Nëse do të mundnim që të bënin një kapërcim në kohë dhe të realizonim që
historiani antik Herodotis të përpiqej të shkruante për territoret e njohura si
Ballkan në ditët e sotme, sërish në librin e vet “Historitë” në fillim të
shekullit të nacionalizmit apo shekullit të gjatë 1775-1922 si e perifrazon
studiuesi Andrew Baruch Wachtel në librin e tij “Ballkani në Historinë
Botërore”, nuk e dimë sesi do të shkruante për të.
A do të ndihej ai sërish si një
dëshmitar i paanshëm dhe i pafajshëm i fillimit të të shkruarit të historisë
apo do të ishte dhe ai i kompleksuar si gjithë të tjerët të mëvonshëm, jo për
arsye të mosnjohjes historike sesa për tërësinë dhe të veçantën që përbën
Ballkani. Herodotis njihte në fakt vetëm brigjet e gadishullit dhe për
brendësinë e tij shkroi nën stilin e kohës, duke e konsideruar qytetërimin e
trakasve si barbar dhe të ndryshëm nga qytetërimi i kolonive greke. Mirëpo,
koha në fakt, kur lexon duket se ka ngelur në vend, sepse edhe në shekullin
XIX, moment kur fillon dhe rritet interesimi për Ballkanin nga perëndimorët,
gjithandej gjejmë të njëjtën vlerësim për brendësinë e gadishullit, duke
thelluar më tej paradigmën ndarëse Lindje-Perëndim.
Ky perceptim ndodh në Ballkan, sepse si shpjegon dhe Andrew Baruch Wachtel,
“para se ai të përkufizohet si një tufë vendesh, duhet parë më fort si hapësirë
kufitare e ndërmjetme, ku katër qytetërimet më të mëdha të botës u shtresëzuan
mbi njëri-tjetrin, në mënyrë të qëndrueshme për të dhënë në fund një qytetërim
vendor kompleks, dinamik, nganjëherë që merr zjarr shpejt, shumështresor”. Për
një studiues që shkruan për Ballkanin, është shumë e vështirë të ruajë një
neutralitet akademik pa rënë në kurthin ndjellës të parjes së problemit si një
tokë apo territor të ndërmjetëm as Lindje as Perëndim, duke i parë qytetërimet
më tepër si produkte të jashtme të ardhura në Ballkan sesi një pjesë organike
dhe e qenësishme e tij.
Mirëpo, kurbat e zhvillimit të qytetërimeve flasin ndryshe. Të katër
qytetërimet e mëdha që kanë influencuar në shtratin kulturor të Ballkanit, kanë
në themel të tyre një qytetërim humanist, si ishte ai i Greqisë së lashtë, që
qëllon të jetë dhe qytetërimi eksportues i gadishullit ndër territore të tjera.
Atëherë, natyrshëm lind pyetja, se përse Ballkani është disi më ndryshe se
territoret europiane? Kjo pyetje merr disa herë përgjigje në librin “Ballkani
në Historinë Botërore” përmes një analize të thellë sasiore e cilësore të
faktorëve politikë, ekonomikë dhe kulturorë të rajonit e lidhjeve të tij me
botën.
Në libër përjeton të gjitha fazat e zhvillimit historik të Ballkanit, ku
konstaton si ballkanas e banor i gadishullit jo pa një ndjenjë kënaqësie se nuk
ka periudhë të historisë botërore ku Ballkani të mos jetë i pranishëm. Në këtë
rrugëtim historik e kulturor, përmes këtij libri në fakt zbulon dy paradokse që
nuk qëndrojnë me njëra-tjetrën. Ndërsa në kapitujt ku përshkruhet fillimi i
nacionalizmit dhe luftërat shkatërrimtare për të krijuar shtetet kombëtare duke
përjashtuar të Tjerët dhe të Ndryshmit që nuk plotësojnë kriteret për t’u
përfshirë në komb apo dhe në marrëdhëniet kulturore të Ballkanit me Europën
ndihen gjurmët e një diskursi të pashmangshëm orientalist, në trashëgiminë
politike të sotme të Ballkanit duket se ky mentalitet dora dorës po venitet.
Gadishulli, së bashku me vështirësitë për të zgjedhur emrin e tij si dëshmohet
qartë në libër, është larguar gjithnjë e më shumë nga termi Ballkan për të
kaluar tek emërtimi Europë Juglindore, ndërsa fryma që e bëri të veçantë
mbijeton më tepër në kulturë materiale, kulturë shpirtërore, kulinari e
institucionin e kafesë, padyshim tashmë allafrënga ekspres, por gjithsesi me të
njëjtën ngarkesë shpirtërore si rreth tre shekuj më parë, kur hyri si modë në
Ballkan, vazhdon të mbijetojë duke e shndërruar në rajonin më interesant të
Europës.
Në vija të përgjithshme mund të flasësh për një cekje orientaliste sa herë
që të huajt diskutojnë për të, ndërsa parë nga vetë ballkanasit, kjo qasje mund
të kalojë në termin Ballkanizëm, një ndjesi e të qenët komfort e tolerant ndaj
Tjetrit nën çatinë e perandorive të mëdha. Andrew Baruch Wachtel zbulon përmes
faqeve të librit të tij, edhe një detaj tjetër shumë të rëndësishëm për të
kuptuar tolerancën fetare në Ballkan, ku këtë tolerancë nuk e rreshton si një
vlerë shpirtërore të sofistikimit shpirtëror të ballkanasve, por më tepër si
një mospërfillje nga pushtete të ushtruara nga lart-poshtë mbi popullsitë e
Ballkanit.
Krishterimi, Islami janë parë si
prurje të pushteteve perandorake, sa herë që kanë ndodhur pushtimet, një farë
batice e zbatice mbi kulturat vendase, çfarë ka sjellë një ndjenjë bashkëpunimi
e solidariteti të popullsive mbi fatet e përbashkëta politike. Për Shqipërinë e
shqiptarët, ky udhëtim historik në kohë e hapësirë dëshmon edhe njëherë tjetër
mungesën e një institucioni qendror administrativ apo shpirtëror për të
realizuar ngrehinën nga do të ngrihej dhe shteti mesjetar. Ballkani,
ballkanasit vazhdon ende të ndjellë një kuriozitet ekzotik në Europë, por vlera
e tij kuptohet më tepër kur ato rreshtohen në botime akademike të tilla që
nxjerrin në pah vlerat e vërteta të rajonit.
Gazeta Shqip 9.12.2014
No comments:
Post a Comment