“Një komb, një kombëtare” është një devizë që dëgjohet
gjithandej nëpër stadiumet shqiptare sa herë që luan kombëtarja shqiptare nga
tifozët e shumtë shqiptarë të ardhur aty, nga të gjitha trojet etnike. Shumë
analistë nga mediet fqinje e kanë gjetur këtë devizë si shoviniste por në fakt në
të s’ka aspak një ndjejnë të tillë, por më tepër shpreh dëshirat e ndryllura të
shqiptarëve në rajon nën pothuajse një shekull represion dhe mohimi të së
drejtave të tyre kombëtare. Si e tillë ,
ajo ka si filozofi bazë bashkimin e shqiptarëve kudo që janë pa fyer ndokënd e
aq më tepër pa kërcënuar njeri, por duke zbatuar në vetvete një mentalitet
evropian si është pikë së pari integrimi mes vedi dhe më vonë me popullsitë e
tjera në rajon. Në këtë 100 vjetor të pavarësisë në fakt gjithandej nëpër
trojet shqiptare po diskutohet shumë për bashkim kombëtar, për figura të
rëndësishme historike që kanë kontribuar për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve
apo për strategjitë që duhet të ndjekin popullsitë shqiptare në rajon për tu
intreguar më mirë mes tyre. Gjithçka tingëllon shumë mirë dhe krijon premisa të
mira për të pasur një frymë bashkëpunimi mes gjithë shqiptarëve por papritur
vjen politika zyrtare e Shqipërisë politike apo “dheut amë” si quhet në
diasporë dhe krijon një tension të panevojshëm mes shqiptarëve.
Arsyeja si zakonisht është tepër banale,një arsye që
gjejnë gjen gjithmonë klasa jonë politike për të krijuar fortunë në një gotë
uji. Axhenda e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë duhet të ishte një
axhendë bashkimi dhe jo të bëhej shkas për një konlikt të ri mes të majtës dhe
të djathtës në Shqipëri. Si e tillë ajo duhej të përfaqësonte të gjithë
vullnetin politik dhe dashamirës të të dy palëve për t’i dhuruar vendit , një
festim dinjitoz dhe jo një panair kotësish ku secila palë të shesë patrotizmin
e vet. Shqiptarët nuk kanë nevojë në shekullin e XXI të dëgjojnë të njëjtat
avaze si shumë dekada më parë ku klasa e tyre politike nuk gjente një të mesme
të artë për tu bashkuar por punonte me mëndje të vet secili “për Shqipëri” dhe atdheu zhytej në anarki
dhe ngecje në vend. Sot ne jemi një vend anëtar i NATOS, vend kandidat për
Bashkimin Evropian, organizma që si pjesë kryesore të kulturës së tyre politike
kanë dialogun dhe konsesusin ndaj nëse klasa jonë politike ka përgjegjësinë e
duhur për ta quajtur veten si një klasë drejtuese e këtyre përmasave, duhet të
gjejë sa më shpejt një marrëveshje për të mos lejuar këtë turp kombëtar, të
festimit të festës më të madhe të shqiptarëve me dy axhenda të veçanta dhe në
dy qytete të ndryshëm.
Në datën 5 nëntor të vitit të largët 1912, plaku i urtë
Ismail Qemali pas takimit me Koloninë shqiptare të Bukureshtit nisi rrugëtimin
e tij drejt Vienës për të marrë garancitë politike , e më vonë drejt Triestes
për të lundruar drejt Shqipërisë ku do të realizonte aksionin më të shkëlqyer
diplomatik të jetës së vet, pavarësinë e Shqipërisë. Rrugëtimi i tij drejt
Vlorës, vendit ku do të mblidhej Kuvendi Kombëtar për të shpallur pavarësinë e
vendit do të shoqërohej nga ngritja e flamujve në të gjithë qytetet kryesore të
vendit si një flakë olimpike që paralajmëronte lirinë. Në Durrës, në Tiranë,
Elbasan e Lushnjë kudo që shkonte e kalonte karvani i pavarësisë dhe vendi
kërcënohej nga pushtimi i fqinjëve ballkanikë, shqiptarët nxitonin të shprehnin
vullnetin e tyre politik pa pyetur shumë për protagonizëm politik apo pa u
pushtuar nga ndjenja për të qenë nga pak Skënderbe brenda tyre. Si rezultat
edhe pse e copëtuar , Shqipëria nuk humbi në detin e hordhive të vendeve fqinjë
por u bë shtet më vete duke krijuar premisat që të shërbente si një vend i
shenjtë për gjithë shqiptarët në rajon. Mësimi nga kjo e vërtetë politike duhet
të mbizotërojë në dialogun e sotëm mes partive dhe udhëheqësve politikë kur
deklarohen dhe vendosin të veprojnë për të festuar 100 vjetorin dhe jo një
mentalitet përçarës i pa shoq në Ballkan. Etërit e pavarësisë shqiptare të
gjithë ata burra të urtë që nënshkruan aktin e pavarësisë atje lart ku janë, në
parajsë si e besojmë të gjithë që janë, me siguri janë duke vështruar poshtë
duke pyetur se çfarë pasardhës kanë lënë pas: ëngjëj apo djaj? Le ti bëjmë të
ndihen mirë qoftë dhe njëherë në festën e tyre dhe në festën e tyre duke qenë
të bashkuar në festime si dikur në Kuvendin e madh Kombëtar më 28 nëntor 1912.
Gazeta Shqip 23.11.2012
No comments:
Post a Comment