Në shekullin XV pellgu i Mesdheut vazhdonte të
reflektonte ndarjen e vjetër që nga shekulli VII mes dy botësh, asaj të
krishterë dhe asaj islamike, që me të drejtë siç thekson Anri Piren kishte
formuar jo vetëm etnitete të ndryshme politike e shtetërore por edhe dy botë të
kundërta kulturore. Shfaqja e arabëve në brigjet e Mesdheut në shekullin
VII e theu unitetin e botës së krishterë dhe krijoi premisat për shfaqjen
e një kulture dhe identiteti të ri fetar, që përpiqej të afirmohej fort mbi
mbeturinat e botës antike dhe në lulëzimin e një kulture kristiane, që kishte
karekterizuar deri më atëherë rajonin. Ky konflikt do ravijëzohej fuqishëm në
mentalitetin e Mesjetës së Hershme dhe do të sillnin në pah jo vetëm e Luftërat
e Shenjta islamike për të pushtuar gjithë Mesdheun, por edhe një frymëzim
kristian për t’i zbrapsur dhe akoma më tej dhe për të pushtuar Vendet e
Shenjta, të njohura në historiografi me emrin Kryqëzata. Kryqëzatat u
quajtën fushatat luftarake të kristianëve të Evropës Perëndimore drejt Lindjes
për çlirimin dhe mbrojtjen e Vendeve të Shenjta dhe veçanërisht të Varrit të
Tërëshenjtë. Me bekimin e Papës së Romës kryqëzatat morën karakterin e një
lufte të shenjtë kundër armiqve të krishtërimit. Pushtimi i Jeruzalemit nga
muslimanët pati jehonë të madhe në Evropën Perëndimore pasi pelegrinët
nuk mund të vizitonin pa rreziqe Vendet e Shenjta.
Për territoret e Arbërit apo më mirë “Dheun e Arbërit” si
kishin filluar të quheshin territoret në të cilat etnia e dikurshme ilire
kishte përfituar këtë onomastikë të re, Kryqëzatat ishin një mundësi më tepër
për të kontaktuar me etni dhe etnitete të tjera feudale pasi vendi i tyre
shtrihej në një nga rrugët kryesore që lidhte Perëndimin me Lindjen. Ky
pozicion gjeografik, i cili sa ishte si një bekim për të shërbyer si një urë
mes dy botëve por po aq i madh ishte dhe tributi shpirtëror, që duhet të
paguante për realizuar kohezionin e duhur psiko etnik, që varionte mes dy
qendrave të mëdha të qytetërimit, Romës dhe Konstandinopojës, kish krijuar
premisa të vështira për të pasur një bazë teritoriale dhe dhe një njësi të
përbashkët kulturore. E megjiatë përcaktimi i mësipërm nuk mund të jetë
shterrues, pasi duke studiuar shfaqjen e parë të një libri në gjuhën shqipe siç
është “Meshari” i Gjon Buzukut me të drejtë Çabej konstaton se
edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka munguar gjithmonë bashkimi
shtetëror, ka pasur treva me një besim të vetëm, një besim ky që nuk mund të
mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në lëmin gjuhësor. Një nga këto
treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej
edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë
të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet të ketë
qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin e një
gjuhe letrare me karakter kishtar.[1] Përplasjeve
fatale të dy qendrave të qytetërimit Romës dhe Konstandinipojës do t’i shfaqej
dhe kërcënimi i ri osman në fillimet e shekullit XV ku “Dheu i Arbërit” sërish
do të bëhej një teatër luftimesh. Ky kërcënim do të ishte njëlloj si ai
shekullit VII, por shumë më agresiv dhe asimilues se pushtimet e para arabe të
pellgut të Mesdheut. Kërcënimi kësaj radhe ishte më tepër tokësor, pasi osmanët
nuk zotëronin flotë të mjaftueshme për të sunduar në dete. Pas betejave të
Maricës 1371, Fushë-Kosovës 1389 dhe Varnës 1444 rrugët ishin hapur për një
depërtim konsekuent të osmanëve në Europën Lindore, pothuajse periodik në
fushatat pushtuese që organizonin çdo fillim pranvere. Ledhi i parë mbrojtës i
Europës ishte Hungaria e Janosh Huniadit, rruga kryesore prej nga osmanët
depërtonin në Europë, ndërsa prej vitit 1444 një prapavijë e rrezikshme për ta
ishin dhe territoret që zotëronte Skënderbeu në Arbëri. Duhet përmendur se në
fillim aksioni i Skënderbeut dhe roli i qendresës shqiptare, pavarësisht
mbështetjes morale pas fitores së betejës së Torviollit u panë me
dyshim në Itali, duke demonstruar një farë pasigurie në pritje sesa Kastrioti,
me numrin e vogël të njerëzve të tij, do të mund të bënte kundër atij që
gjithmonë dukej si kolosi turk.[2] Ky dyshim përforcohej edhe nga fakti
që Skënderbeu në dallim nga fisnikët dhe princat e tjerë shqiptarë të kohës nuk
njihej gjerësisht në Itali, prandaj mbështetja dhe përkrahja morale që dhanë
Papët e Romës Eugjeni IV, Nikola V, Kalisti III, Piu II dhe Paolo II aksionit
të tij shërbyen si kredenciale të besueshme për rolin dhe vendin e tij kryesor
në të gjitha koalicionet antiosmane, që u ndërmorrën në kuadër të unitetit të
një Europe të krishterë. Kjo mbështetje sigurisht që nuk i vlejti vetëm
Skënderbeut, por luajti dhe një rol të rëndësishëm në faktorizimin e elementit
arbër si partner i barabartë së bashku me fuqi të tjera europiane antiosmane si
Republika e Raguzës, Venediku, Mbretëria e Siçilisë, Mbretëria e
Hungarisë, Dukati i Burgonjës etj. Përpjekjet e Papëve të Romës për të
ringjallur zellin e dikurshëm fetar dhe për të mobilizuar botën perëndimore në
një kryqëzatë kundër osmanëve, duke marrë shkas nga rezistenca e Skënderbeut,
fillojnë që me Papën Eugjen IV, që ëndërroi të organizonte një të tillë nën
udhëheqjen e nipit të tij ku padyshim fatosi shqiptar do të kishte rolin e vet,
por në formë më të organizuar ato dalin gjatë kohës kur u zgjodh si papë i
Romës, Kalisti III. Papa Kalisti III u shpall si i tillë në datën 8
prill 1455 dhe u shugurua në datën 20 prill. Kardinal Alfonso de Borja (i
italjanizuar në Borxhia) ishte 80 vjeç kur erdhi në krye të Selisë së Shenjtë
dhe kishte lindur në Jativa, Valencia, ish kanonizuar nën Benedetin XIII dhe qe
njohur më pas nga Martini V, që e emëroi ipeshkëv të Valencias. Kishte kaluar
një periudhë kohe në Itali, në Napoli në oborrin e Alfonsit V, por duke qenë se
ky i fundit ishte shumë antiklerik, u largua e u zgjodh kardinal prej Papa
Eugjenio IV. Papa Kalisti III në dallim nga paraardhësit e vet Eugjenio IV dhe
Nikola V nuk shfaqte kurrfarë interesi për librat, për politikën kulturore e as
nuk e interesonin artistët, por pavarësisht këtij mosinteresimi përeth
shkencave humane edhe pse ishte 80 vjeç, ai ishte një njeri i veprimit që i
interesonte rregulli publik dhe mbi të gjitha si spanjoll që ishte ushqente një
zemëratë të pashoq ndaj arabëve që kishin sunduar prej kaq kohe në Spanjë dhe
ndaj osmanëve që po kërcënonin Europën.[3] Ai
shoshiste me vete një plan madhështor: sulmimin e turqve nga toka dhe deti;
komandën e lartë të mësymjes tokësore donte t’ia besonte Pricit Filipo të
Burgonjës, kurse në krye të flotës mendonte mikun e tij Alfonsi V nga Napoli.
Për fat të keq, pritshmëritë qenë zhgënjyese. Dukej se predikonte në
shkretëtirë.[4] Papa nuk u shoqërua në
ndërmarrjen e vet nga askush. Venediku nuk donte të thyente paqen e përfunduar
dy vjet mëparë me Sulltanin, Francesko Sforca i dukatit të Milanos përkudesej
më tepër të përforconte zotërimet e veta në Lombardi, Firence nuk lëvizte
ndoshta jo kaq e pakënaqur nga përparimi i turqve kërcënues për fuqinë
veneciane.[5] Për fat të keq, Europa
kishte hyrë në epokën ku nuk po funksiononte më si një trup i krishterë
universal, por si një kundërvënie etnitetesh politike kombëtare për rivalitet e
hegjemoni.[6] Ky faktor së bashku me faktorin
tjetër të organizmit të ushtrisë mbi baza mercenare ishin disavantazhe, që
shkaktonin pasoja të mëdha në krahasim me osmanët ku Lufta e Shenjtë mobilizonte
hordhi të panumërta nën flamurin e Sulltanit. Megjiatë Papa Kalisti III nuk u
ligështua, por iu vu vetë me të gjitha fuqitë e veta për të organizuar
Kryqëzatën. Papa Kalisti III (1455-1458) ishte ideatori i ndërrmarjes
së një kryqëzate, e cila u quajt "Liber Brevium Callisti III".[7] Predikuesit iu drejtuan turmave popullore
duke u bërë thirrje "të rrokin kryqin" për të luftuar armiqtë e
besimit. Kontigjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe
Hungari në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da Kapistrano[8].
Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje ishte pjesëmarrja e këtij kontigjenti
forcash në marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze me në
krye Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6 gusht 1456 në të kremten e
shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në
Beograd. Me këtë rast papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e
kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë, tashmë lipsej të marshonte drejt
Konstandinopojës dhe Jeruzalemit.[9] Mirëpo
pavarësisht kësaj ndërmarrje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për
Kryqëzatën duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin e vet
pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht ndaj
shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në betejën
e Beogradit ku kryqëtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre
asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë[10].
Në përgjithësi shoqëria feudale e Europës pasqyronte në atë kohë nganjëllimin e
një sistemi interesash të ngushta individuale dhe dukej qartë që Universalizmi
i Kishës po humbte terren. Kjo gjë dukej edhe në qendrimet morale ndaj
Kryqëzatës të njerëzve që i ishin përgjigjur apelit papnor. Kishte mes
tyre edhe njerëz që rroknin kryqin veç për të gëzuar avantazhe, duke iu
përvjedhur detyrimeve: për shembull kishte kryqëtarë që nuk u nisën kurrë për
në luftë, duke gëzuar ndërkohë privilegjin kanonik të të mos qenit të detyruar
të paguanin borxhet e tyre. Të tjerë bëheshin kryqëtarë falë një ethshmërie të
shkujdesur fetare, apo ndoshta për të zgjidhur situatat e përveçme të vështira
të dëshpëruara, duke qenë veçse krejt të pazotë nga ana ushtarake, aq sa vetë
Papës iu desh të urdhëronte lirimin e tyre përfundimtar[11].
Gjithësesi pavarësisht kësaj situate që pasqyrohej në
grumbullimin e forcave tokësore, Papa Kalisti III duke ndjerë avantazhin dhe
epërsinë që kishin fuqitë kryesore europiane në det, kish filluar punën për
ndërtimin e flotës në ujërat e Teverit. Për ndërtimin e flotës ai
shpenzoi shumë, madje kur iu mbaruan paratë shiti edhe thesaret papnore, deri
dhe enët e kuzhinës së vet duke deklaruar se më mjaftojnë pjatat prej balte. Më
një qershor 1456 u punua fort dhe anijet zbritën mbi Tevere dhe nën udhëheqjen
e patrikut të Akuiles, Ludoviko Skarampi Mecorotta mbërritën në ishullin e
Rodit për tu ardhur në ndihmë kavalierëve të ishullit ë Rodit.[12]
Në këtë kontekst Europian të përpjekjeve të Papa Kalistit
III për organizmin e një Kryqëzate të sukseshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin
pasur një interes maksimal për t’i pasur pjesë të rëndësishme të kësaj
kryqëzate. Edhe pse Skënderbeu kishte pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik
1455 dhe luhatjeve të pushtetit të tij pas tradhëtive të nipërve të vet Gjergj
Stres Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës në 1456 dhe Hamzait në
1457, pas fitores mbi ushtrinë e udhëhequr Isak Bej Evrenozi, gjenerali më me
përvojë osman përsa u përket betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë
nga Hamza Kastrioti, e njohur si Beteja e Albulenës, ai përfitoi sërish
mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha vlerësimet
pozitive të shpërndara në të gjithë oborret e Europës përmes korrespondencës të
Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Pika
më e fortë e kryqëzatës ishte flota, e cila përbëhej nga 40 anije
luftarake.Duke i marrë parasysh këto anije dhe manovratorët e tyre ose njerëzit
të armatosur që i shoqëronin, e të cilëve ne nuk mund t;ua njohim numrin, duke
llogaritur 200 vetat e ekuipazhit dhe 300 luftëtarë për çdo anije luftimi, mund
të arrihet në përfundimin e një force të përgjithshme prej 20 mijë
vetash, nga të cilët 12 mijë ishin luftëtarë.[13]Në vitin 1457 Papa Kalisti III në
pamundësi për të mbështetur në një front total Skënderbeun, dërgoi një anije të
vetme e cila në fakt mund të merrej më shumë si një demonstrim mbështetjeje
sesa force. Në planin teorik të Kryqëzatës Skënderbeu zinte një rol kryesor në
rrshtimin e forcave ku Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për
Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, Ipeshkëvi i Krajës Pal
Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetën në
Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi besojmë , ndoshta për të mbledhur në
të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën për të mbështetur pozicionin e
saj ë lëkundur, e kësisoj drejt për së drejt të rrezikshëm për Shqipërinë[14]. Skënderbeu arriti ta mposhte pushtuesin me zotësinë
e tij. Kështu shembulli i tij nga motiv ndihmash, u shndërrua në motiv
inkurajimi për princat e krishterë në luftën kundër turkut. Ky fakt duket qartë
në letrën që i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: Falë
fitoreve të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i
Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum[15]. Në vijim Papa Kalisti III flet me
superlativa për Skënderbeun duke e quajtur atë kavaljer trim dhe atlet i Zotit: Në
Shqipëri, kavaljeri dhe atleti i Zotit, Skënderbe forca dhe qëndresa jote
shpirtërore, që ti vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti
duhet të përballosh...I falemi Zotit për vendin tënd, që të ka vendosur për të
qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm, mbi të cilin turren duke u mundur
shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët
lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah, sikur të kishim edhe të tjerë me
vlerën tënde, mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq
të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë![16] Kjo korrespodencë inkurajuese i
drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në Kryqëzatë pasi menjëherë pas
fitores së Beogradit nga kufomat e shumta si dhe nga mungesa e ushqimeve
shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur dhe Janosh
Huniadi më 11 gusht 1456 ç’ka e kishte komplikuar shumë fatin e
Kryqëzatës së porsafilluar. Në këto rrethana i vetmi udhëheqës i sprovuar, që
do të mund t’i bëntë ballë osmanëve mbetej prijësi shqiptar, Skënderbeu. Kjo
ishte arsyeja që Papa Kalisti III në subvencionet e mbledhura në Dalmaci
urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë,
mbretit të Bosnjës si dhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Ndërsa Legatit
Karvajal i shkruante: Duke mësuar se është mbledhur një shumë e madhe
parash në Dalmaci, e që në të ardhmen mendohet të mblidhen akoma dhe më shumë,
kemi vendosur t’i ndajmë në një mënyrë të caktuar midis bijve tanë të
shtrenjtë, mbretërve të shquar të Hungarisë dhe Bosnjës dhe pjesën e tretë
birit të zgjedhur Gjergj Skënderbeut, zotërisë së Shqipërisë.[17] Navarr do të shkonte fillimisht në
Venecia për të diskutuar të drejtën e përdorimit të parave të mbledhura, në
vijim duhej të shkonte tek Karvajali, i cili kishte në ngarkim frontin e luftës
dhe në fund duhet të shkonte tek Skënderbeu: Po të dërgojmë
Navarrin...që të mbërrijë te Fisnikëria juaj e të qëndrojë derisa të jetë më e
mira. Navarri...të shkojë personalisht te i lartpërmenduri
Skënderbej e të autorizojë mbështetjen me shpirt dhe afshin tonë për luftën,
duke i referuar gjithashtu edhe disa detaje për të cilat është i autorizuar
edhe nga ana jonë. Ndërsa Skënderbeut i shkruante: Do ta gjesh
Papën, edhe përtej forcave të tij, të gatshëm për të të ndihmuar ashtu siç do
të dëgjosh të të referojë fortësisht edhe vetë Giovanni Navarr, komisioneri
ynë.[18]
Ndërkohë është interesant fakti i përfshirjes së
Kalorësit anglez John of Newport, për të cilin në historigrafinë shqiptare
shkruhet se në këto beteja kundër turqve, në verë dhe në vjeshtë të
motit 1457, një kalorës anglez Xhon of Njuport (John of Newport) mori pjesë
duke komanduar një togë shigjetarësh. Në shoqëri të një ambasadori të
Skënderbeut, duke u kthyer nga Napoli, erdhi në Romë për të kërkuar ndihmë për
prijsin shqiptar, që ende është në rrezik prej turqve Xhon of Njuport si
dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i bëri asaj një vlerësim
shumë të lartë duke u shprehur kështu: Invazioni i Evropës është i sigurtë,
sepse nuk ka fuqi tjetër që mund t’i bëjë këtë rezistencë, po të bjerë
kështjella shqiptare.[19]Kalorësi John of Newport përmendet për
herë të parë në historiografinë shqiptare para këtij shënimi të Skënder
Luarasit në artikullin e tij të gjatë “Skënderbeu në letërsinë angleze”,
në “Historinë e Shqipërisë’ që vitin 1967, por në të dyja rastet nuk
përmendet roli i tij si i dërguar special i Papa Kalistit III në këto
territore.[20] Sipas dokumentacionit të publikuar
në arkivat angleze pwr bulat papnore kalorësi John of Newport ishte i
dërguari i Papa Kalistit III në Bosnjë, Slavonia dhe Shqipëri dhe oborrtar e
këshilltar i Alfonsit të Aragonës nga dioqeza e Winchester i cili ishte dërguar
në këto vende me 15 veta të familjes së vet[21] dhe
më pas pas një qëndrimi prej disa muajsh në Arbëri ai kryen edhe detyrën si
ambasador i Skënderbeut në Perëndim. Për më tepër në dokument shkruhet se
Kalorësi John of Newport është i pajisur me këtë dokument për vetëm tetë vjet
dhe u kërkohet të gjithë autoriteteve ti garantojnë një udhëtim të sigurtë.[22]Ai shoqëronte Paolo Kazulo, ambasadorin tjetër të
Skënderbeut, të cilët siç del nga një bulë e Kalistit III për Kastriotin më 6
shkurt 1458 se janë personat që kanë çuar këtij të fundit lajmin e fitores së
Albulenës.[23] Ndërkohë Papa Kalisti III hodhi
idenë për të mbajtur një kongres në Romë, i cili do të ripërtërinte përpjekjet
e princëve kristianë. Kongresi u mbajt në gusht të vitit 1458. Qëllimi
i kongresit ishte të mblidhte "Oratorët", të cilët do t’i bënin
thirrje popullit për tu hedhur në kryqëzatë. Kongresi u zhvillua nga dhjetori
deri në muajin shkurt, me qëllim që të bëhej përgatitja e forcave ushtarake
përpara verës[24]. Plani mësymës i kryqëzatës ishte
për t’i dhënë përparësi frontit shqiptar. Skënderbeut iu dërguan pesë mijë dukatë
dhe iu premtuan pesë mijë të tjera brenda një kohe të shkurtër: Po të
japim ndihmë urgjente, 5 mijë florinat e Dhomës së financës, e shuma të tjera
do të japim, akoma dhe më të mëdha, siç shpresojmë në të ardhmen.[25] Gjithashtu në një letër tjetër
që Papa Kalisti III u dërgonte tre depozituesve të parave të kryqëzatës në
Gjermani më datën 8.VI. 1458 shkruhej: Ne i vijmë në ndihmë Skënderbeut
dhe tokave e vendeve të tjera, që ata të mos shkatërrohen nga turqit e pabesë.[26] Me
këto para Gjergj Kastrioti duhej të forconte pjesën e frontit. Gjatë muajve
maj-qershor Papa Kalisti III vazhdonte të kërkonte para për të mbështetur
kryqëzatën. Për fat të keq Papa Kalisti i III i paepur do të vdiste në 6 gusht
1458 dhe në vendin e tij u zgjodh Papa Piu II. Njësoj si paraardhësi i tij edhe
Papa Piu II ushqente idenë e një kryqëzate. Ndërkohë synonte të mblidhte një
kongres që të binte në marrëveshje me gjithë sovranët e krishterë, për t’i
hedhur në luftë kundra turqve.
Skënderbeu dhe qëndresa e tij ishin kthyer tashmë në
referenca të rëndësishme për fatin e Europës dhe kjo gjë jo vetëm që rriste
rolin e tij në elitën princërore europiane, por shërbeu shumë më vonë si
kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të
kontinentit. Ndërmarrja e kryqëzatës antiosmane nga ana e Kalistit III dhe
përfshirja e Skënderbeut në të, hodhi bazat e politikës konsekuente të Heroit
shqiptar, i cili deri në fund të jetës nuk ndërmorri paqe me Europën dhe mbeti
ashtu si e kishte cilësuar Papa Kalisti III në 23 dhjetor 1457, “fortis athleta
et verus propugnator fidei Cristianae” - Atlet i fortë dhe mbrojtës i
Krishtërimit.
Bibliografi:
1- At Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti
III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458). Plejad:Tiranë, 2009
2- At Giuseppe (Zef) Valentini. Skënderbeu dhe Papati. Plejad:Tiranë
2009
3- Petrit Nathanaili. Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga origjina deri më
sot. Filara: Tiranë
4- Skënder
Luarasi. Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967
[1] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458). Plejad:Tiranë, 2009 faqe 15-16
[7] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 163-164.
[8] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 169
[9] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 153-154.
[13] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 171
[14] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 185-186
[15] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458) faqe, 208
[16] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 233-234.
[17] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 231.
[18] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458) faqe 233.
[20] Shpëtim Mema. Shqipëria dhe
shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:8 nëntori, 1988, faqe 16
[21]1456(rectius1457).16Kal.July.(16June.)St.Peter's,Rome.(f.
331d.)To all
and singular to whom the present letters shall come. Requesting a safe conduct,
to be valid during eight years only, for John Newport, knight, of England, the
pope's commissary to Bosnia, Slavonia and Albania, and chamberlain (camerlengus)
and counsellor of Alfonso king of Aragon, of the diocese of Winchester, who is
going on business of the pope to divers parts of the world, and for fifteen
companions, members of his household. Cum dilectus filius. (M. Ferrarii.
| A. Lumpe.) [½ p. In the margin at the end
is ‘Sine taxa.’ See above, p. 113. http://www.british-history.ac.uk/report.aspx?compid=103678
[24] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata
(1455-1458), faqe 198-199
[25] At Giuseppe (Zef)
Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 235.
No comments:
Post a Comment