Friday, 2 August 2019

Rrëfimi i periudhave historike të Ismail Qemalit përmes objekteve të tij në Muzeun Historik Kombëtar




Në të gjitha pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar ka koleksione muzeale të mrekullueshme. Ato u hulumtuan dhe u përzgjodhën si objektet muzeore më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore: nga ish-Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Kërkimeve Arkeologjike, muzetë e rretheve etj., dokumente e fotografi nga Arkivi i Shtetit, nga arkivi i Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë, të Institutit të Monumenteve etj. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muezologjia i vjen në ndihmë historisë përmes dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të Mesdheut. Dokumentet, koleksionet muzeore dhe gjuha formësojnë një identitet të përbashkët kulturor të shqiptarëve në rajon por përmes koleksioneve të veçanta muzeore historia jonë mund të rrëfehet jo vetëm si një histori lineare por edhe si një histori integrale e Mesdheut. Një nga koleksionet më të rëndësishëm muzealë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar janë objektet e Ismail Qemalit, babait të pavarësisë së Shqipërisë dhe kryeministrit të parë shqiptar.

Në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar pena e nënshkrimit të aktit të pavarësisë së Shqipërisë, me numër inventari 1863. Pena është  përdorur nga delegatët në Kuvendin e Vlorës të datës 28 nëntor 1912, për nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.[1] Ajo është një objekt i veçantë historik. Ndonëse është një objekt i vogël ajo ka një rëndësi mjaft të madhe për historinë e shqiptarëve. Pena ndodhet pranë Deklaratës së Pavarësisë si simbol i përfundimit të etapës së rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapjes së një etape të re në historinë e shqiptarëve, siç është ajo e përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e shtetit kombëtar shqiptar. Pjesa origjinale është trupi i penës ndërsa maja e saj është shtuar më vonë.[2]
Ismail Qemal Vlora zhvilloi veprimtari të dendur politike në Europë për njohjen e kombit shqiptar dhe realizmin e shpalljes së Pavarësisë. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe organe të huaja. Platofrma politike e Ismail Qemal Vlorës në përgjithësi përputhej me ato të ideologëve të tjerë të Rilindjes. Mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër xhonturqëve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Në dhjetor të vitit1908, me gjithë luftën që i bënë autoritet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në parlament, ku së bashku me grupin e deputetëve patriotë shqiptarë, mbrojti interesat kombëtare.
I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit, në pragun e Luftërave Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte Shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori, së bashku me Luigj Gurakuqin, një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun e për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë, ku u takua me personalitete politike austro-hungareze e me përfaqësues diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe siguroi përkrahjen e tyre për çështjen shqiptare. Ismail Qemal Vlora ndoqi me kujdes ndryshimin e shpejtë të qëndrimit politik të Fuqive të Mëdha ndaj Perandorisë Osmane dhe arriti në përfundimin se duhej thelluar kërkesa politike, duke e çmuar shpalljen e pavarësisë si të vetmin mjet për shpëtim. Luigj Gurakuqi sëbashku me Ismail Qemalin hartuan Memorandumin e Greçës, i cili kishte një karakter të përgjithshëm kombëtar. Memorandumi i Greçës kalonte nga kërkesa me karakter kombëtar në një program me dimension mbarëkombëtar. Fillohej me një protestë kundër ekspeditave ndëshkimore të Xhavit Pashës dhe Turgut pashës në Kosovë e në Malësi për të vijuar me kërkesën për çeljen e shkollave shqipe, për njohjen e kombësisë shqiptare, për një autonomi territoriale administrative në vilajetet me popullsi shqiptare. Me këtë dokument kryengritja e  Malësisë vihej në rafshin kombëtar.[3]
Gjate rrugës së Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit dhe shpalljes së pavarësisë do shoqërohej nga Luigj Gurakuqi dhe pas shume ndalesash në vende të ndryshme më 21 nëntor 1912 do mbërrinin në Durrës. Më 28 nëntor 1912 u mblodh Kuvendi i Vlorës, i cili zgjodhi si kryetar të qeverisë Ismail Qemalin. Në këtë Kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912, lexoi deklaratën e Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngriti Flamurin Kombëtar. Ismail Qemali ndër të tjera tha: Të bëhet Shqipëria më vehte nën një Qeveri të Përkohshme; të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të Qeverisë, të dërgohet një komision në Europë për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara Mbretërive të mëdha. Të gjithë delegatët me një zë i pëlqyen fjalët e Ismail Qemal Beut dhe vendosën që: Shqipëria të bëhet që sot më vehte, e lirë, e pamvarur nën një Qeveri të Përkohshme.[4]
Po kështu në të njëjtin pavion ndodhet edhe aparati mors. Gjithashtu në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar aparati telegrafik Mors, me të cilin Qeveria e përkohshme e Vlorës ka marrë dhe ka dhënë telegrame gjatë viteve 1912-1914. Aparati telegrafik Mors[5] ka formë drejtkëndëshe dhe krah për transmetim. Ka përmasat 62x12x11 cm dhe numër inventari 1953. Materiali nga i cili është bërë aparati Mors është metalik dhe bazën e ka prej ebaniti. Aparati telegrafik Mors është i tipit Czeija, Nissl u Co, Vienna[6]. Me anën e aparatit telegrafik Mors  Qeveria e përkohshme e Vlorës ka marrë dhe ka dhënë telegrame gjatë viteve 1912-1914; Telegram i Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, drejtuar të gjitha qarqeve, me anën e të cilit njofton Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kërkon bashkim dhe qetësi në të gjithë vendin. Në telegram thuhet: Duke përfituar nga kushtet e krijuara nga gjendja e sotme, u pa e nevojshme të Shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Tani, shqiptarët do të mbajnë qetësinë, do ta ruajnë bashkimin njeri me tjetrin, do të rrojnë si vëllezër me të gjithë, qoftë me turqit, qoftë me të huaj të tjerë. Të forcohet harmonia dhe të rrojmë si vëllezër. Këtë ta kemi si një detyrë njerëzore e politike. Imponohet nga gjendja që populli të mbajë një qëndrim të ndershëm e të qartë. Këtë gjë lus prej popullit të ndershëm; përndryshe pas kësaj shpalljeje do të jepen dënimet më të rrepta kundra guximtarëve[7]. Në pavijonin e Rilindjes Kombëtare është ekspozuar flamuri i Ismail Qemalit me numër inventari 1860.  Ky është një flamur i vogël tekstili i përdorur nga Ismail Qemali[8]. Flamuri ka përmasat 12 x9 cm. Materiali nga i cili është bërë është pambuk. Në qendër të flamurit është një shqiponjë e zezë dykrenore. Thekët anash flamurit janë qëndisur me të verdhë. Gjithashtu është edhe një gotë uji e përdorur nga Ismail Qemali, e cila mban numër inventari 1859. Ajo është një gotë e thjeshtë dhe e lyer me shirita varaku. Në njërin krah ajo është e pikturuar me lule ngjyrë rozë.
Në pavijonin e pavarësisë pasqyrohet me anë të disa busteve të punuara nga studentë të akademisë së arteve në janar të vitit 2008 edhe kabineti i Qeverisë së Vlorës, i cili u miratua më 4 dhjetor 1912. Ajo përbëhej prej 9 dikasteresh, Ismail Qemali, përveç se kryeministër mori dhe detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme. Zëvendëskryeministër, peshkopi katolik i Durrësit Imzot Nikollë Kaçorri. Ministër i Drejtësisë Petro Poga; Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi; Ministër i Bujqësisë Pandeli Cale; Ministër i Punëve të Brendshme Myfit Libohova, Ministër i Financave Abdi Toptani; Ministër i Punëve Botore Mithat Frashëri, Ministër i Mbrojtjes Mehmet Dëralla dhe Ministër i Post-Telegrafës Lef Nosi. Në Muzeun Historik Kombëtar ka qenë edhe një shtatore e Ismail Qemalit, e cila në vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u vendos tek lulishtja përballë hotel “Rogner”. Shtatorja është vepër e realizuar në vitin 1982 nga skulptori Odhise Paskali. Vendosja e shtatores në një nga sallat kryesore të Muzeut Historik Kombëtar tregon aftësitë dominuese, duke e vulosur përfundimisht, artistin, veprën dhe patriotin në histori, me hijeshinë dhe shkëlqimin që i takon[9]. Në kuadër të 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, si titullar i institucionit më të madh muzeor në vend propozoj që një kopje e kësaj shtatoreje të vihet në ambientet rreth Muzeut Historik Kombëtar. Për figurën e Ismail Qemalit, duhet medoemos të krijohet një shesh qendror, ku të vendoset një përmendore e përmasave gjigante, për këtë lider të pavarësisë së vendit. Kombet e qytetëruar krijuesin e shtetit të tyre e kanë vendosur jo vetëm në kryeqytetin e vendit, por dhe në shumë qytete kryesore.
Ismail Qemali vdiq në Peruxha të Italisë më 26 janar 1919[10]. Më 12 shkurt 1919 trupi i tij u soll në Vlorë dhe i përcjellë nga mijëra banorë, u varros në Kaninë, pranë të parëve të tij. Me rastin e 20-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1932, u vendos në një varr të ri monumental në lulishten pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë. Përmendorja e “Flamurtarit”, që ngrihet mbi këtë varr është realizuar nga skulptori Odhise Paskali. Ajo simbolizon kurorëzimin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar me Shpalljen e Pavarësisë[11].

 Bibliografi:

[1]-Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë mban nënshkrimet e 40 personave. Deklaratën e kanë firmosur vetëm delegatët e ditës së parë të Kuvendit të Vlorës. Është i paqartë fakti përse nuk kanë nënshkruar delegatët e ditëve të mëpasshme. Blendi Fefziu, 100 vjet, një eskursion në politikën e shtetit shqiptar nga 1912-2012, botimet UET Press, Tiranë, 2012, faqe 24.
[2]Pavijoni i Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë Shqiptare, botim i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, 2017, faqe 38.
[3] Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939,(Tiranë: Toena, 2009), 15-16.
[4]Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Nëntor 1912-Janar 1914, përpunuar e redaktuar nga Dhimitër Kotini, Xhavit Struga, Fane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kleanthi Dedi, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore, Tiranë, 1963, faqe 34.
[6]Pavijoni i Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë Shqiptare, botim i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, 2017, faqe 40.
[7]Ismail Qemali. A.Q.SH. f. 71, d.1, dok. nr. 10.378, kopje përkthim nga turqishtja.
[8]Pavijoni i Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë Shqiptare, botim i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, 2017, faqe 37.
[9]-Leonardo Voci, Odhise Paskali, themelues i skulpturës shqiptare, Tiranë, 2018, faqe 46.
[10]-Ilir Ikonomi, Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, botimet UET Press, Tiranë, 2012, faqe 250.
[11] -Kaliopi Naska, Ismail Qemal Vlora, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2009, faqe 2903.



No comments: