Arbëria
Mesjetare ishte një koncept që në rrafshin kulturor përfshinte tre shtresëzime
të ndryshme kulturore të ndërthurrura me njëra-tjetrën. Së pari ishte kultura
arbëre, një përzierje e traditave më të mira vendase me kulturën e huaj
që ishte imponuar nga lart-poshtë në formën e pushtimeve të drejtë për së
drejta qofshin këto latine, bizantine apo sllave, por edhe një shtresë tjetër
arbërore-romane dhe arbërore-bizantine-romane-sllave të krijuara prej një bashkëjetese
të gjatë me kufij etnikë të papërcaktuar qartë. Kjo ndërthurrje kulturash në
një territor të ngushtë të përbërë nga bregdeti, fusha , moçale por edhe
gryka e qafash malesh, përfaqësonte më së miri atë që Albanalogu i njohur
Shuflai e quante si “monada e Ballkanit”[1].
Territori arbër me të vërtetë që përbënte një
përjashtim krahasuar me territoret e tjera rreth e qark, pasi brenda kësaj
hapësire të vogël ishin përplasur dhe konvenuar influencat kulturore të
Bizantit, të ortodoksisë, të Venedikut, të katolicizmit, të perandorëve serbë e
bullgarë dhe të sllavizmit si në asnjë territor tjetër. Në vetvete Shqipëria është monada e
Ballkanit, në të cilën pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e
veta latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot
vezullojnë kristale të shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa
themelore etnike të Gadishullit ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u
dha gjuhëve ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në
krijimin e një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike.
Në
këtë kontekst statutet e Shkodrës dhe të Drishtit të botuar rishtazi para 4 dhe
6 vjetësh në shqip japin një mundësi tjetër historianëve të së drejtës për të
studiuar , shqyrtuar dhe arritur në konkluzione të pjesëmarrjes së popullsisë
arbëre në procesin e njohur të themelimit të komunave si qendra qytetare të
administruara me ligjet e veta në Mesjetë. Një interes më të madh në këtë
drejtim fiton studimi i Statutit të Drishtit, një qendre qytetare tashmë të
zhdukur, por dikur shumë të rëndësishme të qytetërimit tonë mesjetar. Ky
interes përfiton një rëndësi studimore pasi nëse për Shkodrën është e
kuptueshme rëndësia si qytet, në fakt zinxhiri i patjetërsueshëm i një
sërë qytesh në bregdetin dalmat me një origjinë shumë të lashtë që nga
antikiteti dhe si një pikënisje e qendër e qendër e rëndësishme e krahinës së
Zetës për të pasur e zhvilluar një Statut të vetin , për Drishtin e vendosur 10
km në verilindje të Shkodrës, në breg të lumit Kir ku në lindje fillonte
prapatoka arbëre e malësisë, hartimi dhe pasja i një statuti të tillë mund të
jetë nga rastet e radha dhe dëshmi të një shtrirje kulturore latine drejt një
hiterlandi që kish kaluar në procese të tjera ngjizje të popullsisë pas
dyndjeve barbare në shekullin e VII. Kur pëmendim termin latin, ky term ka më
shumë lidhje kulturore me tipin e komunave dhe administrimit të tyre, model që
lindi për herë të parë në Itali sesa i referohet popullisë etnike të qytetit.
Barleti në veprën e vet “Historia e Skënderbeut” e vë në dyshim këtë fakt madje
kalon deri diku dhe në ironi. E shoh me vend që ta them këtu, përpara
lexuesit, se nuk dihet nga kush është themeluar qyteti i Drishtit dhe as që
dihet disi lashtësia e tij, megjithëqë qytetarët , të cilëve u pëlqen t’i
besojnë gabimit të vet, e shpien me mburrje fillin e themelimit të qytetit te
romakët. Dhe më kujtohet t’i kem dëgjuar të mburren për këtë , duke e quajtur
veten kolonë të romakëve e të pretendojnë se e kanë zanafillën e tyre që andej.
Unë mendoj se për këtë neve na duhet më fort ti falim këta qytetarë, që u
pëlqen aq shumë lavdia, sesa tu zëmë besë, për arsye se një gjë e tillë nuk
provohet me asnjë dokument, qoftë të shkruar , qoftë ndryshe.[5] Edhe pse me të drejtë sipas Shmid
nuk kanë ekzistuar në mesjetë vija të qarta ndarëse gjeografike ose shoqërore.
Përzierja e grupeve dhe popullatave në gjuhë të ndryshme në një hapësirë të
ngushtë nxiste shumëgjuhësi, simbiozën kulturore,[6]që
do të thotë se termat që përdoreshin për popullsinë e qyteteve reflektonin
ndarjen e vjetër që nga antikiteti i qytetarisë romane dhe banorëve të rinj
rrethinave iu referoheshin me emrat etnikë si sllavë apo arbanas. Për
herë të parë ky vendbanim përmendet në katalogët bizantinë të shekullit të IX
si seli ipeshkvnore nën pushtetin e mitropolitit të Durrësit. Vendbanimi sipas
të gjitha gjasave daton që nga koha e ilirëve të lashtë. Për këtë na dëshmon
prapashtesa shumë e lashtë-sht e cila ka ndikuar në formimin e
këtij toponimi.[7] Historiografia shqiptare e mëvonshme i ka kushtuar
vëmendje këtij toponimi si dhe kohës se kur përmendet për herë të parë. Për zhvillimin dhe përcjelljen ndër shekuj,
prej periudhës ilire deri në kohët moderne, të emrit të Drishtit, një studim analitik
ka botuar D. Luka. Duke iu mbështetur mendimit të Çabejt, ky studiues shprehet
se Drishti “del për të parën herë në burimet dokumentare në shekullin e
8-të, po burimet i ka në kohë të vjetër“. Një diskutim i hapur mbetet ende
çerdhja etimologjike e emrit. Njëra tezë mbështetet në formën “Drivastum“,
duke e shpjeguar evolucionin formal sipas po atyre ligjeve të shqipes që
dëshmohen në toponime të tilla si Issamnus - Ishëm, Pollatum - Pult,
Durrachion - Durrës; por edhe në fjalë të përgjithshme të ligjërimit,
si: dominus - dom; medicus - mjek etj[8].
Sigurisht që qyteti kish shërbyer edhe si një vendstrehimi për popullsinë
latine të bregdetit shqiptar pasi sëbashku me kështjellën e lashtë
bizantine Antipargai, më vonë Tivarin, dhe koloninë romake Shkodrën, edhe
Drishti zgjatet si ushunjëzat duke thithur gjakun e shpërndarë romak nëpër
varroshet e Dioklesë dhe Epikarisë si dhe të disa vendbanimeve të tjera
pjellore të Valbonës, rrënojat e të cilave edhe sot e kësaj dite mbajnë emrin
shqiptar kjutet( nga latinishtja civitatem)[9]. Kjo vetdije e lashtë dhe traditë
qytetare ku shpesh herë Drishti shikohej si një zgjatim i Shkodrës bëri të
mundur që qyteti të përfshihej në procesin e hartimit të commune (
comunitas;universitas;universus populus) sipas shëmbëlltyrës italianoveriore.[10] Pozita juridike e komunave ngulitej më së
shumti nëpërmjet privilegjeve të sundimtarëve të ndryshëm; jurudiksioni në
qytete zbatohej nga gjykatës të vetët sipas së drejtës zakonore lokale. Prej
fillimit të shekullit të XIII u përcaktuan në shkrim me statute sipas
shembullit italian dhe nën ndikimin e noterëve italianë parimet themelore
juridike të trashëguara gojarisht si dhe të drejtat dhe detyrat e komunave
qytetare kundrejt shtetit territorial.[11]Vendndodhja e qytetit pak më
lart në kufi të influencës bizantine në Arbëri si dhe zhvendosja e pushteteve
feudalë herë pas herë në këto territore apo dhe zgjerimi i perandorisë serbe të
Nemanjës, e kish kaluar qytetin herë pas here nën influenca të ndryshme
kulturore dhe në ndonjë rast kish krijuar dhe një historiografi të veçantë të
lidhjeve të tij me Bizantin. Qyteti ka qenë gjatë mesjetës së hershme
pjesë e Perandorisë Bizantine. Bizantinët donin t’i jepnin këtij qyteti një
origjinë bizantine, sepse sipas Ippenit “një dokument i gjetur në arkivin e
Vatikanit, sipas gjasave apokrif, bëhet shkas për të hedhur një hipotezë të
paqendrueshme, se Drivastium është themeluar nga familja bizantine Angelos, nga
e cila vijnë perandorët e viteve 1185-1204 dhe se kjo familje si e përzunë
latinët, qe tërhequr në Drivastium dhe kishte sunduar atje. Ky dokument
pretendohej se ishte një diplomë emërimi e lëshuar nga perandori Mihali VIII
Paleologu (1261-1282) për dukët e Drivastios, Mihal Angelos dhe të birin e tij
Andrea Angelos , por sipas të gjitha gjasave duket se këto marëdhënie të
familjes Angelos me Drivastium nuk kanë eksistuar kurrë. [12]Gjatë
kësaj kohe qyteti ndryshoi shumë herë sundues dhe situata të vështira si
përfshirjen nën pushtetin e Nemanjës, pushtimin e tatarëëve ose mongolët dhe
ringjalljen sërish të tij nën influencën e mbreterëshës serbe me origjinë
franceze, Helena, gjatë viteve 1282-1324. Ngjarja më e rëndësishme mesa duket
ishte rënia e tij nën sundimin e Venedikut në 1396 pasi Republika u
njohu drishtjanëve statutet e vjetra, rregulloi kufijtë midis këtij qyteti dhe
Shkodrës dhe siguroi shitjen e verës që prodhohej në vend duke ndalur shitjen e
verës së huaj[13]. Përforcimi në legjislacion i
këtij privilegji tregon se qyteti kishte një klasë fisnikësh dhe tregtarësh që
i kushtonte një vëmendje të veçantë interesave ekonomikë të vet. Dëshmi të një
jete të pavarur publike, juridike dhe ekonomike është edhe fakti se noterët
e Drishtit, ishin presbiter vendas ndryshe nga Shkodra ku kishte noterë laikë
dhe nga Tivari dhe Ulqini ku noterët ishin italianë.[14]Për
më tepër si një vazhdim i një tipari shumë të lashtë urban që bënte
të mundur që kur një qytet lulëzonte dhe prerjen e monedhave, qyteti i
Drishtit shtypte dhe monedha bakri; mbi këto monedha ishte stampuar figura e
Shën Mërisë dhe mbi disa të tjera edhe një qytet me kulla dhe me një portë mbi
të cilën ishte skalitur një zambak, kurse mbishkrimi “civitas Drivasti”(qyteti
i Drishtit), sipas një monedhe të gjetur nuk mund të lexohej qartë , kurse në
anën tjetër të monedhës paraqiteshin muret e qytetit.[15]
Duhet
theksuar që në krye të herës që zhvillimet kulturore dhe politike në Arbërinë e
veriut ishin të influencuara nga modelet e Italisë së Veriut, bregdetit dalmat
dhe katolicizmit, ndërsa në Arbërinë e Jugut kemi ndikimet e modelit të qytetit
bizantin. Ekzistenca e një treve me një besim të vetëm edhe një vend si
Shqipëria mesjetare ku ka munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, një besim ky që
nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në legjislacion. Një
nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë
shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin. Në
këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet
të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin
e një kulture të qendrueshme administrative. E përmendim këtë fakt pasi Statuti
i Drishtit ashtu si pothuajse në të gjitha statutet e njohura deri më
sot, vërehet roli dhe ndikimi i madh i kishës gjatë mesjetës, sepse pa
përjashtim normat e para të statuteve fillojnë me rregullat e kishës,
obligimet, rolin dhe vendin që ka kisha në shoqërinë komunë-qytet. Ky veprim
është i pranishëm edhe për faktin se kisha ishte promotore e pothuajse të
gjitha segmenteve të jetës, qofshin ato laike apo kishtare, si në aspektin
ekonomik, tregtar, politik, diplomatik, social, shendetsor, kulturor etj, pra
ishte boshti i zhvillimit dhe marrëdhënieve të njeriut në shoqërinë mesjetare,
qoftë me individin qoftë me pushtetin.[16] Qyteti
i Drishtit dukej se ishte një republikë ku pushteti fetar luante një rol
kryesor në jetën e qytetit. Statutet e Drishtit na shpalosin jetën e
një republike kishtare, nga mometi që kleri , veçanrisht i shumtë në këtë qytet
të njohur si “eksportues priftërinjsh”, merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë
publike, përfshirë edhe shërbimin ushtarak. Statutet në fjalë i atribuonin
peshkopit vendas statusin e shefit të pushtetit laik.[17] Lidhjet
e Statutit të Drishtit me Kishën Katolike dallohen qartë dhe përsa i përket
përpjekjeve për ta kodifikuar. Nëse Statuti i Shkodrës ishte dërguar në Venedik
për tu edituar në 1426, përpjekjet e para për tu kodifikuar të statutit të
Drishtit, janë më të hershme sesa 12 janari i vitit 1468, sepse sipas
të dhënave arkivore mësohet se ky statut ishte “edituar” në vitin 1456, kur
Papa Kalisti III, i kishte dhënë autorizimin ipeshkvit të Sapës, Gjergjit për
një veprim të tillë. Shkaku që ky editim nuk u njoh zyrtarisht ishte vdekja e
Papës Kalisti III[18], por më e rëndësishme në këtë
histori sesa njohja apo e këtij editimi është momenti kur u zgjodh të kryhej ky
editim. Papa Kalisti III (1455-1458) ishte ideatori i ndërrmarjes së
një kryqëzate, e cila u quajt "Liber Brevium Callisti III".[19] dhe
synonte dëbimin e otomanëve nga Ballkani. Predikuesit iu drejtuan
turmave popullore duke u bërë thirrje "të rrokin kryqin" për të
luftuar armiqtë e besimit. Kontigjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në
Gjermani, Bohemi dhe Hungari në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da
Kapistrano[20]. Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje ishte pjesëmarrja e
këtij kontigjenti forcash në marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e
forcave hungareze me në krye Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6
gusht 1456 në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi
se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast papa organizoi festime
falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë,
tashmë lipsej të marshonte drejt Konstandinopojës dhe Jeruzalemit.[21]
Ç’rol
do të kishte qyteti i Drishtit në këtë ndërmarrje dhe pse po editohej tashmë në
kulm të përpjekjeve për Kryqëzatë? A po synonte Papa Kalisti i III që
qytetet që do çliroheshin nga kryqëtarët të adoptonin statute të ngjashme me
ato të Drishtit? Si dihet mirë Papa Kalisti i III ndryshonte nga paraardhësi i
tij Papa Eugjen i IV, pasi Papa Kalisti III në dallim nga paraardhësit
e vet Eugjenio IV dhe Nikola V nuk shfaqte kurrfarë interesi për librat, për
politikën kulturore e as nuk e interesonin artistët, por pavarësisht këtij mosinteresimi
përeth shkencave humane edhe pse ishte 80 vjeç, ai ishte një njeri i veprimit
që i interesonte rregulli publik dhe mbi të gjitha si spanjoll që ishte
ushqente një zemëratë të pashoq ndaj arabëve që kishin sunduar prej kaq kohe në
Spanjë dhe ndaj osmanëve që po kërcënonin Europën[22]. Qyteti i Drishtit kishte një rëndësi të
veçantë për Vatikanin, ndoshta si i vetmi qytet ku Kisha kryesore e tij,
në pragun e rrënimit të qytetit nga ushtria osmane, kishte statusin e një kishe
katedrale, gjë që dëshmohet nga titulli i Statuteve të qytetit. Rëndësia
e qytetit të Drishtit dëshmohet edhe prej burimesh të tjera, në radhë të parë
prej atyre të Arkivit Sekret të Vatikanit. Nga këto burime del shumë qartë se
Drishti ishte në vëmendjen e posaçme të Selisë së Shenjtë. Ruhen letrat,
urdhëresat, enciklikat, relacionet, si dhe akte të tjera të korrespondencës
midis Papatit dhe ipeshkvisë së Drishtit. Autoritetet klerikale të kishës dhe
ato të qytetit janë shumë shpesh subjekt i korrespondencës me kryeqendrën e
krishtërimit perëndimor jo vetëm për çështje përjashtimisht të lidhura me to,
por edhe për problemet që përballonin kishat, manastiret, kështjellat, fisnikët
dhe bashkësitë qytetëse rreth e qark: në Shkodër, në Ulqin, në Tivar, në Shas,
në Pult, në zotërimet e Dukagjinëve e gjetiu. Vetëm ndërmjet viteve 1410-1455,
sikurse del nga regesti i mëposhtëm, jo i plotë, me dokumente të Arkivit Sekret
të Vatikanit, të panjohura deri më tani, Drishti është pritës korrespondence
ose subjekt urdhërimi a njoftimi për afro 30 herë.[23] Gjasat
ishin mesa duket se në territoret që do çliroheshin, ndoshta statuti i
Drishtit, si statut kanonik kishtar i Katedrales së Drishtit dhe si qytet i
brendësisë së territorit mund të shërbente si model për kushtetutat e qyteteve
të tjera që do të çliroheshin nga osmanët. Por ky interesim i Kuries, a vinte
vetëm nga fakti qyteti i Drishtit ishte një “republikë kishtare” apo
kishte luajtur një rol në këtë ndërmarrje një personazh shumë i
rëndësishëm i mesjetës shqiptare, Pal Engjëll-Dushi që rridhte nga një familje
fisnike nga Drishti? Pikërisht në këtë kohë në 1456, Ipeshkëvi i Krajës
Pal Engjëll-Dushi u caktua si nunc për kryqëzatën, i cili do të vepronte
në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetën në Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi. Për
Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, Ipeshkëvi i Krajës Pal
Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetën në
Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi besojmë , ndoshta për të mbledhur në
të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën për të mbështetur pozicionin e
saj ë lëkundur, e kësisoj drejt për së drejt të rrezikshëm për Shqipërinë[24]
Familja
e Ëngjëllorëve do të luante një rol kryesor edhe në vitin 1463 , ku Papa Piu II
emëroi dy persona për ta ndërmarrë këtë editim pas kërkesës së Katedrales së
Drishtit. Njëri nga ta do të ishte Kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Ëngjëlli,
sërish një pinjoll i familjes fisnike nga Drishti dhe një nga njerzit më të
afërt të Skënderbeut, kryekancelari i tij, dhe hartuesit së formulës së
Pagëzimit në shqip. Elementi shqiptar nuk do të mbetet vetëm personat e
autorizuar për të bërë editimin por edhe në elementë të rëndësishëm të së
drejtës të mbledhur në Statut. Në hyrjen e tij Pal Ëngjëlli deklaron se ne,
kanonikët dhe kapitulli i kishës së Drishtit, ..konstatojmë se të parët tanë
na kanë lënë disa Kushtetuta, të cilat nga ana tjetër rezultojnë ose të paqarta
ose të pamjaftueshme[25], çka dëshmon
për një traditë shumë më të hershme administrimi në qytet. Një nga kapitujt e
parë i dedikohet respektit të ndërsjelltë të midis pleqve dhe të rinjve kur
shkruhet në çmënyrë të rinjtë duhet të respektojnë pleqtë dhe në çmënyrë pleqtë
duhet të duan të rinjtë. Kjo përmendje e pleqësisë që në kapitullin e parë të
kujton një tipar dallues të shoqërive shqiptare që ashtu si në
Greqinë e Lashtë ku “jerusia” apo senati në Romë luanin një rol të madh në
administrimin e vendit, edhe në viset arbëre ky tipar ishte i përcaktuar mirë,
madje në Kanun në ligjin e maleve, këshilli i pleqësisë zë një vend të veçantë.
Vetdija institucionale do të sillte se edhe në projektet e para për një shtet
shqiptar si është vepra e Sami Frashërit, “Shqipëria çka qenë , ç’është dhe çdo
të bëhet “ (1899), apo dhe organizimet e para të shtetit shqiptar si
ishte Qeveria e Vlorës kur organe të tilla janë përmendur apo dhe ngritur,
studiuesit mos t’i shikonin si organe të kopjuara nga fqinjët, por edhe si një
pjesë organike e një kujtese kolektive institucionale të largët.
Norma
të tjera zakonore duhen gjurmuar në Statutin e Drishtit për të bërë të mundur
që nëpërmjet tyre të ndërtohet një histori e munguar ë së drejtës
shqiptare me zanafillat e veta që në Mesjetë. Statutet e qyteteve
komuna dhe të katedraleve shqiptare janë një dëshmi që vërtetojnë dhe njëherë
egzistencën e qyteteve komuna shqiptare, të botës qytetare në kompleksin
mesdhetar, zhvillimin dhe ngjashmëritë me qytetet komuna e tjera të Europës si
dhe zhvillimin e së drejtës kanonike kishtare, e cila ishte mjaft specifike
sepse ruante në vetvete rregullat zyrtare të kishës duke i përshtatur ato sipas
të drejtës dhe traditës vendase.[26]Pikërisht gjurmimi dhe nxjerrja në pah të
kësaj tradite vendase do të bëj të mundur që konstatimi se nuk kemi si paradigm
nga e kaluara vetëm Kanunin e maleve por edhe një traditë së Shqipërisë
adriatike, aq të afërt me bregun perëndimor të Adriatikut dhe që u ndërpre
dhunshëm me pushtimin dhe shkatërrimin e Drishtit në 1478. Kodifikimi i fundit
i tij, më 12 janar 1468, pesë ditë para se të vdiste Gjergj Kastrioti, ideatori
i një Arbërie qendrestare dhe të lidhur me qytet-shtetet italiane duket sikur
ishte një rastësi fatlume për të pasur pas pesë shekujsh një dëshmi sesi
ishte Arbëria Juridike e munguar mes nesh.
[1] Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L,
Tiranë, 2006 fq 91
[2] Po aty , fq 49
[3] Lucia Nadin, Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të
shekullit XIV me shtesat deri më 1469, Onufri:Tiranë, fq 108
[4] Lucia Nadin, Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të
shekullit XIV me shtesat deri më 1469, Onufri:Tiranë, fq 110
[5] Marin Barleti. Historia e Skënderbeut. Shtëpia Botuese “Naim
Frashëri”:Tiranë, botimi i tretë, 1983, faqe 207
[6] Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L,
Tiranë, 2006 fq 127
[7] Milan Shuflai, Viktor Novak , Statutet dhe urdhëresat
e kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit Tiranë : Ombra GVG, 2009 fq
42
[8] Shaban Sinani. Statutet e Drishtit dhe e drejta urbane në periudhën arbërore. PERLA – Revistë shkencore – Kulturore
tremujore, Viti X 2005 Nr. 4 (39) fq. 27-57. Botuesi:
Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë
[9] Po aty, fq 42
[10] Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L,
Tiranë, 2006 fq 108
[11] Po aty fq 109
[12] Edmond Malaj. Drishti në mesjetë. Studime Historike, Nr
1-2:Qendra e Studimeve Historike, Instituti i Historisë:2010, fq 24-25
[13] Po aty, fq 25
[14] Po aty, fq 32
[15] Po aty, fq 36
[16] Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të
Drishtit Tiranë : Ombra GVG, 2009, fq 21
[17] Pellumb Xhufi. Dilemat e Arbërit. Pegi:Tiranë, 2006, fq 243
[18] Po aty fq 19
[19] At Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa
Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458), faqe 163-164.
[20] At
Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu
dhe Kryqëzata (1455-1458), faqe 169
[21] At
Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu
dhe Kryqëzata (1455-1458), faqe 153-154.
[23] Shaban Sinani. Statutet e Drishtit dhe e drejta urbane në periudhën arbërore. PERLA – Revistë shkencore – Kulturore
tremujore, Viti X 2005 Nr. 4 (39) fq. 27-57. Botuesi:
Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë
[24] At Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa
Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458), faqe 185-186
[25] Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të
Drishtit Tiranë : Ombra GVG, 2009.
[26] Musa Ahmeti Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës
Katedrale të Drishtit Tiranë : Ombra GVG, 2009, fq 28
Gazeta Shqip,
22.12.2014
No comments:
Post a Comment