Arianitët qenë një
familje fisnike zotërimet e së cilës shtriheshin përgjatë luginës së
Shkumbinit.[1]Në
lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të ndryshme.Në një burim të
Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka qenë zot i Çermenikës, i
Mokrës e i Shpatit. Një burim tjetër citon se pronat origjinale të kësaj
familje ishin në në fshatrat reth e rotull Kaninës, Gjirokastrës dhe Beratit (1506).
Kjo e dhënë na vjen nga pjesa e islamizuar e familjes Arianiti. Pas betejave të
Skënderbeut pushtimi otoman u duk se ishte i pashmangshëm. Një degë e rëndësishme
e famijes u largua për në Itali kurse një pjesë tjetër mbeti në Shqipëri.
Dokumentet përmendin Mahmud bin Aranid, i cili u bë sanxhakbej i Himarës, që shtrihej përgjatë bregdetit të
detit Jon. Duket se Mahmudi ishte djali i tretë i Gjergj Arianitit me gruan e
tij të dytë italiane. [2]
Djali i Mahmud bin Arianitit i quajtur Ali Bej që zotëronte fshatrat rreth
Kaninës, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës u bë sanxhakbej i Vlorës në vitin
1522.[3]
Kjo paqartësi se cilat ishin zotërimet origjinale të familjes Arianiti vazhdon
të mbetet ende e pranishme në studimet historike.
Emri i familjes së
Arianitëve haset për herë të parë në shek.XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish.Në burimet
historike krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet edhe me
mbiemra të tjerë si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika.[4]
Arianitët kishin simbolet e tyre. Stema e Arianitëve është e kaltër me një
shqiponjë të artë dykrenore, krahëhapur. Stema shoqërohet me motivacionin: “Komino i derës së zotit Retini të Shqipërisë
mbi Skuteri, zot në anët e atij vendi, i cili u pranua dhe u bë anëtar i Këshillit
të Madh, sepse kështu iu duk me vend Sinjorisë(Venedikut) Sonë për ta nderuar
dhe për ta patur simpatizant tonin. Kjo u bë në vitin 1464”.[5]
Një burim i
rëndësishëm për historinë e familjes Araniti është libri i Prof. Dhimitër
Shuteriqit, Aranitët (2009). Libri “Aranitët”, i Dhimitër Shuteriqit pasqyron
historinë e kësaj familjeje të fuqishme feudale, duke filluar që nga shek. XI,
kur shfaqet për herë të parë emri i kësaj familjeje në kronikat bizantine e
gjer në vitin 1551, kur shuhet pinjolli i fundit i saj, Araniti, djalë i
Konstandinit dhe nip i Gjergj Aranitit. Ky i fundit udhëhoqi shqiptarët në
kryengritjet antiosmane të viteve ’30 të shekullit të XV. Barleti dhe burime të
tjera dëshmojnë se ai ishte një nga krerët kryesorë, që mbështeti Skënderbeun
në Kuvendin e Lezhës.Ai ishte përkrah tij edhe gjatë kryengritjes së
përgjithshme anti-osmane, që ndërmorën shqiptarët nën udhëheqjen e tij.Nga
Aranitët vinte Donika, e shoqja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot
Skënderbeut.Aranitët sunduan në viset kyçe të Shqipërisë, në rrugët dhe luginat
kryesore të Shqipërisë së mesme rrugën e Drinit, hyrjet në Shqipëri nga ana e
Ohrit dhe e Dibrës etj.Në fillim të shek. XV Gjergj Arianiti ishte ndër të
parët prijës vendës, që ngriti krye kundër pushtimit turk. Shkaku i kësaj
kryengitje ishte fakti se Perandoria Otomane në kundërshtim me traktatin e
vasalitetit filloi të vendoste spahinj nga Anatolia në tokën e familjes Arianiti
dhe Gjergj Arianiti si kryezoti i familjes u dërgua tek Sulltan Murat II për tu
ankuar. Sulltan Murati II refuzoi ti kthente tokat kështu që Gjergj Arianiti
vendosi të fillonte rezistencën.[6]
Gjergj Arianiti, në bashkëpunim me feudalë të tjerë vendës arriti t’u bënte
ballë turqve në verën e vitit 1432.Në dimrin midis viteve 1432-1433, Gjergj
Arianiti theu përsëri trupat turke në luginën e lumit Shkumbin.Turqit, të
komanduar nga Ali Bej Evrenozi, qenë dërguar nga vetë Sulltan Murati II. Fitorja
e Shkumbinit u konsiderua në Europë si një fitore e madhe e Gjergj Arianit
Komnenit. Në vitin 1443 ky prijës shqiptar korri një tjetër fitore në grykat e
Labërisë. Pas kësaj fitoreje vërshuan përgëzimet nga Europa.[7]
Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe
Republika e Raguzës përveç urimeve, i premtuan ndihma Gjergj Arianitit. Kjo
eufori nuk vazhdoi shumë, pasi në vitin 1435 forcat turke të drejtuara nga
bejlerbeu Sinan Pasha e shtypën revoltën shqiptare dhe e detyruan Gjergj
Arianitin të tërhiqej, duke u kthyer në vasal të sulltanit.
Emri i Gjergj
Arianitit mbijetoi dhe në muzën popullore të zonave të Librazhdit.Ai haset në
kujtesën popullore dhe me emrin Gjorg Golemi.Sipas kujtesës popullore Gjorg
Golemi ishte i lavdishëm. Araniti, sipas Barletit, ishte kryegjeneral i
ushtrisë së Skënderbeut.Roli i vjerrit të Skënderbeut, Gjergj Araniti, në
ndeshjet kundër osmanëve, çmohet lart nga historia.Historianët janë marrë pak
me të, sepse fama e Skënderbeut e la në hije. Tri herë ka ardhur në Shqipëri
sulltan Mehmeti i Dytë: Një herë kundër Krujës dhe herë të tjera kundër këtyre
viseve. Ai i pushtoi me shumë vështirësi tokat e aranitëve.Dy ekspedita rresht
kundër aranitëve i drejtoi vetë sulltani.Sidoqoftë, më 1466, kur ishte shkruar
kjo letër, sulltani nuk arriti t’i shtronte plotësisht viset e Aranitisë. Më
1467, pa u mbushur mirë viti, sulltanit iu desh të bënte ekspeditën të dytë të
madhe më gjakatare dhe më çfarosëse se gjithë të tjerat, për ta pushtuar
përfundimisht këtë vend. Kur them këtë vend, kam parasysh këtë vend ku jemi,
këto krahina të Librazhdit. Në dhjetor
të vitit 1466, një udhëheqës i këtyre viseve, një vasal i Aranitit, një i
quajtur Ilia Bosi, kërkoi miratimin e Venedikut për t’u lëshuar kundër turqve
me 12 mijë luftëtarë të armatosur të vendit të tij.Gruaja e parë e Gjergj
Aranitit quhej Maria.Ajo ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë.Dihet, se
Araniti, me gruan e tij italiane, pati tre djem. Araniti kishte 11 fëmijë: 8
vajza me Marën, gruan e parë dhe 3 djem me gruan e dytë, italianen. Prej tyre,
i dyti, i cili quhej Kostandin.Pas vdekjes së babait të tij, Kostandin Araniti
iku 12 vjeç në Itali, ku bëri një karrierë të madhe.[8]
Në Muzeun Historik
Kombëtar në pavionin e mesjetës gjendet Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin
1373. Ky është i vetmi objekt i kulturës materiale që ruhet nga familja fisnike
Arianiti. Emri i familjes Arianiti shfaqet i qendisur në një nga cepat e
epitafit,pasi qëndisësi i tij është një pinjoll i kësaj familjeje, Gjergj
Arianiti. Epitafi i Gllavenicës[9]
është ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981.Epitafi
është qëndisur në një pëlhurë të mëndafshtë. Mbi të janë realizuar qëndismat
dhe shkrimet. Pëlhura është një endje sarzh me nuanca kafe dhe violë. Mëndafshi
i përdorur është i cilësisë së lartë dhe i pangjyrosur. Filli metalik, më anën
e së cilit është qëndisur epitafi është prej argjendi të larë me ar.[10]Nga
ngjyrat me të cilat është qëndisur Epitafi i Gllavenicës, shquhet ngjyra e
kuqe, e cila përdorej vetëm në tekstilet e çmuara. Kjo ngjyrë krijohej nga një
insekt i quajtur kermes, që kultivohej në Shqipëri.[11]
Epitafi është
qëndisur në vitin 6881 nga krijimi i botës, datë e cila sipas kalendarit
bizantin korrespodon më 22 mars të vitit 1373. Mbishkrimi i epitafit është qëndisur
në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit. Disa gërma janë zhdukur.
Mbishkrimi i epitafit është deshifruar nga A. Papadopulus-Kerameus dhe nga
Theofan Popa.
+Επ/ληπω/θηω /
πανσε/πτος / καιθη/οςαε/παςτηςΥπερα/γίαςΘε/οτοκου/ της ασα/λευτου / δη εξο/δου
και κο/που του πανη/εροτατου / επισκο/που Κα/ληστου / Γλαβεν/γτζης / και
Βελ(λ)αγραδον / εν μηνη/ μαρτιο / ΚΒ. /ετος ΣΤΩ/ΠΑ (6881=1373).
+Ζωης / ο κρατων
φευ προς / θνησκης / απνους / νεκης / Επη / της αυ/θεντη/ας του /ηψηλο/τατων
αυ/θεντων / Σερβη/ας και Πο/μανηας / και πας/ης Αλβανου / και αυτα/δελφου /
Γεωργηου / και Μπαλ/σα. / +Χειρ Γε/ωργηου / του Αρηαν/νητη και Χρι/σοκλαβανη.
U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithnderuar dhe
i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur, me shpenzimin dhe mundimin
e peshkopit të gjithhirshëm, Kalistit të Gllavenicës dhe Beratit, në muajin
mars 22, viti 6881(=1373).
“Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë.
Në kohën e zotërimit të zotërinjve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë
Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe
arqendisësit.[12]
Epitafi i
Gllavenicës është një dëshmi e lidhjeve të forta që familja Balsha kishte me
Arianitët. Balshajt ishin zotërit më të fuqishëm të Shqipërisë dhe në trevën e
despotatit të dikurshëm të Beratit. Qenë ata që bënin lojën pas martesës së
vajzës së despotit Andrea II Muzaka me “mbretin” Balsha II. Në fillim të viteve
70-të të shekullit XIV me shtrirjen që mori principata e Balshajve u bë një nga
shtetet feudale më të fuqishme të trojeve shqiptare.[13]
Mbishkrimi i vitit 1373 mbi të ashtuquajturin “Epitaf i Gllavenicës”, që mban
datën e 22 marsit 1373, i cilëson Gjergjin dhe Balshën II si zotër të “Serbisë,
Rumanisë dhe gjithë arbërit”.[14]
Kështu në vitin 1373, vëllezërit Balsha, që vetë burimet serbe i përcaktojnë si
“sundimtarë shqiptarë”, vetëcilësohen veç të tjerash si zotër të Serbisë.
Balshajt zotëronin më 1373 një pjesë shqiptare si Vlorën dhe Beratin. Përsa i
përket cilësimit “zotër të arbrit”, që përmban mbishkrimi i vitit 1373,
vëllezërit Balshaj pretendonin se u përkiste atyre për shkak të lidhjeve
familjare që kishin patur me titullarin e vërtetë të Arbërit, Karl Topia, që
për më shumë atë kohë ishte katandisur në statusin e një vasali kundrejt tyre,
deri sa në vitin 1384 Balshajt i rëmbyen dhe vetë Durrësin.[15]
Në Pavionin e Mesjetës ndodhen edhe disa
gravura që i përkasin figurave të mëdha të kësaj familjeje fisnike arbëre.
Gravurat i përkasin autorit George Greblinger, në veprën e tij “Ilustrime të
vërteta të princëve turq të Kayser dhe Persian” ... Frankfurt: të botuar nga
Johann Ammon, në 1648. Në këtë vepër janë gdhendur, 47 portrete nga THEODORE DE
BRY. Botimi në gjermanisht i koleksionit të shkëlqyeshëm të portreteve të
sulltanëve osman nga Osman I (1258-1326) tek Murati III (1546-1595) dhe figura
të tjera historike si Skënderbeu, Tammas Khuli Khan dhe Barbarossa. Ky botim
nuk përfshin tekstin e botimit të parë të Boissardit Vitae Et Icones
Sultanorum, Frankfurt, 1596. Atabey 125; Blackmer 159 (edicioni i vitit 1596).
Portretet janë të një kohe më të vonshme dhe nuk mund të pretendojmë mbi
autencitetin e drejtë për së drejtë të ngjashmërisë së tyre me personat fizikë
të vërtetë edhe pse mund të jenë kopjuar nga miniatura që mund të kenë
qarkulluar në atë kohë. Portreti pare është i gruas së Gjergj Kastriotit,
Donika Kastriotit, të bijës së Gjergj Arianitit. Donika Kastrioti ka lindur në
Kaninë, më 1428. Më 26 prill të vitit 1451 u celebrua kurorëzimi i Gjergj
Kastriotit me Andronika (Donika) Kastriotin. Kjo martesë mendohet se u bë në
manastirin e Ardenicës në kishën e Shën Triadhës dhe u celebrua nga Igumeni
Feliks. Andronika ose Donika ishte e bija e Gjergj Arianitit, princit të Vlorës
dhe Kaninës.Kjo martesë solli edhe pajtimin e Skënderbeut me Arianitasit, të
cilët kishin marrë anën e Venedikut pas krizës së vitit 1450.[16]Në
sfondin e betejave skënderbejane në pavionin e mesjetës ndodhen edhe portretet
e dy anëtarëve të tjerë të familjes Arianiti, bashkëluftëtarë të Skënderbeut,
Moisi Golemit dhe Muzaka Araniti, ose Muzaka i Angjelinës.
Moisi Golemi jetoi
gjatë shekullit të XV. Ishte pjestar i familjes së madhe të
Arianitëve-Golemëve, një nga komandantët e Skënderbeut, i ngarkuar fillimisht
me komandën e reparteve që mbronin kështjellat në kufijtë lindorë. Për fitoret
e korrura Skënderbeu i dha Moisi Golemit një feud të madh në Dibër. Ai qëndronte
në Dibër si komandant i kufirit, prandaj njerëzit e quanin edhe Mosiu “i Dibrës”.
Ai ishte i biri i Muzakut, (Mosachi) i cili ishte vëlla i Gjergj Aranitit. Moisi
Golemi u martua me Zanfinën, e cila kishte qënë gruaja e Muzak Topisë, të cilë
e ndau për t’u martuar me Mamicën, motrën e Skënderbeut. Nga martesa me
Zanfinën, Moisiu pati dy fëmijë, Andrean dhe vajzën Yella. Martesa e Mamicës me
Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i
shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë
kryesorë të vendit.
Muzak Topia,
mbante edhe një emër të dytë “Karl Muzaka”. Pas martesës me Mamicën, Muzak
Topia, hyri në marrëdhënie dhe lidhje të ngushtë me Skënderbeun. Barleti,
Biemmi si dhe burime të tjera e përmendin atë si një nga udhëheqësit kryesorë
të luftës dhe komandant të besuar të Skënderbeut. Muzak Topia u caktua nga
Skënderbeu të ndiqte martesën së tij me të bijën e Gjergj Aranitit. Mamica pati me Muzak Topinë katër djem dhe dy
vajza, shkruante Gjon Muzaka. Nga këta fëmijë, njohim vetëm njërën vajzë, me
emrin Jellë, e cila u martua me zotin Andrea Muzaka.
Muzak Topia pati
një fund tragjik në luftë. Ai mori pjesë me Skënderbeun në Betejën e Beratit të
vitit 1455. Skënderbeu caktoi si komandant Muzak Topinë dhe Tanushin. Barleti shkruante se në betejën e Beratit shqiptarët patën një humbje të rëndë. “Në atë
betejë, njofton ai, u vranë nga tanët 5 mijë vetë, tre mijë këmbësorë, të
tjerët kalorës.” Edhe Frangu, përmend shumë të rënë dhe shkruante se, “Gjëja më
e fëlliqur dhe më e shëmtua ishte kur ata filluan “t’i rripnin dhe t’i mbanin
vetëm lëkurën ushtarëve të cilëve i këputnin kokën të gjallë”, fat të cilin e pati
edhe Muzak Topia. Kjo betejë mund të kishte shkuar shumë më keq për shqiptarët,
po të mos kishte ardhur në ndihmë Skënderbeu. Sipas Frangut, Skënderbeu, mundi
kështu “të shpëtonte popullin nga kthetrat e vdekjes”.
Moisi Golemi pas
betejës së Beratit të vitit 1455, kaloi me turqit. Sipas Barletit, ai veproi
kështu sepse këtë drejtim kishte marrë tani edhe fati i luftës. Ikja e Moisiut
u përjetua rëndë nga Skënderbeu. Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një
ushtrie osmane, por u mund prej tij në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme,
më 19 maj 1456. Më pas Moisiu u pendua e
u kthye tek Skënderbeu, ku ai e fali dhe i ktheu pronat e sekuestruara dhe e
caktoi detyrën e mëparshëme. Moisiu Golemi u kap rob nga osmanët në eksperditën
e parë të Ballaban Pashës më 1464 në betejën e Vajkalit, por nuk pranoi të vihej
përsëri në shërbim të tyre, ku vdiq i torturuar nga osmanët. Vdekja e tij si
martir mesa duket i dha dhe një famë tjetër mes kapedanëve të Skënderbeut përderisa
portreti i tij gjendet sëbashku mes personaliteteve më të rëndësishëm në librin
me gravura të George Greblinger-it.
Portreti i dytë që
gjendet në pavionin e mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar është portreti i
Muzak Aranitit, një pinjolli tjetër të familjes Araniti.Muzak Araniti ishte kapedan
i ushtrisë së Skënderbeut, që luftoi në shek.XV kundër ushtrisë më të madhe të
kohës, asaj të Perandorisë Otomane. Muzak Golemi rridhte nga dera fisnike e
Aranitëve dhe ishte djali i Vladan Golem Aranitit, i cili ishte vëllai i Gjergj
Aranitit dhe Muzak Komnenit, babai i Moisi Golemit. Nga martesa e Vladan
Aranitit, me
Angjelinën, lindi Muzaka, i cili njihej në popull me emrin“Muzaka i Angjelinës” dhe
se ai thirrej me këtë emër për shkak të emrit të nënës së tij, Angjelinës, por
edhe për ta dalluar nga i ungji i tij, Muzakë Komneni, që ishte vëllai i babait
të tij dhe ati i Moisi Golemit.[17]
Muzaka i Angjelinës mori
pjesë në Kuvendin e Lezhës më 2 Mars 1444. Ai përmendet si një nga luftëtarët
më të zotë të ushtrisë së Skënderbeut dhe pjesëmarrës në disa nga betejat më të
rëndësishmet që ushtria e tij zhvilloi kundër asaj osmane. Reth 8 komandantë të
rëndësishëm të Skënderbeut ku bënin pjesë edhe Moisi Golemi e Muzaka i
Angjelinës, ranë pre e kurthit të Ballaban Pashës dhe u zunë robër në Betejën e
Vajkalit nga ushtria osmane. Pas vdekjes së tyre Skënderbeu humbi komandantët e
tij më të mirë.
Epitafi i
Gllavenicës dhe portretet e dy pinjojve të familjes Arianiti në pavionin e
mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar rrëfejnë vetëm një pjesë të vogël të
kontributit të kësaj familje në historinë mesjetare të Shqipërisë. Me
rikonceptimin e linjës muzeale të këtij pavioni do të mundet të hidhet më tepër
dritë për anëtarët e tjerë dhe për të rindërtuar mozaikun e munguar të mesjetës
shqiptare.
[1]-Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Infobotues,
Tiranë, 2005, faqe 481.
[2]
Balazs Sudar. An aristocratic Albanian family in the Hungarian borderlands. Acta Balcano-Hungarica 1. Edited by Krisztian
Csaplar-Degovics Research Centre for the Humanities, Hungarian Academy of
Sciences, Budapest:2019, fq 25
[3] Po aty, fq 26
[4]-Historia e popullit shqiptar, Akademia e
Shkencave, Instituti i Historisë, Toena, Tiranë 2002, faqe 296-299.
[5]-Stema
e Arianitëve gjendet në një katalog stemash të shek. XVI në Bibliotekën
Kombëtare të Marçianës në Venedik; Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Dituria, Tiranë, 2000, faqe 48; Jaho Brahaj, Emblema shqiptare, Eurorilindja, Tiranë,
1997, faqe 39-40.
[6] Balazs Sudar. An aristocratic Albanian family in the Hungarian borderlands. Acta Balcano-Hungarica 1. Edited by Krisztian
Csaplar-Degovics Research Centre for the Humanities, Hungarian Academy of
Sciences, Budapest:2019, fq 24
[7] -Kasem Biçoku, Skënderbeu,
Akademia e Shkencave, Tiranë, 2005, faqe 68.
[8]-Dhimiter Shuteriqi, Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe
historise, Gazeta Shqiptare, 10.06.2007.
[9]-Fjala epitaf vjen nga greqishtja bizantine dhe do të
thotë "përmbi-varr" ose siç mund të thuhet ndryshe
"mbulesë-varri".
[10]-Frederik Stamati, Epitafi
i Gllavenicës, Sekretet e shkencës, Gazeta Shqiptare, Suplementi Milosao, 8
prill 2007, faqe 2-3.
[12]-Theofan Popa, Mbishkrime
të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1998, faqe 85.
[13]-Pranvera Bogdani, Balshajt, Akademia e Studimeve
Albanologjike Insituti i Historisë, Tiranë, 2018, faqe 48.
[14]-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, “55”,
Tiranë, 2009, faqe273.
[15]-Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, “55”,
Tiranë, 2009, faqe 274-276.
[16]-Tajar Zavalani, Histori
e Shqipnis, Phoenix, Tiranë, 1998, faqe 125; Naum Kule, Rrëfimet e Ardenicës, Botim i K.A.Sh-it, Tiranë 1999, faqe 31;
Bardhyli, Historia e bibliotekave në
Shqipëri, Hylli i Dritës, 1938, nr. 4, faqe 165; Kristofor Beduli, Irine Banushi, martir i Kishës Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë, Botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 2000, faqe 81-82.
[17] Gazeta Shqiptare, 24.07.2017, Avni Alçani, Princ Muzhaqi
i Angjelinës dhe konti Gjuriç Vladani,
dy nipat e Skënderbeut që luftuan përkrah tij.
No comments:
Post a Comment