Friday, 28 December 2012

Nën hijen e Kullës Ejfel




Në humorin politik për të krahasuar kombet ka shumë kohë që ekziston një shprehje se ç’bëjnë tre veta kur mblidhen bashkë. Në këtë kuptim, pyetjes se ç’bëjnë tre hebrenj kur mblidhen bashkë, përgjigjja është një bankë, tre italianë kur mblidhen bashkë, përgjigjja është një operë, tre francezë kur mblidhen bashkë, përgjigjja është një revolucion etj. Për shqiptarët, meqë është vështirë që ti bësh bashkë, nuk ekziston një përgjigje e saktë. Ka njerëz vetëfshikullues si Konica e shkolla e tij në publicistikën shqiptare që do të përgjigjeshin se nuk mblidhen asnjëherë bashkë, por meqenëse tashmë e kemi kaluar pragun e vështirë të adoleshencës shtetërore të fillimit të shekullit XX kur jetonte dhe vepronte Konica për t’i shpëtuar dhe sikletit që të zbulojmë se për çfarë gjëje duhet të jemi krenarë, pyetja mund të kthehet se ç’mund t’i bëjmë ne një nga mrekullive të botës moderne nëse na jepet mundësia ta menaxhojmë. Për këtë arsye postova në rrjetin social “Facebook” një pyetje se “çfarë mund t’i bëjnë kullës Eifel tre shqiptarë”? Përgjigjet dhe komentet ishin nga më të ndryshmet, por unë do të veçoja tre nga më pikantet. I pari ishte se “mund të betononin çdo vrimë të saj”, i dyti se pas “privatizimit do ta shisnin për skrap” dhe një i tretë që komentoi se “arkitektin do e bënin shqiptar” dhe se do e përdornin si adresë për t’u mburrur, si p.sh.: “Në Paris e kisha shtëpinë, direkt mbas Eifelit!” Ajo që nuk më çuditi ishte ideja se përtej humorit të zakonshëm që na bashkoi të gjithëve në përgjigjen e një pyetje në rrjetin social, pashë një sens që të gjithë në përgjithësi u përgjigjën me tre gjëra që na shqetësojnë të gjithëve.
Së pari, betonizimi i qyteteve tona që vetëm njerëz naivë mund të vazhdojnë ta marrin sikur është zhvillim dhe të mos shikojnë që interesat financiare, ekonomike të një grushti njerëzish po thajnë ajrin, ujin e gjelbërimin për të përfituar. Ibseni në dramën e vet “Armiku i Popullit” nuk kërkonte as më shumë as më pak kurajë civile dhe qytetare të individit për t’u përballur me të keqen, në Shqipëri ka ndodhur krejt e kundërta, jemi pajtuar me të keqen dhe vetëm kërkojmë që të kapërcejmë dhe ne gardhin e së keqes për të hyrë në klubin e mëkatarëve që kanë në dorë burimet financiare të vendit. Së dyti, shkatërrimi i djersës dhe mundit të dy gjeneratave dhe shitja e gjithë infrastrukturës që ndërtoi socializmi për skrap duke mos ndjekur asnjë parim të barazisë sociale ku një pronë e përbashkët duhet të ndahet në mënyrë të barabartë, nuk mund të quhet tjetër veçse vjedhje dhe përvetësim në qiell të hapur, të cilën nuk kemi as fuqinë më të vogël për ta kundërshtuar. Plaçkitja dhe dyndja e barbarëve vazhdon ende duke shkalafitur e zhgrapur edhe ngrehinat më të vogla dhe më të parëndësishme të vendit. Së treti, por jo e fundit nga rëndësia, ishin tiparet e kapadaillëkut tonë provincial bazuar në moralin se po gënjej më shumë që tjetri të ngordhë nga zilia. Krenaria boshe që na pushton herë pas here na bën krejt qesharakë në sy të kombeve të tjerë me maninë për të nxjerrë çdo gjë dhe çdo personalitet me origjinë shqiptare, aq sa harrojmë problemet e përditshme me të cilat rrojmë.
“Guxo të jesh i ditur”, thotë Horaci në një nga epistolarët e tij dhe për fat të keq, kur kthejmë kokën mbrapa, ne shqiptarët shikojmë që më shumë kemi guxuar për të qenë të çartur sesa të ditur, ndaj nuk është e çuditshme që kohën e kemi matur dhe jetuar përmes thepit të pushkës dhe frëngjive të ngushta të kullave tona. Kur të fillojmë të guxojmë për të qenë të ditur, ndoshta atëherë do të jemi në gjendje që t’i japim dhe përgjigje pyetjes se çfarë bëjnë tre shqiptarë kur bëhen bashkë. A e kemi pyetur veten ndonjëherë se për çfarë jemi të shquar? Pse jemi të detyruar të ndjekim modele dhe shpikje të të tjerëve dhe s’kemi provuar asnjëherë ne një të tillë vetë. Dilemat si duken janë të shumta, por dhe realiteti ynë i vërtetë është i trishtë. Gjithsesi në këtë botë konsumi gjithkush mund ta gjejë veten të veshur me kostumin e tjetrit, por para se të shkojë ta përshtatë te rrobaqepësi i duhet të dijë mirë masat e veta. Njohje dhe reflektim, jo qëndrim nën hijen e kullës Eifel me kokë lart dhe duke abstraktuar, por gjithsesi deri atëherë le të shijomë dhe ndjekim modelet e shpikjet e të tjerëve, me shpresën se ndoshta bëhemi më të ditur e rrjedhimisht më të lirë në zgjedhjet tona.
 Gazeta Shqip 10.01.2013


No comments: