Në shekullin XV pellgu i Mesdheut vazhdonte të
reflektonte ndarjen e vjetër që nga shekulli VII mes dy botësh, asaj të
krishterë dhe asaj islamike, që me të drejtë siç thekson Anri Piren kishte
formuar jo vetëm etnitete të ndryshme politike e shtetërore por edhe dy botë të
kundërta kulturore. Shfaqja e arabëve në brigjet e Mesdheut në shekullin
VII e theu unitetin e botës së krishterë dhe krijoi premisat për shfaqjen
e një kulture dhe identiteti të ri fetar, që përpiqej të afirmohej fort mbi
mbeturinat e botës antike dhe në lulëzimin e një kulture kristiane, që kishte
karekterizuar deri më atëherë rajonin. Ky konflikt do ravijëzohej fuqishëm në
mentalitetin e Mesjetës së Hershme dhe do të sillnin në pah jo vetëm e Luftërat
e Shenjta islamike për të pushtuar gjithë Mesdheun, por edhe një frymëzim
kristian për t’i zbrapsur dhe akoma më tej dhe për të pushtuar Vendet e
Shenjta, të njohura në historiografi me emrin Kryqëzata. Kryqëzatat u
quajtën fushatat luftarake të kristianëve të Evropës Perëndimore drejt Lindjes
për çlirimin dhe mbrojtjen e Vendeve të Shenjta dhe veçanërisht të Varrit të
Tërëshenjtë. Me bekimin e Papës së Romës kryqëzatat morën karakterin e një
lufte të shenjtë kundër armiqve të krishtërimit. Pushtimi i Jeruzalemit nga
muslimanët pati jehonë të madhe në Evropën Perëndimore pasi pelegrinët
nuk mund të vizitonin pa rreziqe Vendet e Shenjta.