Saturday, 31 August 2013

Porta e qytetërimit të Adriatikut Lindor



Çdo qytet ka historinë e vet.  Në të , si një mozaik të çmuar pasqyrohen të gjitha ngjarjet e rëndësishme që shënojnë jo vetëm të shkuarën dhe të ardhmen të qytetit por në disa raste dhe të vetë vendit. Kështu p.sh themelimi i Durrësit të vjetër dhe shndërrimi i tij në një qytet port të rëndësishëm të gjithë Mesdheut ndikoi kaq shumë jo vetëm në cilësitë e të qenit të veçantë si qytet i krahasuar me qytetet e tjera të Perandorisë Romake, por edhe pse ishte një pikë takimi shumë e fortë e kontaktit dhe shpërhapjes së kulturës latine në të gjithë territorin rreth tij.
Ekzistenca dhe shpërhapja e kësaj kulture latine bëri të mundur që territoret shqiptare të kishin një afërsi shpirtërore me Evropën që rilindi përmes kulturës antike në shekullin e artë të Rilindjes Evropiane. Kjo afërsi shpirtërore dhe mbijetesa e një afrimi politik me Evropën bëri të mundur që 5 shekuj më vonë, Shqipëria ti bashkëngjitej klubit të shteteve ballkanike që kishin shpallur pavarësinë nga Perandoria Otomane.
Mirëpo kjo vazhdimësi latine e qytetit kish qenë e dallueshme dhe rrezatuese deri në 13 gusht të vitit 1501. pasi pikërisht në këto vite, ku Durrësi me statutet e famshme të tij kish krijuar një fiziomoni të veçantë nga qytetet tjera të Adriatikut lindor fati historik e solli të bjerë nën zgjedhën osmane ku fillon e ndryshon kryekëput i gjithë zhvillimi i qytetit. Qyteti rrudhet e pakësohet, porti shkatërrohet nga osmanët për të shmangur çdo rizgjim interesi nga fuqitë evropiane dhe në fillim të shekullit XIX do të ketë një numër modest banorësh, rreth 8000. Së bashku me këto zhvillime , ndodh dhe krijimi i komuniteteve të ndryshme fetare që pasqyrojnë dhe zhvillimet kulturore fetare në Shqipëri. Në fillim të shekullit të XX, Durrësi si asnjë qytet tjetër shqiptar banohej nga të tre komunitet fetare kryesore në Shqipëri, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Kjo ishte ndoshta dhe një nga arsyet që Durrësi ishte projektuar nga Fuqitë e Mëdha të interesuara për çështjen shqiptare, Austro-Hungaria dhe Italia, për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë së re. Mirëpo, shpërbërja e dhunshme e qytetit shumë shekuj më parë dhe humbja e identitetit kulturor sipas disa studiuesve kish krijuar probleme që fryma kombëtare të mos ishte  aq e theksuar sa Ismail Qemali, kur zbarkon në Durrës deklaron se gjeti në Durrës një atmosferë të vakët. Në fakt këto pretendime duken pak të çuditshme kur mendon se në datën 26 nëntor 1912, Durrësi shpallte pavarësinë dy ditë më parë se vetë shpallja zyrtare në Vlorë.

Pushtimi i Durrësit nga serbët në 28 nëntor 1912 e gjeti qytetin me flamur kombëtar  të ngritur duke treguar qartë ndjenjat kombëtare të qytetit. Simbolika në marrëdhëniet diplomatike luan një rol të rëndësishëm Serbët u detyruan që të ulnin flamurin shqiptar, të ngrinin atë turk, ta ulnin atë dhe pastaj në vend të tij të ngrinin flamurin serb. Një përpjekje e patriotëve durrsakë, që në pamje të parë dukej se ishte minore luajti kështu një rol të madh në hapat e parë të shtetformimit shqiptar. Një vit më vonë më 1913, Durrësi do të jetë kryeqyteti i Principatës shqiptare të njohur nga Fuqitë e Mëdha. Për shumë vite, madje edhe kur Tirana u shpall kryeqytet, Durrësi do të vazhdojë të njihet si kryeqyteti i Shqipërisë aq sa kryeministri britanik Chamberlen në vitin 1939 kujtonte se Durrësi ishte kryeqytet i Shqipërisë për shkak se gjithë telegramet diplomatike të  konsullit Eires në vitet 20’ vinin nga Durrësi që ai e kish zgjedhur si vendqëndrim. Ambasada angleze vetëm në vitet 30’ do të vinte në Tiranë. Qytetarët durrsakë dhe përgjithësisht klasa e pasur e tyre do të jenë të parët në Shqipëri që më 1923  me shpenzimet e tyre do të ndërtojnë një monument përkujtimi Kolonelit hollandez Thomson, të vrarë në krye të detyrës për ruajtjen dhe integritetin e shtetit shqiptar. Me këtë rast qytetarët durrsakë nuk kryenin një akt mirënjohje përkundrejt qytetit të tyre por në emër të të gjithë kombit shqiptar. Kështu që parë në këtë kontekst,  Durrësi në jetën publike dhe historike të vendit ka një kontribut të çmuar si dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë ndaj rifitimi i statusit të mëparshëm si portë qytetërimi e Adriatikut Lindor, mbetet sfida më e madhe e ringjalljes kulturore të rajonit dhe vetë qytetit.


Revista Fenix 31.08.2013


No comments: