Tuesday, 6 November 2012

Profesor Stavro Skendi




Stavro Skendi lindi më 20 Gusht 1906 në Korçë. Ai kreu shkollën fillore dhe atë të mesme në qytetin e lindjes. Profesor Skendi ishte një nxënës i shquar dhe gëzonte reputacion si një i ri inteligjent, patriot dhe i nderuar. Pasi kreu studimet në Liceun e Korçës, atij i dhanë një bursë studimi për Robert College, një insitut me financime amerikane në Stamboll. Profesor Skendi u diplomua nga Robert College në 1928. Ai u kthye në Shqipëri, ku së pari punoi në Institutit Tregtar në Vlorë dhe më pas në Liceun e Korçës. Në 1930 ai fitoi një bursë shteti e cila i mundësoi studimet në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit të Gjenevës, ku në 1932 ai mori një çertifikatë të studimeve të avancuara.
Ndryshe nga bashkëkohësit e tij të cilët pasi të kryenin studimet, preferonin të qëndronin jashtë, profesor Skendi u kthye në Shqipëri ku rifilloi të jepte mësim në liceun e Korçës. Ai besonte plotësisht se përgatitja e një grupi të edukuar të rinjsh shqiptarë ishte thelbësore për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit. Brenda kontekstit politik të viteve 1930-t, ai mund të karakterizohet më shumë si përkrahës i reformës evolucionare sesa i asaj revolucionare. Gjatë kësaj kohe profesor Skendi qe i shqetësuar për rritjen e ndikimit të Italisë në Shqipëri.
Ndonëse merrte pjesë në një sërë diskutimesh kafenesh për politikën dhe kulturën shqiptare, profesor Skendi ia kushtoi një pjesë të mirë të kohës së tij përkujdesjes për zgjerimin e horizontit intelektual të studentëve të tij jashtë orës së mësimit. Ai gjithashtu lexonte mjaft libra në fusha të tilla si historia, letërsia, filozofia dhe shkencat sociale. Veç kësaj, ai nisi të zgjeronte njohuritë mbi gjuhët e huaja. Ata të cilët kishin fatin e mirë të ishin studentë të profesor Skendit gjatë viteve 1930-t, e admirojnë atë si mësues, njeri dhe patriot.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në vitin 1939, Stavro Skendi u bashkua me lëvizjen kundër regjimit të ri fashist. Bashkë me patriotë të tjerë, ai internohet në kampin e ishullit Ventontene, ku mbeti deri në vitin 1941. Pas kthimit në Shqipëri, profesor Skendi lidhet me lëvizjen e rezistencës të Ballit Kombëtar. Në vitin 1943, siç më ka treguar, ai u largua nga vendi në mënyrë që "t'iu jepja autoriteteve britanike dhe amerikane një vlerësim realist të situatës politike dhe ushtarake në Shqipëri". Ai shkoi në Stamboll ku qëndroi deri në vitin 1947.Në vitin 1947 profesor Skendi mbërriti në Shtetet e Bashkuara. Ai konkuroi me sukses për një bursë nga American Council of Learned Societies, në sajë të së cilës pati mundësi të niste studimet për doktoraturën në Universitetin e Kolumbias, ku u diplomua në vitin 1951. Gjatë kohës kur ndiqte studimet pasuniversitare, për një kohë të shkurtër profesor Skendi është aktiv në lëvizjen anti-komuniste të emigracionit në SHBA, por shpejt ai e distancon veten nga këto veprimtari, që të mos vinte në rrezik integritetin e tij shkencor.

Në vitin 1950, ndërsa ishte duke përfunduar tezën e doktoraturës, profesor Skendi u caktua bashkëpunëtor i kërkimeve në Mid-European Studies Center në Nju Jork. Kjo organizatë financohej nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe kishte për detyrë të përgatiste studime dhe analiza shkencore për zhvillimet në regjimet komuniste të Evropës Lindore. Profesor Skendi i ruajti lidhjet me këtë Qendër deri në vitin 1955. Gjatë kësaj periudhe ai ishte editor dhe autori kryesor i librit "Albania", i cili u botua në vitin 1956 nga Praeger Publishers, si pjesë e serisë "Europa Qëndrore e Lindore nën komunistët". Nga mesi i viteve 1950-t, kjo vepër mbahet si një ndër veprat më të rëndësishme të referencës, duke shërbyer si pikënisje për studimet lidhur me Shqipërinë. Lidhja e profesor Skendit me këtë projekt shërbeu për krijimin e famës së tij si eksperti kryesor për çështjet shqiptare në SHBA.Karriera akademike e profesor Skendit në Shtetet e Bashkuara filloi me emërimin e tij si pedagog i jashtëm i gjuhëve ballkanike në Universitetin e Kolumbias, në vitin 1954. Në vitin 1957, ai emërohet Asistent - Profesor i Gjuhëve dhe Kulturës Ballkanike. Ai ngrihet deri në nivelin e profesorit dhe vazhdoi të jepte mësim deri në vitin 1972, kur mori titullin Professor Emeritus. Gjatë qëndrimit të tij në Kolumbia, Profesor Skendi bashkëpunonte dhe me East Central European Institute.

Megjithëse ishte një mësues i ndërgjegjshëm dhe i dedikuar, në radhë të parë profesor Skendi njihet për kontributet e shquara studimore që ai ka dhënë për Albanologjinë. Përveç veprës "Shqipëria", ndër librat e tij përfshihen "Poezia epike orale shqiptare dhe ajo e sllavëve të jugut", e botuar për herë të parë në vitin 1954, ribotuar në vitin 1969. Kjo vepër është padyshim një kontribut i rëndësishëm në fushën e studimeve shqiptare, ashtu dhe në atë të folklorit të krahasuar. Kryevepra e Profesor Skendit është, padyshim, monografia mbresëlënëse dhe e hulumtuar me kujdes, "Zgjimi Kombëtar Shqiptar, në vitet 1878-1912", i publikuar nga Princeton University Press, në vitin 1967. Nuk është e ekzagjeruar të pohosh se ky libër paraqet një nga kontributet më të rëndësishëm për historiografinë shqiptare në gjuhën angleze. Në vitin 1980 një përmbledhje e 15 artikujve të shkruara nga Profesor Skendi, u publikuan me titullin, "Studimet kulturore të Ballkanit". Artikujt pasqyrojnë kërkimet e profesor Skendit në studimin e gjuhës, folklorit dhe historisë.Artikuj të shumtë të Profesor Skendit janë botuar në disa nga gazetat shkencore më prestigjoze në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, siç janë: as The American Historical Review, Foreign Affairs, Political Science Quarterly, American Slavic and East European Review, Journal of Central European Affairs, and Sudost-Forschungen . Ato trajtojnë tema të ndryshme dhe të rëndësishme, si Rilindja Kombëtare Shqiptare, gjuha dhe letërsia shqiptare, feja në Shqipëri dhe në Ballkan, çështja e Epirit të Veriut, si dhe zhvillimet në Shqipëri që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.Kur i hedh një sy punës intelektuale të bërë nga profesor Skendit gjatë karrierës së tij, kushdo do të impresionohej nga gjerësia e saj. Kontributet e tij për Albanologjinë kanë karakter multidisplinor. Ato përfshijnë fusha të tilla si historia, gjuhësia, letërsia, feja, shkencat politike dhe kultura. Veç kësaj, ndonëse studimet e profesor Skendit ishin të fokusuara tek Shqipëria, ai megjithatë ishte i vetëdijshëm dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të ndërsjellta të kombeve dhe popujve të Ballkanit lidhur me jetën, kulturën dhe historinë e tyre përkatëse.Po kaq mbresëlënëse është cilësia e punës së profesor Skendit. Librat, artikujt dhe shkrimet e tij shkencore mbështeteshin gjithmonë në një punë kërkimore, të arsyetuar dhe shkruar mirë. Studimet e tij i favorizonte dhe aftësia e tij për të përdorur burime nga një spektër i gjerë gjuhësh. Përveç njohjes së shqipes, anglishtes, frengjishtes, gjermanishtes dhe italishtes, profesor Skendi përvetësoi dhe gjuhët sllave, greqishten dhe turqishten. Në të gjitha shkrimet e tij profesor Skendi përpiqet të paraqesë një shumëllojshmëri perspektivash, ndërsa rendit provat e duhura në përkrahje të përfundimeve dhe interpretimeve të tij.Duke përmbledhur kontributin e profesor Skendit në studimet Albanologjike, mund të thuhet se me përpjekjet e tij ai hodhi themele të fortë për studimet Albanologjike në Shtetet e Bashkuara. Puna e tij hapi rrugë të reja për Albanologjinë dhe ka shërbyer si bazë mbi të cilën të tjerët mund të ndërtojnë. Të gjithë ne që kemi punuar në fushën e studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara, si dhe kolegët tanë të specializuar në degë të ndryshme të Ballkanologjisë, e njihnim Stavro Skendin si "dekanin e studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara".Profesor Skendi vazhdoi të ishte i interesuar në studimet shkencore dhe pasi doli në pension. Në tetor të vitit 1980, një grup shokësh dhe kolegësh të Stavros organizuan një pritje për nder të tij në Nju Jork. Gjatë viteve 1980-t, ndërsa shëndeti i tij po binte, gradualisht profesor Skendi nisi ta pakësonte jetën e tij publike, por vazhdoi të zgjeronte njohuritë e tij nëpërmjet leximit dhe refleksionit. Ai priste me padurim kohën kur ai dhe gruaja e tij e devotshme Daisy të kalonin në Southampton në Long Island.

Në 17 gusht 1989, profesor Skendi vdiq në Southampton nga sëmundja e Parkinsonit. Shërbimet funerale u zhvilluan në New York City.Profesor Skendi kaloi një jetë të gjatë dhe produktive. Jeta e tij përfshinte tetë dekadat e para të historisë së Shqipërisë nga shpallja e pavarësisë së kombit deri në krijimin e regjimit komunist. Profesor Skendi e shihte imponimin e diktaturës komuniste ndaj popullit shqiptar si një tragjedi kombëtare. Ai ishte i shokuar nga dhuna dhe terrori i përdorur nga udhëheqësit komunist për të ruajtur pushtetin e tyre. Dhe, ai ndjente keqardhje lidhur me kufizimet e vendosura ndaj shkrimtarëve, artistëve dhe intelektualëve të vendit. Si rrjedhojë e kontrolleve të rrepta ideologjike dhe politike të vendosura në jetën kulturore e intelektuale në Shqipëri, si dhe të armiqësisë personale që Enver Hoxha ushqente ndaj Profesor Skendit, si figura ashtu dhe vepra e profesor Skendit u denigruan vazhdimisht gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.Megjithatë, deri sa vdiq, Profesor Skendi ushqente shpresën se Shqipëria do të braktiste linjën e doktrinës komuniste, që e kishte ndjekur që nga fundi i viteve 1940 dhe do të përqafonte reformat që po hidhnin rrënjë në shumicën e vendeve komuniste të Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik. Me siguri po të ishte gjallë, ai do të ishte gëzuar me vendosjen e pluralizmit politik dhe lirisë kulturore në Shqipëri, për të cilat ai kishte aq shumë kohë që përpiqej.


Profesor Nicholas Panos




No comments: