Në
perandorinë ish-sovjetike,që ishte një konglomerat popujsh e gjuhësh, kur
ndodhej në bisedë qoftë dhe vetëm një rus,të gjithë pjesëmarrësit edhe pse mund
tu përkisnin kombësive të tjera duhet të flisnin në rusisht. Në momentin kur
dikush nuk e respektonte këtë “rregull”,atëherë dëgjohej shprehja”fol në gjuhë
normale” që nënkuptonte sërish përdorimin e rusishtes. Natyrisht që ky ishte
një mentalitet kolonialist dhe nuk kish të bënte aspak me hierarkinë e gjuhëve
apo me pamundësinë e tyre për të shprehur qartë mendimet dhe mesazhet.
E njëjta
gjë mund të thuhet mbi influencën e anglishtes apo dhe frëngjishtes në gjuhët e
kolonive të tyre në botë dhe përtej oqeaneve që ndonëse ndihmonin njerëzit të
arrinin të krijonin vlera të përgjithshme për njerëzimin,në anën tjetër
influenconin në ushtrimin e pakët të
gjuhëve lokale. Sigurisht që qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe sjellin
gjithmonë kontradikta etnike prej të cilave vuajtën shumë si perandoria
britanike,franceze në vitet 50-60’ dhe ajo e ish-Bashkimit Sovjetik në fund të
viteve 80’.
Shqipëria
e kish kaluar më parë këtë situatë konfliktuale gjuhësore kur në përpjekjet e
elitës së saj për të krijuar shtetin kombëtar shqiptar i ishte dashur të
ndeshej me trysninë e gjuhës osmane dhe gjuhëve të fqinjëve ndaj gjuhës së vet.
Duke qenë se shqiptarëve u mungonte komponenti i njëjtë fetar që vendet fqinjë
e kishin, gjuha shqipe ishte parë nga rilindësit dhe si mjeti më bashkues ndër
shqiptarë ndaj në memorien e kombit, ajo zë një vend të veçantë. Kjo ishte dhe një nga arsyet se përse debatet për
përdorimin e gjuhës shqipe standarde apo dialektore lënë pas një shije të hidhur
në sytë e opinionit publik. Situata e krijuar me ankesën apo sulmin e
vazhdueshëm që i bëhet standardit me argumente jashtë gjuhësorë dashur pa
dashur çojnë ujë në mullirin e dasive lokale dhe krijimin e një ndjenje
persekutimi të njërës palë mbi tjetrën. Po ç’është duke ndodhur vallë? A ka humbur
kaq shumë shprehinë e saj gjuha shqipe vetëm se po përdor standardin? A dëmtohen kaq shumë strukturat e gjuhës shqipe
nga përdorimi i dialektit ?
Askush
nuk mund të mohojë nga studiuesit seriozë të gjuhës dhe kulturës shqipe se
epoka e pas vendosjes së standardit është periudha më e pasur në krijimtarinë
artistike të shqiptarëve dhe përpos
kësaj standardi ka vepruar si enë komunikuese e suksesshme midis të gjitha
komuniteteve shqipfolëse në rajon. Po kështu është pranuar gjerësisht nga të
gjithë gjuhëtarët se dialektet janë një pasuri në gjuhë, të cilat bëjnë të
mundur që të përsosen më tej format shprehëse të komunikimit. Ne sot ndihemi
mirë kur lexojmë veprën e Kadaresë në standard po aq dhe të pasuruar në shprehi
në kur lexojmë Camaj. Fundi-fundit çdo autor mund të zgjedhë vet shprehinë e
vet të komunikimit dhe audiencën që i drejtohet, në varësi të mesazhit që do të
përçojë e në varësi të shijeve të tij estetike. Për më tepër gjuha shqipe dhe
dy dialektet kryesore të saj nuk janë p.sh si gjuha italiane në të cilën dikush
që flet dialektin jugor të Sicilisë e ka të vështirë të kuptojë atë të veriut
të Milanos, ndaj nxjerrja vazhdimisht në pah e këtij problemi duket se në shumë
raste më tepër është bërë çështje karriere për një kategori njerëzish të
letrave sesa ka përfituar seriozitet shkencor të trajtimit të problematikës.
Duke u marrë vazhdimisht me të shkuarën dhe mënyrën sesi është vendosur gjuha
standarde shpesh herë po harrojmë dhe gabimet që po bëjmë në të tanishmen.
Ne
sot jemi dëshmitarë që një dokument i hartuar nga një nëpunës i shtetit
shqiptar i mungojnë ç-të dhe ë-të ,sintaksa është në shumë raste e pakuptueshme
dhe teksti është i mbushur plot me fjalë të huazuara nga gjuhët e fqinjëve dhe
gjuha angleze dhe franceze. Në këtë
kontekst nisma e Kryeministrit të zgjedhur Rama për punësuar 24 redaktorë të
gjuhës shqipe pranë ministrive dhe kërkesa që çdo dokument i administratës
shqiptare të jetë i shkruar shumë mirë në shqip duhet përgëzuar si një veprim
që nuk synon ndonjë shfaqje propagandistike imazhi por thjesht synon të sjellë
në hullinë e duhur një problem që është kthyer në një gangrenë për kulturën
shpirtërore shqiptare. “E para është fjala” thuhet në Bibël, dhe kjo fjalë për
shtetasit shqiptarë duhet të vijë në shqipe të pastër e të kulluar nga
administrata që e paguajnë me taksat e tyre. Ky akt i thjeshtë por shumë
simbolik tregon se qeveria e ardhme ka një përqasje kulturore të fortë për të
ringjallur të gjitha vlerat shpirtërore të shqiptarëve sepse për fat të keq ajo që ishte vërejtur deri më tash ka qenë
një politizim i panevojshëm i një problemi që nuk eksitonte por që mendje të
sëmura në politikën shqiptare dëshironin shumë ta krijonin.
Përdorimi
i qëllimshëm i dialektit në të folurin publik dhe më pas strategjia e
përbaltjes për gjithë punën kërkimore shkencore të një periudhe 40 vjeçare që
nga Kongresi i Drejtshkrimit në 1972, duke e etiketuar me zhargonin e njerëzve
të paditur si “komuniste” dhe “marksiste” ia zbehën rolin e gjuhës shqipe si
një mjet, kod e simbol të unitetit kombëtar dhe promovuan një rol të ri të saj,
atë të vetizolimit dhe vetpërcaktimit përçarës. Me deklarata të papërgjeshme
dhe brenda pak minutash, këta politikanë naivë e të paditur për procesin e
formimit të kombit shqiptar u përpoqën të fshijnë gjithë ngrehinën
institucionale të bashkimit që rilindësit tanë kanë krijuar duke u mbështetur
të pasuria dhe veçantia e gjuhës shqipe. Konflikti politik u transferua pa të
drejtë si një konflikt kulturor që në fakt bëri më tepër dëm duke fyer e
paragjykuar në të njëjtën kohë bazën e
gjuhës shqipe si mjet komunikimi i ndërsjellë mes gjithë komuniteteve
shqipfolëse në rajon dhe krijoi premisa për debate të kota jashtë akademike që
përbindshëm na sjellin në mendje ndarjen klasike të perceptuar nga të huajt
Jug-Veri.
Parë
në këtë vështrim në respekt dhe të detyrës së lartë institucionale që
politikanët shqiptarë përfaqësojnë
është e udhës që në të ardhmen t’i kursejnë Shqipërisë kriza të
tilla të karakterit përçarës pasi një e
tillë do të ishte fatale për të ardhmen. Shqipërisë më shumë se kurrë i duhet
ndërgjegje institucionale dhe kredo besimi për të bërë të mundur që të
kapërcejë sfidat e rëndësishme të integrimit që ka përpara. Gjuha e folur dhe
gjuha politike duhet të jetë një mjet bashkimi dhe uniteti sesa një gjuhë
përçarjeje dhe urrejtjeje. Nëse shqiptarët për një periudhë shumë të gjatë për
shkak të diktaturës ishin të detyruar që të flisnin me gjuhën e Ezopit tashmë
ka ardhur koha që ti flasin njëri-tjetri ballë për ballë dhe drejt në sy dhe
mbi të gjitha thjesht, pastër e shqip për gjithë problemet që i shqetësojnë vendin.
Gazeta
Shqip 04.09.2013
2 comments:
me të vërtetë për tu admiruar , të lumtë dora
me të vërtetë për tu admiruar, të lumtë dora
Post a Comment