Monday, 1 December 2014

Lufta jonë




Nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore u përball me dy sfida kontradiktore me njëra-tjetrën. Nga njëra anë, me agresionin e 7 Prillit, kur u rrëzua pavarësia e Shqipërisë, një ideal dhe realitet historik që nacionalistët shqiptarë kishin kontribuar, duke krijuar shtetin shqiptar më 28 Nëntor 1912, por në të njëjtën kohë nxitja dhe krijimi i një Shqipërie që përfshinte disa territore të banuara nga shqiptarët siç ishte rasti i Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë, ngrohu shpresat për një rikorrektim kufijsh dhe korrigjim të historisë.
Këto ishin arsyet që një pjesë rezistuan në heshtje dhe filluan të ndërmerrnin plane për t’u organizuar për një kryengritje të përgjithshme të ngjashme si Lufta e Vlorës, afro 20 vjet më parë, ndërsa një pjesë tjetër të joshur nga “Shqipëria e Madhe” u rreshtuan në administratën e pushtuesit, duke menduar se tashmë Shqipëria e kishte gjetur veten në rendin e ri fashist.
Dorëzimi i kurorës së Skënderbeut, mbretit të Italisë Viktor Emanuelit III, është akti më i turpshëm i kolaboracionistëve shqiptarë dhe që besoj se nuk bën krenar askënd. Diku në sfond, para pushtimit ishin dhe komunistët, të shpërndarë pa një parti, idealistë por edhe të dëshiruar për të kryer reforma sociale sa më të shpejta në një Shqipëri që kishte mbetur si një muze arkaik i feudalizmit të vonë, ku që nga ikja e Perandorisë Otomane nuk ishte ndërmarrë ndonjë reformë që të zbuste pabarazinë e tmerrshme sociale. Sulmi i Gjermanisë Naziste mbi Bashkimin Sovjetik, atdheun e tyre ideologjik i çliroi nga çdo kompleks pasiviteti dhe nën direktivat e drejtpërdrejta të Komiternit u organizuan në një parti politike, që shumë shpejt rezultoi të ishte shumë efikase në organizim dhe në lëvizjen ilegale.
Pushtimi i vendit rrëzoi shumë mite mbi të cilën shqiptarët e viteve ’30 kishin sendërtuar identitetin e vet, ndaj edhe përpjekjet për të rifilluar një luftë çlirimtare sigurisht që nuk do të kalonin përmes së njëjtës shkollë mendimi dhe veprimi. Koha kërkonte një dinamikë tjetër dhe reminishencat e politikës osmane dhe hasburgase të kompromisit, bashkëpunimit, tradhtisë në çastin final që gjallonin këtyre anëve dhe që kishin brumosur shumicën e elitës politike shqiptare nuk mund të ishin më të zbatueshme në një botë që kish ndryshuar aq shumë që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore. Një botë që ziente nën thundrën e makinës ushtarake të nazifashizmit që promovonte “diferencat nga natyra” – superiorët mbi të tjerët e darvinizmin social, kërkonte një luftë të pakompromis dhe vetëmohuese, çka britanikët si mjeshtërit e politikës të bazuar në “common sense”-gjykimit të shëndoshë e kuptuan dhe nuk ngurruan të bëjnë aleancat e nevojshme për të dalë fitimtarë nga ky konflikt.
Në kohë paqe asqë nuk mund të mendohej që konservatori Winston Churchill t’i jepte dorën bolshevikut Stalin, por koha dhe interesat i diktuan që të dy që të hynin në një aleancë. Sigurisht, të rezervuar, aspak miq dhe me plane më veç për të ardhmen e Europës, por të vendosur për t’i dhënë fund murtajës së shekullit – fashizmit. Ky konflikt i madh ideologjik e botëror, për fat të keq, do përvijohej dhe në malet e Shqipërisë, ku së bashku me zbythjen e okupatorit, mendohej dhe për pushtetin e afërt. Nga njëra anë, një elitë politike që priste të vinte në zbatim strategjinë e dikurshme të Luftës së Vlorës, ku pasi ishin pjekur kushtet ndërkombëtare, i madh dhe i vogël, iu vërsul ushtrisë italiane në Vlorë, dhe nga ana tjetër, njerëz më të motivuar dhe konsekuentë që me luftën ndaj okupatorit kërkonin të mos lejonin përsëritjen e rendit të vjetër të monarkisë.
Nevoja për emancipim shoqëror dhe përparim kish bashkuar si asnjëherë tjetër rininë shqiptare, vajzat e gratë në një front të vetëm dhe vetëmohues për të mos fituar vetëm pavarësinë e atdheut, por edhe lirinë e vet personale. Nga të dyja strategjitë rezultoi se e dyta, ajo e luftës ndaj okupatorit pa kompromis, ishte e duhura dhe që i dha kredenciale të tjera Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Për fat të keq, triumfi i njërës palë, do të thoshte eliminimi i tjetrës dhe politikanët tradicionalë shqiptarë kanë përgjegjësinë e madhe që përveçse humbjes së tyre në konflikt, bashkëpunimit me gjermanët si ishte rasti i dorëzimit të gjeneral Davisit, e lanë edhe vendin pa opozitë dhe nën mëshirën e një totalitarizmi që po trokiste në dyer.
Rezistenca shqiptare nuk është më e rëndësishmja në Europë, por as e vogël në raport me numrin e popullsisë ndaj me të drejtë nëse e pranojmë antifashizmin si një vlerë të konfirmuar edhe nga Këshilli i Europës herë pas here, ne duhet të ndihemi krenarë që vendi u radhit në koalicionin antifashist. Luftë civile, luftë shoqërore, luftë nacionalçlirimtare apo luftë antifashiste? Pasioni duhet të pushojë të jetë mbizotërues në gjykimin e kësaj lufte dhe gjykimi i shëndoshë duhet të marrë udhë, jo si një tendencë apo rreshtim politik, as si përfitim elektoral i së sotmes, por si një e vërtetë që vjen përmes dokumentacionit të shumtë të shfletuar dhe të paraqitur me skrupulizitet akademik.
 Lufta jonë kundër nazifashizmit përfshiu shumë njerëz, fate njerëzore e personazhe që do të shenjonin historinë e mëvonshme 50-vjeçare së Shqipërisë, por në asnjë rast korruptimi i idealeve të atyre që morën pjesë në luftë nga ata që volën frutat e fitores duke u shndërruar në udhëheqës që shkelën mbi idealet e ëndrrat e shokëve të tyre në luftë, nuk duhet ngatërruar duke përbaltur protagonistët dhe njerëzit e thjeshtë që vunë gjakun dhe sakrificat e tyre në shërbim të atdheut. Lufta jonë, përveçse një luftë çlirimtare, është dhe një sfidë për shqiptarët e sotëm për të parë të vërtetën dhe të shkuarën drejtpërdrejtë në sy, pa komplekse për të shkuarën dhe me një tharm dinjiteti njerëzor për të shkruar historinë moderne të Shqipërisë, larg llogoreve të hapura që në frontin e luftës dhe me një gjithëpërfshirje dhe përfaqësim të të gjithë atyre që kontribuuan sado pak në mbarëvajtjen dhe fitoren mbi fashizmin.


Gazeta Shqip, 1.12.2014, fq 9





No comments: