Krimi
ka goditur gjithandej në sërish në Shqipëri, në mes të lagjeve apo dhe plazheve të mbipopulluar në
këtë sezon vere duke tronditur të gjithë vendin. Humbja e çdo jete njerëzore është e dhimbshme dhe
sigurisht kur ndodhemi para një fakti të tillë nuk mund të rrimë indiferent,
por akoma më tepër trishtohemi kur vrasjet që ndodhin para syve tanë janë të
tipit mafioz dhe të mirëorganizuara pasi kështu kuptojmë që siguria e jetës
sonë është në rrezik dhe nuk kemi shumë garanci për të pasur një jetë sa më të
qetë.
Sigurisht që krimi është një pjesë e pandarë e urbanizmit dhe vendi ynë s
është as i pari as fundit ku ndodhin ngjarje të tilla por rritja e intesitetit
të tij dhe rastet e përsëritura, përbëjnë një problem të veçantë që duhet
trajtuar me seriozitet nga qytetarët dhe organet e përfaqësimit të tyre. Nga
pamjet që u afruan nga kronikat televizive u vërejt se përveçse peisazhit të
dekompozuar urban në disa raste por edhe në pamjet gjithë dritë nga bregdeti,
ndihej dhe frika dhe ankhi në intervistat e banorëve për të sotmen dhe për të
ardhmen. Nuk ka gjë më të keqe se kur
ndjenja e frikës fillon dhe bëhet mbizotëruese në shoqëri pasi në këtë
mënyrë ajo fillon dhe paralizon gjithë jetën sociale dhe jetën e biznesit në
vend. Nuk mund të imagjinohet që në situata të tilla stresuese të ushtrohet
lirisht sipërmarrja private dhe akoma më tepër dhe të kërkohet që të
investohet.
Bota
e biznesit si një botë promotore e zhvillimit ekonomik të një vendi, mund të
marrë parasysh rreziqet dhe risqet për të investuar në sektorë të rinj por nuk
mund të kuptojë dhe ti nënshtrohet rreziqeve që vijnë nga krimi i organizuar.
Për ketë arsye kërkohet jo vetëm një reagim para kamerave televizive nga gjithë
qytetarët e Shqipërisë, por edhe një organizim më i denjë si qytetarë për tu
përballur me këto situata të reja që po trokasin në dyert e qyteteve tona të
mëdha si pasojë e urbanizimit të shpejtë, rritjes së papunësisë dhe varfërisë.
Mirëpo, në fakt është për të ardhur keq pasi shumica e qytetarëve tanë nuk i
njohin dhe nuk i ushtrojnë asapak format e bashkimit dhe protestës qytetare ,
ashtu si qytetarët perëndimorë sa herë që ndodhin krime të rënda e makabre
dalin vetvetiu të organizuar në sheshe dhe marshime kundër dhunës për të
dëshmuar që nuk pajtohen me situatën dhe duke detyruar shtetin që të marrë masa
të menjëhershme. Ishte një skenë shumë e trishtueshme dhe për fat të keq
vazhdon të mbetet, se reagimet qytetare u kufizuan vetëm para disa kamerave
duke dhënë përshtypjen që më tepër ishin reagime sporadike sesa reagime të një
zëri të fuqishëm qytetar. Për më tepër , ky reagim ishte vetëm brenda kufinjve të vendeve ku
kanë ndodhur krimet, në vend që të ishte një reagim uragan qytetar i gjithë
vendit. Ky pasivitet i qytetit, si forma më e lartë e organizimit të shoqërisë
sonë, për të shprehur opinionin e tij dhe për të imponuar një reagim të
fuqishëm që do ta paralizonte krimin, është një pasivitet që lë shumë për të
dëshiruar. Ai është një shprehje e hapur e krizës sociale që po kalon qyteti,
një krize që reflektohet jo vetëm në mungesat kryesore se çfarë duhet të ketë
prioritare një qytetet tona të mëdha, por edhe në kohezionin e munguar social
të vetë qytetarëve. Në gjithë këto vite demokracie është e vërtetë që ka pasur
lëvizje të ndryshme demografike, ku qytetet janë zbrasur në vitet e eksodit dhe
të emigrimit, janë mbushur sërish me të
kthyer rishtazi disa prej krizës ekonomike që ka kapluar Evropën, dhe rimbushur me qytetarë të rinj nga veriu
dhe jugu, të cilët kanë sjellë me vete përveçse energjitë për të ndërtuar dhe
përmirësuar jetesën e tyre dhe ndjenjat inferiore të solidaritetit krahinor dhe
individualizmit. Tashmë është e nevojshme që këto ndjenja inferiore të lihen
pas, dhe të fillojë ngjizja e tharmit qytetar. Sigurisht që kjo ngjizje është
një sfidë e madhe por duke pasur parasysh se të gjithë jemi të interesuar për
mirëqenie dhe siguri, asgjë nuk është
e pamundur nëse dëshirojmë të gjithë që
të ballafaqohemi me të shkuarën dhe të ardhmen, ku padyshim reagimi qytetar dhe
ai i opinionit publik shërben si “qen roje” për të siguruar qetësinë publike
dhe luftën kundër kriminalitetit.
Revista
Fenix 3.08.2013
No comments:
Post a Comment