Javët
e fundit, opinioni publik është fiksuar fiksuar dhe përkushtuar pas krijimit të
qeverisë së re dhe përbërjes së së saj. Në studio televizive, në gazeta të
shtypit të përditshëm e në blogosferë, të gjithë po e përshëndetin dhe vlerësojnë
frymën e re të krijimit të qeverisë që për hir të së vërtetës duket se zhgënjeu
shumë nga trumpetat e propagandës tetë vjeçare që vazhdimisht i ranë fyellit në
një vrimë duke dashur të tregojnë se nuk do të kishte ndryshim cilësor por
thjesht një pudër në konceptimin e pushtetit.
Sigurisht që është ende herët që
të arrijmë në konkluzione sesi do ta ketë perfomancën kjo qeveri, por nisur nga
përbërja e saj ku shquajnë teknokratë dhe profesionistë të vërtetë në fushat e
tyre përkatëse në vend ndihet fillimi i një energjie pozitive që me përkushtim
nga ana e qeverisë mund të përkthehet dhe në sukses.
Gjithsesi në këtë fiksim dhe përkushtim të një pjese të
opinionit pasi ka dhe një pjesë tjetër te tij që në të njëjtën kohë e anatemon, besoj se nuk ka asgjë një gjë të
keqe për më tepër që ai në shumë raste është i ngjashëm me entuaziasmin që
tregon çdo popullsi kur shikon që axhenda e progresit ka ngelur në vend.
Sharmin më të madh qeveria e re e porsa krijuar po e merr nga mbështetja ndërkombëtare dhe trajtimi si
partnerë të vërtetë në bisedime qoftë nga aleatët tradicionalë por edhe me
shtete fqinjë si Greqia ku marrëveshja e anulluar për detin vazhdon të qendrojë
midis dy shteteve si shpata e Demokleut apo gërmat e ndryshme të një toponimi
mund të ringjallin sërish debatet shterp e të panevojshëm të nacionalizmit
etnik. Shpesh herë takimet e kryeministrit të zgjedhur dhe deklaratat e tij mëse të zakonshme për
marrëdhenie të mira me aleatët dhe partnerët strategjikë kanë nxitur gjykime të
shpejta për të ngritur një network konspiracionesh dhe thashethemnaje
ballkanike. Hamendësime dhe supozime të ndryshme hidhen vazhdimisht në tregun
mediatik duke u munduar të deshifrojnë çdo fjalë të Kryeminisrit të
zgjedhur apo dhe të miqve dhe partnerëve
që ai takon. Mirëpo nëse ky përqendrim vëmendjesh, opinionesh dhe kamerash mund
të jetë deri diku i justifikuar për Kryeministrin dhe qeverinë e re, në fakt
thashethemnajet e pabazuara tregojnë se shoqëria jonë ende ka mbetur në një
stad të ulët zhvillimi sociologjik. Transparenca dhe aksesi i publikut ndaj
qeverisjes është një nga premtimet e Kryeministrit të zgjedhur dhe besoj se të
gjithë ata që mund të presin një axhendë tjetër do të zhgënjehen. Stili i ri
qeverisjes po demonstrohet dhe në vizitat në rajon, ku Shqipëria po paraqitet
si vend partner larg çdo kompleksiteti provincial të bezdishëm për opinionin
publik, por dhe në përbërjen e qeverisë ku ajo nuk u konceptua më si tortë ku
çdo aleat i vogël të meerte pjesën e vet por mbi të gjitha si përgjegjësi
personale e dy partive të mëdha të koalicionit.
Që nga ky moment që qeveria u zgjodh dhe do fillojë punën në shtator
opinioni publik duhet të jetë edhe ai i përgatitur për të dhënë kohën e
mjaftueshme për të parë reformat por edhe për të filluar një proces reformimi
në ndërtimin e konceptit të qytetarisë. Qeveria e re nuk do të jetë Magjistar
që do zgjidhë çdo problem me shkopin e vet magjik por do të kërkojë një
bashkëpunim të gjerë, transparent e cilësor me komunitetin. Problemet e Rendit,
korrupsionit, ambjentit, ringjalljes kulurore etj kërkojnë një qytetar aktiv që
ngre zërin dhe kontribuon në komunitet
sepse përndryshe dashje pa dashje me heshtjen dhe pasivitetin e vet kthehet në
një bashkëfajtor që më kot e kërkon fajësinë vetëm tek të tjerët. Kur qytetari
është i dobët nuk mund të ketë as qeveri të fortë, prandaj nëse vërtet
dëshirojmë që të shikojmë ndryshim në qeverisje, ai në radhë të parë duhet të
fillojë nga vetja. Kundërvëniet apo mbështetjet që po i jepen sot qeverisë së
re përtej ndarjeve partiake, në fakt duhet të fillojnë të maturohen në mendime
të shëndosha, në mënyrë që në këtë
mandat qeverisës ndryshimi të fillojë të perceptohet e ndihet , ndryshim aq i
dëshirueshëm për të bërë të mundur që vendi të integrohet në Bashkimin Evropian
dhe prosperiteti, mirëqenia dhe cilësia e jetës të përmirësohen.
Gazeta
Shqip 9.08.2013
No comments:
Post a Comment