Vasilikë e bukur, hi e hir-i vashës,
Psherëtimë e bardhë e Ali Pashës,
Dimër edhe verë tridhjetë vjet në shkallë,
Bindu, moj e gjorë, që Aliu s’është gjallë.
Ulur në verandë, pi verem, raki,
Me tym të cigares vizaton Ali…
Një Ali të murrmë, të hollë si ëndërr,
Përmbi kalë të vdekjes kalëron si dhëndërr.
Unazë e martesës, në gotë, në raki,
Kokë e Ali Pashës derdhur në flori,
Të vjen gjer në buzë sa herë pi me nge,
Puthja është e vdekur, puthja vetëm bje.
Kokë e tij e bardhë, Kokë e tij e prerë,
Bie në sytë e tu hapur si humnerë,
Bie e bie mbi shkallë, bie mbi gjinjtë e tu,
Njëri manastir, tjetri xhami blu…
Ajo Kokë e Burrit, ajo rè prej shqote,
Kur qe gjallë peshoi sa një gjysëm bote,
Kur qe përmbi supe-kuti me tërmete,
Me një kthim prej luani bënte ç’bënte shtete.
Tani mjekr’- e tij nga lart bje si borë,
Mbulon tej e tej Shqipërinë e gjorë.
Tre male më tej- trendafil që mbin,
Trëndafil i bardhë që tërboi Greqinë.
Kontër, pashallarë me vula të arta,
Të lypën kurorë me parfum në karta,
Po emrat e tyre kushedi me ç’brymë,
Ranë vjeshtë më vjeshtë si gjethe pa frymë.
Kallogre e thinjur, ah Vasiliqi,
Moj sorkadhe therur, o ti yll i zi,
Si qiri prej pashke digju pranë Besës,
Që ti japësh botës aromën e shpresës.
Në fshatin ku linde, si hënë e gremisur,
Si dhogë e anuar mbi varr të vithisur,
Nusezeza jonë si një lot i grisur,
Vjehrra Shqipëri ëndërr e pa stisur.
Pret e pi rakinë me rruaza floriri
Pret e pret të vijë Ali Pashë Veziri,
Hipur mbi Janinën si një pelë e kuqe,
Hipur përmbi Sulin si një kalë me huqe.
Njëherë i vjen koka, trupi herë- herë,
Që të dyja bashkë mendja s’mund t’i bjerë.
Një nate me shtatin, një nate me Kokën,
Fle Vasiliqia si ngrica me tokën.
Natë e ditë i lutesh: “Krishti im, - Ali,
Pse s’po ngjallesh ende, Ti je Perëndi,
Motet shkojnë e vijnë; lule, borë e lotë,
Botën e bën akull gjaku im i ftohtë…
Të largosh mornicat ti shtje prapë raki,
Raki me unazë nuk ka pirë njeri,
Shijen si e ka s’do ta dijë askush,
Përveç zemrës tënde që punon me prush…
Ditët vijn’- e venë - sorra me një sy,
Tek sofat- i gurtë ti dhe gota dy,
Kokën e ngre pak sa herë bien tërmete,
Mos po vjen Aliu, pëshpërit me vete.
Prite siç pret guri, ti anti- Helenë,
Ja, që s’je prej mishi, je grua bedenë,
Po Ai nuk ngrihet, legjendat nuk vijnë,
Nëpër qieje mëndjesh ndizen vetëtijnë…
Petrit Ruka
Nga libri: “Vërtitu, kokë e prerë”, 2000
No comments:
Post a Comment