Nuk ka dyshim që
në plejadën e udhëtarëve që vizituan territoret shqiptare në fillim të
shekullit të XIX, vendin më të rëndësishëm e mban poeti Lord Byron që ishte nga
të parët që vizitoi Janinën e Tepelenën, por la pas dhe një monument letrar si
poema epike “Shtegtimet e Childe Haroldit”, ku portretizon shqiptarët, dhe
prijësin e tyre karizmatik Ali Pasha Tepelenën.
Ashtu si shënon
vet në shënimet e tij të udhëtimit , Lord Bajroni kur mbërriti në Shqipëri
ishte i informuar veçanërisht nga libri i Eduard Gibonit “Dobësimi dhe rënia e
perandorisë romake”, Londër 1807 (1807) për historinë e këtij vëndi dhe për
figura të tilla si si Skënderbeu dhe të shkuarën antike të këtyre territoreve.
Pasqyrimi dhe portretizimi i shqiptarëve nga Bajroni , që u bë një nga figurat
me të famshme të kohës, nxiti interesimin e shumë udhëtarëve të tjerë të
mëvonshëm. Gjatë shekullit të XIX kanë qenë të shumtë vizitoret e trojeve
shqiptare. Nga shënimet e ndryshme të atyre shumë vizitorëve që erdhën më pas,
vihet re se pothuaj të tërë janë informuar për poemën “Childe Harold” ose
shënimet e Bajronit të pasqyruara në këtë libër. Duke ndjekur shembullin dhe
duke besuar impresionet e Bajronit e vizituan Shqipërinë udhëtarë të tillë si
Daglas në 1811, Turner 1812, Dr Henry Holland 1812-13.
Një nga gjërat për
të cilat Bajroni kishte folur me admirim të veçantë ishte veshja shqiptare. Ai
u mrekullua nga kostumi me fustanellë, të cilin madje e përshkruan shpeshherë
dhe në vargjet e tij në poemën e famshme “Childe Harold”. Bajroni kur flet për
shqiptarët, një nga elementët që thekson pas karakterit të tyre kolerik, e
trimërisë së madhe, ishte veshja e cila i tërheq një vëmendje të veçantë. Në shënimet
e tij shprehet: “Arnautët ose Shqiptarët më kanë bërë shumë përshtypje për
ngjasimin që kanë me malësorët e Skocisë, në veshjen, pamjen dhe mënyrën e
jetesës... Kilti ( fustanella) megjithëse i bardhë ,... të folurit e tyre
keltik në tingull si dhe zakonet e tyre të ashpra, gjithcka më çonte larg në
Morven.” (Byron, G. Notes to Child Harold,
London, 1935, fq. 840)
Poetit romantik i
bëri përshtypje të veçantë veshja e shqiptarëve jo vetëm për nga kompozimi i
tyre, por edhe për nga shtrenjtësia e materialeve që përdoreshin për të. Në një
letër drejtuar nënës së tij ai shkruan: Kam disa petka madhështore shqiptare, e
vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vënd. Kushtojnë 50 guinea secila dhe kanë aq
flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 guinea. (Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për
Bajronin”:23). Kostumi Origjinal i Lord Bajronit ndodhet në Bowood House në Angli.
No comments:
Post a Comment