Monday, 16 March 2020

Një përkujtimore për Faik Konicën.






Historia e kulturës shqiptare do të ishte e mangët pa personalitetin e Faik Konicës.  Personaliteti i tij kulturor është sa themelues po aq dhe kontributor në studimet shqiptare, në skicimin e imazhit të shqiptarëve në kulturën perëndimore apo dhe të imazhit të Tjetrit në kulturën shqiptare. Vërejtjet e tij të thukëta për karekterin shqiptar, konstantimet e tij gati proverbiale mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe raporteve që kanë shqiptarët me përparimin e prapambetjen apo dhe pasionet e verbërta politike që e radhitën disa herë pikërisht në kahun e kundërt për çka si rallëkush kish predikuar e bëjnë gjithmonë dhe më të vështirë skicimin e portretit të tij intelektual në hapësirat shqiptare.



Monday, 9 March 2020

Poeti orientalist beratas Sulejman Naibi




Përhapja e islamit në Shqipëri vazhdon të mbetet një nga problemet historike, sociale, e fetare që tërheq vëmendjen e studiuesve. Debatet akademike ndahen në parashtrimin e problemit, nëse ka qenë një konvertim vullnetar apo i imponuar nga osmanët. Në varësi të përgjigjes së kësaj pyetjeje janë ngritur dhe paradigmat e shtjellimit të këtij problemi. Mirëpo pavarësisht, shkollave të mendimit, interesave politikë dhe kulturorë, pak a shumë studiuesit seriozë bien dakort se mungesa e një autoriteti dhe etniteti kishtar apo shtetëror të pavarur dhe centralizues te arbërit, emigrimi gati biblik i pjesës më elitare të etnisë shqiptare pas pushtimit otoman në Itali dhe zotërimi i luginës së Shkumbinit dhe qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Janinës,Vlorës, Elbasanit, Krujës dhe Shkodrës nga osmanët me garnizone ushtarake përcaktuan edhe rrjedhojën e ngjarjeve përsa i përket orientimit fetar të popullsisë. Islamizimi i popullsisë në Shqipëri, kryesisht u zhvillua në zonat urbane. Garnizonet osmane, që u vendosën në kështjella ndërtonin edhe xhami për të ushtruar fenë e tyre, ndërtonin treg dhe së bashku me të qendra kulti, që përhapnin qytetërimin e tyre. Indiferenca dhe braktisja në fatin e vet, sidomos të Shqipërisë së brendshme, Elbasanit, Beratit e Gjirokastrës nga fuqitë perëndimore, Republika e Venedikut dhe Mbretëria e Napolit bëri të mundur që influenca e besimit islam dhe mundësitë, që jepte përqafimi këtij besimi për ruajtjen e pronës dhe privilegjeve si dhe mundësia për të bërë karrierë brenda Perandorisë Otomane të rritej dhe të bëhej një nga besimet fetare të ushtruar në Shqipëri. Ky proces u vërejt në fillimin e shekullit të XVI. Megjithëse ky konvertim nuk ishte masiv në fillim sipas një raporti që dokumenton vizitën e Marino Bizzi, Islam, ky numër do të rritet në mënyrë të ndjeshme në shekujt e XVII dhe XVIII. Në të njëjtën kohë siç dëshmon udhëtari osman Evlija Çelebi, në librin e vet “Udhëtimet” në 1660-1670, në pothuajse çdo qytet të madh shqiptar ishin ngritur krahas institucionevetë kultit edhe biblioteka dhe medrese,  në të cilat studionin gjuhën arabe, persishte dhe osmane si dhe mësim feje.


Thursday, 27 February 2020

Ngadhënjimi mbi harresën.




Një nga aktet më burracake dhe të frikshëm në të njëjten kohë i terrorit komunist përgjatë periudhës së diktaturës komuniste është pushkatimi i 22 intelektualëve në datën 26 shkurt të vitit 1951. Akti ishte i frikshëm sepse tregonte përmasat e terrorit politik se deri ku mund të shtrihej dhe burracak sepse në vetvete ishte një dëshmi e servilizmit politik ndaj një Fuqie të Madhe dhe frika se mos incidenti në amabasadën sovjetike sillte dhe rrëzimin nga pushteti të klikës që qeveriste vendin. Kjo frikë dhe servilizëm politik ishte pasqyruar  edhe në marrëdhëniet me jashtë që kishte zhvilluar qeveria komuniste e Enver e Hoxhës në vitin 1946-1951.


Thursday, 20 February 2020

Imazhi i figurës historike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Pashallëqet shqiptare (1784-1831)




Epoka protonacionaliste, që lindi gjatë Pashallëqeve Shqiptare, ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së këtyre pashallëqeve, të  cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar, u ndanë  në shqiptarë, grekë dhe sllavë. Me protonacionalizëm nënkuptojmë zhvillimin shtetformues, kulturor e identitar që u shfaq në Pashallëqet shqiptare nga elita drejtuese e tyre për krijimin e shteteve në formën e monarkive të trashëgueshme duke përfshirë jo vetëm popullsinë shqiptare në ta por dhe popullsi të tjera mbi të cilat ushtronin autoritetin administrativ.  Protonacionalizmi reflekton situatën e re sociale që krijohet me zëvendësimin e kategorive të vjetra shoqërore  me parime të reja organizimi shoqëror dhe daljen në pah të treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha, etnia dhe besimi fetar.[1]Natyrisht protonacionalizmi nuk mund të cilësohet si filozofi e qëndrueshme politike, pasi ai përfaqëson vetëm epoka të ndërmjetme shtetërore në kalimin nga mentaliteti mesjetar i ndërtimit të shtetit në atë të shtetit komb.


Wednesday, 5 February 2020

Ali Pasha Tepelena dhe diplomacia britanike. Dorëzimi i Pargës në 1819.


Kontakti i parë i Ali Pashës me britanikët daton në vitin 1803, kur ai iu drejtua ambasadorit britanik në Stamboll, Ëilliam Hamilton, me një letër ku i propozonte bashkëpunim të ngushtë kundër Francës, duke i prezantuar një listë ofertash dhe në të njëjtën kohë vendosjen e një konsullate të përheshme britanike në Janinë[1] Që nga ky moment do të fillonte një itensifikim i marrëdhënieve diplomatike midis dy palëve, ku anglezët do të ecnin me shumë kujdes pa u angazhuar drejtpërsëdrejti në premtime të mëdha, edhe pse ofertat e Ali Pashës ishin shumë bujare, duke përfshirë furnizimet me lëndë drusore, ujë, ushqime, bagëti, kuaj dhe përdorimin e porteve të tij në Adriatik për përdorim ushtarak dhe civil. Në momentet e para shqetësimi kryesor i anglezëve ishte ta përdornin Ali Pashën si mburojë ndaj penetrimit francez në Greqi pa reflektuar dhe dhënë një patronazh të veçantë mbi të. Të dyja palët do të ecnin me shumë kujdes në marrëdhëniet diplomatike midis tyre, derisa do të vinte Paqja e Tilsitit më 1807, ku anglezët do të ishin shumë më të interesuar për vazhdimësinë e Perandorisë Otomane dhe jo për disintregitetin e saj. Në bisedimet që do të zhvilloheshin midis Majorit Leak, përfaqësuesit special të qeverisë britanike në Janinë dhe Seyid Ahmet Efendiut, agjentit të akredituar në  Londër të Ali Pashë Tepelenës, pala angleze e shmangu diskutimin rreth pavarësisë së Ali Pashës, që ishte nënkuptuar në bisedimet e mëparshme. Në të kundërt, pas diskutimeve që ishin fokusuar mbi të ardhmen e Pargës dhe mbështetjes, që Ali Pasha do t’u jepte britanikëve, nga ana e këtyre të fundit iu afrua një skemë e një mbretërie të pavarur Greko-Shqiptare. Në këtë mënyrë Anglia e rriste misionin e Pashait, duke identifikuar Revolucionin Grek dhe përpjekjet e tij për pavarësi pothuajse identike. Duke u mbështetur në autoritetin e pashait Tepelenas  dhe organizmin e Pashallëkut, i cili gëzonte një lloj pavarësie de facto, do të ishte më pak e rrezikshme dhe e lodhshme për britanikët për të arritur pavarësinë e grekëve. Në një moment, që revolucioni do të ndodhte, do të ishte më pak e kushtueshme për ta rrëzuar këtë tiran shqiptar, sesa të përfshiheshin në aktivitete revolucionare, pa një mbështetje të fuqishme nga brenda sistemit otoman. Në përputhje më këtë lloj politike, britanikët shfaqën projektet e ashtuquajtura të tyre rreth Shqipërisë, Seid Ahmetit, duke i përmendur mundësinë e kësaj mbretërie nën sovranitetin e Ali Pashës, ku të gjithë Ishujt Jonianë do t’i dhuroheshin të paktën me një konditë, duke i siguruar Britanisë disa privilegje tregtare  dhe përdorimin e portit të Panormos. Siç mund të identifikohet lehtë, oferta e britanikëve ishte shumë më cilësore dhe më e lartë, nga ajo që kishte afruar Franca në fillimet e marëdhënieve diplomatike midis dy palëve. Prej këndej është e lehtë të kuptosh një lloj filobritanizmi, që Ali Pasha e shfaqte dhe në publik dhe që jo rallë herë bënte xheloz Pukëvilin, Konsullin e Përgjithshëm të Francës në Janinë. Pavarësisht faktit se politika britanike do të ndryshonte në rajon në varësi dhe të ngjarjeve ndërkombëtare, ku një rol të madh do të luante Koncerti Evropian i Fuqive të Mëdha Evropiane, i arritur në Kongresin e Vienës, mbështetja britanike do të ishte e madhe te Porta e Lartë, deri në negociatat për cedimin e Pargës në 1818. Një rast i tillë i paprecedent ishte uzurpimi i Pashallëkut të Beratit në 1809 dhe mbajtja rob e Ibrahim Pashë Vlorës, përfaqësues i një prej familjeve më fisnike të Shqipërisë së asaj kohe dhe mbështetja diplomatike, që i dha Britania për të eliminuar komplotin francez të rrëzimit të tij nga pushteti, me anë të Lidhjes Shqiptare të promovuar dhe mbështetur nga francezët. Po kështu, në bazë të kësaj aleance dhe shërbimeve të bëra ndaj Perandorisë Britanike, në kohën e luftërave Napoloniane, Ali Pasha në kulmin e dobësisë së Perandorisë Otomane, ku ajo lëshonte vetëm territore në Europë dhe nuk ndërmerrte asnjë pushtim të ri, do të përfitonte qytetin e Pargës, për ta përfshirë brenda zotërimeve të veta. Kjo aleancë e fortë do të prishej në vitin 1818, ku Anglia pas zotërimeve që kishte marrë për të respektuar Aleancën e Shenjtë të Vjenës, nuk do t’i afronte më mbështetje Pashait Tepelenas dhe do ta braktiste në fatin e vet. Një rol të rëndësishëm për të mos arritur një marrëveshje konkrete dhe finale midis Ali Pasha Tepelenës dhe Britanikëve, për sa i përket çështjes së dorëzimit të Pargës, ka qenë kundërshtimi i Robert Adair, ambasadorit fuqiplotë Britanik në Stamboll, i cili i gjeti kërkesat e Ali Pashës, shumë ekstravagante dhe të papranueshme. Megjithëse shumë herë ai nënvizonte naturën sine qua non të bashkëpunimit me Ali Pashën, kundër Francës dhe forcimin e tij përkundrejt rivalëve, ai gjithashtu sugjeronte kërkimin e mjeteve të tjera, manovrave diplomatike alternative të pavarura nga influenca e tij, pa dëmtuar marrëdheniet me të.[2]


Sunday, 2 February 2020

Detaria në Ulqin


Piratët Ulqinakë  duke luftuar kundër anijeve Britanike dhe Franceze në Patras(Greqi) në 5 Nëntor 1772. original title: Vue de L'Action pres de Patrasso, ou L'Escadre des Dulcignottes fut battue et brulee le 5 9bre 1772. Një nga tablotë e ralla që ka si subjekt anijet e ulqinakëve që në shekujt XVI-XVIII i binin kryq e tërthor Mesdheut. Pjesa më veriore e aeralit etnik shqiptar që pas pushtimit të tij nga otomanët në 1571, hyn në disa zhvillime të vrullshme detare. Për aq sa dëshmon historiani anglez  Noel Malcom në librin e vet “Agjentët Perandorakë”, Ulqini ishte një qytet etnikisht shqiptar, me popullsi që i përkiste besimit katolik. Dy nga familjet më të mëdha fisnike të kohës , Brutti dhe Bruni do të luanin një rol të madh në historinë e rajonit dhe të Evropës. Rënia e Ulqinit në duart e osmanëve,  ndryshoi strukturën urbane, sociale por edhe ushtrimin e ndryshëm të zejtarive. Ulqini gradualisht fillon dhe merr pamjen e një qyteti oriental, me  ndërtime të objekteve të  kultit islam, krojeve si vend relaksimi dhe meditimi por edhe me ndalimin e prodhimit të verës dhe vazhdimin e prodhimit të vajit të ullirit. Ai vazhdon të mbetet një derë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit, përderisa mendohet se Sabaedin Zeevi, i ashtëquajturi Messia hebre , brakstis Beratin dhe shkon dhe vendoset në Ulqin. 
Një nga zejet më të përhapura  në Ulqin bëhet si në asnjë qytet tjetër shqiptar të bregdetit, ndërtimi i anijeve dhe lundrimi. Venedikasit në luftërat dhe paqen e nënshkruar me osmanët bënin çmos që deti Adriatik të mbetej një liqen venedikas, pa lejuar ndërtimin e porteve osmane në brigjet e Adriatikut lindor. Kjo luftë e hapur midis tyre kishte dëmtuar dhe lundrimin në brigjet shqiptare, të cilat nga një element mbizotërues dikur me popullsinë ilire, ishin kthyer tani në një popullsi që nuk e mbarështonte ndërtimin e anijeve dhe në përgjithësi kulturën e detit. Ulqini, bënte një përjashtim në këtë drejtim dhe llojet e ndryshme të anijeve që prodhonte si dhe flota që mbante e kishin shndrruar në një qytet të rëndësishëm për Perandorinë Osmane, pasi flota e tij përdorej në ballafaqimet dhe betejat detare të saj me Perëndimin.



Saturday, 18 January 2020

Një historik i shkurtër i momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare.




Nëse do tentonim të ndërtonim një histori të momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare do ta nisnim duke respektuar parimin kronologji me epokën pas vdekjes së  Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeut, epokë që shënoi valët të para të mëdha të emigrimit shqiptar. Diaspora Shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos.