Saturday, 18 January 2020

Një historik i shkurtër i momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare.




Nëse do tentonim të ndërtonim një histori të momenteve më të rëndësishme të diasporës shqiptare do ta nisnim duke respektuar parimin kronologji me epokën pas vdekjes së  Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeut, epokë që shënoi valët të para të mëdha të emigrimit shqiptar. Diaspora Shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos.
Arbëria Mesjetare kishte qenë një monadë kulturore e Ballkanit, situatë kulturore të cilen e kish trashëguar Shqipëria që sipas Shuflait në të pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e veta latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot vezullojnë kristale të shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa themelore etnike të Gadishullit Ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u dha gjuhëve ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në krijimin e një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike.[1] Ishte e natyrshme që ky kontekst kulturor të ishte transportuar edhe në brigjet matanë Adriatikut. ,Ky kontekst kulturor e social do të transmetohej i pacënuar në shekuj për shkak se shoqeritë rurale të Kalabrisë ishin kryesisht shoqëri të mbyllura gjatë Mesjetës dhe për më tepër një pjesë e madhe e kolonive arbëreshe dispononin statuse të veçanta , të vulosura me dokumente diploma dhe priviligje[2], çka garantonte ruajtjen e një origjinaliteti dhe autonomie kulturore të pranueshme për kushtet e kohës.
Një rol tjetër të madh në këtë drejtim kishte luajtuar edhe identiteti fetar i arbëreshëve, i ndryshëm nga popullsia vendase. Pavarësisht faktit se në filllimet e shekullit të XVIII edhe ortodoksët kaluan në kultin latin qoftë vullnetarisht, qoftë kur shtyheshin nga autoritetet, në fillimet e këtij shekulli ata patën mundësi të kishin edhe seminaret e tyre , të destinuara për formimin e klerit të ritit grek (thotë Clayer por ndoshta më mirë do të ishte termi ortodoks), që dhanë po ashtu ndihmesën e tyre në formimin e një elite  laike greko-shqiptare[3].Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme tëIluminizmit, luftërave Napoloniane dhe Romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhësendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit të XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e ndryshme letrare që ia janë bërë “Këngëve të Milosaos” që nga botimi i parë i saj e deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik  të pasqyrimit të kohës historike  në të cilën De Rada vendos ngjarjet, toponimisë së vendeve të përmendura në poemë dhe simboleve kulturore të veçanta.
 Arvanitasit në Greqi  u dalluan si luftëtarë të guximshëm të Revolucionit Grek të vitit 1821 dhe nxorën nga gjiri i tyre figura të tilla si; Marko Boçari, A. Kullurioti, Dhaskalina Bubulina etj. Në Itali Garibaldi i quan Arbëreshët heronj të lëvizjes çlirimtare italiane dhe për bashkimin e vendit. Në ditët e sotme problemi dhe statusi i popullsisë arvanitase në Greqi vazhdon të jetë i mjegullt dhe disa ngjarje kulturore që kanë ndodhur brenda komunitetit arvanitas mundtë  konsiderohen si ngjarje  që ringjallën një çështje të harruar dhe që nën tendencat unifikuese të Globalizmit kishte tendenca për tu harruar. Një nga veprimtarët më të rëndësishëm  të ringjalljes kulturore arvanitase gjatë viteve 1980-2000 është studiuesi, avokati dhe publicisti Aristidh Kolia i cili  në librin e vet “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” i bëri jehonë sërish mitit pellazg të origjinës së përbashkët greko-shqiptare që nga lashtësia dhe ripohonte me krenari se 90 nga 100 heronj të Kryengritjes janë arbër, por kjo jo vetëm që nuk përmendet nga historianët tanë, por bëhet përpjekje të fshihet ky fakt dhe nga na tjetër të përdëllëhet i gjithë populli arbëror.[4] Gjithësesi pavarësisht kësaj ringjallje kulturore duhet pranuar fakti se popullsia arvanitase në Greqi edhe pse për një kohë shumë të gjatë kish ruajtur një identitet të fortë gjuhësor të veçantë të dëshmuar edhe nga udhëtarë të shumtë të huaj që vizituan territoret greke në 50 vjeçarin e parë të shekullit të XIX, madje dhe në hapat e para të zgjimit kombëtar të shqiptarëve kishte pasur aktivistë të shquar që kishin marrë pjesë në lëvizjen nacionaliste shqiptare si Anastas Kullurioti, në vitet 90-të paraqitej me  me një ndërgjegje helenike si rezultat i shumë proceseve asimilues që kishin ndodhur një shekull e gjysëm më parë që me themelimin e mbretërisë së re greke. Këto procese asimiluese ishin bazuar në ato karekteristika që kishin ndihmuar për të themeluar kombin grek si identiteti fetar,urbanizimi i menjëhershëm që hyri mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër e përqendruar. Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”.[5]
Pikërisht ky dyzim kulturor kish influencuar më tepër helenizmin por i kish dhënë jetë dhe një literature të tërë në greqisht të shkruar nga nga anëtarë të shquar të kësaj popullsie për origjinën e përbashkët të kombeve grek dhe shqiptar si dhe përpjekjeve për të krijuar një monarki të përbashkët greko-shqiptare.
Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesa rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose D. D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e programit të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Ato e mbështetën atë hap pas hapi në rrugën e gjatë të konsolidimit të tij, të afirmimit në botën ndërkombëtare për demokratizimin dhe lidhjet e tij me popujt e tjerë etj. Shqiptarët e Bukureshtit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ndër emrat më të spikatur mbetet Elena Gjika, e cila ka pasur një korrespodencë të dendur me rilindasit shqiptarë si Thimi Mitko, Zef Jubani, Dhimitër Kamarda, Jeronim de Rada etj. Duke folur për princeshën rumune me origjinë shqiptare, Dhimitër Kamarda ka thënë: “Ajo kishte mirësinë e engjëllit, hiret e fisnikërisë, të cilat e bënin një krijesë të veçantë”. Elena Gjika ishte një historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella. Dhimitër Kamarda e ka quajtur Dora d’Istrian “Unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.[6] Në vitin 1881 intelektualët shqiptarë që jetonin në Rumani, në një mbledhje në shtëpinë e Vasil Terpos në Bukuresht, themeluan një shoqëri për të shtypur libra në gjuhën shqipe, të cilën e quajtën “Deg’ e shoqërisë së Stambollit për vivlla shqipe”. Roli dhe rëndësia e kësaj shoqërie për forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare është mjaft i çmuar. Prej ditës së themelimit numri i anëtarëve të shoqërisë rritej vazhdimish, prandaj më 1884 u vendos që shoqëria të quhej “Drita”. Kjo shoqëri pati rol kryesor në organizimin e jetës kulturore dhe politike të shqiptarëve të Bukureshtit. Drejtimin e shoqërisë kulturore-letrare “Drita” e mori Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik nga Korça. Vite më vonë u krijuan edhe dy shoqëri të tjera. Kështu më 1886, Nikolla Naço themeloi të parën Shoqëri Kulturore Shqiptare “Drita”, me seli në Bukuresht, ndërsa më 1887 u themelua shoqëria “Dituria”, nën kryesinë e Kristaq Duros. Shoqëria kulturore “Drita” merrej me edukimin e të rinjve shqiptarë në Shkollën Normale të Bukureshtit,[7] ndërsa shoqëria “Dituria” zhvilloi një veprimtari të fuqishme për botimin e librave shkollorë dhe të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe.[8] Më 1888 në Bukuresht u botua e përjavshmja dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Shqiptari” (Albanezul), ndërsa më 1891 u botua “Apel à nos frères albanais”. Më 1897 sheh dritën e botimit gazeta “Shqipëria”, e drejtuar nga Visar Dodani, ndërsa një vit më vonë, më 1898 organi tjetër “Ylli i Shqipërisë”, në tri gjuhë: shqip, greqisht e frëngjisht. Ja vlen të theksojmë se “Shqiptari”, me disa ndërprerje, vazhdoi të botohej deri më 1903.
Në vitin 1898, në Bukuresht, intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Faik Konica, Pandeli Evangjeli etj., mbajtën një kuvend ku u trajtuan probleme të ndryshme të arsimimit dhe edukimit të shqiptarëve. Këta intelektualë shqiptarë kërkonin nga sulltani që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha shkollat shqipe në Shqipëri. Kur shtypi europian lajmëronte se shqiptarët ishin ngritur kundër perandorisë osmane dhe revista “La nazione Albanese” shkruante për situatën e vështirë të popullit shqiptar nën sundimin osman, shqiptarët e Rumanisë nuk mund të rrinin indiferentë. Intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima, Nikolla Naço etj., me ndihmën e bashkatdhetarëve tjerë shqiptarë dhanë një kontribut të jashtzakonshëm në organizimin e popullit shqiptar në luftë për pavarësi. Në Bukuresht botoheshin tekstet shkollore, që i hartonin intelektualët shqiptarë që jetonin e vepronin në Stamboll. Në janar të vitit 1907 u themelua shoqëria “Bashkimi”, nga shkrirja e të gjitha shoqërive që ndodheshin në Bukuresht. Eksponentët kryesorë të kësaj shoqërie qenë: Anastas Lakçe, Vangjel Çeço, Spiro Maçuka, Kristo Luarasi, Sotir Peçi etj.
Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço[9] mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin.[10] Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak.[11] Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin[12] kishtar dhe kishin marrë me qira një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”.[13] Shqiptarët e Rumanisë të entuzjazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.  Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin “Continental” të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemali në fjalën e tij theksoi “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”.[14] Një dokument që mban datën 5 nëntor 1912 bën fjalë për mbledhjen historike të shqiptarëve të Bukureshtit, nën kryesinë e Ismail Qemalit.[15] Ismail Qemali, sikurse njoftonte gazeta “Universul” (Gjithësia), e datës 22.10.1912, kishte mbërritur në Bukuresht një ditë më parë. Në mbledhjen e drejtuar nga Ismail Qemali, morën pjesë Luigj Gurakuqi, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Akile Eftimiu, Dhimitër Berati etj. Pra shpallja e pavarësisë dhe formimi i Qeverisë së Parë Kombëtare Shqiptare janë vendosur në Bukuresht. Mbledhja e Bukureshtit ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte me përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin për shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të ri shqiptar.
Diaspora shqiptare   SH.B.A ka protagonistëve të saj  Fan S. Nolin dhe Faik Konicën. Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizmit të shqiptarëve përgjatë këtij shekulli. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar. Për më tepër Shoqëria “Vatra” është fiksuar në memorien shtet formuese shqiptare si shprehësja e parë e konceptit të vullnetarizmit pasi ishte pothuajse shoqëria e vetme shqiptare në botë që vazhdimisht u bë promotore e ngjarjeve në Shqipëri nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtë për së drejtë të vullnetarëve të saj në ngjarjet e mëdha të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Luftës së Vlorës apo dhe ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në periudhën 1920-1924. Aq i madh, i njohur dhe i pranuar gjerësisht  ishte ky kontribut i “Vatrës” sa ajo ishte e vetmja shoqëri patriotike që u lejua të përfaqësohej me një deputet të saj në parlamentin shqiptar 1921-1924.  Emigracioni i punës në Shqipëri arriti kulmin në fund të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, i shkaktuar nga proceset e industrializimit dhe urbanizimit të shpejtë në shumë vende evropiane dhe në Amerikën e Veriut. Gjatë gjithë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve emigruan për arsye politike dhe ekonomike, si: Gjon Mili, Stavro Skëndi etj.
Në mars të vitit 1991, pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve të para demokratike, vetëm pak ditë, më shumë se 24,000 shqiptarë u ulën në brigjet e Italisë, një ngjarje që konsiderohej si një krizë kombëtare për Italinë dhe Shqipërinë. Mijëra e mijëra qytetarë u larguan duke lënë pas adheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Në të gjitha periudhat veprimtaria ekonomike e emigrantëve shqiptarë mbeti një faktor i rëndësishëm ekonomik në buxhetin e familjeve të tyre dhe më pas të shtetit shqiptar. Diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Diaspora Shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj dhe të shkolluar në perëndim, dha ndihmesë në pluralizmin e ideve, në emancipimin e politikës shqiptare dhe të gjithë opinionit.

Bibliografi:

1- Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 71, Dosje 1, Nr. 71.283. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Nëntor 1912-Janar 1914, përpunuar e redaktuar nga Dhimitër Kotini, Xhavit Struga, Fane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kleanthi Dedi, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, Tiranë, 1963.
2- Aristidh Kolia. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena, 2008
3- Ilir Ikonomi, Pavarësia. Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, UET Press, Tiranë, 2012.
4- Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë  myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009
5- Vehbi Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967.
6- Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006.




[1] Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006 fq 49
[2] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë  myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009, fq 122
[3] Po aty, fq 122
[4] Aristidh Kolia. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve. Tiranë; Toena, 2008, faqe 18
[5] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë  myslimane  në Europë. Tiranë: Përpjekja, 2009,faqe 119-120
[6]-Vehbi Bala, Jeta e Elena Gjikës “Dora d’Istrias”, Tiranë 1967, faqe 101; Vehbi Bala, Ahmet Kondo, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, faqe 834.
[7]-Shkolla Normale e Bukureshtit u çel në vitin 1892.
[8]-Disa nga librat që u botuan në shtypshkronjën e Bukureshtit në vitin 1886 qenë: “Bagëti e Bujqësija”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Historia e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Volumi II, Toena, Tiranë 2002, faqe 354.
[9]-Nikolla Naço ishte zgjedhur kryetar i Shoqërisë "Drita" në Bukuresht. Prej vitesh kishte punuar për themelimin e shkollave shqipe dhe për përkthimin e librave në gjuhën shqipe. Që në vitin 1893 në Bukuresht funksiononte shkolla normale shqipe nën drejtimin e Nikolla Naços, e cila financohej nga familja rumune Butulesku. Për ngritjen e shkollës Naço u përgëzua nga Mihal Grameno. Nikolla Naço ka vdekur më 24 prill të vitit 1913.
[10]-Atë Harallamb Çalamani ishte me origjinë nga Berati dhe vinte nga Patriarkana e Stambollit. Ai u zgjodh meshtari i komunitetit shqiptar të Bukureshtit.
[11]-Kiriak Georgesku (1866-1929) ka qenë profesor në Konservatorin e Bukureshtit. Punën e prof. Kiriakut më vonë e vijoi Ionesku, një djalë 25-vjeçar, që ishte specializuar për këngë korale kishtare.
[12]-Kori përbëhej nga 30 vetë. Ndër ta mund të përmendim  vëllezërit Dhimitër dhe Grigor Zografi, Dhimitër Kalakuçi, Ilia Teodoru, Pandel Durmishi, Rafail Anastasiu, Andrea Alizoti, Jani Danga etj.
[13]-Himni kombëtar i Rumanisë është shkruar nga poeti Ioan Barsan dhe është kompozuar prej Ciprian Porumbeskut. Valbona Karakaçi, Himni kombëtar i shqiptarëve, Naimi, Tiranë, 2009, faqe 98.
[14]-Ilir Ikonomi, Pavarësia. Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, UET Press, Tiranë, 2012, faqe 74.
[15]- Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 71, Dosje 1, Nr. 71.283. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Nëntor 1912-Janar 1914, përpunuar e redaktuar nga Dhimitër Kotini, Xhavit Struga, Fane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kleanthi Dedi, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, Tiranë, 1963, faqe 25-26.



No comments: