Incidenti i Teplitzit, është një tablo e pikturuar nga
Carl Rohling në 1887. Tabloja ilustron ngjarjen e njohur në qytetin çek të ujrave
termale në Teplitz në vitin 1812, ku
për herë të parë u takuan dy gjigandë të
kulturës botërore, Bethoven dhe Gëte.
Ata po shëtisnin sëbashku dhe panë që drejt tyre po vinte
familja perandorake. Gëte e tërhoqi Bethovenin në drejtimin e tyre dhe
dëshironte që t’i përshendeste duke u përulur,ndërsa Bethoven si natyrë krenare
dhe rebele që ishte u largua pa u përshendetur, mospërfillës dhe pa e hequr
kapelën. Kaq mjaftoi që miqësia e tyre të prishej por sigurisht, kjo ngjarje la
gjurmë në qendrimin e intelektualëve ndaj pushtetit.
Të dy këta kolosë të mendimit, janë njohur herët në
mendimin intelektual dhe filozofik shqiptar. “Fausti” i Gëtes është përkthyer
nga Skënder Luarasi dhe në gjithë filozofinë gjermane, ka analiza të plota të
Faustizmit dhe Mefistolizmit në mendimin perëndimor europian. Fan Noli ynë, mbrojti tezën e doktoraturës me veprën kushtuar kompozitorit të madh gjerman, “Bethoveni
dhe Revolucioni Francez”. Meloditë e tij kanë ardhur vonë për publikun e gjerë
shqiptar që vetëm nga gjysma e shekullit të kaluar filloi të dëgjojë muzikë
klasike.
Racionalizëm dhe Revolucion. Dilema të pazgjidhura ende në mendimin intelektual shqiptar, që në përgjithësi ndjek me pathos një lloj
evolucioni Mefistoalian për tu bërë revolucionar kur pushtetet politike
ndrrohen. Ata kanë bërë për vete këshillën e Mefistofelit drejtuar Faustit: I dashur mik, të gjitha rregullohen; kur ke
besim në vete, di të rrosh. Të rrosh apo të mos rrosh/kjo është çështja, thotë Hamleti te Shekspiri. Po
si të rrosh? Si Gëte apo Bethoven? Zgjedhja ndaj kësaj dileme, e bën botën më të
mirë por edhe më të vështirë. Melodia e Simfonisë së 5-të, të Bethovenit është e
admirueshme dhe e përkryer për veshët e atyre që duan të dëgjojnë.
No comments:
Post a Comment