Një burrë plak pasi ka abuzuar për shumë kohë me një të
mitur, e vret dhe i pret kokën. Një burrë ndaj të cilit është lëshuar një
urdhër gjykate për tu qendruar larg gruas dhe fëmijëve të tij për shkak se
është i dhunshëm, vret me çekiç gruan e tij në sy të fëmijëve. Përpara tyre një
i dënuar që qendron në gjendje të lirë vret kryekomisarin e Shijakut e kështu
me radhë. Kjo është një pjesë nga kronika e zezë që vajtëm kohë që po lexojmë
dhe shikojmë përmes mediave dhe që natyrshëm bëjnë cilindo që të bëjë një
pyetje. Sa e sigurt është jeta jonë?
Kjo pyetje nuk
bëhet në funksion të ndonjë propagande apo retorike për të fajësuar njërën palë
apo për të nxirë realitetin por është pjesë përbërëse e realitetit që po jetojmë.
Shoqëritë në zhvillim dhe me vlera morale të përmbysura siështë kjo e jona, i
përjetojnë dhimbshëm tronditjet sociale dhe natyrisht që rezultatet shpesh herë
janë këto që na përplasen çdo ditë përmes ekraneve, por siguria e jetës dhe e
biznesit përbën një nga shtyllat e vlerave të shoqërisë që kaq shumë kemi
aspiruar për të bërë pjesë që nga viti 1991. Kështu, duam apo nuk duam gjendemi
përballë një paradoksi kulturor që nga njëra anë i kushton shumë më tepër
rëndësi materializmit dhe dëshirës për tu pasuruar sa më shpejt por nga ana
tjetër harron në vetvete njeriun dhe e lejon shpesh herë atë të shndrrohet në
kafshë pasi morali i tij është tronditur shumë dhe nuk mund të gjejë asnjë pikë
mbështetje ku të mbahet. Jemi duke përjetuar tre revolucione, ate seksual,
feminist, dhe te rinise se shpenguar! A e analizojmë ne anatominë
antropologjike të këtyre fenomeneve? Marrëdhenie komplet të reja janë ndërtuar
dhe barriera të vjetra janë shkatëruar, tabu të vjetra janë kapërcyer dhe
mentalitete të reja janë formësuar ndërsa ne të pambrojtur vazhdojmë që
instiktet e një kohe të shkuar të gjallojnë egër mes nesh. Është pikërisht kjo
përvojë negative që nuk ka legjislacion që ta ndalojë ndaj ndërhyrjet në
shoqëri duhet të jenë përpos atyre ligjore dhe kulturore sepse nuk besoj se
polici që është rrahur në fëmijeri të mos rrahë kur është në detyrë, ai që rreh
dhe dhunon gruan e tij të mos e quaj si gjë qe nuk prish punë në shoqëri! Jemi
jo ne fund apo ne mes te rruges apo jemi te hutuar ne udhekryq?
Këtë gjë nuk e dimë, por personalisht jam i
sigurtë se kësaj dileme mund ti japë zgjidhje përforcimi i shtetit ligjor
përmes përmirësimit të sistemit të drejtësisë, sfidës më të madhe të politikës
shqiptare. Para disa kohësh Kryeministri foli në mbledhje qeverie dhe kërkoi
një përmirësim në legjislacion për të vendosur si normë burgimin e përjetshëm
në raste të tilla, nismë që sigurisht duhet përshendetur por besoj se nuk është
e mjaftueshme. Sigurisht që shumë veta do nxitojnë të thonë se ç’tjetër gjë
mund të afrohet përderisa është e vërtetë që dikur filozofia e një fjale të
urtë “frika ruan vreshtin” ka pasur efekt. Mirëpo a mundet që parime të tilla
humane si kujdesi ndaj grave dhe fëmijëve apo kujdesi dhe siguria ndaj jetës së
qytetarit të administrohen si në mesjetë nga pushteti i frikës? Ligjet që kemi
janë shumë të mira, por zbatueshmëria e tyre vazhdon të mbetet ende problematike.
Vendi nuk ka nevojë për zgjedhjen e një emri të ri si Prokuror i Përgjithshëm
si dhe u zgjodh por për një moral të ri të përzgjedhjes së njerëzve që punojnë
në drejtësi. Sistemi bipartizan i përzgjedhjes së gjyqtarëve është një sistem i
kalbur që deri më tash ka prodhuar vemje të pushtetit sesa profesionistë të
vërtetë, ndaj në kuadër të reformimit të drejtësisë kjo përzgjedhje nuk duhet
të jetë më ekskluzivitet i politikës. Zgjedhja e tyre e drejtë për së drejti
nga komuniteti do të ishte një hap që do të përmirësonte shumë perfomancën e
tyre profesionale pasi sdo i ishin askujt borxh për të kthyer ndere. Përqasja
kulturore ndaj fenomeneve të tilla duhet të pushojë së qeni ekskluzivitet i
disa shoqatave që vetëm identifikojnë probleme në sallat luksoze të “Sheratonit”
në Tiranë dhe Hotel “Adriatikut” në Durrës por pjesë përbërëse e kulturës
shteformuese dhe asaj shkollore në mënyrë që të formësohet drejt individi që në
bangat e shkollës. Në zinxhirin e ngjarjeve që ndodhën në vitet 90’ në Evropën
Juglindore ishte e lehtë për të rrëzuar komunizmin por paska qenë shumë e
vështirë për të ndërtuar individin e përgjegjshëm që nuk e keqkupton lirinë e
demokracisë. Ky aspekt vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të
Shqipërisë që po tenton të bëhet evropiane. A do ia dalim dot vallë? Koha dhe
brezat që do vijnë do ta tregojnë por të paktën ne të sotmit duhet të zgjohemi
nga gjumi letargjik për të vepruar në mënyrë të tillë për të bërë të mundur që
ndërgjegjen tonë ta kemi të qetë se vërtetë u përpoqëm.
Gazeta Shqip 20.12.2012
1 comment:
"Sigurisht që shumë veta do nxitojnë të thonë se ç’tjetër gjë mund të afrohet përderisa është e vërtetë që dikur filozofia e një fjale të urtë “frika ruan vreshtin” ka pasur efekt"
- Nuk e di a mund te sillet nje perngjashmeri e tille, por ne Angli duan s'duan shoferet zbatojne ligjet e qarkullimit sepse gjobat per shkelje jane shume te larta. Dua te them qe edhe pse ndoshta kultura dhe formimi individual mund te mungoje tek shume emigrante nga vende me kulture me te prapambetur, ata behen shume shpejt pjese e 'uniformes' dhe eshte veshtire ti dallosh nga Anglezet.
Pra ne kete rast 'Frika ruan vreshtin' por ashtu sic e permend ne artikull, kur posti qe kane zene eshte nepermjet 'mikut' ajo vegel (frika) nuk ekziston, keshtu qe zgjedhja direkt nga komuniteti them se do kishte efekt shume pozitiv.
Post a Comment