Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e
një tradite pozitiviste, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet
gjeerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumenete të autorëve
shqiptarë dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e
kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet.
Ismail Kadare, Hyrje, fq 6
1- Një libër i ri për Çamërinë. Një vështrim i përgjithshëm
për të, kujt i vlen botimi?
Botimi dhe
publikimi i çdo libri të ri në historiografi
është një përpjekje për të ndriçuar më mirë një periudhë historike,
personalitet apo dhe ngjarje historike. Në rastin në fjalë bëhët fjalë për
historinë, territorin, popullin dhe
etnografinë e një krahine shqiptare që ka vuajtur më shumë nga harresa dhe përpjekja
për të mos u përmendur dhe tjetërsuar realitetin sesa krahinat e tjera
shqiptare. Si përmend mjeshtërisht në parathënien e librit , shkrimtari ynë i
madh Kadare:Çamëria bën pjesë në një nga
hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një
hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë
botë të shqetsuar. Ndërkaq heshtjet gjithashtu mund të acarojnë ndoshta më keq.
Pikërisht, ky libër i shërben këtij qëllimi, pra për të mos pasur më heshtje dhe për të mos
pasur më keqkuptime në marrëdheniet midis popujve dhe për të shërbyer si një
libër njohje për Çamërinë dhe fatin e saj tragjik.
2- Ka një vështrim kronologjik, nga ankititeti në vitet e
pas Luftës së II Botërore. Cila është pika kulmore e Çamërisë?
Krahina e Çamërisë
ka qenë e pranishme në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që kanë shenjuar etninë
dhe kombin shqiptar përgjatë gjithë historisë së tij. Një nga pikat e rëndësishme
kulmore janë ngjarjet e vitit 1879-1882, ku dega e Lidhjes së Prizrenit me
kryeqendër në Prevezë, bëri të munduar
ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kundërshtoi hapur aneksimin e tyre nga
mbretëria greke. Po kështu , një pikë tjetër kulmore është përfshirja e djemve
më të mirë të Çamërisë nëçetën antifashiste të Filatit, një dëshmi e qartë se
popullsia çame ashtu si gjithë populli shqiptar kontribuoi në kauzën e madhe
botërore të antifashizmit. Natyrisht, një nga pikat kulmore janë ngjarjet e
dhimbshme të qershorit 1944-1945, ku popullsia çame iu nënshtrua dhunës së egër
të shfarosjes, dëbimit dhe konfiskimit të pasurive. Është një histori e
dhimbshme e cila nuk ndjell fantazma të së shkuarës në skenë, por evidentimi i
tyre në fakt do të bëjë të mundur lehtësimin e ndërgjegjes nga peshat e vjetra
të fajit.
3- Ju vetë trajtoni figurën e Ali Pashë Tepelenës në raport
me Çamërinë. Në fakt, si është ky raport?
Koha në të cilën u
brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij pashai tepelenas ishte koha kur Ballkani
dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërdrejt me ushtrinë
franceze që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të
admirueshëm me Europën kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm dhe
nacionalizëm. Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i
papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe
gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative
e politike që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në
një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e
vet.Është e natyrshme se krahina e Çamërisë duke qenë shumë afer Janinës, do të
ishte nën synimin e tij për ta përfshirë brenda pashallëkut, çka çoi në përplasje
ushtarake por edhe paqe të shkurtëra gjatë të cilave u zhvillua tregtia dhe një
rrjet rrugor i admirueshëm. Ali Pasha Tepelena zhvilloi disa beteja kundër
fisnikërisë çame që nuk pranonte të hynte nën suzeranitetin e Pashallëkut të
Janinës, beteja të cilat ai i fitoi por në të njëjtën kohë ai pati dhe
zgjuarsinë e duhur për ti përshirë ata si miq në administrimin e Pashallëkut të
tij.
4- Cili është roli dhe pozicioni i Çamërisë dhe çamëve në
pashallëkun e Janinës?
Roli dhe pozicioni
i Çamërisë dhe çamëve në pashallëkun e Janinës ka qenë një rol kryesor. Të mos
harrojmë se dy nga skelat kryesore të Pashallëkut ishin Arta dhe Preveza. Po
kështu furnizimi me ushqime i ishuve Jonianë realizohej përmes fushës pjellore
të Çamërisë , çka i sillte të ardhura të mëdha Ali Pashë Tepelenës. Pjesa më e
madhe e fisnikërisë çame u përfshi në elitën drejtuese të Pashallëkut si
administratorë dhe kapedanë ushtarakë. Kujtojmë se një nga besnikët më të
mëdhenj të tij ishte Selim Çami, i gatshëm që me një shenjë të Pashait
Tepelenas të hidhte në erë kështjellën e Janinës bashkë me veten dhe thesarin.
5- Së fundmi, po diskutohet roli i çamëve në Luftën e Dytë
Botërore. A ka pasur figura çame të përfshira në luftë krah nazistëve? A ka
qenë figura të rëndësishme apo dytësore?
Kjo është alibia më
e madhe që fatkeqësisht shumë mendje të sëmura në historiografinë greke i kanë
fryrë dhe vazhdojnë të fryrë duke marrë veprime të shkëputura të individëve të
veçantë dhe duke i servirur si veprime kolektive. Nuri dhe Mazar Dino, nuk përfaqësonin
vullnetin e popullsisë çame dhe formacioni i krijuar prej tyre, operoi kyesisht
në thellësi të territorit shqëiptar, si Saranë, Delvinë e Gjirokastër. Nga ana
tjetër pjesëmarja e popullsisë çame në luftën antifashiste është e dokumentuar
përmes pjesëmarrjes së të rinjve çamë në formacionet partizane shqiptare dhe
greke dhe martirëve të rënë në fushat e betejës. Në libër trajtohen me detaje përpjekjet
e nacionalistit ekstremist grek Zerva për të masakruar popullsinë e pafajshme
çame, heshtjen e misionit ushtarak anglez të kryesuar nga Woodhouse përsa i përket
dhunës së ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme
dhe përpjekjet e Komitetit Antifashist Çam për të denoncuar masakrat dhe
dëbimin menjëherë pas dhunës së ushtruar dhe dëbimit të popullsisë shqiptare.
Ky libër nuk është një manual urrejtje dhe dhune por përmes dëshmisë historike
synohet ndërgjegjësimi i atyre që ende janë të paqartë se në një Europë të
bashkuar prania e fajit trajtohet si vlerë dhe kërkesa për ndjesë edhe pse e
vonuar gjithmonë është e mirëpritur.
6- Pse Zerva i ndëshkoi çamët? Si trajtohet figura e tij në
libër?
Historia e
masakrave në Çamëri nuk është historia e urrejtjes personale të një njeriu ndaj
një popullate. Zerva, ishte një burmë në gjithë mekanizmin shovinist grek që
kish filluar që në hartimin e Megali Idesë në 1844. Origjina e supozuar tij shqiptare, që ka të ngjarë të jetë nga fiset suliote të
helenizuara nuk do të thotë asgjë përballë veprimeve të organizuara dhe të
shprehura prej një nacionalisti fanatik që urren Tjetrin dhe nuk pranon
diversitetin etnik dhe fetar. Ai ishte një nga “kasapët e Ballkanit”, një
produkt tipik i shoqërive të mbyllura që sigurisht janë të dënuar nga gjyqi i
historisë, qoftë edhe kur vdesin nga ataku në zemër si ishte rasti i
Milosheviçit në Hagë. Historia e dhimbshme e Çamërisë , duhet njohur më mirë në
rajon, në mënyrë të tillë që ngjarje të tilla të dhimbshme të mos përsëriten në
të ardhmen. Në një Ballkan që synon të integrohet tërësisht në Bashkimin
Europian, ikona dhe personazhe të tillë sigurisht që i përkasin së kaluarës por
duke dëshmuar për krimet e tyre, bëhet e mundur që rrethanat dhe kushtet që i
lindin, të mos përsëriten më.
Intervistoi: Fatmira Nikolli
No comments:
Post a Comment