndihmojnë më shumë për tu bërë qytetar i B.E dhe jo të mbetet një qytetar periferik i saj.
5. Parë më sytë analistëve dhe qytetarëve cilat duhet të jenë prioritetet për 2012?
Prioritetet politike të Shqipërisë do të jetë plotësimi i axhendës së paplotësuar të vit 2011, pra marrja e statusit kandidat për në B.E. Nëse klima politike vazhdon të jetë e njëjtë dhe të përmirësohet , Shqipëria mund të ketë një suprizë të këndshme në këtë drejtim kur do të rishqyrtohet kërkesa e saj. Nga ana ekonomike do të vazhdojnë prioritetet e mëparshme edhe pse kriza ekonomike që ka përfshirë Evropën nuk të lë shumë dorë për të realizuar shumë gjëra në këtë drejtim. Vetëm se në një rishikim të buxhetit duhet parë më me shumë seriozitet sektorët që janë prioritet si ai turizmit që në këtë buxhet që u votua, zë vetëm 0.89 % . Nga ana kulturore, ky vit është përvjetori i njëqind i pavarësisë dhe shqiptarët duhet të fillojnë të përgatiten seriozisht për të festuar këtë ngjarje të madhe.






Wednesday, 11 January 2012

Leximi “ndryshe” i “Child Haroldit”.





Leximi “ndryshe” i “Child Haroldit”.

(Një përqasje  kritike ndaj mendimit Bajronist shqiptar)


Studimi i veprës së Bajronit në Shqipëri përfshin një periudhë më shumë se 150 vjeçare, por jo të gjithë këta vite kanë përbërë një studim thelbësor të veprës së tij. Kjo për arsyen se vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i  do të vinte te shqiptarët  në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Për rrjedhojë studimet e para apo më saktë artikujt e gazetave ishin të nivelit amatorë dhe paraqesin më tepër me interes bibliografik,si raste kur është bërë e njohur vepra e poetit në Shqipëri.
 Këto aspekte të njohjes së veprës së Bajronit kushtëzuan dhe studimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre. Kjo është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të ndërtimit të identitetit shqiptar.“Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[1]Është kjo arsyeja që deri në vitet 30’ të shekullit gjejmë shpesh në organet e shtypit të shkruar artikujt ku më shumë trajtohen kontakte Bajronit me shqiptarët sesa artikuj studimorë rreth veprës së tij.
Një ndryshim cilësor ndodh në vitet 50’ të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij. Gjithsesi edhe në të vihen re gjurmët e mitit të Bajronit ku akoma vazhdohet t’i jepet më shumë rëndësi marrëdhënieve të poetit me shqiptarët, përshtypjeve të tij rreth tyre sesa studimit të mirëfilltë të fenomenit Bajron. Madje nuk do të ketë ndonjë përqasje të vërtetë kritike rreth mënyrës sesi i portretizoi Bajroni shqiptarët por në raste të veçanta përkthimi i veprës së tij dashur pa dashur do të vazhdojë të farkëtojë  mitin e poetit ndër shqiptarët.
Studimet e deritanishme kanë vuajtur nga vendosja në qendër të vëmendjes të vetive pozitive të shqiptarëve si trimëria dhe bujaria dhe mungesa e evidentimit të këndvështrimit objektiv të mënyrës sesi i portretizoi Bajroni shqiptarët. E njohur si një sëmundje e gjithë popujve ballkanikë të cilët mitizojnë cilësitë e tyre, kjo lloj përqasje kritike në fakt nuk ndihmon në asgjë. Ajo ilustrohet më së miri në botimin e veprës së Faik Konicës “Shqipëria , një kopsht i Evropës Juglindore”, ku vargjet e “Child Harold” dhe pjesë nga letra dërguar së ëmës, janë përdorur për të ilustruar karakterin psikologjik të shqiptarit.[2]Përmendim Konicën këtu(pasi si ai ka dhe shumë figura të tjera) pasi ai përbën një nga intelektualët më të formuar të të dy periudhave, të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë dhe nëpërmjet referencave të tij del më qartë sesi e ka përdorur elita shqiptare mitin shqiptar të Bajronit për sendërtimin e identitetit shqiptar. Por si i kish portretizuar Bajroni në të vërtetë shqiptarët?A ka portretizuar shqiptarët në poemën e tij epike “Child Harold” me nota pozitive?Dhe nëse është kështu, a kish mundur ai të hidhte në letër gjithë pasionin dhe dashurinë për ta, apo në mënyrë të pandërgjegjshme kish skicuar një portret të tyre që ndoshta nuk e kish dashur?
Në një analizë tekstuale, krahasuese dhe të detajuar të veprës “Child Harold” dhe letrës që i dërgon së ëmës nga Preveza më 1809, vihet re një mospërputhje që ka, në përshtypjet rreth shqiptarëve të shprehura në letër, dhe portretizimit të shqiptarëve në veprën e vet “Child Harold”.Kontradikta të cilën Konica por dhe bajronistët e mëvonshëm shqiptarë nuk e evidentojnë, qëndron në faktin se tjera përshtypje pozitive poeti i transmeton së ëmës për shqiptarët dhe figuracion dhe imazh paksa më të rezervuar përdor në poemë për ti portretizuar ata.
Si një dishepull i Romantizmit, Bajroni u influencua nga dy kulte në portretizimin e shqiptarëve: primitivizmi ose kulti i “the Noble Savage” dhe kulti oriental. Referencat bazuar në mitin e primitivizmit janë të shumta në Këngën e Dytë, ku Shqipëria thirret “nurse of savage men”[3]. Natyra e saj përshkruhet me ngjyrime të ashpra,... here roams the wolf the eagle whets his beak/Birds,beasts of prey and wilder men appear-këtu bredh ujku-shqipja sqepin mbreh/Zogj-bisha-njerëz të egër zënë duken...[4] kurse vetë shqiptarët përshkruhen si ‘wild”[5] dhe “fierce”[6], ndërsa gratë shqiptare “tamed in their cave”[7]-në kafaz mësuar[8] një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë femërore. Bie në sy përpjekja e të dy përkthyesve që fjalën “cave” ta përkthejnë duke i zbutur ngjyrimin negativ nga “shpellë” në “kafaz”. Në fakt kjo është një tendencë që haset shpesh në të gjitha variantet në shqip të Child Harold-it. Është interesant fakti se qoftë Konica apo më vonë dhe Luarasi të cilët ndjekin shkollën e përkthimit kreativ dhe jo të drejtë për së drejtë ashtu si bën Tasi në 2002, fjalët “savage” përkthehen në shqip “të egër”[9] tek Luarasi dhe të “tmerruar”[10] tek Konica, por Tasi i përkthen “të rreptë”[11] . Ndërsa fjala “fierce” të dy i përkthejnë si të “rreptë”, kur kuptimi i saj i  parë në anglisht është “violent and aggressive ”[12]-i dhunshëm dhe agresivë. Mesa duket me instinktin e përkthyesit dhe nën influencën e mitit të Bajronit, qoftë Luarasi, qoftë Tasi kanë kuptuar imazhin e egër që u vishet shqiptarëve në vargun...Fierce are the Albanians, prandaj e përkthejnë atë njëlloj.
Gjithsesi duhet shënuar se miti i primitivizmit në Këngën e Dytë nuk është ai i besimit në mirësinë natyrale të njeriut dhe në pashmangshmërinë e degradimit të qytetërimit njerëzor por është një jehonë e ndikimit romantik me theksimin e kultit të Natyrës, lirisë dhe njeriut[13]. Veçse ky kult në poemë nuk qëndron më vete por është i lidhur ngushtë me kultin tjetër, atë të Orientit. Ky i fundit ka influencuar në mënyrën e pavetëdijshme të perceptimit të Tjetrit. Themi të pavetëdijshëm pasi Bajroni në letrën e dërguar nënës së vet shkruan se “i dua shqiptarët shumë”[14] por kjo nuk e pengon që në poemën vet ti portretizojë shqiptarët sipas klisheve të orientalizmit. Sepse siç thekson Edward Said, “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik në tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe filologjike”.[15].Në këtë rast poema Child Harold” mund të trajtohet si një tekst i tillë. Veçse orientalizmi i ushqyer nga Ali Pasha te Bajroni nuk si sfond kolonializmin dhe imperializmin perëndimor por udhëtimin.[16] Shqetësimi gjeo-politik në këtë rast ishte fakti që këto toka ishin nën qeverisjen e Ali Pasha Tepelenës, një prijësi jogrek dhe burrë luftërash dhe njeri mizor.[17]Për rrjedhojë, shqiptarët dhe klasa udhëheqëse e tyre parë me sytë e Bajronit, nuk kanë vetëm veti pozitive të trimërisë dhe bujarisë por dhe në ato të egërsisë, mizorisë, dinakërisë dhe epshit oriental. Studiuesja Katherine Flemming  ka vërejtur me të drejtë, kur perifrazon strofën 62 se Lord Bajroni , në poemën epike “Child Harold” shkruan se fytyra e Aliut( Pashë Tepelenës) ishte veçanërisht e ëmbël, aq sa të maskonte dhunën.[18]Po kështu në këto vargje të bën përshtypje referenca rreth divanit i cili në çfarëdolloj vendi tjetër mund të ishte divan, por tek Ali Pasha duhej të ishte voluptuous[19]-epshndjellës.
Vëzhgimet e mësipërme bëhen më e dukshme nëse bëhet një krahasim i thjeshtë midis vargjeve ku flitet për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe asaj ku flitet për Greqinë dhe grekët. Me këta të fundit, poeti edhe pse shpesh herë në letrat e veta private është i zhgënjyer nga realiteti i grekëve të atëhershëm deri aty sa të shprehej se ata ishin “skllevër të bindur, me të gjitha veset turke dhe jo kurajozë.”[20], në poemë ai i portretizon me mbiemra pozitivë duke ju drejtuar qysh në fillim si “Fair Greece”-Greqi e Bukur[21], spirit of the freedom-shpirt i lirisë [22]e më vonë vajton humbjen e lirisë së Greqisë”[23].
Është e qartë që poeti nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit, i cili ishte shumë i pranishëm në atë kohë kur poeti shkroi “Child Harold”,[24] dhe në një territor si Epiri që banohej nga të dyja popullsitë na transmeton dy paradigma të kundërta kur shumë studiues kanë vërejtur se në realitet nuk kishte ndonjë ndryshim të madh midis tyre përveç përkatësisë fetare. Madje ka autorë të cilët nuk i akuzojnë kurrë shqiptarët për padituri në mënyrën si akuzohen ndonjëherë grekët dhe shumë më shpesh turqit. Në fakt shqiptarët janë përshkruar si një popull inteligjent, të shquar për “mprehtësi dhe gjykim të shëndoshë” dhe që “nuk u mungonte talenti”.[25]Bajroni e shpreh këtë përshtypje me vargjet...“yet they lack no virtues, were those virtues were more mature”-po vetitë nuk u mungojnë veç t’ishin më të arrira[26].
Parë në një vështrim retrospektiv veprat e udhëtarëve anglezë bie në sy se është tipari i përkatësisë fetare që influencon në krijimin e këtij kontrasti midis dy popullsive. Madje ky kontrast në gjykim që ndonjëherë kalon dhe në racizëm dhe paragjykim është i dukshëm në këto shkrime dhe për dallime brenda popullsisë shqiptare, siç paraqitet në përshkrimet e Nicholas Biddle kur shkruan se “shqiptarët me origjinë turke(kupto myslimanë) janë një racë e keqe dhe vrasësish, ndërsa ata me origjinë kristiane përbëjnë njerëzit e kultivuar”[27].As Bajroni nuk i ka shpëtuar këtij paragjykimi fetar kur shkruan and bade to Christian tongues a long adieu/Now he adventured on a shore unknown-I la shëndenë botës së krishterë/Po nisej për një trevë të panjohur[28]. “Treva e panjohur” ishin “tokat e qeverisura nga Aliu, të cilat shiheshin njëherazi si evropiane dhe orientale, si të krishtera dhe myslimane.”[29]Kjo situatë familjare me Lindjen e Afërme përshkruhet në vargjet .. here the red cross(for still the cross is here,though saddly scoff’d at by circumcised[30]-Kryqi këtu(se kryq ka prapë, megjithatë e tallin synetlinjtë.
Dallimin midis dy botëve nuk e bën natyrisht kryqi apo ndonjë objekt tjetër kulti, por synetlinjtë, një tjetër imazh ekzotik orientalist. Pikërisht tek ky perceptim i veçantë i të qenit të huaj dhe familjar njëherazi, Saidi ka identifikuar njërën nga karakteristikat kryesore të vizionit orientalist.[31]Ky vizion, ku “orientali duhet ti korrespondojë tipit oriental”[32] ndan si me “spat” klasën politike të shqiptarëve dhe shqiptarët në “orientalë” dhe grekët në “oksidentalë” në poemë.
Kjo lloj analize nën skupën e orientalizmit  të  “Child Haroldit” mbetet një sprovë dhe ndoshta një drejtim i ri i studimit të veprës së poetit në Shqipëri. Ajo synon të bëjë një analizë tekstuale të më shumë se një rrafshi, siç është ai estetik, por edhe një analizë të detajuar historike dhe sociologjike të veprës. Për më tepër ai ka vite që në kritikën botërore po lexohet në këtë mënyrë, dhe besoj se është koha që dhe ne ta fillojmë ta lexojmë pak më ndryshe sesa jemi mësuar deri tani. Ky lloj leximi i ri do t’i japë një imazh më jetësor Bajronit dhe veprës së tij në Shqipëri.

Gazeta Shqip. "Ndryshe"  20.09.2009



[1]  -Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 13
[2]  Po aty,  faqe 40
[3] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 122-nënë e ashpër e burrave të rreptë
[4] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[5] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 136
[6] Po aty faqe 140
[7] Po aty, faqe 138
[8] Po aty, faqe 139
[9] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 67
[10] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002, page 36
[11] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 122
[12] Oxford English Dictionary Paperback,edited  by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
11-The Oxford Companion to English Literature, 6th edition edited by Margaret Drabble, OUP 2000, page 816
[14] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 39
[15] Edward Said.”Orientalism” Penguine, 1995, faqe 12
[16] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 25
[17] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 138
[18] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 188
[19] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 138
[20] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and New York:1990,faqe 92
[21] George Gordon Byron. Child Harold, Kanto II, stanza LXXIII at http://ëëë.geocities.com/Athens/Delphi/7086/chp2.htm
[22] Po aty.
[23] Oxford English Dictionary Paperback,edited  by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
[24] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and New York:1990,faqe 100
[25]Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 19,20
[26] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[27] Nicholas Biddle.”Shkëlqimi drejt thatësirës”.Istorika. ElefterotypiaAthina:23 Gusht 2001.faqe 21
[28] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[29] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 165
[30] Byron  “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 127
[31] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 16
[32] Edward Said.”Orientalism” Penguine, 1995, faqe 248


Tuesday, 10 January 2012

Letër e Katerinës për Ali Pashanë e rrethuar...





                                       Përmbi Tepelenë
                                                 ç’ma kishe shtëpinë
                                                emrin se ç’ta thoshin 
                                               Rinë, moj Katerinë
                                               Nga zëri i kokoshit
                                               ta gjeta avllinë
                                              emrin se ç’ta thoshin 
                                              Rinë, moj Katerinë
                                                    
                                     Këngë e vjetër qytetare tepelenase



Thanë e çnuk thanë
se udhën për Tepelenë
e merrje vetëm për mua
se vajza e pashait s’të mbante dot
se s’qe e zonja të shuante zjarret e tua...
se tek unë vetëm tek unë
gjeje qetësi
se kur pije bashkë me besnikun Thanas
më kërkoje dhe betoheshe
e stërbetoheshe se do i lije të gjitha
për të më ardhur pas
se edhe pse isha martuar prapë dije
të ma gjeje shtëpinë
se i njihje të gjitha mëhallët
se i njihje zërat të gjithë kokoshëve
kur këndonin
se i do i varje të gjithë kodoshët
që mua më vardiseshin
se për ty unë isha gjithçka...
dhe unë të besova, o dreq sa të besova,
të besova si atëherë kur vareshe mureve të kalasë
dhe vijë në lagjen tonë
të na shikoje në kishë
 kur faleshim e bënim kryq
e më hidhje trëndafila nga larg
e më betoheshe se do të shkeltë këmba ime
do bëheshe baltë
të besova si atëherë kur më shkruaje me pusulla
Katerinë , Katerinë do të bëj zonjë
me një tufë fëmijë të ma mbushësh shtëpinë
Përmbi Tepelenë ma dhe puthjen e parë
nën guvat e kalasë fjetëm si burrë e grua
dhe u betove o Zot sa u betove
për Krisht e Muhamet
se do ishim gjithmonë bashkë në këtë jetë...
Të prita mote , të prita një jetë
por ti ikje dhe vrapoje si i marrë
pas parasë dhe lavdisë
e s’pyesje për asnjë nga në vërdallë
prit të fitoj këtë luftë, prit të mund Filan Pashanë
por unë e dija , shumë mirë e dija
ashtu si dhe ti e dije se sevdaja për ty ish një mjet
të ngjiteshe lart e më lart deri në retë
ndaj unë s’pyeta dhe në krahë të tjerë gjeta dashurinë
dhe ti tërë jetën rendje pas dhe më dërgoje fjalë
se më deshe e do më deshësh sa të jesh gjallë
Ndaj urdhërove saxhexhinjtë
në një natë kur shpirti të dhembte
të më bënin këngën e zonjës Katerinë
që në gaz e hare të më kujtoje gjithmonë në Janinë
dhe të gjithë gënjehen dhe kujtohen se shpirtin
jep për Vasiliqinë
por zemrën unë e di se e ke tek mua
Zonja Katerinë
se asnjë femre tjetër këngë s’iu këndua
në Tepelenë si mua
se për ty kam mbetur e para grua
ku kokën mbështesje dhe bëje plane
sesi të shkoje deri poshtë në Atikë
sesi ti përfshije në një shtet shqiptarë, grekë
vlleh e arixhinjtë
Unë e di se kjo ëndërr që veç vetes ia ka thënë
dhe veç Haxhi Shehreti e di
po ta ha kokën tani
kur të janë vërsulur të gjithë të të copëtojnë
por ata harrojnë , sa shumë harrojnë
se e në vdeksh fara që ke mbirë
nuk thahet kollaj
se kush të ka njohur
gjithmonë do vrapojë pas saj
për këtë arsye dhe unë të fal
me gjithë dhimbjet që më ke sjellë
me gjithë shqetësimet që më ke ndjellë
për atë kala, Vjosë,Golik dhe lëndina
ku shkelëm bashkë në dashurinë e parë
e jotja përgjithmonë Katerina

 Tiranë 07.01.2011




Monday, 9 January 2012

Përvjetori i një Titani










Në datën 6 janar ishte 130 vjetori i lindjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin para tij. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli dhe Konica nuk kishin se me çfarë të krenoheshin përveçse një konservatorizmi mjeran sepse kultura politike dhe shoqërore ishte varfër përpara tyre, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij. Emri i tij Theofan (gr shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona,sot monumenti i tij qëndron i strukur në një shkollë që mban emrin e tij si për të dashur për ta fshehur, kurse një palo bust tek Akademia e Shkencave që e paraqet më tepër si boksier sesa si mendimtar nuk mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të këtij njeriu që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj. I drejtë për së drejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra. Por fatkeqësisht e kuptuan shumë pak e kuptuan shqiptarët!
Iu duk i çuditshëm , si i rënë nga qielli kur u thoshte se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin,ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.  E deshën shumë pak e deshën fqinjët se do u vinte kufirin tek thana ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic , Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”,politikë të drejtë dhe sukses të tyre. E cilësuan aventurier sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që skish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai si njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën  e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.
Gjithsesi Fan Noli  s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar ‘’dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që se deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues”të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë. Në gjithë këtë vorbull disinformacioni që kujdesen herë pas here ta lëshojnë në opinionin publik, asnjë nuk kujtohet për veprën e tij madhore që është uzurpuar dhe përçudnuar. Pak më tutje shkollës në Tiranë që struk monumentin e tij ndodhet ngrehina e papërfunduar e Katedrales së Tiranës, në të cilën ashtu si dhe në kishat e tjera ortodokse në Shqipëri, mesha do të mbahet në më të shumtën e rasteve greqisht, një gjuhë që Fan Noli u shkollua, e adhuroi si studiues por dhe ia hoqi statusin e privilegjuar kishtar pasi më parë u shpjegoi shqiptarëve me punën e tij titanike se Zoti i kuptonte lutjet e tyre dhe në shqip. Kur e pyesnin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare  edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Ndaj nëse vërtet shqiptarët dëshirojnë që ta nderojnë kujtimin e tij nuk është nevoja që dërgojnë buste deri në Ibrik Tepe, sepse në fakt pasardhësit e tij jetojnë në Evro të përndjekur nga i famshmi traktat i shkëmbimit të popullsive që bënë mes tyre “allerfiat” grekë me “burazerët” turq në vitet 20’, as simpoziume dhe dhënie emri të tij institucioneve por respektimi i kanonit kishtar të Kishës që ai themeloi dhe me përzgjedhjen e një kleriku shqiptar në krye të saj. Kjo është sfida e shoqërisë shqiptare dhe e klasës politike që guxon dhe përdhos amanetet e shtrenjta të një prej krijuesve të Shqipërisë sepse është për të ardhur keq që ata etër paskan mbetur të ngratë pa bij, apo ndoshta këta të sotmit janë bij të adaptuar që vuajnë nga kompleksi i etërve?
Pak kohë më parë qeveria republikane shqiptare përcolli me nderime pretendentin për fron Leka Zogu për në banesën e fundit, një gjest fisnik pavarësisht kundërshtimeve që mund të ketë në opinionin e gjerë. Fan Noli ka vdekur prej kohësh, eshtrat e tij sipas rregullave klerikale qëndrojnë gjithmonë pranë Katedraleve ku shërbyen ndaj s’mund ti kthejmë në atdhe por të paktën t’ia fillojmë nderimet nga testamenti i tij,kombëtarizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.


Gazeta "Shqip" 9.01.2012



Saturday, 7 January 2012

Përvjetori i një titani




Në datën 6 janar ishte 130 vjetori i lindjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli dhe Konica nuk kishin se me çfarë të krenoheshin sepse kultura politike dhe shoqërore ishte varfër përpara tyre, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij. Emri i tij Theofan (gr shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona. Sot monumenti i tij qëndron i strukur në një shkollë që mban emrin e tij si për të dashur për ta fshehur, kurse një palo bust tek Akademia e Shkencave që e paraqet më tepër si boksier sesa si mendimtar nuk mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të këtij njeriu që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj.
Pak më tutje shkollës që struk monumentin e tij ndoshet ngrehina e papërfunduar e Katedrales së Tiranës, në të cilën ashtu si dhe në kishat e tjera ortodokse në Shqipëri mesha do të mbahet në më të shumtën e rasteve greqisht, një gjuhë që Fan Noli e adhuroi si studiues por dhe ia hoqi statusin e privilegjuar kishtar të liturgjisë mes besimtarëve shqiptarë pasi më parë u shpjegoi shqiptarëve me punën e tij titanike se Zoti i kuptonte lutjet e tyre dhe në shqip. Kur e pyesnin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare  edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Ndaj nëse vërtet shqiptarët dëshirojnë që ta nderojnë kujtimin e tij nuk është nevoja që dërgojnë buste deri në Ibrik Tepe, sepse në fakt pasardhësit e tij jetojnë në Evro në Greqi të përndjekur nga i famshmi traktat i shkëmbimit të popullsive që bënë mes tyre “allerfiat” grekë me “burazerët” turq në vitet 20’, as simpoziume dhe dhënie emri të tij institucioneve por respektimi i kanonit kishtar të Kishës që ai themeloi dhe me përzgjedhjen e një kleriku shqiptar në krye të saj. Kjo është sfida e shoqerisë shqiptare dhe e klasës politike që guxon dhe përdhos amanetet e shtrenjta të një prej krijuesve të Shqipërisë sepse është për të ardhur keq që ata etër paskan mbetur fare pa bij, apo janë bij të adaptuar që vuajnë nga kompleksi i etërve? Noli që në gjallje sikur ta kuptonte se mbi këtë vend do kalojnë shumë hidhërime dhe poshtërime të veprës së tij dhe miqve të tij na ka lënë një poezi të shkëlqyer që të trondit dhe sot për fjalët e goditura dhe aliteracionin e gjetur: 

Marshi i Barabbajt

Allalla, o rezil e katil, allalla, 
Stroni udhën me hithr' e me shtok turfanda, 
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma, 
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba! 

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe, 
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe, 
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe, 
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba! 
 
0 stërnip i Kainit, tepdil si bari, 
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi, 
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli; 
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba! 
 
Në budrum, nëpër llom' e kufom' u-mallkofsh, 
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh, 
Me tam-tam e allarm' e me nëm' u-shurdhofsh, 
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba! 
 
0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu, 
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju 
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru, 
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba! 

Allalla, o rezil e katil, allalla, 
Shtroni udhën me hithr' e me shtok turfanda, 
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma, 
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba! 




Thursday, 5 January 2012

Si Franca...



Franca, si vend evropian por dhe si vend i  kulturës zë një vend të veçantë në botëkuptimin kulturor të shqiptarëve. Aq e vërtetë është kjo lidhje sa të gjithë na kujtohen thëniet e gjyshërve tanë për çdo prodhim apo mall konsumi modern që vinte nga Evropa, të shpreheshin me habi “ ç’paska bërë frëngu!”. Por adhurimi ndaj Francës nuk natyrisht nuk ka qenë vetëm në nivel popullor, por ka përfshirë dhe elitat shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë frankofonë, duke filluar që nga rilindësit Sami Frashëri që hartonte dhe fjalorin e parë modern frëngjisht-turqisht, Pashko Vasa që i botonte në frëngjisht veprat e tij “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe “Bardha e Temalit” apo dhe Naim Frashëri që i këndonte “Evropës së mjerë që priste ta zgjonte nga gjumi Rusoi dhe Volter” dhe natyrisht një brez i tërë intelektualësh shqiptarë të viteve 30’ si Nonda Bulka, Kostaq Cipo,, Vedad Kokona etj. Edhe gjatë kohës së diktaturës Franca mbeti i vetmi vend perëndimor ku Shqipëria dërgonte studentë për studime universitare dhe pas universitare dhe sot pjesa më e madhe e tyre janë bërë dhe figura aktive të politikës  shqiptare si Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami, Rexhep Mejdani etj. Madje dhe personalitete të tjera të kulturës pasi kanë jetuar disa vite në Francë janë bërë anëtarë aktivë në politikë si Edi Rama apo janë rafinuar më tepër estetikisht dhe politikisht si Besnik Mustafaj. Të gjithë këta emra dëshmojnë se pavarësisht se gjithë elita jonë mund të pretendojë një dashuri të madhe për botën anglo saksone, në fakt ajo për “dashuri të parë” ka botën frankofone. Prandaj ashtu si është e njohur gjerësisht se dashuria e parë nuk harrohet, pavarësisht flirtit me botën anglosaksone të përfaqësuara nga SH.B.A, elita politike shqiptare është munduar të kultivojë shije frankofone në politikën shqiptare ku referencat dhe batutat shkëmbehen vetëm në frëngjisht për bulevardet e Parisit apo personazhe dhe citate të politikës franceze.
Mirëpo në gjithë këtë adhurim dhe kultivim shijesh franceze në Tiranë të bie në sy që jo të gjithë shembujt që na vinë nga Franca ndiqen. Sigurisht këtu nuk e kam fjalën për parfumet dhe modën por për shembuj të mirëfilltë politikë. Para disa ditësh një gjykatë franceze dha një vendim për të dënuar me dy vjet burg ish Presidentin e Francës dhe një nga figurat më legjendare të së djathtës franceze Zhak Shirak. Arsyeja ishte se gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar  Bashkisë së Parisit, ai kishte financuar në mënyrë jo të ligjshme disa aktivitete të partisë së tij dhe kish paguar me pagë të rregullt nga Bashkia disa anëtarë të partisë së tij në kohën që nuk ishin punonjës të bashkisë. Për lexuesin shqiptar , kjo gjë mund të tingëllojë si absurde, madje- madje e pakonceptueshme që të përbëjë një vepër penale, pasi ne jemi një vend ku financimi i fushatave elektorale apo dhe militantëve nuk bëhet fare transparent dhe ku prokuroria shqiptare e quan këtë fushë një çiflig të politikës dhe as që merr mundimin që të ndërhyjë, por në hapësirën evropiane ku ne synojmë të integrohemi padyshim që ky aspekt përbën një pjesë të rëndësishme të sjelljes së politikanëve dhe partive politike. Zhak Shirak nuk është i vetmi që ka kaluar nga dyert e drejtësisë për këtë problem. Shumë vite më parë kancelari më i suksesshëm gjerman Helmut Kohl u detyrua që të tërhiqej nga politika pikërisht për një shkak të tillë. Por ndërsa gjermanët ose “nemcet” si i kemi quajtur në gjuhën popullore nuk kanë përbërë përherë një model referimi për shqiptarët dhe Shqipërinë mbetet shumë interesant fakti se kur do të fillojmë ti bëjmë për vete shembuj të tillë të paktën kur na vinë nga Franca që klasa jonë politike e kaq shumë për zemër.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet për mëse 20 vjet prioritet i gjithë qeverive shqiptare. Në këtë betejë sigurisht që ka pasur fitore por dhe humbje shumë të mëdha , ku mes tyre spikat më tepër humbja e besimit të qytetarëve se një ditë peshqit e mëdhenj do dënohen vërtetë dhe rrjedhimisht krijimi i një kulture të mos ndërshkueshmërisë kur ai është gjetur dhe bërë publik në nivele të larta.  Shqipëria mund të jetë nga të paktat vende ku raporti i perceptimit popullor për korrupsionin i matur çdo vit nga Transperancy International me numrin e zyrtarëve të lartë të dënuar dhe gjykuar është nga më të voglit në rajon. Në renditjen e publikuar para disa ditësh për fat të keq kishim rënë 8 vende më poshtë në renditje duke lënë pas vetëm Kosovën të qeverisur dhe ajo nga shqiptarë. Ky perceptim popullor dhe frymë që mbizotëron në popull se korrupsioni është kudo duhet të përbëjë një kambanë alarmi për qeverinë, opozitën dhe gjithë klasën politike shqiptare. Përtej përllogaritjeve prej pazari oriental të përqindjeve elektorale apo mbështetjes së individëve të veçantë që mund të sjellin vota në thesin tënd, duhet të ekzistojë një forcë morale e papajtueshmërisë me të keqen sepse ndryshe kjo frymë  kthehet në një bumerang ku viktimizohen të gjitha qëllimet e mira dhe fisnike të një qeverisje. Viti 2004 ishte viti 00 përsa i përket korrupsionit dhe pjesa më e shëndoshë e inteligjencës së vendit pothuajse ishte dakord që të ndodhte një rotacion politik për ti dhënë fund këtij fenomeni të shëmtuar të demokracisë. Dhe me të vërtetë pas atij viti është bërë shumë punë që nga prokurorimi publik dhe deri në monitorimin e doganave dhe rritjen e të ardhura fiskale në buxhetin e shtetit dhe eliminimin e figurave të tilla si sekserë të hapjes së një biznesi apo doganieri që e derdh paranë lumë. Mirëpo sërish nuk kemi arritur në finish, na duhet akoma të vrapojmë pasi kemi probleme,ashtu si tregojnë raportet e përvitshme të Transperancy International por dhe për të fituar besimin e miqve ndërkombëtarë. Nuk është ndonjë sfidë e jashtëzakonshme. Gjërat nuk janë aq të vështira sa duken. Kërkon pak më tepër vullnet politik, pasi eksperiencë nga vendet e tjera kemi plot. Le të përpiqemi të marrim nga Franca jo vetëm parfumet, modën, legjislacionin por dhe rastin Shirak pasi vërtetë do të fillojmë të ndihemi mirë. Atëherë dhe pleqtë mund të thonë se për drejtësi u bëmë si “frëngjtë” por dhe të rinjtë së bashku me tifozërinë për skuadrën e Francës në futboll mund të arrijnë të kuptojnë se u bëmë vërtet si Franca, të paktën në dy fusha të arritshme, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të drejtësisë. 





Tuesday, 3 January 2012

Kasandra






Një femër,
kumt i shpërndarë në kujtesën e ajrit
e pakurorëzuar kurrë lugjeve të vetëdijes
s’i mjaftojnë as kurmi i gjatë
as vështrimet këmbëngulëse
të rifitojë gjuhën bindëse
të nektarpirësve
Flokët e shpërndarë
 në nënkresën e bardhë
ndërsa pret Agamemnonin
prej banje të dalë
parathonë më tepër se fjalët e belbëta
ngjarjet që më pas vazhdojnë
ngjarjet që mes kujtimesh drithërojnë
S’kalon shumë kohë
dhe gjithandej dëgjohen marrina
që shushurijnë si pemë netëve dimërore
“Fry moj erë e malit
merri mend djalit
Fry moj erë e fushës
merri mend çupës
Fry moj erë e çmendur
dhe më thuaj se ç'di?

Tiranë 2004