Gjuha shqipe është ndoshta gjuha e vetme
europiane që ka provuar persekutimet, ndalimet dhe dënimet deri në mosushtrimin
e saj bash në kohën kur zhvillimi i kulturës së shkruar ishte shndërruar në një
kulturë mbizotëruese në Europë. Këto persekutime dhe ndalime sollën si rrjedhim
edhe përhapjen më me vonesë të nacionalizmit etnik, pasi ashtu si është provuar
prej kohësh, shpërhapja e shtypit të shkruar ka luajtur rol të pazëvendësueshëm
ndër kombet e Europës Juglindore.
Mirëpo së bashku me këtë zhvillim negativ,
ndalimi i saj nga ana e regjimit të Sulltanit otoman Abdyl Hamitit, në fund të
shekullit XIX, apo dhe mallkimet dhe shkishërimet si ato të mitropolitëve grekë
në Shqipërinë e Jugut që para se të ishin barinj të tufës së Zotit ishin
nacionalistë të përbetuar të Megali Idesë, në fakt përforcuan më tepër dëshirën
për ta lëvruar ndër shqiptarë dhe për ta parë atë si një nga mjetet e tyre më
të suksesshëm për të arritur kohezionin e duhur shpirtëror. Si e tillë, gjuha
shqipe ka ardhur përmes zhvillimit të idesë sonë kombëtare dhe evolucionit
etnik si një sprovë e fortë e mbijetesës dhe afirmimit tonë si kombësi më vete
në Ballkan, por edhe si një njësi vetëpërcaktuese e identitetit tonë.
Janë të rralla momentet në historinë e
popujve ballkanikë kur procesi i caktimit të një alfabeti të përcaktojë brenda
së njëjtës kohë identitetin kombëtar, orientimin politik të popullatës dhe të
shërbejë si provë madhore për pavarësinë. Kongresi i Manastirit 14-22 nëntor
1908, kongresi ku u përcaktua se ç’alfabet do të kishte gjuha shqipe, është pa
dyshim një nga ngjarjet që kanë shënjuar historinë dhe kulturën e afërt të
shqiptarëve. Në Maqedoninë shumetnike të fillimit të shekullit XX dhe në
qytetin shumëkulturor të Manastirit, shqiptarët hodhën themelet e shkrimit të
identitetit të tyre të veçantë linguistik, duke u dhënë jetë përpjekjeve
disashekullore për të pasur një alfabet, një popullatë, një komb. Kësisoj
historia dhe kultura e afërt e shqiptarëve nuk mund të kuptohen pa rëndësinë e
një trekëndëshi gjeografik e kulturor Prizren-Manastir-Vlorë, si vende ku u
themeluan dhe morën jetë idetë kombëtare të shqiptarëve. Në Prizren morën jetë
për herë të parë dëshirat për autonomi të shqiptarëve, në Manastir u arrit
bashkimi kulturor i tyre dhe në Vlorë u shpall pavarësia.
Përzgjedhja e alfabetit latin për të shkruar gjuhën shqipe, më
tepër se një veprim politik përqasës drejt Europës siç është komentuar shumë
herë, ishte vazhdimësi e një orientimi dhe vetëpërcaktimit të shqiptarëve si
një popull europian. Shkrimi dhe lëvrimi i një gjuhe askund tjetër nuk ka marrë
një rëndësi të veçantë sesa te shqiptarët që, ndodhur mes Lindjes dhe
Perëndimit, pa asnjë institucion të rëndësishëm kombëtar që do të mund t’u
mbronte identitetin, te gjuha dhe kultura e tyre kishin gjetur një nga forcat
lëvizëse për të themeluar kombin e tyre. Vështirë të gjesh një numër kaq të
madh poetësh dhe mendimtarësh në kulturat e tjera ballkanike që t’i kenë
kënduar apo thurur himne gjuhës së tyre kombëtare sa në letërsinë shqiptare të
shekullit XIX-XX. “Gjuhë perëndie” e quan Naim Frashëri, ai që nuk flet shqip
sipas Fishtës, “duket i ulët…Krejt i turpëruar? Si ai që…. nuk di se kush është
babai i tij”. Rëndësinë e gjuhës dhe lëvrimit të saj e jep Kristoforidhi kur
shprehet se “nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të
shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as do lexohet më emri
shqiptar në hartën e botës”.
Këto vargje dhe sentenca të elitës së kohës tregojnë qartë se
shqiptarët kishin zgjedhur identitetin kulturor si kështjellën e identitetit të
tyre bashkues dhe besoj se kjo zgjedhje e fillimit të shekullit XX në Manastir
vazhdon të jetë aktuale dhe sot për të përfaqësuar më mirë shqiptarët në rajon.
Kultura dhe gjuha janë dy komponentët më të rëndësishëm të etnosit shqiptar
përballë të cilave ndarjet artificiale janë të vogla dhe të papërfillshme. Por,
në të njëjtën kohë, shqiptarët janë po aq të ndërgjegjshëm se paqja dhe
stabiliteti në rajon kërkon të ketë të zbatuar mes tyre edhe kulturën e
pranimit të Tjetrit, si një formë kulture që kultivon një bashkëjetesë të gjatë
mes popujve në Ballkan, ndaj, së bashku me fqinjët, duhet të kontribuojnë më
tepër në këtë drejtim. Gjuha shqipe, prej kohësh, e ka fituar qytetarinë e saj
në Kosovë, por ende duhet të riafirmohet në Mal të Zi, Preshevë dhe në Maqedoni
ku, duke qenë një gjuhë zyrtare sipas Marrëveshjes së Ohrit, duhej të kishte
status të barabartë me gjuhën maqedonase. Një fat akoma më i keq e ka ndjekur
dialektin arvanitas në Greqi, ku sa për mentalitete të prapambetura
nacionaliste greke po aq dhe për shpërfillje nga institucionet qendrore në
Tiranë, po shuhet ngadalë duke humbur një thesar i paçmuar i trashëgimisë sonë
etnike.
Një përkujdesje më e madhe për gjuhën tonë,
si institucioni shpirtëror prej nga ka nisur kohezioni i kombit, do t’i jepte
dimension tjetër kulturës sonë në Ballkan dhe shqiptarëve në rajon. Koha kur
Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje kyç për ekzistencën e Maqedonisë do të
zbatohet plotësisht edhe në rrafshin gjuhësor, por edhe largimi i frikës dhe
anktheve të shteteve fqinjë nga statusi i gjuhës shqipe në shtetet e tyre, do
të jetë koha që mund të themi pa frikë se Ballkani do ta lërë pas të shkuarën
dhe do të përfitojë dimensionin europian të tij.
No comments:
Post a Comment