Veshjet popullore shqiptare gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e
udhëtarëve të huaj. Koloriti dhe ornamentet e tyre shpesh herë u kthyen në
objekt studimi dhe admirimi në shënimet e udhëtimit dhe veprat e botuara në
Evropë.
Revolucioni industrial, përparparimet teknologjike dhe përmirësimi
i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, bënë të
mundur që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të
gjatë, të lodhshëm dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri
i udhëtarëve evropianë që vizitonin Shqipërinë vazhdoi të rritej ndjeshëm. Për
herë të parë në këtë kohë, vendin tonë e vizitojnë edhe udhëtare femra si
është rasti i udhëtares dhe antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa
shënime interesante dhe kostume popullore që sot ruhen dhe ekspozohen në
muzeumet e Britanisë së Madhe.
Edith Durham (1863-1944) ishte 37 vjeç, kur ndërmori udhëtimin e
saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë:
në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit.
Së pari, që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe
për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të
angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Edith
Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale dhe artikujsh për
historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit.
Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga
veprat e saj ku sipas historianit të njohur të Ballkanit, Noel Malcom, ajo
ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”.
Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: “Through the Lands of
the Serb” (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari”
(1914) ,”Twenty Years of
Balkan Tangle “(1920) ,”The
Sarajevo Crime (1925) dhe “Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans”
(1928).
Së dyti, përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve
përbëjnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të
mbledhur nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Një pjesë e madhe e
këtij koleksioni shumë të çmuar për kulturën shqiptare ndodhet në British
Museum dhe në koleksionin Durham nëBankfield
Museum në Halifax. Pjesa
më e madhe e tyre janë veshje popullore të blera gjatë udhëtimeve të saj
në Shqipëri. Ashtu si dhe udhëtarë të mëparshëm britanikë që kishin shprehur
admirimin për veshjet shqiptare, edhe ajo do të shprehej: “qëndisjet me ar nuk mund t’i gjesh
asgjëkundi si në Shqipëri, dyqanet e rrobaqepsave janë një shkëlqim i mahnitshëm i ngjyrave
dhe modeleve. Nëse nuk do të kisha vështirësi me transportin e tyre , do të
kisha blerë aq shumë sa do të kisha mbetur pa asnjë dysh”.(Edith Durham 1909 / 1985, High
Albania: 272).
Një pjesë e tyre janë dhurata mirënjohje që shqiptarët i dhuruan
mikeshës së tyre që kish bërë aq shumë në arenën ndërkombëtare për të mbrojtur
kauzat e tyre.
Kështu, një nga veshjet popullore më të bukura është ajo që ruhet
në Bankfield Museum në Halifax, një jelek gruaje i qëndisur me
ar, dhuratë e popullit të Beratit në 1918. Kjo dhuratë ishte një shprehje e
mirënjohjes së shqiptarëve ndaj asaj zonje , e cila vazhdonte të punonte në
favor të Shqipërisë. E prekur nga ky gjest fisnik, ajo kujtonte: “Kalërova tre ditë maleve e mbërrita
në Berat herët në mëngjes, dhe hartova një telegram për Këshillin e
Ambasadorëve në Londër , si petecion nga banorët e Korçës, që thonin se
dëshironin të mbeteshin shqiptarë dhe Korça të mbetej shqiptare.” (Afrim Karagjozi, Mery Edith Durham:
Dituria: 102).
Jeleku dëshmon një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale të
Shqipërisë së asaj kohe dhe të qytetit të Beratit si një nga qytetet më të
zhvilluara të Shqipërisë së jugut. Jeleku pa mëngë dhe i qendisur me ar ishte
një veshje e aristrokracisë së lartë beratase dhe dëshmon për një nivel
mirëqënie të shtresave shoqërore që e vishnin. Në të bie në sy sasia e madhe e
arit e përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme.
Kjo cilësi e veshjeve popullore shqiptare nuk ishte një gjë e re.
Edhe poeti i madh romantik, Lord Bajron rreth 100 e ca vjet më parë, kur kish
blerë kostumin e famshëm me të cilin ka pozuar për piktorin Thomas Philips, i
kish shkruar së ëmës: “kam
blerë disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë
vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund
të kushtojnë 200 ginea”. (Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar
për Bajronin”:23).
Qyteti i Beratit, ashtu si dhe qytetet e tjera shqiptare në
periudhën osmane, kishin një artizanat të zhvilluar, të organizuar në esnafe që
trashëgonin mjeshtëritë brenda familjeve brez pas brezi. Brenda
një harku kohor zejtaria në qytetin e Beratit kishte shënuar një përparim të
dukshëm,çka shihet jo vetëm në shtimin e numrit të zejtarëve por edhe të
zejeve. Në defterin e vitit 1583, janë regjistruar 638 zejtarë. Edhe pse
nga numri i zejeve që ushtroheshin në këtë kohë(23), qyteti i Beratit
vinte pas qyteteve të tilla si Elbasani(45 zeje), Prizreni(45), Shkodra e
Prishtina (me nga 28 zeje secila), për nga numri i zejtarëve që punonin këtu,
Berati zinte vendin e parë mes qyteteve shqiptare. (Ferit
Duka, Berati në kohën osmane (shek. XVI – XVIII):79).
Mes zejtarive që ushtroheshin vend të posaçëm zinin zejet që
kishin të bënin me prodhimin e veshjeve dhe të sendeve të ndryshme të
zbukurimit. Zhvillimi i disa veprimtarive zejtare ndikohej drejtë për së drejti
prej shtimit të vazhdueshëm të kërkesave të shtresës së pasur të qytetit për
veshje luksi dhe artikuj të çmuar zbukurimi.
Sot, për fat të keq, këto mjeshtëri artizanale kanë humbur dhe
ringjallja e tyre përbën një sfidë për zhvillimin e një turizmi kulturor të
qendrueshëm. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte sjellja dhe
ekspozimi i këtyre objekteve të çmuar muzealë në Shqipëri, për tu studiuar nga
etnografët tanë, dhe përpjekja për ta rigjallëruar sërish traditën e qepjes dhe
përgatitjes së veshjeve popullore që dikur mahnisnin europianët e paktë që
vizitonin Shqipërinë.
No comments:
Post a Comment