Epoka e Pashallëku të Janinës është epoka më mirë e
dokumentuar në historinë e afërme të shqiptarëve. Ky dokumetacion nuk është
vetëm arkivor por e gjejmë edhe në burime dytësore( kujtime, libra
udhëtimesh) por edhe në art( tablo ,
poema e muzikë). Në këtë drejtim përveçse interesit për administrimin
politiko-ushtarak dhe ekonomisë të
Pashallëkut një rëndësi të veçantë paraqiste dhe gjeografia, ndërtimet, dhe
imazhi i vetë Vezirit dhe familjes së tij.
Jeta personale dhe e pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës
pati një interesim të madh që në momentet kur Ali Pashë Tepelena sundonte në
territorin e tij të gjerë të pashallëkut të vet. Interesimi i udhëtarëve të
huaj, diplomatëve dhe piktorëve gjendet në shumë udhëpërshkrime e tablo të kohës.
Për udhëtarët e diplomatët e huaj vizita në Pashallëkun e Janinës ishte një
kontakt me Lindjen ndaj diskursi që zotëron në tekste është një diskurs
orientalist dhe penelat në tablo janë penelata reflektive të konstrasteve të
thella që reflektojnë dallimet midis Lindjese Perëndimit. Nga ana tjetër edhe
Ali pasha Tepelena e kuptonte këtë interesim të madh të udhëtarëve e diplomatëve
europianë ndaj u përpoq që ta shfrytëzonte
sa më mirë në interes të rritjes së imazhit të vet në Europë. Disa herë ai
pozoi për tu pikturuar dhe lejoi që sarajet e tij të riprodhoheshin në gravura. Imazhi orientalist i
Aliut gërshetohet me imazhin që Aliu jepte për vetveten. Me kalimin e kohës,
Aliu e njohu thellësisht këtë vizion orinetalist të personazhit të tij dhe e
shfrytëzoi me mjeshtëri për qëllimet e tij.[1]
(Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe
orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163)Janë të shumta
tabotë dhe përshkrimet e këtyre momenteve por mes tyre një përshkrim dhe një
tablo e Luis Dupre, piktorit francez tërheq vëmendjen sepse është një tablo
dokument i paraqitjes fizike të e dy nipërve të Ali Pashë Tepelenës. Përshkrimi
dhe tabloja janë botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë(1825)
ku një pjesë të rëndësishme zë dhe udhëtimi i Dupre në Janinë e Butrint. Ashtu
si dhe udhëtarët e tjerë ai ishte frymëzuar nga udhëtimet e Bajronit dhe
Pouqeville dhe përkrimet e tyre për Lindjen
e Afërt dhe Ballkanin. Tabloja paraqet
dy nipërit e Ali Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës që në
fakt ishin dhe të vetmit që mbijetuan pas egzekutimeve mizore të anëtarëve të
tjerë të familjes. Tabloja paraqet dy të rinj të veshur me një
turban në kokë sipas stilit otoman , me rroba popullore shqiptare, ku shquan fustanella,
silahu , armët e lara me flori dhe me
peliçe të hedhur mbi supe. Pelicja tregon statusin e tyre aristokratik pasi
ishte një dhuratë e shtrenjtë që zakonisht bëhej nga Sulltani drejt pashallarëve
të tij. Vështrimi i tyre është i përqendruar dhe në përgjithësi të japin përshtypjen
e dy djemve adoleshentë të pafajshëm dhe të kulturuar. Por a është i njëjtë
imazhi që përcjellë tabloja me përshtypjen e drejtë për së drejtë të autorit?
Në librin e vet Dypre e përshkruan takimin e parë me një nga nipërit, Ismail
Beun në Butrint si një takim me një princ arrogant e mburravec.
...Pritej gjithashtu që bashkë me të, hipur në anijen
angleze të vinte edhe Ismail Beu, nipi i Aliut. Fregara ishte zbukuruar plot
flamuj që valëviteshin. Marinarët ishin ngjitur lart, mbi direkun e mesit të
anijes dhe në kuvertë, duke tundur kapelet e tyre dhe duke përshëndetur mikun e
ri plot xheste e zëra. Në të vërtetë ky spektakël kishte në dukje diçka
impozante. Por a mund të ishte kënaqësi shpirtërore kur mendoje se kujt i
bëheshin gjithë këto nderime. Krahas kujtimit të lavdisë së antikitetit grek,
fuqia e parë detare e botës dhe një nga pararojat e qytetërimit, manifestonte
respekt e miqësi për familjen e një prijësi dikur bandit, që çudia e fatit,
pasuria dhe nënshtrimi i grekëve e kishin sjellë në fronin e dikurshëm të
Piros. Për shumë kohë, festat, ballot, banketet reciproke të dhëna nga Ali
Pashai dhe Komisari Britanik mbushnin plot qejfe jetën e këtyre dy personazheve
të rëndësishëm, të cilët ishin jashtë kontrollit të qeverive të tyre. Midis
këtyre festimeve, ata folën fshehurazi e në mënyrë të turpshme për dhënien e
Pargës, duke bërë pazar me rrënojat e asaj strehe të fundit të lirisë greke që
po jepte shpirt.
Ismail Beu edhe pse po mbushte 12 vjeç, duke iu bashkuar
tashmë botës hijerëndë turke me vlerësimin e lartë që i bënte vetes, çka
karakterizon muslimanin, nuk i hidhte as vështrimin më të vogël shikimeve tona.
Ai u tregua shumë indifferent gjatë gjithë demostrimit festiv dhe përgatitjes
së festës. Kur dikush i tha se një pritje e tillë te ne i bëhej veçse një
personaliteti mbretëror, vetëm atëhere ky princ, që një ditë shpresonte të
bëhej pasha, dënjoi të shfaqë një buzëqeshje në buzët e tij, duke falënderuar
me xhestin dinjitoz të një sulltani. Meqenëse e kishin hipur mbi një stol që të
shikonte më mirë fregatën, ai bëri shenjë ti afrohej një i moshuar që më thanë
se ishte mbajtësi i vulës së pashait. Ngadalë ai mbështeti bërrylin tek ky
fisnik i madh, fytyra e të cilit u mbulua nga tymi që ngrihej prej pipës së
beut të ri. Si një spektator i thjeshtë i kësaj skene s’dija çfarë të admiroja
më shumë, lehtësinë me të cilën krenaria angleze shfaqej në këtë lloj komedie
apo fytyrën hijerëndë të një fëmije që gjithë ky pushtet e shkëlqim nuk mundën
ta shqetësonin as edhe një çast. Figura
e palëvizur e një ministri që i shërbente Princit si një vend për të mbështetur
pipën e tij të gjatë, ishte padyshim diçka tepër kureshtare edhe pse ndoshta
kjo hynte në zakonet e këtij kombi ku çdo gjë që nuk është sovrane, është
skllave.
Nipi i Ali Pashës u shoqërua me të njëjtin ceremonial
gjer poshtë shkallares së fregatës. Pastaj hipi sërsh në barkë dhe mori
drejtimin e Butrintit, ku ne nuk vonuam ta ndjekim nga pas. Butrinti apo
Buthrotum i lashtë, kryeqyteti i dikurshëm i Kaonisë, të ofron veç rrënoja që
asnjëherë nuk janë bërë të njohura, si në kohërat e lumtura të Greqisë. Por
padyshim, një ditë, nën një regjim më pak barbar, do të shohim se ato do të
zbulohen me sukses dhe thesaret arkeologjike do të dalin nga ajo errësirë që i
mbulon prej shekujsh...[2]
(Louis Dupre, Udhëtim
në Athinë dhe në Kostandinopojë, Bota Shqiptare, Tiranë 2019, faqe 52-55)
Mirëpo duket se jo
të gjithë udhëtarët e huaj kanë qenë të një mendjeje për përshkrimin e
karakterit të nipërve të Ali pashë Tepelenës. Udhëtarët britanikë Lord Byron
dhe Hobhouse i takuan njërin prej tyre, djalin e Myftar Pashës në 1809 në
galeritë e Pallatit të Janinës. Ja si e përshkruan J.K.Hobhause-i, në letrën e
tij të gjashtë vizitat që i kënaqnin dhe zbavitnin udhëtimin.Ditën e dytë të
qendrimit në Janinë, i bënë një vizitë fëmijës se vogël dhjetëvjeçar, djalit të
madh të Aliut, Myftar Pashës. I sollën kafenë dhe sherbetin dhe i shprehën
dëshirën që të vizitonte edhe pallatin, ku ai rrinte. Beu i vogël do t u
tregonte gjithçka, duke filluar që nga dhomat , ku hynte i pari dhe dilte i
fundit, gjë që përbënte pjesë të edukatës së tij për mikpritësit... Beu i vogël
ishte tepër i gëzuar që na rrëfenet pallatin e babait të tij. Ajo që binte në
sy ishte se kudo i bënin temena...Kur na tregoi orën e vet dhe nja dy a tri
zbukurime të tjera, unë i zgjata dorën që të prekja një kutizë të vogël
argjendi në formë zemre, që kish varur në qafë. Ai bëri Jo! Mendova se ishte
ndonjë hajmali, ose ndonjë send magjie. Kujdestari nxitoi të mërmëriste ca
fjalë religjioze si shenjë edukate për nxënësin e vet. Beu fliste shqip dhe
greqisht dhe tani po mësonte të lexonte turqisht dhe arabisht. Morëm leje dhe
djaloshi ishte i kënaqur nga ky ceremonial, që u bë kur hymë ndër dhoma...[3]
Në të dy
përshkrimet e nipërve të Ali Pashë Tepelenës identifikohen lehtë toni
orientalist dhe paragjykimi ndaj kulturës së Tjetrit. Tokat e Aliuti tërhiqnin
udhëtarët evropianë jo thjesht se ishin territoret osmane më të afërta. Aty
gjendeshin disa nga qendrat klasike greke më të njohura për letrat europiane
dhe imagjinatën filozofike. Në rajonin e qeverisur nga Aliu ndodheshin qendrat
e famshme të periudhës klasike, si Orakulli i Dodonës dhe Mali Olimp.
Vizitorëve të shumtë Janina u interesonte jo dhe aq si kryeqyteti i Aliut ,
por, çka ishte më e rëndësishme , si qyteti më i begatë i bërthamës së
territoreve të Greqisë klasike.Ali, pra shikohej më shumë në kontekstin e Epirit klasik sesa në atë të Perandorisë
Osmane[4]
Për Luis Dupre , Butrinti paraqet pikërisht një interes të tillë ndaj kulturës
klasike greke duke harruar p.sh që atë që ai e quante si një regjim barbar jo
shumë kohë më parë kishte ndihmuar në gjetjen e rrënojave të Nikopolisit të
lashtë pranë Prevezës. Në këtë kontekst Dupre e konsideron Ali Pashën si një uzurpues të fronit të Pirros dhe jo si një
përfaqësues i elitës shqiptare drejtuese të Epirit që kish që nga shekulli i XIV që e
kishte gjetur veten në krye të piramidës së pushtetit.
Gjithësesi
dokumentimi dhe portretizimi i dy nipërve të Ali Pashë Tepelenës është një
tablo historike e rëndësisë së veçantë pasi në kulturën tonë ka mungesa të
portreteve të figurave historike edhe më të vonshme. Kjo tablo ndihmon për të
plotësuar historinë e rajonit pasi figura e Ali Pashë Tepelenës nuk përfaqëson
vetëm figurën e një princi lokal shqiptar por ajo shihet si njw figurë-mozaik i
një tërësie çështjesh sociale, kulturore dhe diplomatike që karakterizuan
marrëdhëniet e Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Perandorisë Otomane e
Shqipërisë e Greqisë që po rilindnin në fillimin e shekullit të XIX.
Bibliografi:
1 1- Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman:Diplomacia dhe
orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003
2 2- John C. Hobhouse. Letra
nga Shqipëria. Tiranë : Toena, 2001.
3- Louis Dupre, Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë,
Bota Shqiptare, Tiranë 2019
No comments:
Post a Comment