Çfarë
peshe zë ekonomia në diskursin politik, integrues në Ballkanin Perëndimor?
Mendimi i parë që të vjen ndërmend për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është se
përderisa integrimi ekonomik ka qenë forca lëvizëse që ka nxitur Bashkimin
Evropian, atëherë duhet të zërë dhe peshën kryesore në diskursin politik
intrigues të vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të jenë anëtarë të
këtij bashkimi politiko-ekonomik shtetesh.
Ky arsyetim, edhe pse mund të jetë i
drejtë pasi është i bazuar në një realitet, në fakt po të vërehet në terren
konstaton se integrimi politik mbizotëron mbi atë ekonomik. Njerëzit gjithandej
flasin për politikë, për zgjedhje , për vendime Kolegji Zgjedhor, të drejta ,
të padrejta sipas përkatësisë partiake që kanë por harrojnë një detaj themelor
në jetën e gjithsecilit prej nesh të shprehur në gojën e Nikollaqit tek “Karnavalet e Korçës” të komedianit Spiro
Çomora, “se jeta është aritmetikë Olimbi”. Realitetet e tregojnë se këtë
“aritmetikë” që nënkupton ekonominë qytetarët shqiptarë nuk e zotërojnë mirë,
madje mund të themi me keqardhje se qytetarët shqiptarë nuk zotërojnë një
mendim ekonomik të qenësishëm për të qenë të aftë që të bëjnë dallime të qarta mes reformave që pretendohen se merren
në emër të tyre apo vendimeve që janë të
rëndësishme për xhepat e tyre. Si për ta përforcuar këtë situatë në mendimin ekonomik të
qytetarëve shqiptarë, edhe politika shqiptare nuk ka qenë e aftë për të përçuar
mendimin ekonomik ndër ata që i zgjedhin për ti përfaqësuar, por në të kundërt
është parë që ajo të marrë vendime që
janë të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të vendit n ë bazë të kartonëve që
zotëronte në parlament dhe duke anashkaluar konsultimin me grupet e interesit
që është një detaj të rëndësishëm të demokracisë së drejtë për së drejtë.
Mirëpo
kjo amulli në vendimmarrje nuk ishte prezent vetëm në privatizimet dhe dhënien
me koncesion të sektorëve jetikë të ekonomisë por dhe në hartimin e politikave
që lidhen drejtë për së drejtë me këta sektorë strategjikë. Një i tillë p.sh është
shpallur turizmi në Shqipëri,përcaktim që u bë nga ekspertët e ekonomisë
shqiptare sidomos pas krizës
ndërkombëtare që pushtoi botën dhe që natyrisht nuk la pa prekur dhe
Shqipërinë. Ky realitet u reflektua në rënien e kërkesës për apartamente banimi
dhe rrjedhimisht ndërtimi si sektori më i rëndësishëm në ekonominë shqiptare u
zhvendos në vend të dytë duke ia lënë vendin turizmit. Duke u shpallur si
sektor strategjik i ekonomisë së vendit, logjika e kërkonte që të kishte një
vëmendje të veçantë në fillim të hapjes së sezonit turistik si dhe në
infrastrukturën e shërbimeve të ndryshme.
Për
fat të keq qeveria në ikje që nga data 23 qershor vazhdon ende të jetë e përfshirë në një debat
se a meritonte të humbte zgjedhjet apo jo dhe me anateminin e qeverisë së re që
ende ska nisur punën. Por nëse qeveria shqiptare vazhdon të jetë ende e kapluar
mes dilemave të veta të kuptimit të qartë të mesazhit politik që dha populli me
votën e tij masive apo planeve konspiracioniste botërore që deshën rrëzimin e
saj, ekonomistët kanë filluar të numërojnë një nga një pasojat e kësaj situate
politike dhe sidomos këto në fushën e turizmit. Sot , Shqipëria në kundërshtim
me çka të bie rasti të dëgjosh shpesh herë në stacione televizive , për fat të
keq nuk është një destinacion i mirëfilltë turistik si janë vendet tona fqinje,
por pjesë e paketave turistike 1-2 ditore që afrojnë kompanitë turistike të
këtyre vendeve. Është e pafalshme , që një vend me bukuri natyrore të radhë, i
vendosur në zemër të Mesdheut, pas 20 vjetësh reformash dhe zbatimi të
ekonomisë së tregut të mos jetë në gjendje që të shndërrohet në një destinacion
të mirëfilltë dhe konkurrues turistik në rajon. Për ironi të fatit në qytetet
bregdetare të Shqipërisë , Durrës dhe Vlorë, si dhe në Shkodër dhe Tiranë
ekzistojnë katedra të studimeve universitare për Turizmin, katedra që kanë
mbetur më tepër në nivelin e përfitimit të një diplome universitare për
studentët sesa kanë qenë në gjendje të ndërtojnë politika të mirëfillta në këtë
sektor. Në të kundërt janë vërejtur shoqata me ekspertë lokalë që turizmin e
kanë hobi por jo profesion, që nëpërmjet një aksesi mediatik dhe disa
partnerëve ndërkombëtarë të prodhojnë strategji që i shesin sa “frëngu pulën”
por që sërish mbeten në nivelin e konstatimeve dhe jo të zgjidhjeve. Shumë kush
duke parë këtë gjendje që prezantohet sot në turizmin shqiptar mund të përpiqet
që t’ia faturojë një qeverie të vetme apo disa aktorëve lokalë, kurse një
vëzhgim më i përqendruar nxjerr në dritë një problematikë të mbartur në radhë të
parë në mentalitetin rreth turizmit sesa në politikat e ndjekura.
Qeveria
dhe pushtetet lokale duhet të pushojnë së menduari se në ndërtimin e
infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës-kanalizimeve mbaron përgjegjësia e tyre
rreth turizmit, pasi ashtu si dëshmon eksperienca e vendeve fqinj një rol të
rëndësishëm luan dhe infrastruktura njerëzore në këtë sektor të rëndësishëm të
shërbimeve. Trajnimi, publiciteti, informacioni ,mirëmbajta e plazheve dhe
ruajtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore janë elementë të rëndësishëm të
një strategjie të mirëfilltë që duhet
hartuar për ti dhënë cilësi turizmit shqiptar. Zhvillimet më të fundit në
rajon, me trazirat politike shoqërore në Afrikën Veriore si dhe kriza greke
duhet të jenë rasti i artë për të prezantuar një politikë më konkurruese dhe më
agresive në rajon. Nëse Shqipëria në vitet 90’ “prodhonte” anije të mbushura
plot me refugjatë që iknin në Evropë port një jetë më të mirë, ka ardhur koha
që këto anije të vinë të mbushura plot me turistë drejt brigjeve shqiptare pasi
ky vend e meriton përsa i përket bukurisë që mund të afrojë. Problemi, këtë
sezon turistik ashtu si dhe më të mëparshmit qëndron në pyetjen që i referohet
politikës dhe jo vullnetit të popullit shqiptar, a mundet ajo që ta realizojë
këtë synim? Kjo qeveri edhe kësaj radhe dështoi në këtë sektor dhe në fakt , ky
aspekt mbetet një nga sfidat më të mëdha të politikës dhe politikave që qeveria
e re do hartojë për zhvillimin strategjik të vendit.
No comments:
Post a Comment