Thursday, 4 August 2016

Portreti i Skënderbeut në 3D dhe historia


Përparimi i shkencës dhe teknologjisë ka bërë të mundur që të riprodhohen në pamje trediemensionale,  figura të ndryshme historike . Në këtë mënyrë, këto figura historike vijnë  shumë më afër publikut dhe bëhen më të prekshme për brezat e rinj. Para disa ditësh u shfaq në publik një imazh i tillë tredimensional i portretit të Skënderbeut nga piktori Fatmir Gjevukaj i cili që nga viti 2005 merret me formatin 3D.
Sipas autorit  ky punim është fotografi dhe është punuar me 3DsMax dhe Zbrush. Kështu ai ka thënë për Infokult se “gjatë realizimit të kësaj vepre kam bërë hulumtime të shumta dhe kam përdorur referenca të ndryshme të kohës në të cilën ka jetuar Skenderbeu, realizimi i së cilës mi ka marrë rreth një muaj kohë për të përfunduar. Kam tentuar që të inkorporojë në portretin e Skenderbeut virtytet sa më njerëzore të tij, si strateg ushtarak por edhe si mendimtar, gjithashtu edhe si një njeri i thjeshtë dhe real”. Mirëpo, nga një vëzhgim i kujdesshëm, mund të shikosh në këtë portret,  se dëshira e autorit për të nxjerrë një Skënderbe luftarak, e largon nga realiteti.  Kështu Skënderbeu paraqitet me një përkrenaren e tij të njohur, ku në supe i lëshohet një mbrojtëse prej rrjete hekuri, për të vazhduar sërish një këmishë hekuri, që përdorej në mesjetë për mbrotje ndaj goditjeve me shpatë. Sipër krahëve i qendron hedhur një pelerinë e kuqe. Në këtë portret të realizuar, mund të themi se busti, portreti i qendron realitetit apo gravurave të vjetra, por detajet në veshje janë ngatërruar. 
Është një fakt i njohur për historiografinë që Skënderbeu përkrenaren  e përdorte në raste ceremonie dhe jo gjatë luftimeve. Autori ka realizuar një portret të Heroit tonë Kombëtar , me këmishë hekuri, të gatshëm për luftim, por nëse përdor përkrenaren do të duhej të realizonte me veshje ceremoniale të një fisniku arbër, që ishin kryesisht veshje të ngjashme me ato të fisnikëve Venedikas. Cohat vinin nga Venediku dhe shpesh herë në marrëveshjet që nënshkruanin princat shqiptarë përveç marrjes së një pensioni të përvitshëm që shkonte nga 1200-1500 dukate në vit, ata përftonin dhe coha për rrobat e tyre. Në një letër që i dërgon Gjergj Pelinit, sekretarit të vet, Skënderbeu ngarkon këtë të fundit me një mision diplomatik dhe, ndër të tjera, i kërkon tërheqjen e cohës së premtuar, është ky: «Fol edhe për cohën që më kanë premtuar […]. Mbasi thonë se mua më duhen 16 kut cohë për dy palë petka, ata zotërinj le ta shqyrtojnë vetë sa cohë duhet për ato dy palë petka dhe të më japin aq sa ta shohin të arsyeshme së unë mund të kem nevojë». Në përgjigje, Senati venedikas i dërgon 18 e jo 16 kut stof skarlat. (Kristo Frashëri. Skënderbeu: jeta dhe vepra (2002).  
Pasqyrimi i Skënderbeut me tirqe apo me veshje popullore shqiptare është një tipar i pikturës së mëvonshme shqiptare, sidomos gjatë Realizmit Socialist, ku i mëshohej fort pasqyrimit të tij si hero popullor, por besoj edhe i mosleximit apo marrjes në konsideratë të mendimit të historianëve. Kështu p.sh qyteti i Krujës i realizuar në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, e paraqet Krujën e kohës së Skënderbeut, me stilin e shtëpive karakteristike të Beratit dhe Gjirokastrës që dihet që është një arkitekturë me ndikim otoman dhe të paktën e disa shekujve më vonë.
Përkrenarja “George Skanderbeg”. gjendet në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është me një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara në ar. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi prej 65 cm dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I. N. P. E. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian (Gazeta Besa. 3 mars 1932)
Më  vonë historiani dhe studiuesi Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e Skënderbeut” kur shkruan se në pjesën e poshtme te saj, ka rreth e rrotull nje rrip bakri me nje mbishkrim prej gjashte rrokjesh, te ndare midis tyre me rozeta: IM*PE*RA*TO*RE*BT, qe do te thote: Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae*Terrori Osmanorum*Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit te bekon ty Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqiperise, Tmerri i Osmanllinjeve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me keto gjashte monograme duket se eshte vene me vone ne perkrenare nga pasardhesit e Heroit, te cilet kane menduar se me shtimin e titujve do t'ia rritnin atij vleren, kurse, sic u tha, ai nuk ka mbajtur asnje nga keto tituj, por vetem "Zot i Shqiperise" (Dominus Albaniae)( Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut)
Nuk ka dyshim se objekti më interesant nga armët e Heroit tonë Kombëtar mbetet përkrenarja me simbolin e saj krejt të veçantë në krye,  kokën e dhisë. Sipas Frashërit se çfare ajo simbolizon mbi perkrenaren e Skenderbeut, eshte veshtire te shpjegohet me saktesi. Mund te shpjegohet me kultin e dhise se eger, simbolin e zanave shqiptare, te cilat jetojne, sipas legjendes, edhe sot ne bjeshket e larta, perfshire edhe ne ate te Gjelagjoshit, mali qe qendron mbi krye te Qidhnes se Dibres.(prej nga Frashëri argumenton në librin e vet se ka origjinën familja e Kastriotëve).
Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike duke datuar që në kultin e Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për ti shpëtuar frikës paranonjake të atit të vet Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në Kretë dhe ushqehet nga nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja qe tregojne se kulti i dhise se eger eshte shume i lashte. Shkrimtari romak i shekullit te I-II te eres sone S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjate luftes kunder Batos se ilireve, kur arriti ne Apoloni, preu per nder te fitores se tij, nje monedhe argjendi me koken e dhise se eger(.Kristo Frashëri. Katër relikat e rralla të Skënderbeut) 
Po kështu është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet çka mund të mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të teritoreve të veta , fakt që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbëre. Një dëshmi tjetër është vepra e Barletit ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e truajve dhe popullsisë arbëre . "Njerëzit kur veshtronin atë rini luftarake dhe kur shikonin ate lule burrash rreth Skenderbeut, nuk u dukej aq çudi qe fuqite e Muratit ishin thyer prej shqiptarevet. Me te vertete ishin kthyer ateherë përsëri shkelqimi i lashte i Maqedonise dhe dukej se kishin ardhur prape tamam, sic ishin dikur, kohet tanime te harruara te Aleksandrit dhe te Pirros.  

Kombinimi i teknologjisë me shkencat humane dhe marrja parasysh e mendimit të historianëve do të bëjë të mundur rindërtimin e portreteve të disa figurave tona të rëndësishme historike. “Historia është nëna e dijeve” thotë Herodoti dhe sigurisht, si e tillë do të mund të kontribujë më shumë në zbulimin dhe përfaqësimin e drejtë të identitetit dhe portreteve të heronjve tanë.  




Gazeta Dita. 4.08.2016, fq 18 



No comments: