Tuesday, 25 December 2012

Koka e Ali Pasha Tepelenës. Intervista ne Shqip


Studiuesit: Gjendet bashkë me kokat e djemve. Ali Pasha vjen sërish i përgjysmua

Oliverta Lila


Kërkesa e parashtruar nga Kryeministri ka ngjallur menjëherë reagime. Studiuesit Irakli Koçollari dhe Dorian Koçi nuk e shohin të pamundur, por theksojnë se edhe nëse ndodh, trupi mbetet në Greqi. Nga ana tjetër, Kalaja e Tepelenës është në gjendje të mjerueshme.

Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërshtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Berisha theksoi se duhet të sillet në Shqipëri koka e Ali Pashë Tepelenës, eshtrat e Sami dhe Mit’hat Frashërit, por edhe të gruas së Ismail Qemalit. Sipas tij, të gjitha këto duhet të përmbushen në tremujorin e parë të vitit 2013, para fushatës elektorale. Kryeministri kërkoi gjithashtu realizimin e muzeut të Spaçit, Obelisku i martirëve të fjalës së lirë, memorizimi i lëvizjes studentore të ‘90-s etj. Kërkesa për rikthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës ka shkaktuar menjëherë reagimin e Partisë Socialiste përmes deputetit Taulant Balla, i cili hodhi edhe njëherë akuza për pasurinë e fëmijëve të Kryeministrit dhe i kujtoi 1.3 miliardë dollarët të ikur nga Shqipëria. “Duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është një nga figurat dhe personalitetet me karakter dhe peshë më të veçantë. Në qoftë se marrim historinë tonë pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në banesën e harresës si komb. Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe dhe asaj bote, Napolon Bonaparti, do të tregonte interes shumë të madh për Pashain e Janinës, që në fakt filluan edhe ta shpallin si Bonaparti i Ballkanit. A do të varroset në Tepelenë apo në Muzeun Kombëtar, kjo do të jetë çështje diskutimi”, theksoi Berisha. Nga shumë vetë, kjo kërkesë është komentuar si shashkë për të fshehur të gjitha problemet e këtij fundviti. Ndërsa për studiuesit e figurës së tij, kjo nuk shihet si një gjë e pamundur. Irakli Koçollari, i cili i ka kushtuar 25 vite figurës së Ali Pashë Tepelenës, shprehet se e di që trupi i tij gjendet në Janinë, brenda kalasë së Ali Pashë Tepelenës, një vend i kthyer në pelegrinazh. Për sa i përket kokës, nuk kam informacione të sakta, sepse deri më sot nuk kam pasur interes. Trupat e gjeneral Hurshit Pashës e rrethuan që më 1821 deri më 1822. Dalja nga kështjella e Janinës u bë me idenë e një marrëveshjeje, pasi sulltani e vrau me të pabesë. Siç e kërkonin ritet e prerjes së kokave të atyre që shpalleshin të nëmur dhe emrat e tyre shënoheshin në ferman, thuhet se koka është futur në një kosh të mbushur me dëborë. Nga Gjirokastra deri në Stamboll, rruga bëhej për gjashtë ose shtatë ditë, duke u ndalur në stacione ku ndërroheshin kuajt derisa i është çuar sulltanit. Pasi e ka prerë ai e vendoi në një ambient publik në Stamboll për të dhënë një mësim ndaj atyre që ngrinin krye. Pasi e vendoste në një vend publik, bëhej pelegrinazh, ku shkonin edhe diplomatë të huaj që ishin të akredituar pranë Portës së Lartë”, shprehet Koçollari. Nga ana tjetër, studiuesi i historisë, Dorian Koçi, shprehet se vendi është identifikuar me kohë dhe sipas tij, nuk sheh pengesa të mëdha për sjelljen në Shqipëri përmes bisedimeve me qeverinë turke. “Një nga shokët e vjetër të Ali Pashës, i quajtur Dervish Sulejmani që i kishte shërbyer Ali Pashës si agjent besnik, pati një projekt më fisnik. Meqenëse ishte shfaqur mes tyre grindje mendimesh, Sulejmani ishte shtrënguar në teqe nga Ali Pasha dhe u bë dervish. Kur mori vesh vdekjen e mikut të tij të vjetër ndjeu hidhërim të madh dhe e bleu. Dha një çmim më të lartë nga ajo që ofronte tregtari. Më vonë Sulejmani mori kokat e tre bijve dhe nipit, të cilëve pas vdekjes së Ali Pashës, ua prenë kokat me pretekste të ndryshme, i vuri përballë portës së Silivrisë dhe u vuri nga një gur varri. Mbi gurët e varreve skaliti shënimet e mëposhtme: Këtu shtrihet koka e shumë të famshmit Ali Pashë Tepelena, qeveritar i Sanxhakut të Janinës, i cili gjatë 50 vjetëve u përpoq për indipendencën e Shqipërisë”, citon Koçi pjesë nga raporti që atasheu i Ambasadës së Anglisë në Stamboll, Robert Walsh, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Angleze. Sipas Koçit, po në atë vend, gjendem kokat e tre djemve të tij, Veliut, Myftarit, Saliut dhe nipit, Mehmet Pashës, i biri i Veliut. Të gjitha mbajnë datën shkurt 1822. Sipas Dorian Koçit, kjo portë ka qenë në hyrjen e Stambollit të vitit 1822. Sa vlerë do të kishte kthimi i kësaj kohe. Irakli Koçollari, thotë se nga shumë dokumente që ka zbuluar edhe kohët e fundit, e vlerëson Ali Pashë Tepelenën si i pari që luftoi për indipendencën e Shqipërisë. “Nga dokumentet që dalin nga arkivat angleze, informacione sekrete britanike për Ali Pashën dhe shqiptarët, shihet qartë që përpjekjet e tij ishin për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Porta e Lartë e ka ditur dhe ndaj nuk e toleroi. Historigrafia shqiptare nuk e ka zbardhur siç duhet këtë figurë dhe thuajse gjithmonë e kemi shkruar historinë sipas asaj që kanë lënë të shkruar të huajt. Prej tre vjetësh unë po punoj me 4700 dokumente që janë lënë nga administrata e Ali Pashës e që zbulohen pas 200 vjetësh. Unë personalisht e vlerësoj. Është njeriu i iniciativave të para të nacionalizmit shqiptar”, shprehet Koçollari. Nga ana tjetër, Dorian Koçi thekson se sërish, edhe në rastin e sjelljes së kokës, do të mbetet i gjymtuar, pasi trupi ndodhet në Janinë. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha përmendi Tepelenën si mundësinë e varrosjes, por në fakt të gjithë e dimë që kalaja e Ali Pashës në Tepelenë është në një gjendje të mjerueshme. Ka vite që nuk është vënë dorë. Ideja e vendosjes në Muzeun Kombëtar, duket se merr mjaftueshëm diskutim për kushtet klimatike në të cilat ndodhet.




No comments: