Krijimtaria letrare e Naim Frashërit është
bërë prej shumë kohësh objekt i njohur studimi. Si një nga krijuesit dhe
figurat qendrore të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare për të janë shkruar
monografi dhe studime të veçanta letrare ku janë nxjerrë në pah fillesat e
krijimtarisë, talenti i tij, vështirësitë e të vjershëruarit në shqip ( në një
gjuhë që arti poetik ishte lëvruar pak ose aspak), por nuk kanë munguar
edhe kritikat që në disa raste kanë shkaktuar reagim në botën shqiptare si
është p.sh artikulli i njohur i Konicës në gazetën “Dielli”, “Helm e vrer
kundër idolit të ditëve tona djaloshare”në 1937.
Poezia dhe arti poetik i Naim Frashërit,
ç’është e vërteta nuk ishte hera e parë që viheshin në peshoren e kritikës,
parë dhe shqyrtuar nëpërmjet doktrinës së kritikës së artit për art si ishte
dhe konstatimi i një prej studiuesve të parë të tij, profesor Kostaq Cipo kur
shkruante se vargu
i Naimit është i qartë, i lehtë , i papunuar, përkulet e jipet por hiqet edhe
zvarrë. Melankolia që pështjell një pjesë të vjershës së Naimit ka fuqi të hapë
një plagë në zemër, por ka dhe melhelmin me vete që të na përthajë plagën e
hapur. Një gjë vetëm i mungon dekalogut estetik të Naimit, ajo që thirret lucidius orfo-renditje logjike.[1],
por të rreshtuara si lumë akuzash cinike në penën e Konicës, ato morën një
ngjyrim negativ. Është afërmendsh që letërsia shqipe e kohës së Rilindjes
kishte një tipar propagandistik që synonte me një gjuhë të thjeshtë të
realizonte zgjimin kombëtar, e prej këndej kemi edhe forma të dobëta
stilistikore, por ky tipar nuk mund të zbehë vlerat e vërteta të veprës së Naim
Frashërit. Prof. Shuteriqi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një
periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një
gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që
pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve
që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës
letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore.[2] Është pikërisht ky kontribut i paçmuar
që e rendit Naim Frashërin, si poetin kombëtar të shqiptarëve, pasi vepra e tij
jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por duke qenë prej shumë kohësh një
prej veprave bazë të leximit në shqip, u kthye në një vepër që ushqeu
fidanishtet e para të shqiptarizmës. Një aspekt pak i njohur, por dhe shumë i
paragjykuar më vonë nga breznitë e mëvonshme të studiuesve është pasqyrimi në
letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve
prej tyre. Nuk ka munguar në shtypin e zakonshëm shqiptarë, autorë dhe
historianë post Konicianë që veprat e tij si “Parajsa” apo parathënien e
përkthimit të Këngës I së “Iliadës” të Homerit, t’i paragjykojnë dhe ashtu si
Konica në 1937 t’i quajnë “shtëpi të marrësh”, por përpara se të gjykojmë
poezinë, pra fiction për histori, studiuesit duhet të shikojnë mënyrën sesi
është përfshirë në tezën pellazgjike Naimi dhe ç’përfaqësonte në atë kohë kjo
tezë për mendimin europian dhe shqiptar të kohës. Në rizbulimin që shumë figura
të elitës europiane i bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimi i
shekullit XIX dhe në vazhdim, konstruktuan nëpërmjet gjurmimeve të tyre
albanologjike imazh më të qartë të tyre sesa ai që ekzistonte nga njohjet e
përcipta. Në vitin 1854, konsulli i Austrisë në Janinë, Hahn botoi “Studimet
Shqiptare” në të cilin ai pohonte autoktoninë
e shqiptarëve, përforconte karakterin antik të kombit shqiptar, meqenëse
shqiptarët e vjetër nuk ishin më ilirë,t por pellazgët, përfshinte maqedonasit
në grupin pellazgo-shqiptar dhe paraqiste periudhën maqedonase si kohën e artë
të kombit. Ai zbuloi po ashtu një prejardhje të përbashkët, dhe kësisoj një
afri, midis shqiptarëve, grekëve dhe romakëve.[3]Po kështu, më 1857,
historiani gjerman, Jakob Philipp Fallmerayer, botoi librin ‘Elementi shqiptar
në Greqi”, ku sërish i bëri jehonë autoktonisë dhe origjinës pellazgjike të
shqiptarëve. Sigurisht që në këto përsiatje, në një analizë historike të mëvonshme
kuptohet që ka pasur një shqetësim gjeostrategjik, pasi teoria e historisë
parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe
pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit XIX. Sipas Dora D’Istriaskonsiderohej
si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e
tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e
krahasuar, në shqyrtimin e karaktereve morale dhe fizike, në arkeologjinë
primitive, në traditat kombëtare etj[4]. Pra si shikohet
në mesin e shekullit XIX, origjina pellazgjike ishte një realitet pothuajse i
prekshëm shkencor ndaj të cilit nuk mund të ishin indiferentë përfaqësues të rëndësishëm
të elitës shqiptare, përfshirë këtu dhe Naim Frashërin. Në parathënien e
përkthimit të Këngës së Parë të Iliadës nga Homeri, Naimi përmend Falmajerin
dhe kur përshkruan konfliktet midis Europës dhe Azisë, nënvizon se tri her’e kanë shpëtuar nga Azia
Evropënë shqipëtarëtë: Aqillehti mundi troasitë, Aleksandri i Math persanëtë,
Skënderbeu tyrqitë.[5] Po kështu në të njëjtën parathënie
Naimi nënvizon sërish se Irodhoti
thotë se besënë grekërit’ e vjetër e muarrë nga pellasgëtë, të cilët janë, si
thamë shqiptarët e vjetërërë dhe fjalëte besësë e të perëndivet i kanë rrënjëtë
në gjuhëtë shqip, si Theta, deti, Afrodhit, Afërdita, se Afërdita ish Yll’ i
mëngjesit; Djana, Hanë në gegënisht.[6]Pikëpamje të tilla
kishte shprehur prej kohësh edhe De Rada që në vitin 1864 kur kishte botuar
“Antichita della nacione albanese”. De
Rada rrimerte idenë se gjuha dhe kombi shqiptar ishin më të vjetër se sa gjuha
dhe kombi grek. Politeizmin grek ai e merrte thjesht si sistematizim të fesë së
pellazgëve. Për ta bërë këtë, ashtu si kishte bërë dhe Krispi, ai e rilexonte
Homerin duke kërkuar etimologji në gjuhën shqipe për emrat e hyjnive pellazge
të marra nga grekët. Kështu për shembull Athina vinte nga shqipja e thënë,
fjalë për fjalë “ajo që është thënë”, Ira vinte nga Hera dhe Dilios nga diell.[7]
Përpjekjet linguistike dhe historike të
elitës kombëtare të shqiptarëve për të evidentuar origjinën e vet pellazgjike
nuk duhen parë si lajthitje shkencore aq më tepër që pas vitit 1860 filluan
edhe nga elita greke në një sërë shkrimesh t’i mëshohet origjinës së përbashkët
pellazgjike. Në Lamia të Greqisë në 1861 doli gazeta Pellazgiotis dhe
nëntitullin shqip Shqiptari dhe greku e Anastas Bykut nga Lekli. Që nga ky vit dhe
në vazhdim sa herë në qiellin e Ballkanit do të shihej një konflikt i afërt
greko-osman, autorë të shumtë grekë do i mëshonin tezës pellazgjike, duke
synuar që nëpërmjet theksimit të origjinës së përbashkët, të kishin më të lehtë
dhe afrimin midis dy popujve.
Sigurisht që kjo tentativë shkonte ndesh me
përpjekjet e elitës shqiptare që krahinën e Toskërisë e shikonin në një zgjatim
natyral të asaj që në Mesjetë quhej Shqipëria e Poshtme. Në këtë drejtim duhet
parë edhe përkthimi i Këngës së Parë të Iliadës, i theksimit të origjinës së
lashtë të shqiptarëve. Ky përkthim u realizua në prag të konfliktit greko-osman
të vitit 1897, dhe Naimi dëshiron që në këtë përplasje shqiptarët të jenë të
vetmit mëtonjës të origjinës dhe autoktonisë në Ballkan. Për më tepër në
përkthimin e veprës ai refuzon një traditë më të hershme të shkrimit për një
poemë epike në heksametër, varg 16 rrokësh dhe e përkthen në tetë rrokësh.
Përse ndërron vargun origjinal të poemës Naimi? Aq më tepër që “Bagëti dhe
Bujqësi” dhe “Dëshira e vërtetë të shqiptarëve” e ka në 16 rrokësh. Jemi të
mendimit sesi një lexues i rregullt i De Radës, pavarësisht që më parë për të
ishte shprehur se nuk e kuptonte mirë gjuhën shqipe të veprës tij, duke mëtuar
origjinën pellazgjike, “Iliadën” e Homerit e përkthen në vargun e bardhë,
trokaik të Rapsodisë së Poemit Shqiptar të De Radës. Ai beson se origjina e
këngëve të mëtuara shpeshherë nga De Rada se i ka mbledhur nga kolonitë
shqiptare në Kalabri, janë gjurmë të hershme të një poezie të lashtë të
pellazgëve dhe si shkrimtar romantik që kërkon kthimin në vlerat e së kaluarës,
braktis talentin e vet për të vjershëruar dhe na jep një variant të Iliadës në
funksion të idesë dhe qëllimit të tij.Poezitë tradicionale të kolonive
shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu
pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe
origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në
lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale
italo-shqiptare-siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër
shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të
përzier me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së
bashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone[8].
Teoria
pellazgjike nuk mund të quhet një çështje e mbyllur, pasi në shkencë asnjëherë
nuk ka debate të mbyllura përgjithmonë, ndaj rivlerësimi i çdo të dhëne
historike dhe arkeologjike që zbulohet nuk bën asgjë tjetër veçse i jep një
shtysë më tepër afrisë drejt së vërtetës. Kur themi se Naim Frashëri përfaqëson
një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar kemi parasysh edhe këto
dimensione të tij kulturore çka i minimizon çdo debat rreth artit të tij
poetik, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe
madhështore.
Bibliografi:
1-
Ahmet Kondo. Dora D’istria për
çështjen kombëtare shqiptare.Tiranë: Flesh, 2002
2-
Dhimitër.S.Shuteriqi. NaimFrashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të
zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980
3-
Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera
4-
Kostaq Cipo. Biblioteka e punëtorit shqiptar. Antologji e mendimit estetik
shqiptar 1504-1944, mbledhur e përgatitur nga NashoJorgaqi, Tiranë:1979,
Shtëpia Botuese Naim Frashëri
5-
Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I,
Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980
6-
Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq
157
[1] Kostaq
Cipo. Biblioteka e punëtorit shqiptar. Antologji e mendimit estetik shqiptar
1504-1944, mbledhur e përgatitur nga NashoJorgaqi, Tiranë:1979, Shtëpia Botuese
NaimFrashëri, fq 302
[2] Dhimitër.S.Shuteriqi.
NaimFrashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e
Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980, fq 67
[3] Nathalie
Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq 149
[4] Ahmet Kondo. Dora D’istria për çështjen kombëtare
shqiptare.Tiranë: 2002, Flesh, faqe 148
[5] Naim
Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e
Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980, fq 406
[6] Naim
Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e
Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980, fq 406
[7] Nathalie
Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq 157
[8] Gaetano
Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera, fq 178
No comments:
Post a Comment