Sunday, 20 March 2016

Misionarët e kombit.



Historia e arsimit shqip është ndoshta një nga historitë më të dhimbshme në Ballkan. Ky nuk është një konstatim emocional me të cilat është e mbushur pothuajse çdo tekst historie në Ballkan, por një e vërtetë e dhimbshme që akoma nuk ka gjetur trajtimin e duhur në memorien dhe ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe që nën presionet e vazhdueshme të kinse dekonstruktimit të miteve po tjetërsohet duke ndërtuar , një mit tjetër, mitin e harresës shumë më të rrezikshëm se gjasme viktimizimi dhe mësimi me “kulturën e rrenës dhe të mashtrimit” që pretendohet në analizat dekonstruktive.


Miti i harresës dhe gjasme rivlerësimit të historisë ka tashmë njëzet vjet që ka krijuar modelet e tij për gjithë historiografinë shqiptare, duke përfshirë dhe historinë e arsimit shqip, ku të ashtuquajturat klishe dhe mite të nacionalizmit shqiptar vëzhgohen nën optikë të re, që çuditërisht shumë herë ngjasojnë me tezat që ka historiografia e popujve fqinjë mban dhe trajton për këto probleme të historisë së shqiptarëve. I çuditshëm është edhe fakti tjetër që këto historiografi të vendeve fqinje që pasi bëjnë “mirë” analizën e historisë së Shqipërisë, analizojnë ndërtimin e miteve të shqiptarëve, harrojnë se duke i thurur ditirambe vetes krijojnë në këtë mënyrë mite të vërteta në historinë e tyre, si është ai i “shkollës së fshehtë “ nga historiografia greke, ku përshkruhet sesi popullsia mësonte fshehurazi të shkruante e të lexonte, ku në fakt s’kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë pasi gjuha greke përdorej gjerësisht nga Kisha Ortodokse, jo vetëm si pjesë e liturgjisë fetare, por dhe si pjesë e së drejtës së saj kur kishte të bënte me trajtimin e çështjes të subjekteve që ishin nën administrimin e saj.

Në historinë e popujve fqinjë nuk përmenden asnjëherë urdhëresa zyrtare për ndalimin e gjuhës së tyre të lëshuar nga Perandoria Otomane apo mallkime dhe anatemizma nga autoritete të tjera që ndanin pushtetin me Perandorinë Otomane, si mitropoli apo institucione të tjera fetare. Krejt i kundërt ishte ky realitet tek shqiptarët, të cilët duke qenë një nga popujt më të vjetër të rajonit, në fillim të zgjimit të tyre nacionalist dhe fillimit të krijimit të ndërgjegjes kombëtare u gjendën para një realiteti të trishtë. Gjuha e tyre, ajo që me fanatizëm e kishin përcjellë nga brezi në brez dhe që ishte krejt e veçantë nga gjuhët që flisnin rreth e rrotull, nuk kishte shumë vepra të lëna më para në memorien historike dhe për më tepër tashmë në shekullin e revolucionit industrial dhe të shpërndarjes së shtypit të shkruar, nuk shkruhej me një alfabet të saj origjinal, por me alfabete të tjera të huaja që nuk përfaqësonin dot denjësisht të gjitha tingujt e pasur të saj. Por sikur të mos mjaftonin vetëm këto vështirësi, atyre iu shtua dhe armiqësia e hapur dhe e shpallur e autoriteteve osmane dhe e klerit grek të cilët bënë ç’është e mundur që gjuha e tyre të mos shkruhej dhe humbiste pluhurit të kohës.

Dënime me burgime,internime, urdhëresa ndalimi të përdorimit të saj, anatemizma dhe mallkime kishtare dhe deri në vrasje dhe eliminime fizike ndaj veprimtarëve, mësuesve dhe patriotëve të parë shqiptarë u bënë pjesë e kësaj doktrine denigrimi ndaj gjuhës shqipe. Emrat e Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit, Papa Kristo Negovanit, Gjokë Shqiptarit etj martirëve të gjuhës shqipe fajësojnë jo vetëm ndërgjegjen e njollosur të shovinizmit grek dhe otomanizmit të sëmurë lindor por shërbyen dhe për të forcuar dhe farkëtuar identitetin kombëtar të shqiptarëve. Para se ata t’u përkisnin profesioneve të ndryshme, të gjithë ishin mësues të kombit, ndaj dhe dita 7 mars që është dita e përurimit të mundimit të tyre me hapjen e shkollës së parë shqipe në djepin e nacionalizmit shqiptar-Korçë përkujtohet si dita e arsimtarëve shqiptarë.



Martirizimi i tyre dhe lufta e egër që iu bë arsimit shqip është një nga arsyet që figura e mësuesit në kulturën shqiptare u shenjtërua dhe u përjetësua në memorien e kombit në figurën e një njeriu fisnik e patriot, modest e të dashur dhe që kur shqiptarët filluan të ndërtojnë shtetin modern të tyre në vitet ‘20-‘30, pagën e mësuesit e vlerësuan të ishte 7 napolona flori, pothuajse e barabartë me atë të kryetarit të komunës apo dhe disa zyrtarëve të lartë të administratës së shtetit. Respekti dhe nderimi ndaj kësaj armate iluministe që në kushtet nga më vështira që ka kaluar shoqëria shqiptare nuk ka reshtur së shpërhapuri dritë, natyrisht që nuk duhet të jetë vetëm në ditë feste, por duhet skalitur përgjithmonë në ndërgjegjen tonë shtetformuese.

Nëse shqiptarët 80 vjet më parë, në një popullsi me përqindje të lartë analfabetizmi ia dinin vlerën dijes dhe pranonin qetësisht që me taksat e tyre mësuesit të kishin një pagë dinjitoze, shqiptarët e sotëm shumë më tepër të kulturuar mes gjithë atyre kërkesave që bëjnë vazhdimisht për përmirësimin e qeverisjes së tyre duhet të përfshijnë dhe miratimin e një page dinjitoze për ata, që në ditën fatbardhë të 7 marsit nisën betejën ndaj paditurisë dhe injorancës dhe ia dolën mbarë që Shqipëria e sotme të krenohet, jo vetëm me gjuhën e vet të shkruar, por dhe me bijtë e bijat e saj të edukuar dhe të arsimuar në universitetet e saj. Kjo gjë do të ishte më pakta që mund të bënim për ta, pasi çdo njeri prej nesh kudo që ndodhet dhe në çfarëdolloj pozicioni që ndodhet shijon frutat e fitores së edukatorëve tanë në betejën e tyre të vazhdueshme me paditurinë, ndaj motos së tyre se “Drita e diturisë përpara do na shpjerë” duhet t’i shtojmë “respekt dhe dinjitet mësuesve tanë”!

Shekulli,20.03.2016.


No comments: