Në datën 22 korrik Muzeu Historik
Kombëtar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës organizuan ekspozitën
"Leonardo - Opera Omnia", të kuruar nga historiani i artit prof.
Antonio Paolucci dhe e prodhuar nga RAICom. Ekspozita - e cila ka udhëtuar
nëpër botë – është pjesë e një programi promovues ndërkombëtar për artin dhe
edukimin e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit
Ndërkombëtar dhe mbledh riprodhimet, të stampuara në kanavacë në shkallë reale
dhe me rezolucion shumë të lartë të kryeveprave të Leonardo-s të ruajtura në 11
prej muzeve më të rëndësishëm në botë. Falë përpjekjeve dhe teknikës së RAI
Com, studiuesit, studentët dhe të gjithë dashamirësit e artit të Rilindjes do
të mund të admirojnë në të njëjtin vend dhe në një distancë të afërt pikturat
gjeniale të Leonardo-s. Në këtë ekspozitë paraqeten 17 riprodhime të 17 veprave
të Leonardos, të zgjedhura me mjeshtri dhe profesionalizëm. Falë teknikave
dixhitale të sofistikuara dhe përdorimit me zgjuarsi të dritave, vizitori
vendoset virtualisht përpara veprës origjinale, duke përjetuar përvojën
emocionale që përjetimi i kryeveprave të mëdha shkakton. Kuratori i ekspozitës,
Antonio Paolucci, njihet si një prej ekspertëve më të shquar të artit
ndërkombëtar. Kjo ekspozitë, së bashku me atë të krijuar vitin e kaluar mbi
Caravaggio-n dhe aktivitetin e planifikuar për vitin e ardhshëm mbi
Raffaello-n, rrjedh nga një reflektim mbi temën e përdorimit të kryeveprave të
mjeshtërve të mëdhenj. Në vende të ndryshme ku ka udhëtuar ekspozita janë
zgjedhur imazhe të ndryshme të tablove të Leonardo Da Vinçit si imazh kryesor i
ekspozitës. Kështu p.sh në Poloni në Muzeun Historik Kombëtar në Varshavë si
imazh kryesor në afishe ishte përzgjedhur Zonja me ermelino për shkak se
origjinali i kësaj vepre ndodhet në Muzeun e Arteve në Krakovë. Po në Shqipëri
dhe në Tiranë përse kuratorët kanë vendosur si imazh kryesor pikturën e papërfunduar
Kokën e një gruaje apo e njohur dhe ndryshe si Flokë prishura? A kemi të bëjmë
me një zgjedhje rastësore apo se ka një lidhje historike e kulturore me Shqipërinë?
Sigurisht që kur flasim për Leonardo Da Vinçin nuk mund të shpëtojmë dot pa kërkuar
në nëntekstet dhe kontekstet kulturore. Vepra Koka e një gruaje me përmasa të
vogla, ka qënë i varur në dhomën e gjumit të Margherita Paleologës, gruaja e
Frederik Gonzagës-dukë i Mantovës. Në
veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës,
të shkruar në 1510 dhe të botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në
Chroniques gréco-romaines, Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti
, vajza e Gjergj Arianitit e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një
vajzë Maria që u martua me Boniface Paleologu III, Marquess of Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u bë Markez i Montferrat midis viteve 1494 dhe
1518, and John George (1488-1533) i cili u bë Markezi
i fundit i Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. William IX u martua me Anne of Alençon një fisnike franceze dhe patën sëbashku tre fëmijë,
një prej të cilave ishte Margherita Paleologa në dhomën e së cilës ndodhej
vepra e Leonardo Da Vinçit. Margherita Paleologa (11 gusht 1510 në Casale Monferrato – 28
dhjetor 1566 në Mantua) ishte stërmbesa
e Gjergj Arianitit dhe Maria Muzakës dhe
një nga zonjat fisnike më të rëndësishme të Italisë. Kësisoj mesjeta arbëre jehon sërish nëpërmjet
ekspozitës së Leonardo Da Vinçit në Muzeun Historik Kombëtar. Në të gjitha veprat e tij, Leonardo da
Vinçi sjell një mesazh të madh njerëzimi, duke na provokuar që, edhe sot, të
mos mbetemi në sipërfaqe, por të hetojmë thellësitë e botës, të njeriut, të
jetës, për t’u rritur nga pikëpamja e njerëzimit dhe të jemi të hapur ndaj të
ardhmes.
Portreti Koka e një gruaje i Leonardo
Da Vinçit shquhet për detajet artistike të veçanta. Ajo u porosit tek Leonardo
Da Vinçi në vitin 1501 nga Markezja Margherita
Paleologa e martuar me Federico
II Gonzaga,
kryezotin e Mantovës. Në një letër të vitit 1501 Markezja i drejtohej Pietro
Novallara-s nëse Leonardo Da Vinçi mund të pikturonte një Madonna për studion e
saj private. Kritiku i njohur i artit Aleksander Nagel shkroi në Katalogun “Leonardo da Vinci: anatomical
drawings from the Royal Library, Windsor Castle” botuar nga The Metropolitan Museum of
Art për pikturën “Madonna” se : "Sytë nuk përqendrohen në ndonjë objekt të
jashtëm, dhe japin përshtypjen se do të qëndrojnë aty ku janë: ata shohin
përmes filtrit të gjendjes së brendshme, në vend që të marrin përshtypje të
menjëhershme nga bota e jashtme. Është qëndrimi i të qënit i pezulluar në
një gjendje mendore përtej mendimit të veçantë - i pavetëdijshëm, madje, ndaj
trupit të tij ... këtu, një jetë e brendshme është sugjeruar nga një rend i ri
i efekteve ilustruese, pa iu adresuar veprimit ose të rrëfyerit.
A ka ndonjë ngjashmëri midis Margarehta
Paleologës, stërmbesës dhe pikturës që varej në studion e saj? Për këtë gjë nuk
mund të themi asnjë gjë të sigurtë por për aeralin tonë kulturor kjo pikturë është një shenjë një
simbol i rëndësishëm i përfshirjes së aristokracisë arbëre në dukuritë më të
rëndësishme kulturore të kohës.
No comments:
Post a Comment