Ballkani është
një trevë e Europës që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të
ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës
së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e
Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaledoskop kulturor ku influencat e
ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm.
Saturday, 21 September 2019
Wednesday, 11 September 2019
Armët e brezit verdhane të Elbasanit në Muzeun Ali Pasha Tepelena në ishullin e Janinës.
Armët e brezit ose koburet kanë qenë pjesë e rëndësishme
e armatimit të luftëtarit shqiptar. Ato mbaheshin në brez edhe si pjesë e
veshjes së përditshme gjatë fundit të shekullit të XVIII e në shekullin e XIX.
Ato prodhoheshin në punishtet e armëve që gjendeshin në qytetet shqiptare.
Të dhënat historike dëshmojnë se në Elbasan janë prodhuar armë
zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari turk Evlia Çelebi në shënimet që ka mbajtur
gjatë udhëtimeve të tij thotë se armët punoheshin me mjeshtëri dhe elegancë.
Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të kondakçinjve, sipas
të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh. Pranë tyre qenë
dyqanet e argjendarëve dhe të saraçëve që merreshin me zbukurimet e tyre. Armët
e zbukuruara me argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej
shtresave të pasura. Në qytetin e Shkodrës janë prodhuar karajfile me shumicë
dhe të zbukuruara me argjend dhe me filigran, ndërsa në pjesën jugore të Shqipërisë
pushkët karajfile zbukuroheshin me savat. (Riza
T.Drishti. Armët dhe armëtarët shqiptarë.Tiranë:8 nëntori, 1976)
Monday, 9 September 2019
Taxhi i Ali Pashë Tepelenës në Muzeun Historik Kombëtar.
Gjatë punës kërkimore dhe shkencore për studimin e
hulumtimin e objekteve që janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur
të evidentojmë objektin taxhi i Ali Pashë Tepelenës me numër inventari 339.
Sipas kartelës së objektit rezulton se taxhi i Ali Pashë Tepelenës ka hyrë në
fondin e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981. Origjina e objektit muzeal të
identifikuar si taxhi i Ali pashë Tepelenës shënohet në kartë si i ardhur nga
ish muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ai ka një lartësi 18.5 cm
dhe diametër 20 cm. Nuk dihet qartë se përse ky objekt ka qenë në fondet e e
ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, kur në fakt i përket
periudhës së Pashallëqeve shqiptare. Objekti
paraqitet tepër i dëmtuar dhe ende nuk kemi rënë në gjurmë se si ky objekt është
përfituar dhe ka hyrë në fondet e ish muzeut të Luftës Antifashiste
Nacional-çlirimtare. Si objekt ai mbetet i veçantë sepse është i vetmi që
mendohet se i përket Ali Pashë Tepelenës në territoret shqiptare pasi në disa
muzeume në botë si p.sh në Muzeun Benaki në Athinë ka objekte personale të tij
si ore xhepi apo dhe disa armë të dekoruara me ar. Për më tepër Prof Moikom
Zeqo e përmend në librin Syri i Tretë i Bektashizmit por nuk e analizon më
gjerësisht. Po a ishte taxhi një veshje karakteristike për Ali Pashë Tepelenën?
Friday, 2 August 2019
Rrëfimi i periudhave historike të Ismail Qemalit përmes objekteve të tij në Muzeun Historik Kombëtar
Në të gjitha pavijonet e
Muzeut Historik Kombëtar ka koleksione muzeale të mrekullueshme. Ato u
hulumtuan dhe u përzgjodhën si objektet muzeore më përfaqësuese të trashëgimisë
sonë kulturore: nga ish-Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,
Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Kërkimeve Arkeologjike, muzetë e
rretheve etj., dokumente e fotografi nga Arkivi i Shtetit, nga arkivi i
Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë, të Institutit të
Monumenteve etj. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e
ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që
përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muezologjia i vjen në ndihmë historisë përmes
dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur
historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të
Mesdheut. Dokumentet, koleksionet muzeore dhe gjuha formësojnë një identitet të
përbashkët kulturor të shqiptarëve në rajon por përmes koleksioneve të veçanta
muzeore historia jonë mund të rrëfehet jo vetëm si një histori lineare por edhe
si një histori integrale e Mesdheut. Një nga koleksionet më të rëndësishëm
muzealë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar janë objektet e Ismail
Qemalit, babait të pavarësisë së Shqipërisë dhe kryeministrit të parë shqiptar.
Piktura “Madonna” Leonardo Da Vinçit dhe stërmbesa e Gjergj Arianitit
Në datën 22 korrik Muzeu Historik
Kombëtar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës organizuan ekspozitën
"Leonardo - Opera Omnia", të kuruar nga historiani i artit prof.
Antonio Paolucci dhe e prodhuar nga RAICom. Ekspozita - e cila ka udhëtuar
nëpër botë – është pjesë e një programi promovues ndërkombëtar për artin dhe
edukimin e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit
Ndërkombëtar dhe mbledh riprodhimet, të stampuara në kanavacë në shkallë reale
dhe me rezolucion shumë të lartë të kryeveprave të Leonardo-s të ruajtura në 11
prej muzeve më të rëndësishëm në botë. Falë përpjekjeve dhe teknikës së RAI
Com, studiuesit, studentët dhe të gjithë dashamirësit e artit të Rilindjes do
të mund të admirojnë në të njëjtin vend dhe në një distancë të afërt pikturat
gjeniale të Leonardo-s. Në këtë ekspozitë paraqeten 17 riprodhime të 17 veprave
të Leonardos, të zgjedhura me mjeshtri dhe profesionalizëm. Falë teknikave
dixhitale të sofistikuara dhe përdorimit me zgjuarsi të dritave, vizitori
vendoset virtualisht përpara veprës origjinale, duke përjetuar përvojën
emocionale që përjetimi i kryeveprave të mëdha shkakton. Kuratori i ekspozitës,
Antonio Paolucci, njihet si një prej ekspertëve më të shquar të artit
ndërkombëtar. Kjo ekspozitë, së bashku me atë të krijuar vitin e kaluar mbi
Caravaggio-n dhe aktivitetin e planifikuar për vitin e ardhshëm mbi
Raffaello-n, rrjedh nga një reflektim mbi temën e përdorimit të kryeveprave të
mjeshtërve të mëdhenj. Në vende të ndryshme ku ka udhëtuar ekspozita janë
zgjedhur imazhe të ndryshme të tablove të Leonardo Da Vinçit si imazh kryesor i
ekspozitës. Kështu p.sh në Poloni në Muzeun Historik Kombëtar në Varshavë si
imazh kryesor në afishe ishte përzgjedhur Zonja me ermelino për shkak se
origjinali i kësaj vepre ndodhet në Muzeun e Arteve në Krakovë. Po në Shqipëri
dhe në Tiranë përse kuratorët kanë vendosur si imazh kryesor pikturën e papërfunduar
Kokën e një gruaje apo e njohur dhe ndryshe si Flokë prishura? A kemi të bëjmë
me një zgjedhje rastësore apo se ka një lidhje historike e kulturore me Shqipërinë?
Sigurisht që kur flasim për Leonardo Da Vinçin nuk mund të shpëtojmë dot pa kërkuar
në nëntekstet dhe kontekstet kulturore. Vepra Koka e një gruaje me përmasa të
vogla, ka qënë i varur në dhomën e gjumit të Margherita Paleologës, gruaja e
Frederik Gonzagës-dukë i Mantovës. Në
veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës,
të shkruar në 1510 dhe të botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në
Chroniques gréco-romaines, Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti
, vajza e Gjergj Arianitit e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një
vajzë Maria që u martua me Boniface Paleologu III, Marquess of Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u bë Markez i Montferrat midis viteve 1494 dhe
1518, and John George (1488-1533) i cili u bë Markezi
i fundit i Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. William IX u martua me Anne of Alençon një fisnike franceze dhe patën sëbashku tre fëmijë,
një prej të cilave ishte Margherita Paleologa në dhomën e së cilës ndodhej
vepra e Leonardo Da Vinçit. Margherita Paleologa (11 gusht 1510 në Casale Monferrato – 28
dhjetor 1566 në Mantua) ishte stërmbesa
e Gjergj Arianitit dhe Maria Muzakës dhe
një nga zonjat fisnike më të rëndësishme të Italisë. Kësisoj mesjeta arbëre jehon sërish nëpërmjet
ekspozitës së Leonardo Da Vinçit në Muzeun Historik Kombëtar. Në të gjitha veprat e tij, Leonardo da
Vinçi sjell një mesazh të madh njerëzimi, duke na provokuar që, edhe sot, të
mos mbetemi në sipërfaqe, por të hetojmë thellësitë e botës, të njeriut, të
jetës, për t’u rritur nga pikëpamja e njerëzimit dhe të jemi të hapur ndaj të
ardhmes.
Portreti Koka e një gruaje i Leonardo
Da Vinçit shquhet për detajet artistike të veçanta. Ajo u porosit tek Leonardo
Da Vinçi në vitin 1501 nga Markezja Margherita
Paleologa e martuar me Federico
II Gonzaga,
kryezotin e Mantovës. Në një letër të vitit 1501 Markezja i drejtohej Pietro
Novallara-s nëse Leonardo Da Vinçi mund të pikturonte një Madonna për studion e
saj private. Kritiku i njohur i artit Aleksander Nagel shkroi në Katalogun “Leonardo da Vinci: anatomical
drawings from the Royal Library, Windsor Castle” botuar nga The Metropolitan Museum of
Art për pikturën “Madonna” se : "Sytë nuk përqendrohen në ndonjë objekt të
jashtëm, dhe japin përshtypjen se do të qëndrojnë aty ku janë: ata shohin
përmes filtrit të gjendjes së brendshme, në vend që të marrin përshtypje të
menjëhershme nga bota e jashtme. Është qëndrimi i të qënit i pezulluar në
një gjendje mendore përtej mendimit të veçantë - i pavetëdijshëm, madje, ndaj
trupit të tij ... këtu, një jetë e brendshme është sugjeruar nga një rend i ri
i efekteve ilustruese, pa iu adresuar veprimit ose të rrëfyerit.
A ka ndonjë ngjashmëri midis Margarehta
Paleologës, stërmbesës dhe pikturës që varej në studion e saj? Për këtë gjë nuk
mund të themi asnjë gjë të sigurtë por për aeralin tonë kulturor kjo pikturë është një shenjë një
simbol i rëndësishëm i përfshirjes së aristokracisë arbëre në dukuritë më të
rëndësishme kulturore të kohës.
Monday, 22 July 2019
Rreshpja dhe letërsia zyrtare (1968-1990)
Poezia
shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që
mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja , poeti i
pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e
lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri
modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të
atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të
lëvrimit të tematikave dhe karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një
tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në
letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e
veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe
marrëdhënien e saj me rrymat letrare moderne që lëvroheshin
në Europë.
Monday, 15 July 2019
Rrugëtimi historik i familjes Vasjari.
Historia e dyqind
vjetëve të fundit të Shqipërisë është ende jo fort e studiuar përsa i përket
kontributit të veçantë të figura të ndryshme historike. Tisi i kohës ka hedhur
shumë pluhur mbi ta, dhe në disa raste edhe ka shërbyer për të ndryshuar
hierarki të ndryshme ngjarjesh dhe vlerash historike. Historiografia kombëtare
shqiptare është e re, dhe nën presionin
e ideologjive shpesh herë ka përshtatur përshkrimin e ngjarjeve dhe rolit të
figurave historike në këto ngjarje. Fakti që disa ekponentë të rëndësishëm të kësaj
familje u arrestuan dhe u dënuan me vdekje nga regjimi komunist, ka qenë përcaktues
në historiografinë zyrtare për të shkruar dhe kontributin e personaliteteve
historikë Vasjari në historinë e Shqipërisë. Një rast i tillë në historinë
zyrtare të Shqipërisë së Jugut është përshembull kontributi i familjes Vasjari,
e cila përmëse se 200 vjet ka qenë pjesëmarrëse dhe la luajtur një rol qendror
në ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë.
Subscribe to:
Posts (Atom)







