Një
nga aktet më burracake dhe të frikshëm në të njëjten kohë i terrorit komunist
përgjatë periudhës së diktaturës komuniste është pushkatimi i 22 intelektualëve
në datën 26 shkurt të vitit 1951. Akti ishte i frikshëm sepse tregonte përmasat
e terrorit politik se deri ku mund të shtrihej dhe burracak sepse në vetvete
ishte një dëshmi e servilizmit politik ndaj një Fuqie të Madhe dhe frika se mos
incidenti në amabasadën sovjetike sillte dhe rrëzimin nga pushteti të klikës që
qeveriste vendin. Kjo frikë dhe servilizëm politik ishte pasqyruar edhe në marrëdhëniet me jashtë që kishte
zhvilluar qeveria komuniste e Enver e Hoxhës në vitin 1946-1951.
Nga
shqyrtimi i dokumenteve të vendimeve politike të kohës, të marra kryesisht nga
forumet partiake të P.K.SH. rezulton se në marrëdhëniet me Perëndimin
përcaktues ishin faktorët ideologjikë, ndërsa interesi kombëtar dhe strategjik
i Shqipërisë përmendej pak. Edhe kur përmenden këta faktorë, ata u nënshtrohen
faktorëve ideologjikë duke kërkuar që marrëdhëniet e shtetit të ri shqiptar të
kalojnë përmes këtij filtri. Ideologjia sunduese në Shqipëri ishte Stalinizmi
dhe ai u aplikua në të gjitha format e hapura të tij. Një nga tiparet kryesore
të tij ishte eliminimi i elitave përmes terrorit të kuq dhe zevëndësimi me
elitat e formuara me karakter ideologjik komunist. Spastrimet ndaj
intiligjencës sjhqiptare nuk u ndalën në asnjëherë .
Në
planin e brendshëm, regjimi komunist kishte arritur të sundonte me një dorë të
fortë dhe falë ndihmës sovjetike dhe të vendeve të tjera të Europës Lindore,
t’u mbijetonte shtrëngesave ekonomike të pasluftës. Duke ndërtuar një sistem që
shtrihej në mënyrë kapilare në pothuajse të gjithë vendin nëpërmjet
organizatave leva të P.P.SH., udhëheqja komuniste shqiptare zotëronte
plotësisht kontrollin e territorit, çka ishte ndier dhe në përndjekjen e
grupeve desante që parashutoheshin a futeshin nga kufijtë tokësorë me
Shqipërinë. Terrori dhe dhuna e ushtruar u demonstrua sidomos në një rast, siç
ishte hedhja e një bombe në ambasadën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951.
Sipas raportimeve të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut në mbledhjen e
Byrosë Politike një ditë më pas, rezultonte se më 19 shkurt, në orën 7 e 47 nga rrugica që është mbrapa
Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur
me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën,
dritaret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për
ndjekje po nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur
disa njerëz që ishin atje.[1]
Edhe pse sipas dokumenteve, Ministria e Brendshme dhe organet e Sigurimit nuk
kishin të dhëna të sakta se kush ishin autorët në vend, u ndërmorën masa
represive që mbollën terror gjithandej. Mehmet Shehu vazhdoi të argumentonte
nevojën për terror në mbledhjen e Byrosë Politike dhe kërkoi një miratim të
masave represive që do të ndërmerreshin nga anëtarët e tjerë të Byrosë
Politike. Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje
politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej
kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa
represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të
tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe
jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në
një shkallë të tillë, tek elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit
Kacaruho etj, sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga
këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht
nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera.[2]
Për udhëheqjen komuniste shqiptare miqësia dhe patronazhi sovjetik ishin
parësore; prandaj e panë këtë atentat me dyshim se mund të ishte pjesë e një
plani ndoshta më të madh, për të destabilizuar pushtetin komunist në Shqipëri.
Dyshimet më të mundshme ishin që ky atentat të ishte organizuar nga
jugosllavët, të cilët e shikonin jo pa xhelozi afrimin sovjeto-shqiptar. Frika
dhe paniku i qeverisë shqiptare se akti ndoshta mund të ndikonte në
marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike duket dhe në masat emergjente të ndërmarra dhe
në rënien dakord të gjithë Byrosë Politike për këto masa. Më tej, Mehmet Shehu
që relatonte si Ministër i Brendshëm, vazhdoi duke sqaruar masat që do
ndërmerreshin. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga
Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi
terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me
gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju
dakord veprojmë që sonte. [3]
Pavarësisht se pala shqiptare e trajtoi
hedhjen e bombës si një rast që duhej të shërbente si një ndëshkim te të gjithë
kundërshtarët të vet politikë, në dokumentacionin sovjetik ajo nuk ka lënë
gjurmë të ndjeshme, sepse me sa duket, vetë shërbimet inteligjente sovjetike
nuk e kanë parë si një ngjarje të përmasave që duhet të meritonte vëmendje të
veçantë. Kjo ndjesi përforcohet edhe nga lirshmëria e sjelljeve të ambasadorit
sovjetik në Tiranë, i cili ditën e hedhjes së bombës në ambasadën e tij, atë
pasdite shëtiste lirshëm në bulevardin
kryesor të Tiranës së martirizuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, ndonëse
ishte këshilluar që të mos dilte nga rezidenca e tij.[4] Udhëheqja shqiptare nxitoi që t’i dërgonte
një letër J.V. Stalinit, në të cilën betohej për besnikëri të përhershme dhe
njoftonte për masat e marra për forcimin e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Të
bien në sy frazat bombastike dhe emocionale të Enver Hoxhës, që shprehin sa
qëndrimin e tij të fortë ndaj çështjes, po aq edhe panikun për këtë incident.
Mes të tjerash, Enver Hoxha shkruante: ... ky akt politik terrorist i armikut,
na ka prekur jashtëzakonisht, pse ai u drejtua karshi çka është më i dashur, më
i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit t’onë, Bashkimit Sovjetik, që është
gjithçka për ne, që pa atë s’kish dhe s’mund të ketë jetë për popullin dhe
Partinë t’onë. Shoku Stalin, ne s’kemi qenë vigjilentë sa duhet, pse mund t’a
kishim evituar këtë gjë të tmerrshme që na ngjau ne. Këtë mungesë vigjilence,
që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda t’onat, s’duhet të na i fali
lehtë populli dhe Partija jonë. Ne shoku Stalin ju zotohemi dhe ju betohemi,
Juve dhe Partisë Bolshevike të Lavdishme, se do t’ja lajmë Partisë dhe popullit
tonë këtë gjë kaq të rëndë që ju shkaktua nga mungesa e vigjilencës s’onë. Ky
akt i poshtër i armikut, na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të
dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën t’onë karshi imperialistëve gjakatarë
luftënxitës amerikano-inglezë, karshi tradhtarëve fashista të Beogradit, të
Athinës dhe të Romës dhe të reaksionit të brendshëm vegël e tyre.
Shoku Stalin, Partija e jonë do të jetë e
pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit t’onë dhe të
paqes. Partija jonë si kurdoherë, do të verë të gjitha forcat e saj për të
çelikosur dashurinë e popullit tonë karshi shpëtimtarëve të tij, Bashkimit
Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe juve shoku Stalin. Armiqt e brendshëm dhe
të jashtëm, kurrë nuk do të harrinë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e
pakufishme që ka populli jonë për ju dhe Bashkimin Sovjetik.
Shoku Stalin, në emër të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenum, ju kërkojmë ndjesë, Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi se do t’a lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne, ne do të jemi të pamëshirshëm, do t’a forcojmë dhe çelikosim partinë t’onë, do t’a bolshevizojmë atë dhe do të forcojmë çdo ditë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit t’onë. Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjti i joni, pranoni të falat t’ona revolucionare.[5]
Fraza në letër e Enver Hoxhës dërguar Stalinit se
”ky akt i poshtër i armikut, na ka egërsuar pa masë” u konkretizua në
arrestimet e shumta dhe ushtrimin e drejtpërdrejtë të terrorit. Një gjyq i shpejtë dhe jashtë të gjitha
normave të së drejtës dënoi me vdekje 22 nga të arrestuarit, të gjithë të
pafajshëm dhe pas asnjë lidhje me incidentin. Ishin këto masa që kishin forcuar
dhe i jepnin Enver Hoxhës dhe regjimit të tij të shkruante në letër dërguar
Molotovit se situata brenda vendit paraqitej e sigurt.
Deri më tani nuk kemi një histori politike të
Stalinizmit shqiptar, çka bën të vështirë identifikimin e pasojave të tij në
shoqërinë shqiptare. Procesi i destalizimimit ë vendit filloi me ndrojtje në
fillim të vitit 1990 por ai u zgjat vetëm në anën administrative si në
depolitizmin dhe heqjen e mekanizmit të dhunës pas vitit 1990 , por nuk pati një
destalinizim të infrastrukturës shoqërore. Për këtë arsye traumat që la komunizmi
vazhdojnë të jenë dhe të ndihen dhe sot. Përkujtimi i datës 26 shkurt i vitit
1951 duhet të jetë një nga mekanizmat e shumtë të ndërtimit të memories
kolektive përsa i përket së shkuarës komuniste. Ndarja bardhë ë zi dhe gjuha e
urrejtjes që haset shpesh në diskursin publik shqiptar janë shenja që gjurmët e
së shkuarës ende ravëgojnë mes nesh. Sfida më e madhe e memories
kolektive mbetet në evidentimin e arsyeve se përsë komunizmi shkëtërroi
infrastrukturën shpirtërore të shqiptarëve që funksionet me kode e institucione
të ndërtuara që nga Rilindja Kombëtare e në vazhdimësi për ti zevendësuar me
kode e etikë të huazuar që rezultuan shterpë e lanë pas një djerrinë morale.
No comments:
Post a Comment