Tuesday, 29 March 2016

Pse duhet ta lexojmë Çajupin?


I lindur në Shqipëri dhe i arsimuar në shkollë greke në vendlindje (në Shqipërinë e Jugut në atë kohë dhe në krahinën e Zagorisë, prej nga është autori, prej kohësh sipas së drejtës që gëzonte popullsia rum-milet kishte shkolla greke), pastaj në kolegjin francez të Kajros për të vazhduar më tej në Zvicër, Çajupi është suigeneris një rast i elitës shqiptare, arketip i shumë shtresëzimeve kulturore, të cilat të harmonizuara brenda vetes, shpeshherë nxirrnin në pah kozmopolitizmin e tyre, por që në të shumtën e rasteve iu nënshtrua nacionalizmit si një forcë lëvizëse tërheqëse e kohës.

Ai e fillon krijimtarinë e vet në frëngjisht, në tregimin “Mysafirë në Çajup”, në një gjuhë që e kish mësuar gjatë edukimit të vazhdueshëm të tij. Pavarësisht se tregimi u botua në frëngjisht, tematika e tij ishte e pastër shqiptare, madje ballkanike, pasi tema e hajdutërisë ishte një nga temat që lëvrohej më tepër në atë kohë, jo vetëm nga shkrimtarë lokalë, por edhe nga shkrimtarë ekzotikë, që shkruanin për Ballkanin. Stili i tij në frëngjisht është i përsosur dhe njohjen e kësaj gjuhe ai do ta dëshmojë më vonë dhe me përshtatjen që do u bëjë më vonë fabulave të La Fontenit në shqip. Në vitin 1902, ai boton përmbledhjen e parë poetike “Baba Tomorri”. Botimi i kësaj vepre poetike ishte një risi për publikun e paktë shqiptar, pasi së bashku me motivet romantike, fillojnë dhe marrin jetë edhe tonet realiste. Poeti i Baba Tomorrit e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokë, e pasuroi frymëzimin historik të letërsisë së kohës me frymën sociale, me patosin qytetar e kritik. (Çajupi Z. A. [1997. Baba Tomorri] Parathënie nga Bulo J., Tiranë: Dituria, faqe 6) Shkrimtari dhe kritiku Mitrush Kuteli ka shkruar se Andon Zako Çajupi është Frederik Mistrali i Shqipërisë, poeti i thjeshtë dhe rustik i jetës sonë popullore. Disa nga poezitë e Çajupit përbëjnë gurë të çmuar, të cilët do të zënë një vend të ndritur në antologjinë e poetëve shqiptarë. A. Z. Çajupi, si autor u përket atyre autorëve që bëjnë të mundur që materien folklorike të shoqërive të tyre rurale ta përkthejnë në një shije estetike më të avancuar duke ia përshtatur kohës dhe urbanizmit. Edhe pse ky proces është një proces paneuropian që ka ndodhur në të gjitha letërsitë e mëdha apo të vogla, Çajupi mbetet origjinal në letërsinë shqipe, sepse pas Naim Frashërit, si askush tjetër në Shqipërinë e Jugut, mundi të ngrejë në art, rrëfimet, simbolet dhe imazhet e mikrokozmosit të krahinës së vet Zagorisë, në një makrokozmos gjithë shqiptar. Faik Konica, esteti dhe kritiku i hershëm i fillimeve të letërsisë shqipe, do të shprehej entuziast për poezinë e Çajupit, më 1902 duke shkruar se na leu një vjershëtor! Kemi shpresë se ka për të punuar pa pushim dhe zanat(musat) mike të Shqipërisë do t’i fryjnë vjersha më të bukura. (Faik Konica. Baba Tomorri, Vepra 1, fq. 238).
Pse duhet ta lexojmë Çajupin?
Nuk ka dyshim se ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis lëvrimit të një gjuhe dhe letërsisë së kultivuar. Në këtë drejtim, letërsia shqipe, e bazuar mbi një gjuhë që ende nuk kish standardizuar alfabetin e vet, me një trashëgimi të paktë me autorë dhe tekste, nuk mund të arrinte kulme të barasvlefshme me ato të letërsive të zhvilluara. Kjo është arsyeja që kur i lexojmë sot poetët dhe shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare, vargjet e tyre na tingëllojnë herë-herë fëminore dhe për fat të keq i anashkalojmë apo dhe nuk i rekomandojmë për të lexuar. Sigurisht që kjo mospërfillje vjen ngaqë nuk kemi dhe shkrimtarë, kritikë autoritarë që të rrëfejnë udhëtimet e tyre shpirtërore në krijimtarinë e shkrimtarëve më të hershëm dhe rrënjët e letërsisë shqipe. Në hierarkinë e letrave shqipe kemi vetëm një rast, kur Kadareja shkroi esenë e gjatë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, e cila mund të quhet një udhëtim shpirtëror në hapësirë dhe kohë në monopatet e letërsisë shqipe.
Gjithsesi, pavarësisht kësaj situate, në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alteregoje të brendshme të lexuesve të vet, ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë, meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke. Në duelin midis vetëdijes romantike dhe vetëdijes kritike te Çajupi po fitonte kjo e fundit dhe kjo fitore i hapte udhën realizmit në letërsinë shqiptare të shekullit të kaluar. T’i shtrosh udhën një drejtimi të ri dhe një stili të ri, kjo nuk është një meritë e vogël për një krijues dhe ky fakt nuk përbën një episod të zakonshëm në rrjedhën normale të një letërsie, por një pikë kthese në zhvillimin e saj. (J. Bulo, Parathënie e veprave të Çajupit, Toena: 2008, fq. 24)
Si tekst, vepra e Çajupit është një dëshmi leksikore, gjë që e ka vërejtur dhe Konica, kritiku i parë i tij kur shkruan se gjuha e autorit – i cili duket se është lab (thom duket, se nuk e kam nderin ta njoh), është e fortë e hijshme, pa lule të tepërta e të panevojshme.(Faik Konica. Baba Tomorri, Vepra 1, fq. 238) Skenat e komedisë “14 vjeç dhëndër”, vërtet të paqëlluara dhe lidhura mirë artistikisht, por të rijetëzuara përmes filmit me të njëjtin titull nuk shërbejnë vetëm për të ilustruar nervin satirik, fshikëllues dhe kritik të tekstit të Çajupit, por lehtësojnë lexuesin e ri për të pasur një kalim gradual midis një bote që ka perënduar dhe realitetit të sotëm urban. Sot ka një boshllëk të madh në gjykim për të kuptuar atë që ka arritur të transformohet shoqëria shqiptare e këtij fillimshekulli dhe shoqërisë shqiptare të strukturave sociale të ngurta, fisnore e patriarkale që mbijetuan deri në mesin e shekullit të kaluar. Në këtë drejtim, vepra e Çajupit është emancipuese dhe paralajmëruese për standardet në të cilat duhet të arrijë shoqëria.
Si autor, Çajupi është inovativ, i ri dhe eksperimentues. Ky përcaktim qëndron brenda kornizave të letërsisë së lëvruar shqipe të deriatëhershme, pasi në rrafsh europian është krejt e kundërta. Ai e njeh shumë mirë letërsinë frënge, por nuk joshet dhe tundohet nga format moderniste të saj, por shkruan në mënyrë tradicionale duke zgjedhur tetërrokëshin folklorik. Përpara tij, kështu ka shkruar vetëm Naim Frashëri, që në parathënien e përkthimit të Këngës së Parë të “Iliadës”, na i dëften modelet e tij poetike, ndërsa për fat të keq nuk kemi një traktat të tillë dhe nga Çajupi. Çajupi, së bashku me Naim Frashërin, e ngrenë ligjërimin folklorik të popullsive rurale të Shqipërisë së Jugut në art, krejt në kundërshtim me rrymat e tjera të artit në Europë që më tepër rendin drejt “unit” personal dhe në këtë mënyrë, dashur pa dashur kthehen në përfaqësues të denjë të bashkësive të lira rurale prej nga kanë origjinën. Momenti sesi ky ligjërim arrin të kthehet në dominues dhe përcaktues për masat lexuese, është jo vetëm rast studimi sesi nacionalizmi përhapet nga elitat drejt masave përmes shtypit të shkruar dhe librit, por dëshmon edhe forcën e vargjeve të veta që arrijnë ta bëjnë për vete këtë masë. Në Jug të Shqipërisë, krejt natyrshëm mund të gjesh vargje të Çajupit të kënduara labçe, pa ditur ekzekutuesit e këngëve se kush është autori i vargjeve. Kjo shkrirje autor-folklor është shumë interesante për gjithsecilin që dëshiron të njohë rrënjët e kulturës së vet.
Çajupi, në veprën e vet, demonstron kurajë civile dhe përgjegjshmëri intelektuale. Ai nuk mënon të hyjë në konflikte me autorë të tjerë shqiptarë, siç është konflikti me Mithat Frashërin, të cilin e portretizon me nota satirike te pamfleti “Klubi i Selanikut”, por që sigurisht brenda kësaj satire duhet kuptuar dhe një shqetësim intelektual për fatin politik të elitave që do të qeverisnin Shqipërinë kur do të ishte e lirë. Një debat i tillë ka qenë dhe midis Konicës e Asdrenit, ku ky i fundit shkruante se “Nëse Shqipëria ishte duke fituar pavarësinë e saj … ajo mundet dhe të mos e fitonte këtë, në qoftë se të gjithë shqiptarët nuk kanë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre; dhe nëse duam të ndjekim idetë e mëdha: barazi, vëllazëri, liri – atëherë ç’nevojë ka kombi të ndahet në shkallë, me zotërinj dhe skllevër? Shqiptarët duhet të jenë të barabartë midis ligjit. Titujt duhen të hiqen … Apo mos vallë besoni se aristokracia duhet të urdhërojë dhe atëherë siç bën tani?” (Skëndi S., Zgjimi Kombëtar i shqiptarëve (1878-1912) 2000: fq., 175).
Si një nga përfaqësuesit e elitës shqiptare që jetoi në kapërcyellin e Rilindjes Kombëtare dhe periudhës së Pavarësisë, Çajupi është shumë i rëndësishëm si një nga afirmuesit dhe arkitektët e ndërgjegjes kombëtare që bëri të mundur ngjizjen e kombit shqiptar. Vargjet e tij janë gjithë patriotizëm dhe nxisin një ndjenjë të sinqertë atdhedashurie, edhe pse në mënyrë të kuptueshme në kundërvënien me osmanët si në poezinë “Sulltani”, kur i portretizon këta të fundit përmes klisheve të pasqyrimit të tjetrit në Orientalizëm.
Patriotizmi i predikuar dhe i mishëruar në vargjet e Çajupit është në fakt një patriotizëm model që mund të rimerret në formën e krenarisë kombëtare, sidomos në kohët e sotme, kur identiteti shqiptar ka pësuar lëkundje të ndryshme tektonike për vlerat dhe për principet ku mbështetet. Rilindësit dhe bashkë me ta dhe Çajupi, morën përsipër dhe ia arritën qëllimit ta kthenin ideologjinë kombëtare nga një ideologji të një pakice intelektualësh në ideologji të shqiptarëve. (J. Bulo, Parathënie e veprave të Çajupit, Toena: 2008, fq. 24) Pikërisht kjo ndërthurje midis kënaqësisë estetike që duhet të dhuronin veprat e tij dhe misionit për të realizuar zgjimin kombëtar, bën që një pjesë e poezisë së tij të tingëllojë propagandistike. Por, gjithsesi, duke e parë Çajupin sa si poet po aq dhe sa intelektual të angazhuar për të realizuar lirinë politike të vendit të vet, pra në tërësi si një personalitet të formuar të kulturës shqiptare, prapë se prapë mund të pohojmë se poetika e vargjeve të tij si kur krijon vetë apo kur shqipëron, ndjell ende lexues dhe dëshirën ndaj së bukurës. Në një tokë djerrë siç ishte shqipja e lëvruar, e fundit të shekullit XIX, dhe pa ndonjë traditë të madhe në autorë dhe tekste, nuk mund të paragjykohet as Çajupi apo dhe ndonjë tjetër për mungesë të artit poetik, por të vlerësohen që hapën rrugët dhe konsoliduan një traditë letrare që vite më vonë do të sillte në skenë dhe shkrimtarë të mëdhenj.
Ja disa nga vargjet e tij më të mira kushtuar dashurisë që meritojnë vëmendje për çiltërsinë, muzikalitetin dhe ndjesitë që përcjellin.
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le te fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa fle njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji

 Gazeta Shqip, 29.03.2016, fq 21


No comments: