Sunday, 9 December 2012

Refleksione pas festimeve të Pavarësisë




Vlerat që ka krijuar populli dhe kombi shqiptar janë më të shumta sesa antivlerat dhe nëmat që mund të kemi shkaktuar në histori. Zhvillimi ynë social psikik përbën me të vërtetë një rast studimi, ndaj të cilët shumë të huaj jo vetëm dashamirës por dhe studiues seriozë kanë reaguar pozitivisht. Evidentimi i tyre mbetet një obligim moral i intelektualëve dhe diasporës shqiptare. Intelektualët shqiptarë dhe në veçanti njerëzit e letrave vazhdojnë të mbeten njerëz “modestë” pasi në kushte të vështira dhe shpesh herë me punë intelektuale të papaguar vazhdojnë të shkruajnë dhe të përpiqen për të shpërndarë mjegullnajën mosbesuese që “ky vend( Shqipëria) nuk bëhet”. Ç mund të thuash për elitën e biznesit shqiptar që e gjen shumë më të lehtë të shpenzojë shuma marramendëse në sponsorizimin e spektakleve të bukurisë dhe modës dhe nuk jep asnjë “kacidhe” për veprën akoma të pabotuar të Çabejit, Budës , Buharasë etj korifenjve të kulturës shpirtërore të botës shqiptare. 
Para disa kohësh u botua vepra e plotë e Dr Vasfi Saminit, jo pak por plot 28 vëllime-e gjitha me kontributin financiar të familjes së vet pasi kjo klasë elitare që mund të perifrazohet shumë mirë nëpërmjet vargjeve të poetit Ali Asllani “të pa ngrënë u gjeti dreka, milionerë u gjeti darka” as që i shkon në mendje që ekzistojnë figura të tilla që lartësojnë kombin dhe popullin shqiptar.Gjithsesi “asnjë gjë nuk mund të na ligështojë dhe të na rrënojë” shkruante në “Mallkimin e Shkronjave Shqipe”- Petro Nini Luarasi për të vazhduar më tej me fjalët lapidar “edhe 99 herë të rrëzohemi prapë duhet të ngrihemi”-fjalë të cilat besoj duhet të karakterizojnë çdo epokë shqiptare edhe pse shpesh herë “helmi” që pse kjo Shqipëri e cila rrëzohej në kohën e Petro Ninit, akoma nuk është ngritur në këmbë për të evidentuar vlerat e veta , na ligështon.



No comments: